"Zoti juaj ka thënë: "Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem ... " (Gafir, 60 )

Muaji i madhërishëm i Ramazanit, përveçqë është muaj i zbritjes së Kuranit dhe i agjërimit, është edhe muaj i duasë. Gjatë këtij muaji Allahu xh.sh. i shton shpërblimet dhe dhuron mëshirë për ata që kërkojnë mëshirën e Tij. Gjithashtu gjatë këtij muaji hapen dyert e të mirave për çdonjërin që synon të mirën. Është muaj i mirësisë dhe i bereqetit, muaj i shpërblimeve dhe i dhuratave. Muaj i faljeve të mëkateve (magfiretit) dhe i shpëtimit nga zjarri i Xhehenemit. Me një fjalë, është muaj i mbuluar dhe i shtruar me mëshirën - rahmetin e Allahut xh.sh..


Këtu do të bëjmë fjalë për një ibadet me vlerë mjaft të rëndësishme, që është vlera e duasë. Ibadetet tek Allahu i Lartëmadhëruar dallojnë nga vlera dhe rëndësia. Disa ibadete Allahu xh.sh. i bëri më me rëndësi dhe kërkoi nga njeriu që t'i kryejë patjetër, kurse për disa të tjera rekomandoi dhe e nxiti t'i kryejë. Në vargun e veprave të çmuara dhe me vlerë tek Allahu xh.sh., e gjejmë edhe duanë. Muhamedi. a.s. thotë: "Duaja është ibadet (adhurim)".(1)
Fjala ‘dua’ rrjedh nga gjuha arabe, që në gjuhën shqipe ka këto kuptime: thirrje, ftesë, lutje etj ...


Është interesante se fjala salat (namaz) në kuptimin etimologjik nënkupton drejtpërdrejt duanë. Kurani njeriun e drejton të bëj sa më shumë dua, respektivisht ta lusë Allahun xh. sh .. Kështu, pesë kohët e namazit, që janë obligim i domosdoshëm për çdo musliman e muslimane, në thelb janë dua që ia drejtojnë besimtarët Krijuesit të tyre. Leximi i obligueshëm i Fatihasë në namaz, ka edhe një qëllim, sepse Fatihaja është nga duatë më të mira, ku kërkohen udhëzimi dhe mëshira e Allahut të Madhërishëm. Sipas mësimeve islame, ibadeti nuk mund të kufizohet vetëm në ritualet e caktuara të adhurimit. Përkundrazi, ai përfshin lëvizjen dhe jetën e tërësishme njerëzore.




Të gjithë njerëzit kanë nevojë për Zotin


 


A ka ndonjë prej nesh që nuk ka halle dhe probleme? A ka ndonjë prej nesh që nuk ka ëndrra dhe dëshira për t' i realizuar? A ka njerëz që nuk kanë frikë për gjynahet e tyre dhe nuk duan që Zoti t'ua falë? Kujt tjetër do t'i lutemi, nëse nuk i lutemi Zotit? Për kë tjetër do të kishim më shumë nevojë? Në derën e kujt tjetër veç Zotit tonë, mund të trokasim?! Të gjithë ne kemi nevojë të lutemi dhe hallet tona t'ia qajmë Atij që ka në dorë gjithçka. Të gjithë jemi të varfër për mëshirën dhe ndihmën e Tij. Të gjithë kemi nevojë për Zotin, si muslimani ashtu edhe jomuslimani, si vepërmiri i cili E lut Zotin xh. sh. që ta shpërblejë me sevape, ashtu edhe vepërligu, i cili bën dua që t'ia falë gabimin. Si i varfri që bën dua dhe shpreson se do të pasurohet, po ashtu i sëmuri bën dua dhe shpreson se do të shërohet etj Ne ua shtrijmë duart njerëzve për të na ndihmuar, por harrojmë Zotin e njerëzve, që ka në dorë gjithçka.(2) Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: "O ju njerëz, ju keni nevojë për Allahun e Allahu nuk ka nevojë për ju; Ai është i falënderuari". (Fatir, 15)


Në jetën e përditshme na lind nevoja që të kërkojmë diçka nga njerëzit, qoftë ndihmë materiale, hua apo edhe përkrahje shpirtërore. Në të shumtën e këtyre rasteve gjejmë njerëz të cilëve kur ju kërkojmë diçka, prishin fytyrën e tyre apo të ankohen se "nuk kanë as për vete", ose ndihmën ta kushtëzojnë me diçka që nuk ke mundësi ta bësh për të, ose, nëse të ndihmon materialisht, të kërkon edhe kamatë etj ..


