Tani, kur muaji i bekuar Ramazan ka hedhur shkëndijat vezulluese në horizontet tona, dhe puhiza e lehtë e mirësive të tij nuhatet kudo, penëdashësit e islamistikës shqipe në veçanti, dhe besimtarët në përgjithësi, i gëzohen edhe arritjeve të shënuara të kësaj reviste në të cilën po përvijojmë mesazhet universale të fesë së vërtetë.
Koincidencë e mahnitshme duket kjo, por ja që tribuna mbarëshqiptare e fjalës së shkruar shqipe - revista "Dituria Islame" në vitin e 38-të të jetës së saj, po shënon numrin e vet jubilar, të 400-tin me radhë, mu në këtë muaj të mirësisë së madhe. Quajeni si të doni, por themelimi, e edhe mbijetesa e saj gjerë më sot, është një dhunti e shkruar nga Zoti ynë, që nga ne me përulësi, Ai duhet falënderuar.
Ky zë që mori barrën e çlirimit të ndërgjegjes shqiptare nga mynxyra e monizmit të ngjizur me ateizmin dehumanizues, sikur, dikur, edhe sot, përçon guximshëm mesazhin se, errësira, pavarësisht "triumfit" të përkohshëm që mund ta shënojë, ajo, përfundimisht s'mund ta mposhtë dritën. Thënë troç, përballë sprovës shpeshherë tunduese, për të heshtur apo për ta thënë të vërtetën, ky fanar ndriçues zgjodhi të dytën pa asnjë hamendësim.
Kjo revistë, ishte ajo që mori rolin e dëshmitarit më besnik dhe të rrëfyesit më objektiv të të gjitha atyre ngjarjeve tronditëse që po kalonte populli shqiptar i Kosovës, në periudhat më sfiduese të historisë së vet bashkëkohore. Veç kësaj, me lapsat e saj të patrembur po përmbysej guximshëm rrëfimi i mbrapsht për historinë tonë kombëtare që sajohej mizorisht nga armiqtë tanë.
Për katër decenie me radhë, "Dituria" u bë minberi më i zëshëm fetaro-kombëtar, ngase s'di njeriu ç'emër tjetër më të denjë se ky t'i vë, asaj që në fletat e saja pranoi të hedhë bojën e penës së krejt atyre njerëzve që aspiratën për liri e besimin në Zot e kishin ngjizur në shpirt, për ta lënë pastaj edhe si amanet të shtrenjtë për të gjithë brezat e së ardhmes.
"Dituria Islame" u bë tejet bujare, nga kur mori barrën që krushqve të dasmës së lirisë sonë t'ua mbante të gjallë aspiratën për çlirim, dhe ëndrrën për pavarësi në sytë tanë ta pasqyronte si të mundshme e si realitet. E zezë mbi të bardhë duhet gjithnjë të shkruhet se kjo tribunë përbrendësoi si më së miri projektin kombëtar shqiptar, dhe e bëri atë pjesë të vizionit të kristaltë të saj.
Më të lumtur se kushdo tjetër, me sukseset e kësaj reviste në këtë jubilar të çmuar, ndihet vargu i gjatë i atyre njerëzve që morën mundin që të hedhin në faqet e saj interpretime e komentet e kulluara shkencore rreth shpalljes së fundit hyjnore - Kuranit dhe Sunetit profetik. Të gjithë ata kanë të drejtë të mburren, sepse emrat e tyre mbase listohen si një hallkë e pashkëputur e atyre që Muhamedi a.s. për ta tha: "Allahu e ndriçoftë fytyrën e atij njeriu që ka dëgjuar fialën time, dhe e ka përcjellë atë te të tjerët (besnikërisht) ashtu siç e ka dëgjuar..." (Termidhiu, Ibën Maxheh, e të tjerë). Fytyrëndritur kanë qenë dhe do të mbesin, sepse fialët e njeriut më besnik, i përcollën te shoqëria shqiptare me konsekuencë e besnikërl.
Në vigjilje të muajit Ramazan, "Dituria Islame", duke qenë zëri më kumbues i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës dhe i kauzës shqiptare në përgjithësi, hedh në dritë numrin e saj jubilar, sikur për të shprehur mirënjohjen e përzemërt për të gjithë ata besimtarë që besuan në mesazhin e dëlirë të saj. Përtej kësaj, edhe për të thënë se tërë atë përkrahje morale e materiale që ju e bëtë, e vazhdoni ta bëni edhe më tej me sadakatë e zekatin tuaj, shpagimin e saj, përpos se tek Allahu në Botën e Përtejme, do e gjeni edhe këtu brenda shkronjave, mesazheve dhe fletave t ë pavdekshme të saj.
Ju që besuat dhe shpresuat se guximi për të thënë të vërtetën lënë gjurmë të pashlyeshme në faget e historisë, mos harroni se "Dituria Islame" është njëra prej provave e dëshmive më të forta që besnikërisht e dëshmon atë.
Në fund, ajo që e pret dhe që duhet bërë në të ardhmen kjo revistë, nuk është as më pak në vlerë e as më pak fisnike se sa detyra që ajo ka kryer me pietet deri rnë sot. Ajo, në ndonjë linjë tjetër, as nuk duhet e as nuk guxon të hapërojë!
Zot i Madh, te bujaria Jote ndihmë e sukses kërkojmë!
Editorial
Dituria Islame 400