Bashkësia Islame e Kosovës shtroi iftar në Ulqin

 



Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës shtroi mbrëmë iftarin tradicional në Ulqin për imamët shqiptarë të Ulqinit, të Krajës, Anës së Malit, mutevelitë e xhamive dhe aktivistët e këtyre Mexhliseve të Meshihatit të Bashkësisë Islame të Malit të Zi.


Delegacioni i Bashkësisë Islame të Kosovës përbëhej nga kryeimami i Kosovës, Vedat ef. Sahiti, dekani i FSI-së, Islam Hasani, drejtori për Shtyp dhe Veprimtari Botuese, Ramadan Shkodra dhe Abedin Sadriu.


Kryimami Sahiti, u prit nga kryeimami Mexhlisit të Bashkësisë Islame në Ulqin, Ali ef. Bardhi, me ç‘rast kryeimami Sahiti u informua për angazhimet e Mexhlisit dhe aktivitetet e Ramazanit në veçanti, si dhe mbi mbarëvajtjen e jetës fetare në Ulqin.


Kryeimami Vedat ef. Sahiti, në fjalën e tij përcolli përshëndetjet e Myftiut Naim ef. Tërnava, duke theksuar se Bashkësia Islame do të vazhdojë bashkëpunimin me Meshihatin e Malit të Zi dhe do të jetë aktivisht mbështetëse e organizimit fetar Islam në Mal të Zi.


Në këtë iftar morën pjesë zëvëndësreisi i Meshihatit të Malit të Zi, Omer ef. Kajoshaj dhe kryetari i Kuvendit të Meshihatit, Isa ef. Aloshi.


Pas iftarit, kryeimami Sahiti u priu në faljen e namazit të teravive në Xhaminë e Detarve, ndërsa Abedin ef. Sadriu në Xhaminë e Bregut.