Askush prej nesh nuk është i përsosur


Një grua kishte dy enë të mëdha të cilat i varte në dy anët e një shkopi druri që e mbante mbi shpatulla.

Njëra nga enët ishte në gjendje të mirë dhe gjithmonë përgjatë rrugës, nga burimi deri në shtëpi, rrinte e mbushur me ujë, ndërsa ena tjetër ishte e krisur prandaj me të mbërritur në shtëpi gjithmonë arrinte gjysmë e boshatisur.
Dy vite me radhë vazhdoi e njëjta histori me gruan e cila në shtëpi çonte një enë e gjysmë me ujë.
Ena e mirë ishte shumë krenare për veten e saj, por në anën tjetër ena e krisur turpërohej nga defekti i saj dhe rrinte gjithmonë e mërzitur, sepse e bënte vetëm gjysmën e punës për çka ishte krijuar.
Pas dy vitesh, gjatë rrugës, e dëshpëruar nga ‘dështimi’ i saj, ena e krisur i thotë gruas: “Më vjen turp nga vetja, sepse nga kjo e krisur që kam anash derdhet i gjithë uji rrugës, dhe kur kthehemi në shtëpi në mua mbetet vetëm pakë ujë”.
Gruaja buzëqeshi dhe i tha: “A e ke vërejtur që nga ana jote e rrugës kur ecim ka lule, ndërsa nga ana e enës tjetër jo? Kjo sepse unë gjithmonë e kam ditur defektin tënd prandaj nga ana jote kam mbjellë fara lulesh dhe kështu çdo ditë që ktheheshim t’i i ujisje ato. Për dy vite me radhë, me ato lule e kam zbukuruar dhe e kam aromatisur shtëpinë. Nëse ti nuk do të ishe kështu siç je, unë nuk do t’i kisha pasur gjithë këto bukuri për ta hijeshuar shtëpinë.


Thelbi i tregimit

Askush prej nesh nuk është i përsosur. Përkundër defekteve që i kemi ne prapë se prapë mund të jemi të dobishëm, dhe kjo na bën të jemi të rëndësishëm.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme