Myftiu Tërnava: “Uniteti, mjeti kryesor për kapërcimin e sfidave”

 


Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka paraqitur në Samitin konsultativ të ulemave myslimanë në Stamboll, kumtesën e tij me titull “Ndërtimi i ndërgjegjes së ymetit përballë sfidave bashkëkohore”.
Ai në fjalën e tij tha se, individët, komunitetet dhe vendet sot po përballen me sfida të ndryshme, të cilat po prekin të ardhmen e jetës së tyre, e ndonjëherë po kërcënojnë edhe gjithë ekzistencën e tyre. “Tejkalimi i sfidave të brendshme është porta e natyrshme për të kapërcyer sfidat e jashtme. Bota islame duhet të shërohet nga sëmundjet e saj të brendshme dhe t’i kapërcejë sfidat e brendshme, për të qenë në gjendje që ajo shoqëri t’i kapërcejë edhe sfidat e jashtme. Në veçanti, në vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë të zhvillimit të frikshëm të fenomeneve të rrezikshme, si fanatizmi, ekstremizmi e radikalizmi, të cilat kanë tentuar që ta shkatërrojnë shoqërinë, shpeshherë edhe nën një slogan islamik dhe me thirrjet se “Zoti është më i Madhi”.
Myftiu Tërnava nuk la pa përmendur edhe sfidat dhe vuajtjet që ka përjetuar populli shqiptar në shekullin e kaluar nga dhuna e padrejtësia mbi 100-vjeçare e Serbisë. “Unë vij nga një vend i cili ka përjetuar shumë sfida, dhunë e padrejtësi. Ata u munduan vazhdimisht, përmes presioneve të shumta e të llojllojshme, të na largojnë nga ndërgjegjja jonë, nga dinjiteti ynë fetar e kombëtar. Nga këto sfida e nga ky presion, vetëm në Turqi janë shpërngulur miliona shqiptarë, e sot numri i tyre arrin në mbi gjashtë milionë.”
Për të arritur zgjidhje për problemet dhe sfidat, të cilat kanë kapluar botën në përgjithësi, e ymetin islam në veçanti, Myftiu Tërnava, përmendi se sot, si asnjëherë më parë, bota ka nevojë për bashkëpunim për t’i shmangur luftërat dhe gjakderdhjet. Ai tha se Zoti në ajetin e dytë të sures El Maide, porosit që të ndihmohemi mes vete në punë të mira e të mbara, e assesi në mëkate e armiqësi.
“Ymeti kërkon një unitet të fortë dhe një bashkëpunim solid ndërmjet vendeve e popujve të tij. Nuk ka dyshim se ky unitet është thelbësor për arritjen e rritjes, zhvillimit dhe prosperitetit të vërtetë për myslimanët. Unë e di se rruga drejt unitetit nuk është e shtruar me trëndafila, pasi që një nga sfidat më të rëndësishme me të cilat po përballet shoqëria jonë islame është diversiteti kulturor dhe gjuhësor, që po konsiderohet si një sfidë për arritjen e këtij uniteti. Ndarjet etnike dhe sektare, gjithashtu konsiderohen sfidë e madhe për unitetin e shoqërisë islame. Por, ashtu siç porositë Allahu në Kuranin fisnik, me të tilla porosi e përmbylli edhe unë fjalimin tim, që të bashkohemi ndërmjet vete e të ndërgjegjësohemi me mësimet, vlerat dhe moralin e Islamit. “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntitë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja, e në saje të dhuntisë së Tij, ju u bëtë vëllezër.” (Ali Imran, 103).


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme