Bullizmi nga këndvështrimi islam

 


Islami është një sistem i përkryer normash, që përfshin të gjitha aspektet e jetës, individuale qofshin ato apo edhe kolektive. Islami paraqet një qasje të balancuar të adresimit të çështjeve thelbësore të një shoqërie, të drejtave dhe përgjegjësive, privilegjeve dhe detyrimeve, etj.. Etika islame merret me standardet e së drejtës, vlerave, të mirës, por edhe me sjelljet e gabuara të njerëzve; dhe përshkruan sjelljen e mirë njerëzore për t’u përmbajtur nga qëndrimet imorale. Të gjithë njerëzit janë të krijuar nga e njëjta bazë. Zoti në Kuran thotë: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e Allahu është i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” (El Huxhurat,13).
Allahu e bëri devotshmërinë kriter të dallimit ndërmjet njerëzve. Askush nuk ka të drejtë të krenohet ndaj tjetrit, të pretendojë epërsi ndaj tjetrit, ta nënçmojë, ta ofendojë, e aq më pak t’i shkaktojë dëm të çfarëdo lloji qoftë, fizik, verbal, moral apo psikologjik. 
Përkundër gjithë kësaj, etiketimi, ngacmimi dhe bullizmi, në të shumtën e rasteve vijnë nga njerëzit të cilët kanë besim të dobët, moral të zbehtë dhe edukimi i tyre lë shumë për të dëshiruar. Ky fenomen i rrezikshëm është përhapur gjithandej në botë, e që në media dhe në gjuhën shkencore njihet si fenomeni i bullizmit. Ndikimi i tij është zgjeruar aq shumë, saqë e keqja e saj është përhapur deri në atë pikë sa e ka pësuar thuajse çdo shtresë të shoqërisë. 
Në gjuhën e Kuranit (atë arabe), fenomeni i bullizimit – ngacmimit, njihet me nocionin Et Tenemmur, që paraqet personin që sulmon të tjerët duke humbur njerëzoren e tij dhe duke u zhveshur nga natyra e tij humane. Sjellja, stili dhe mënyra e sjelljes së tij me të tjerët, është me e afërt me një kafshë grabitqare, siç është tigri, që në gjuhën arabe njihet “En nemiru”, nga rrjedh edhe ky nocion. 
Kurse në gjuhën shqipe për këtë fenomen përdoret fjala me prejardhje angleze “bully”- bullizëm, që ka për qëllim ngacmimin, nënçmimin, kërcënimin verbal apo fizik, etj.. 
Në aspektin terminologjik është definuar si: “Një dëshirë për të dëmtuar tjetrin, një veprim që lëndon, një disbalancë në forcë midis personave, një përsëritje (në mënyrë tipike), një përdorim i padrejtë i forcës, një kënaqësi e dukshme e agresorit, si dhe një ndjenjë e përgjithshme e të qenit mbizotërues ndaj viktimës.” (Ken Rigby, 2002). 
Nuk ka dyshim se çdo shkelje ndaj tjetrit nuk mund të konsiderohet si ngacmim ose të marrë këtë epitet që në fillim. Përkundrazi, standardet duhet të jenë të disponueshme në mënyrë që të mund të bëjmë dallimin midis ngacmimit, shakasë, seriozitetit, dhe ato mund të kufizohen në këto parametra: 
E qëllimshme – nëse dëmi është shkaktuar nga dikush, duhet të bëhet dallimi nëse ky dëm vjen si shkak i gabimit apo me qëllim; 
Përsëritja – është e nevojshme që të dimë nëse ky veprim ka ndodhur vetëm njëherë apo është veprim i përsëritur; 
Mosbalancimi i fuqisë – nuk ka dyshim se shfaqja e dëmit i të fortit ndaj të dobëtit, nëse është i qëllimshëm dhe i përsëritur, është vetëm ngacmim, por nëse ka dëm nga i dobëti ndaj të fortit, shpeshherë nuk interpretohet si ngacmim. 


Të dhënat rreth bullizmit 


Statistikat dhe studimet që trajtuan këtë fenomen janë të shumta dhe të larmishme. Që të gjitha ato janë në pajtim se përmasat e bullizmit janë të mëdha dhe shtrijnë ndikimin e keq te individët dhe shoqëria. 
Statistikat e fundit nga UNESCO - Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë - zbuluan se një çerek miliardë fëmijë në shkolla janë të ekspozuar ndaj bullizmit në shkollat e tyre, nga gjithsej një miliard fëmijë që studiojnë në mbarë botën. Studimi ishte kryer në 19 vende, dhe rezultatet e tij zbuluan përqindje trishtuese, duke përfshirë 34% të studentëve, të cilët iu nënshtruan një trajtimi të ashpër dhe 8% e tyre i qenë ekspozuar bullizmit çdo ditë.(1) 
Sipas hulumtimit të kryer nga “Pyper”, në raportin e tyre ndër të tjera paraqitet se: 
“Prej të gjitha institucioneve arsimore, pjesëmarrësit konsiderojnë se dukuria e bullizmit më së shumti është e pranishme në shkollat e mesme (58.31%) dhe shkollat fillore (31.94%), si dhe në një përqindje më të vogël në universitet-kolegj (4.37%). Po ashtu, vlen të theksohet se prej të gjitha llojeve të pranishme të bullizmit në Kosovë, bullizmi verbal (55.79%) është konsideruar si lloji më prezent i bullizmit nga pjesëmarrësit, duke lënë pas atë kibernetik (25.16%), si dhe fizik (17.91).”(2) 


Historia e fenomenit të bullizmit nga këndvështrimi fetar 


Kushdo që mendon historinë njerëzore nga fillimet e saj e deri në kohën e sotme, përfshirë këtu edhe librat e shenjtë, sidomos Kuranin e shenjtë dhe Sunetin e pastër të Profetit a.s., do të vërejë se marrëdhëniet apo raportet e njerëzve njëri me tjetrin, ose me krijesat e tjera, nuk kanë qenë pa shkelje.
Nëse hulumtojmë dhe gjurmojmë fenomenin e bullizmit, do të zbulonim se ai filloi në kohët e lashta, nga Ademi a.s.. Kurani na tregoi se çfarë ndodhi midis dy djemve të Ademit, Habilit dhe Kabilit, ku Kabili ngacmoi vëllain e tij Habilin, që e kishte zili, e kërcënoi se do ta vriste, pastaj e vrau, dhe Zoti e përshkruan këtë krim në librin e Tij fisnik duke thënë: “Lexoju (Muhamed) atyre (jehudive e të tjerëve) ngjarjen e vërtetë të dy djemve të Ademit, kur të dy flijuan kurbanë, nga të cilët njërit iu pranua. Ai (që nuk iu pranua) tha: “Unë do të të mbys ty” (Kabili i tha Habilit). E ai (që iu pranua) tha: “Allahu pranon vetëm prej të sinqertëve.” (El Maide, 27). 
Pastaj vëllezërit e Jusufit a.s., gjithashtu e ngacmuan atë, kishin zili dhe në fund vendosën për ta hequr qafe, duke e hedhur në pus/bunar, siç na e përshkruan këtë ngjarje Kurani famëlartë: “Kur ata (vëllezërit) thanë: “Pasha Zotin, Jusufi dhe vëllai i tij, janë më të dashur te babai ynë se sa ne, ndërsa ne jemi grup (i fortë). Vërtet, babai ynë është në gabim sheshazi. Mbyteni Jusufin ose hidheni diku larg në një vend, e babai juaj t’ju dojë juve, e pas asaj (pendohuni), bëheni njerëz të mirë. Njëri prej tyre tha: “Mos e mbytni Jusufin, e në qoftë se jeni për të bërë diç, lëshoni atë në fund të bunarit, do ta marrë atë dikush prej udhëtarëve.” (Jusuf, 8-10). 
Në përgjithësi, ndaj të dërguarve të Zotit kishte ngacmime nga njerëzit te të cilët ata ishin dërguar. Ata i përgënjeshtruan, i nënçmuan, i keqtrajtuan dhe i sulmuan me fyerje, rrahje, shpërngulje dhe ndonjëherë edhe vrasje. Me një fjalë, ishin të bullizuar nga ata që nuk i besuan Zotin. Një sërë ajetesh nga Kurani na i përshkruan këto situata. 
Edhe në kohën e injorancës, para se të shpallej Kurani, kishte ngacmime nga më të ndryshmet në raport me njerëzit e kategorive të ndryshme. Por, kulmi i këtij ngacmimi nga politeistët e Mekës ishte ndaj Profetit fisnik, Muhamedit a.s.. Pasi atij iu kumtua shpallja, ata e mohuan profetësinë e tij, ngase të qenët i varfër, jetim, i pashkolluar, i pa krahë (fuqi), në sytë e tyre (mushrikëve) nuk shihej i denjë për të qenë pejgamber. Ja se si i përshkruan në Kuran Zoti i Madh fjalët e tyre: “Pastaj thanë: “Përse të mos ketë zbritur ky Kuran një njeriu të madh nga dy qytete?” (Ez Zuhraf, 31). 
Ngacmimi e bullizimi ndaj Muhamedit a.s. dhe shokëve të tij vazhdoi edhe pas shpërnguljes së tij në Medine. Veçse, në këtë periudhë, që të ofendonin, ngacmonin e bullizonin Profetin a.s. dhe shokët e tij, mushrikëvë, iu bashkuan edhe çifutët e Medinës dhe hipokritët. Këta nuk kursyen as jetën e tij, duke komplotuar vrasjen e tij, siç bën çifutët e Benu Nadirit, apo etiketimet e ulëta për familjen e Muhamedit a.s., siç ishte ngjarje e shpifjes (Ifkut), apo atë që bënte Ibën Seluli dhe të tjerët në raport me të Dërguarin a.s. dhe shokët e tij.
Andaj, bullizmi në format dhe ngjyrat e veta të ndryshme vazhdon edhe sot e kësaj dite midis individëve, grupeve, popujve dhe vendeve, duke u zvogëluar herë pas here dhe duke u intensifikuar herë pas here. Ajo që e bën atë edhe më të shëmtuar dhe të neveritshëm është se ende ekziston mes atyre që pretendojnë qytetërim, emancipim kulturor, përparimin, e mbi të gjitha edhe në mesin e shoqërisë myslimane, të cilët përpiqen të punojnë në dritën e mësimeve të Kuranit famëlartë dhe Sunetit të ndritshëm. 


Shkaqet e bullizmit 


Pa dyshim nuk ka asnjë dukuri e fenomen shoqërore e që të mos ketë arsye pse është shfaqur dhe pse është përhapur. Për ta njohur më mirë këtë fenomen, për t’i kuptuar përmasat e tij, e për të arritur trajtimin e duhur, është e nevojshme të zbulohen shkaqet dhe faktorët e përhapjes së tij, e që më pas mund edhe të mendohet zgjidhja më e mirë për të. Shkaktarët e ngacmimit mund t’i përmbledhim në disa më kryesore dhe jo të vetme, e të cilat janë: 


Deficiti i vlerave shpirtërore, fetare dhe edukative 


Kushdo që gjurmon brendësinë dhe karakterin e ngacmuesve, do të zbulojë se shumica prej tyre janë të paditur, pak të informuar me mësimet fisnike fetare, nuk kanë aspak bagazh të virtyteve morale, të cilat do t’i pengonin ata nga kjo sjellje e turpshme. Në anën tjetër, kushdo që është i brumosur me mësimet fetare, moral të mirë, ose ka një nivel arsimor të ngritur, i vjen turp t’i etiketojë të tjerët dhe t›i ngacmojë ata. Muhamedi a.s. shpjegoi se besimi e pengon besimtarin që të ofendojë të tjerët dhe t’i ulë ata. Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a., se i Dërguari a.s., ka thënë: “Kush beson Zotin dhe botën tjetër, të mos e dëmtojë fqinjin e tij. E kush beson Zotin dhe botën tjetër, le ta nderojë mysafirin e tij, e kush beson Zotin dhe botën tjetër, le të thotë diçka të mirë, ose të hesht.” (Buhariu). 


Dallimi në krijimin e tyre


Ndonjëherë ndryshimet në ngjyrën e lëkurës, formës, tiparet dhe disa karakteristika fizike, si gjatësia, shkurtësia, handikapët, sëmundjet etj., mund të jenë arsye për bullizëm, dhe detajet e tyre janë si më poshtë: 


Dallimi në ngjyrë 


Pabarazia në ngjyrë (racizmi) shumë herë çon në ngacmime, dhe kjo ndodh shpesh midis personit të lëkurë të hapur (bardhë) ndaj personit me lëkurë të mbylltë (zezë). Kjo arsye është sa e lashtë, aq edhe moderne. Ka ndodhur para epokës së Pejgamberi a.s. dhe gjatë jetës së tij dhe deri më sot. Rasti më konkret është ai gjatë çlirimit të Mekës, kur ngjyra e zezë e Bilalit r.a., ishte shkak i ngacmimeve nga disa politeistë dhe ata që ishin të freskët në Islam, ku përçmuan dhe u tallën me ngjyrën e tij. Zoti Fuqiplotë zbriti ajetin kuranor: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e Allahu është i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” (El Huxhurat, 13).