Ky është një realitet i hidhur në jetën e përditshme, por a thua ndodh kështu edhe me Allahun xh.sh.?


A hidhërohet Allahu xh.sh. nëse njeriu kërkon diçka prej Tij? A ia kushtëzon ndihmën me diçka që ia zbeh imazhin e fesë dhe karakterit të tij njerëzor?
Përgjigjja:


Kurrsesi, madje Allahu i Lartmadhëruar ka dëshirë që njeriu të kërkojë prej Tij dhe ta lusë Atë. Muhamedi a.s. thotë: "Kërkoni nga Allahu, sepse Allahu ka dëshirë që të kërkohet prej Tij".


'Pranuesi i lutjeve'. Madje Allahu xh. sh. hidhërohet nëse njeriu nuk kërkon prej Tij.


Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Allahu zemërohet me atë që nuk kërkon (asgjë) prej Tij".(3)


Kur E lut Allahun, besimtari e ndien se Ai është afër, dëgjon lutjet dhe rënkimet e tij. Madje Vetë Allahu xh. sh. e urdhëroi Muhamedin a.s. që t'i nxisë besimtarët për dua duke u treguar se Allahu është afër, dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve të lutësve:) "Vërtet Zoti im është afër dhe pranues i lutjeve". (Hud, 61)


Shkoi një njeri te Pejgamberi a.s. dhe e pyeti: "O i Dërguar i Allahut, a është larg Zoti ynë dhe a duhet ta thërrasim apo është afër dhe ta lusim me zë të ulët". Atëherë u shpall ajeti i Kuranit: "E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi Më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të Më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua". (El Bekare, 186).(4)
E theksuam më parë se, nëse kërkon diçka nga ndonjë njeri, do ta shohësh fytyrëprishur apo në disa raste edhe do të të ofendojë e të thotë: "unë nuk qaj kokën për ty, përse edhe ti nuk punon?", ndërsa Allahu xh.sh. turpërohet prej teje. Po, turpërohet prej teje që ta lusësh, e Ai të të mos përgjigjet. Transmetohet nga Selman Farisiu se Muhamedi a.s. ka thënë: "Vërtet Allahu është i Gjallë, i Ndershëm (Fisnik), turpërohet nëse njeriu i ngre duart drejt Tij e Ai ta kthejë bosh (duarthatë)".(5)


"I vjen turp" do të thotë që nëse ti E lut për diçka, Ai të jep. Ashtu si disa njerëz të cilët, kur u kërkon diçka, edhe nëse nuk kanë mundësi të ta japin, nuk të kthejnë thatë, ngaqë u vjen turp. Nëse kjo vlen për njeriun, ç'mund të themi për Zotin Që ka në dorë gjithçka?! Gjithashtu Zoti nuk e ka kushtëzuar duanë vetëm për ata që janë të devotshëm apo që falen dhe agjërojnë, po e ka lënë të lirë për të gjithë ata që I luten. "Zoti juaj ka thënë: "Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem, e ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë të nënçmuar në Xhehennem". (Gafir, 60)


 


Përse të mos lutemi?


 


Vallë, përse të tregohemi mendjemëdhenj ndaj Allahut, me gjithë nevojën që kemi? Lutja nuk është vetëm kur të jesh në hall dhe në nevojë. Lutja në esencë është adhurimi ndaj Zotit dhe nuk bëhet vetëm në çaste të vështira. Ne E lusim Atë, në mënyrë që të jemi të përulur ndaj Tij. Allahu në Kuran thotë: "Luteni Zotin tuaj, të përulur e në heshtje, sepse Ai nuk i do ata që e teprojnë". (El Araf, 55). Pejgamberi a.s. thotë: "Lutja është vetë adhurimi". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu)


Mund të mos e ndiesh nënshtrimin dhe përuljen ndaj Zotit derisa falesh apo agjëron, por derisa lutesh, këtë e ndien detyrimisht. Sepse nuk mund të lutesh përveçse për diçka që nuk ke ...


