Dielli dhe Hëna nga argumentet e Krijuesit


“Ai e ka bërë Diellin burim drite, kurse Hënën e ka bërë të shkëlqejë, duke i caktuar asaj fazat, që ju të dini numrin e viteve dhe njehsimin e kohës. Allahu i krijoi këto vetëm me të vërtetën. Ai ua shpjegon shenjat e Tij njerëzve që kuptojnë.” (kaptina Junus, ajeti 5)
P asi që Allahu i Madhërishëm në ajetet paraprake paraqet argumente të ekzistimit Tij në krijimin e qiejve dhe të tokës, me çka natyrshëm buron adhurimi ndaj Krijuesit Një, në vijim Allahu xh.sh. vazhdon të paraqesë disa fakte tjera të proceseve të ndryshme natyrore që ndodhin brenda kësaj gjithësie madhështore. Është fjala për krijimin e diellit dhe të hënës si dhe rolin e tyre të madh në shërbim të njerëzve, rol i cili padyshim është nga argumentet e ekzistimit të Krijuesit dhe fuqisë së Tij.
 Drita e shndritja e diellit dhe shkëlqimi i hënës janë nga faktet e dukshme në gjithësi, rolin e të cilave nganjëherë e harrojmë për shkak të përditshmërisë dhe përsëritjes së tyre në mënyrë të vazhdueshme, ndaj ku qëndron ndjenja dhe entuziazmi i njeriut kur ai sheh për herë të parë lindjen e diellit dhe perëndimin e tij, apo sheh për herë të parë paraqitjen e hënës apo fshehjen e saj? Të dy këto dëshmi në gjithësi që përsëriten vazhdimisht, Kur’ani tërheq vëmendjen njerëzore ndaj tyre dhe rolit të rëndësishëm që kanë, duke nxitur në të njëjtën kohë ndjenjën dhe vullnetin serioz të njeriut për të menduar, medituar dhe vështruar seriozisht në krijimin shumë preciz dhe fantastik të tyre. Dielli është shndritës dhe burim drite kurse hëna shkëlqim, ndaj u caktoi fazat dhe pozicionet e ndryshme të dukjes së tyre të cilat orientojnë njeriun në njehsimin e kohës, llogaritjen e muajve dhe viteve, gjë e cila aplikohet në mbarë botën tek njerëzit. A thua ky precizitet kaq i madh që ekziston tek dielli dhe hëna ka ndodhur rastësisht dhe vetvetiu? A thua gjithë ky rol i tyre dhe shërbim që kanë për jetën njerëzore në njehsimin e kohës ka ndodhur pa ndonjë planifikim paraprak nga dikush? Pa kurrfarë dyshimi, gjithë ky sistem i përkryer, precizitet perfekt në krijim dhe lëvizje pa asnjë gabim absolutisht, tregon se nuk kemi të bëjmë me rastësi, por me një plan paraprak nga Një Planifikues, Shpikës dhe Krijues absolut i çdo gjëje në gjithësi, Ai është Allahu xh.sh., i Cili çdo gjë që ka krijuar e ka krijuar me një qëllim të caktuar dhe me një sistem e precizitet të përkryer dhe në shërbim të njerëzve. Gjithë atë që ka krijuar i Madhërishmi Zot e në mesin e tyre edhe dielli e hëna dhe roli i tyre janë argumente hyjnore për një popull që di të mendoj vëmendshëm, ndaj edhe njeriu me angazhimet e tij mendore po zbulon vazhdimisht këtë planifikim, krijim dhe precizitet kaq të lartë tek dielli dhe hëna, dhe po del në shesh argumentimi i tyre mbi të vërtetën absolute të Allahut Krijues dhe rolit e shërbimit të tyre për jetën njerëzore.(1) Allahu i Madhërishëm ka bërë diellin shkak direkt të jetës mbi tokë si dhe shtyllë kryesore të çdo gjallese, ngrohës të ujit i cili më pas zbret i pijshëm për t’i shërbyer njeriut, kafshëve, bimëve etj, fakt i përshkruar në Kur’an: “Ai la të lirë të bashkohen dy dete, ky (njëri) i pijshëm e i shijshëm...” (El-Furkanë, 53), si dhe: “Dhe në të kemi vënë kodra të forta e të larta dhe ju dhamë të pini ujë që ua shuan etjen” (El Murselat, 27) 
Dielli është epiqendra e shumë planetëve të cilat rrotullohen rreth tij, rrotulli mi i tokës rreth diellit përcakton vitin, kurse rrotullimi i tokës rreth boshtit të vet përcakton ditën. Nëse vështrojmë diellin dhe hënën në aspektin sipërfaqësor me anë të syrit dhe pa ndonjë studim, do na krijohet bindja se të dyja bashkë (dielli dhe hëna) kanë të njëjtin ndikim dhe rol, shndrisin dhe japin dritë, por nëse studiojmë ato thellësisht do të kuptojmë diçka tjetër, se dielli është shndritës, burim drite dhe ka dritën e vet esenciale, kurse hëna e fiton shkëlqimin e saj nga dielli në mënyrë reflektuese, d.t.th. shkëlqimi - drita e hënës është jo esenciale - e huazuar. Hëna është sikurse pasqyra të cilës nëse i drejtohet drita ajo reflekton, ndaj edhe Allahu xh.sh. tha: “Ai e ka bërë Diellin burim drite, kurse Hënën e ka bërë të shkëlqejë...”. Dielli është burim drite dhe shndritë, kurse hëna vetëm jep shkëlqim, dhe dallimi mes tyre qëndron në faktin se shndritja e diellit liron nxehtësi dhe temperaturë, kurse shkëlqimi i hënës vetëm lloj ndriçimi të pakët për të cilën nuk ka nevojë përdorimi i ombrellës, kurse ndaj dritës dhe shndritjes së diellit në shumë raste ka nevojë për përdorimin e saj për mbrojtje nga temperaturat. A nuk është edhe ky një nga argumentet e shumta të Krijuesit në gjithësi? Padyshim se po! 
Para përparimit të shkencës njerëzit nuk dinin se drita e diellit përbëhet nga shtatë ngjyra si: e gjelbër, e verdh, e kuqe etj, dhe pikërisht shprehja kuranore për diellin “burim drite-shndritës” përmban kuptimin e llojllojshmërisë së ngjyrave, që padyshim është nga urtësitë dhe faktet e Krijuesit. Kështu, Kurani ka zbritur duke iu përmbajtur vazhdimisht nivelit të atëhershëm të vetëdijes njerëzore, kur njerëzit nuk kishin bërë asnjë përparim shkencor, ndaj po t’i theksonte Kur’ani këto të vërteta drejtpërdrejt, atëherë dikush do të thoshte: Unë po e shoh diellin të kuq përgjatë perëndimit, e të verdhë në zenit, mirëpo ai nuk e din se ngjyra e kuqe përgjatë perëndimit duket vetëm në të shikuarit e njeriut për shkak të gjatësisë së këtyre rrezeve dhe kjo ngjyrë nuk paraqitet përveç gjatë perëndimit kur dielli është në pikën më të largët, ndaj nuk arrin tek ne përveç rrezeve të kuqe, ndërsa ngjyrat tjera shpërndahen në gjithësi dhe nuk arrijnë tek sytë tanë.(2) 
Në kohën kur njerëzit ishin në një injorancë të plotë Kur’ani fisnik ka bërë dallimin në mes të vërtetës së diellit dhe të hënës, si: “Dhe në ta hënën e bëri dritë, diellin e bëri ndriçues” (Nuh, 16), si dhe: “I madhërishëm është Ai që krijoi yje në qiell dhe vendosi në të dritë (diell) e hënë që ndriçon” (El-Furkanë, 61) 
Allahu xh.sh. ia caktoi hënës fazat dhe karakteristikat e veçanta në kohë, paraqitje dhe në formë, të cilat ndodhin në mënyrë të përkryer, të konfirmuara edhe në ajetin tjetër: “Hënës i kemi caktuar faza; ajo përditë hahet e bëhet si rremi i përkulur i hurmës” (Jasinë, 39). D.t.th. i përcaktoi hënës fazat, pozicionet, lëvizjet dhe paraqitjet e saj në gjithësi, të cilat ndodhin tek ajo në mënyrën më të mirë të mundshme dhe pa asnjë gabim.(3) 
“Duke i caktuar asaj fazat”, ka për qëllim jo vetëm hënën por edhe diellin, që d.t.th. ka caktuar fazat e pozicionet e të dyjave, mirëpo përmendja vetëm e hënës apo veçimi i saj në ajet ka ardhë për shkak të shpejtësisë së saj në lëvizje, për shkak të dukjes së fazave të saj shumë lehtë edhe nga syri i njeriut dhe për shkak të përcaktimit të dispozitave të sheriatit islam sipas fazave të saj, ndaj edhe në vijim të ajetit thuhet: “që ju të dini numrin e viteve dhe njehsimin e kohës”(4) 
Folja e përdorur në fillim të ajetit “e ka bërë” nuk ka për qëllim vetëm hënën, por edhe diellin, sepse edhe dielli ka fazat e pozicionet e veta, fakt i cili është vërtetuar edhe në ajete tjera, si: “Ai ka nënshtruar Diellin dhe Hënën; të gjitha këto rrotullohen për një kohë të caktuar” (Er-Ra’d,2), “Dielli sillet në drejtimin e vet të caktuar. Kështu e ka përcaktuar i Plotfuqishmi, i Gjithëdijshmi” (Jasinë, 38), apo ajeti tjetër: “Dielli dhe hëna ndjekin rrugën e caktuar” (Err-Rrahman, 5). D.t.th. që të dyja, dielli dhe hëna u shërbejnë njerëzve për njehsimin dhe llogaritjen e kohës, të viteve dhe të muajve.(5) 
Me fazat dhe pozicionet e hënës përcaktojmë fillimin e muajit të Ramazanit, përcaktojmë muajt e haxhit, gjithashtu gruaja llogarit muajt e pritjes (idetit) me fazat e saj, e cila fillon e vogël, pastaj rritet, e më pas zvogëlohet përsëri, fakt i theksuar në Kur’an: “Hënës i kemi caktuar faza; ajo përditë hahet e bëhet si rremi i përkulur i hurmës” (Jasinë, 39). Trajta e harkut të hënës i përngjanë rremit të hurmës së tharë e të përkulur, të cilën njerëzit (arabët) në atë kohë e përdornin për të formuar fshesa me të cilat pastronin (fshinin) shtëpitë fshatare. Kështu, Allahu xh.sh. në këtë ajet ka bërë këtë krahasim fantastik për të qenë në nivel të ngritjes mendore dhe logjike të njerëzve të asaj kohe (të kohës së zbritjes së Kur’anit), metodë kjo kuranore që simbolizon urtësinë, mëshirën dhe mrekullinë hyjnore. Në fillim të çdo muaji hënor ne e shohim hënën e cila simbolizon fillimin e muajit dhe pikërisht kështu njeriu mësoi të llogarisë muajt në bazë të fazave të hënës, kurse sa i përket vitit, qartë shpjegohet në ajet: “Te Allahu numri i muajve është dymbëdhjetë (sipas hënës), ashtu si është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën” (Et-Tevbe, 36). Këtu sinjalizohet në dymbëdhjetë muajt hënor, kurse dita llogaritet sipas sistemit diellor, me çka argumentohet se Kur’ani ka përfshirë edhe fazat e diellit në llogaritje dhe njehsim të kohës për shërbim njerëzorë.
 I gjithë ky precizitet në shërbimin apo rolin e hënës dhe të diellit për njerëzit vërtetohet në vijim të ajetit, se çdo gjë është krijuar me qëllim të caktuar dhe të përkryer, në shkallë shumë të lartë të precizitetit, ndaj kur vështrojmë lëvizjen e yjeve, të diellit, hënës etj, nuk mund të gjejmë asnjëherë as edhe gabimin më të vogël. Shkencëtarët bashkëkohorë kanë vërtetuar të vërtetat mbi hënën dhe diellin ashtu siç ka paralajmëruar Kur’ani duke treguar saktësisht intervalet e ndodhjes së hënës në mes tokës dhe diellit, si dhe të tokës në mes hënës e diellit, ndaj kjo edhe shkakton nganjëherë zënien e diellit dhe të hënës, gjë e cila ndodh perfektë, ashtu siç tha Allahu: “As dielli nuk mund ta arrijë hënën e as nata nuk mund t’ia kaloj ditës; të gjitha lundrojnë në orbitat e veta” (Jasinë, 40) 
Ajeti në fjalë ka vërtetuar një mendim të njerëzve të atëhershëm, por edhe ka mohuar një mendim tjetër të tyre, ngase arabët në atë kohë mendonin se nata i paraprinë ditës, me argument se përcaktimi i natës së parë të Ramazanit konsiderohet fillimi i muajit të agjërimit, dhe derisa mendonin se nata i paraprinë ditës, atëherë domosdo rezulton bindja tjetër e tyre se dita nuk i paraprinë natës. Kurse, Zoti i Madhërishëm përmirësoi këto bindje të tyre dhe sqaroi e argumentoi se nata nuk i paraprinë ditës, e as dita nuk i paraprinë natës. Kështu, Allahu xh.sh. në mënyrë figurative - simbolike ka paraqitur të vërtetat e universit në Kur’an, sepse po të sqaronte një gjë të tillë në mënyrë shkencore dhe të hollësishme sikurse që dihet sot, atëherë njerëzit e atëhershëm (arabët) do ta mohonin atë. Po të thoshte Kur’ani drejtpërdrejt se toka është e rrumbullakët, atëherë njerëzit e asaj kohe do ta refuzonin kategorikisht një pohim të tillë, dhe pikërisht për këtë arsye Krijuesi Fuqiplotë nuk ka zbuluar hollësisht të gjitha të vërtetat e gjithësisë, por vetëm i ka sinjalizuar ato, në mënyrë që t’i pranoj niveli mendor i njerëzve të asaj kohe.
E si, nata nuk i paraprin ditës, e as dita natës? A thua Allahu xh.sh. ka krijuar njëherë diellin të drejtuar nga sipërfaqja e tokës, e më pas dielli është larguar dhe është paraqitur nata? Kjo gjë do të ishte e vërtetë sikur të ishte toka e rrafshët, mirëpo Allahu ka krijuar tokën në formë të rrumbullakët, i cili është edhe argument se Ai ka krijuar diellin dhe tokën me një sistem që në to të jetë prezent vazhdimisht dhe në të njëjtën kohë, edhe nata edhe dita, dhe kjo s’mund të ndodh përveç nëse toka është e rrumbullakët. Gjysma e tokës kur shndritet nga dielli është ditë, e gjysma tjetër është natë, më pas me rrotullimin e tokës paraqitet dita në atë pjesë ku ishte natë, dhe paraqitet nata në atë pjesë ku ishte ditë. 
Kur’ani ka sinjalizuar në shumë të vërteta të gjithësisë të cilat me kalimin e shekujve zbulohen nga mendja e shëndoshë e njeriut e cila përparon për çdo ditë e më tepër: “Ai është që bëri natën e ditën zëvendësuese të njëra-tjetrës...” (El-Furkanë, 62), ndërsa në vijim të po të njëjtit ajet ka theksuar shkakun e saj: “...dhe për atë që dëshiron të mendoj apo të falënderojë, argument”. Kështu, Allahu i Madhërishëm ka vërtetuar dhe argumentuar se dita dhe nata janë zëvendësuese të njëra-tjetrës, dhe kjo d.t.th. se që të dyja janë prezente që nga fillimi (krijimi i diellit dhe tokës), ngase me rrotullimin e tokës paraqitet dita në gjysmën e saj ku shndritë dielli, kurse nata në gjysmën tjetër ku mungon dielli, ndaj nata dhe dita e pasojnë njëra-tjetrën. A nuk janë këto disa prej fakteve të shumta e të panumërta të universit argumente, për një popull që di të mendoj vëmendshëm? Patjetër që po!(6) 



___________________ 
Fusnotat: 
1. Fi Dhilalil Kur’an, Sejjid Kutb, vëll. i tretë, faqe 1765, viti i bot. 1996, Kajro.
2. Tefsiri i Muhammed Muteveli Esh-Sharavit, vëll. i nëntë, faqe 5738-5739, pa vit botimi, Kajro. 
3. Muhamed Mahmud Hixhazi, Tefsir El-Vadih, vëll. i dytë, faqe 41, viti i bot. 1992, Kajro. 
4. Tefsir El-Bejdavi, Envaru Et-tenzil ve Esraru Et-Te’vil, vëll. i parë, faqe 428, viti i bot. 1999, Bejrut. 
5. Tefsiri i Muteveli Esh-Sharavit, faqe 5740. 
6. Po aty, faqe 5741,5742,5743.


 


Dituria Islame  207


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?