Ibn Kajjim el Xheuzij thoshte një fjalë: "Trokita në derën e atyre që falin namaz, dhe gjeta shumë të tillë. Trokita në derën e atyre që agjëronin, dhe pashë që kishte shumë më tepër. Trokita në derën e atyre që kanë nevojë për Zotin, dhe pashë se kishte shumë pak njerëz. Prandaj, trokisni në atë derë. Kush troket aty, Zoti nuk do ta kthejë kurrë mbrapa, sepse aty ka vend për të gjithë".


Allahu në Kuran thotë: "Zoti juaj ka thënë: "Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem, e ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë të nënçmuar në Xhehennem" . (Gafir, 60).


Ata njerëz, të cilëve u kalojnë muaj dhe vite pa iu lutur Zotit, janë mendjemëdhenj dhe arrogantë. Kjo, sepse paraqiten sikur nuk kanë nevojë për Zotin.


E kush nuk ka nevojë për Zotin? Të gjithë kemi nevojë për Të. A E ke lutur Zotin ndonjëherë me qëllim që të jesh sa më pranë Tij? Nëse jo, atëherë mos e humb rastin në këtë muaj të bekuar, shpeshtoji lutjet dhe kërko prej Atij Që gëzohet kur robi E lut, e Zoti i jep.


A duhet të kemi -frikë se nuk na pranohet duaja Sufjan bin Ujejne thotë: "Mos ki frikë se nuk të pranohet lutja, ngaqë ke bërë gjynahe, pasi Zoti ia ka pranuar lutjen krijesës më të keqe - shejtanit. Ai iu lut Zotit t'i jepte afat deri në Ditën e Kiametit për ta larguar njeriun nga rruga e Tij, dhe Zoti ia pranoi lutjen: "(Iblisi) Tha: «Më jep afat gjer ditën kur ringjallen (njerëzit)!» (Allahu) Tha: «Ti e ke këtë afat!»" (El Araf, 14-15).


Tregohet se një njeri adhuroi një idhull-statujë për vite të tëra dhe ai nuk iu përgjigj kurrënjëherë. Një ditë u hidhërua njeriu dhe iu lut Allahut dhe e mori përgjigjen për lutjen e parë. Xhibrili a.s. e pyeti Allahun xh.sh.: Si shpjegohet kjo, o Zot i Madhëruar? Allahu xh. sh. i tha: Nëse nuk i përgjigjem, atëherë ku është ndryshimi midis meje dhe statujës?! Në fakt Zoti gjithmonë ua pranon lutjet njerëzve. Ajo që ndodh, është se shejtani i bën të harrojnë se e mira që u erdhi, është për shkak të lutjes që kishin bërë më parë. E bën këtë që t' i largojë njerëzit nga lutja, duke ua mbushur mendjen që ato nuk pranohen. Gjithashtu e bën që të mos e ndjesh që Zotin e ke pranë.
Pranimi i duasë të jep një ndjenjë të ëmbël, e cila buron nga besimi, dhe shejtani kërkon ta largojë këtë.


Sa njerëz E kanë lutur Zotin për hallet e tyre dhe Ai ua ka pranuar? Sa njerëz ka që kanë qenë të zhytur në gjynahe, E kanë lutur Zotin që t'i udhëzonte, dhe janë udhëzuar. Hasan Basriu vizitoi Ebu Uthman Nehdiun që ishte i sëmurë. Hasani i tha Ebu Uthmanit: Lute Allahun, sepse ti e di vlerën e duasë së të sëmurit. Ebu Uthmani i ngriti duart dhe bëri dua. Pas lutjes tha: "Ju përgëzoj se Allahu na është përgjigjur neve". Hasan Basriu i tha: "Ai di fshehtësitë e Allahut xh. sh.? Tha: Po, o Hasan, sepse ti, nëse do të më tregosh diçka, unë të besoj ty. E si të mos besoj në Fjalën e Allahut: "Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem", kur dolëm Hasani tha: Ai është më i ditur se unë".(6)


 


Koha dhe vendet e preferuara ku pranohen lutjet


 


Edhe pse nuk ka kohë dhe vend të caktuar për dua, sepse mund të lutemi në cilëndo kohë dhe në cilindo vend, megjithatë janë disa preferenca nga Pejgamberi a.s. për këtë çështje:


Në një të tretën e fundit të natës. Ebu Hurejre r.a. transmeton: "Erdhi një njeri te Pejgamberi a.s. dhe i tha: O i Dërguari i Allahut, kur është lutja më e pranueshme"? "Në një të tretën e fundit të natës" - i tha Pejgamberi a.s."(7)
Një orë në ditën e xhuma: Duke qenë në sexhde; Mes ezanit dhe ikametit; Gjatë rënies së shiut; Në xhihad; Ditën e Arafatit; Natën e Kadrit; muaji i Ramazanit, koha e iftarit, koha e syfyrit. Në Qabe; Gjatë tavafit; Kur përfundon së lexuari gjithë Kuranin.


 


Ka njerëz të cilëve Zoti ua pranon lutjet


 


Një udhëheqësi të drejtë, Lutja e agjëruesit, Lutja e atij që i është bërë padrejtësi, e udhëtarit dhe e prindit për evladët e tij, Lutja e një muslimani për vëllanë e tij musliman.


 


Kushtet e pranimit të Duasë :


 


Me qenë i sigurt se lutja do të pranohet. Të tregohet nënshtrueshmëri dhe vetëmohim gjatë lutjes dhe mosnxitimi për pranimin e lutjes.


 


Edukata gjatë lutjes:


1) Të qenët i pastër dhe me abdes.


2) Ngritja e duarve drejt qiellit.


3) Drejtimi nga Kibla.


4) Të fillohet me falënderimin ndaj Allahut dhe të përshëndetet me salavate


Pejgamberi a.s. si dhe të këmbëngulet në dua. Pastaj, nëse kemi mundësi, menjëherë pas duasë të japim sadaka.


 


Po e mbyllim këtë temë me një thënie të Ebu Hurejres: "Atij që i jepen rrësk gjashtë gjëra, nuk i ndalohen gjashtë të tjera:


Atij që i jepet rrësk falënderimi, nuk i ndalohet bollëku, sepse Allahu xh.sh. thotë: "Nëse Më falënderoni, Unë do t'jua shtoj juve". (Ibrahim,7)
Atij që i jepet rrësk durimi, nuk i ndalohet shpërblimi, sepse Allahu xh. sh. thotë: "Durimtarëve u jepet shpërblimi pa masë". (Ez Zumer,10.)
Atij që i jepet rrësk pendimi, nuk i ndalohet pranimi, sepse Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe Ai e pranon pendimin e robërve të Tij". (Esh Shura. 25.)
Atij që i jepet rrësk istigfari, nuk i ndalohet falja, sepse Allahu xh.sh. thotë: "Kërkoni falje Zotit tuaj, sepse Ai është shumë falës". (Nuh, 10.)
Atij që i jepet rrësk lutja, nuk i ndalohet pranimi i kërkesës, sepse Allahu thotë: "Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem" (Gafir, 60.)


Atij që i jepet rrësk shpenzimi në rrugën e Allahut, nuk i ndalohet zëvendësimi i saj, sepse Allahu i Madhëruar thotë: "Çfarëdo që të jepni Ai e kompenson, sepse Ai është Dhuruesi më i madh". (Sebe'ë, 39)(8)
E lusim Allahun të na bëjë prej atyre që do të na pranohen duatë tona. Amin!


________________________
1) Hadithin e shënon Ahmedi, në Sahihun: Edebul Mufred.4/267.
2) Amër Halid; Përmirësimi i zemrave. Shkup. 2010. f. 303.)
3) Ahmed Ferid. Deti i kthjellët i devotshmërisë dhe subtilitetit. Drita e jetës. Gjilan, pa vit botimi. f. 110. (Tirmidhiu)
4) Amër Halid; Me Emrin Tënd jetojmë. Shkup. 2007. f. 281.)
5) Hadithin e shënon Ahmedi në Musnedin e tij, 5/ 438.
6) Samir Bulku. Melhemet e zemrës. Tiranë. 2004. f. 245.
7) Dr. Shefik Kurdiq, Gjuha shpatë me dy tehe. Shkup, 2008. F. 126. Hadithin e shënon Muslimi, Përmbledhja e haditheve e Muslimit, 1/341 hadithi nr. 389.
8) Samir Bulku. Melhemet e zemrës. Tiranë. 004. f. 243.





Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?