Dallimi në formë dhe veçori 


Dallimi i një personi nga pjesa tjetër e shoqërisë në vendin ku ndodhet, mund të jetë një arsye për ngacmim nga të tjerët. Prania e disa karakteristikave fizike të spikatura, si: gjatësia, shkurtësia, dobësia, obeziteti, paaftësia, sëmundja etj., bëhen shkaqe që ai të bëhet i pambrojtur ndaj bullizmit. Diç e ngjashme kishte ndodhur në kohën e Muhamedit a.s., kur ia kishte kërkuar Ibën Mesudit r.a. të hipte në një pemë, e të pranishmit kishin filluar të qeshnin me këmbët e tij. E i Dërguari a.s., iu tha: “Pse po qeshni?! Njëra këmbë e Abdullahut është më e rëndë në peshore sesa kodra e Uhudit.” (Transmeton Ahmedi). 
Ngjashëm me këtë është ajo që kishte ndodhur nga Aisheja r.a., ndaj Safijes r.a., të cilën e përshkroi si të shkurtër. Atëherë i Dërguari a.s. i tha: “Ke thënë një fjalë, që po të përzihej me ujin e detit do ta kishte trazuar të tërin.” (Transmeton Ebu Davudi). 


Dallimet në racë, në pasuri, pushtet dhe forcë 


Dallimet në racë dhe dallimet në prejardhje mund t’i shtyjnë individët dhe grupet që të ngacmojnë të tjerët, t›i ekspozojnë ata ndaj dëmeve dhe të jenë arrogantë. Por, edhe pasuria e një personi dhe forca e pushtetit është një arsye për të ngacmuar të tjerët dhe kjo çështje mund të shtrihet përtej individëve në vende dhe grupe. 
Muhamedi a.s. ka thënë: “Arabi ndaj jo arabit nuk ka kurrfarë përparësie, e kjo vlen edhe për të ziun ndaj të kuqit dhe për të kuqin ndaj të ziut, përveç në devotshmëri. Të gjithë ju jeni pasardhësit e Ademit, ndërsa Ademi e ka prejardhjen nga dheu.” (Buhariu). 


Dallimi në bindje fetare dhe fraksion – medhheb 


Dallimet në fe, fraksion ose opinion mund të jenë një arsye për disa që të ngacmojnë të tjerët, dhe me të, ne gjejmë shpeshherë se gjuha e përçmimit dhe akuzës shkon deri aty ku në disa raste besimtarin e vendosin në kufër, e shpeshherë edhe si fasik, mynafik, renegat, etj.. Kjo dukuri në kohën e fundit është në rritje e sipër, sidomos kur një grup militantësh i rrjeteve sociale, të cilët nuk kanë përgatitje fetare adekuate, pa asnjë hezitimi marrin të drejtën e nxjerrjes së verdiktit për shumë çështje fetare, duke ngacmuar e bullizuar me personat kompetent, e që janë të thirrur për të komunikuar, trasuar e sqaruar mësimet fetare islame. 


Bërja e ndonjë mëkati apo lëshimi në ndonjë kërkesë hyjnore 


Një person i thjeshtë mund të bëjë një gabim ose një neglizhencë, dhe të tjerët do ta kritikojnë atë, do ta shajnë duke e nënçmuar, ofenduar e në raste duke e sulmuar fizikisht. Në disa raste kur Muhamedi a.s. kishte praktikuar normat sheriatike në raport me ndonjë besimtar, që kishte thyer kodin etiksheriatik, të pranishmit kishin ofenduar e mallkuar, e i Dërguari i këshillonte ata të jenë të përmbajtur në fjalorin e tyre. 


Llojet e ngacmimeve – bullizmit 


Bullizmi është dy llojesh: direkt dhe indirekt. 


1. Ngacmimi – bullizmi i drejtpërdrejtë (direkt) 


Ngacmimi i drejtpërdrejtë është një sulm i hapur që mund të jetë fizik dhe verbal (Dan Olueus, 1993). Shpesh kategorizohet në dy lloje: 


Ngacmimi – bullizmi fizik 


Ngacmimi fizik përfshinë sulme fizike, si goditja, shtytja, shkelmimi, therja me thikë, kafshimi, shtrëngimi, shkulja e flokëve, pështymja, shkelja në gishtin e këmbës së dikujt, mbyllja në një hapësirë të mbyllur, kërcënimi me armë etj.. Përfshinë gjithashtu veprime që e privojnë dikë nga sendet e tij personale, të tilla si marrja e sendeve pa leje, vjedhja, dëmtimi i qëllimshëm i një sendi etj., (Sally, 2012). Sheriati islam dekurajon çdo praktikë shtypjeje, sulmi fizik dhe kërcënimi. Islami nuk toleron asnjë formë bullizmi, pasi është një formë shtypjeje. Kurani famëlartë thotë: “Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.” (En Nahl, 90). Muhamedi a.s. ka thënë: “Pa dyshim, gjaku juaj, pronat tuaja dhe nderi janë të shenjta për njëri-tjetrin, sikurse shenjtëria e kësaj dite, në këtë qytet të shenjtë (Mekën) tuajën, në këtë muajin tuaj.” (Buhariu). 


Ngacmimi – bullizmi verbal 


Ngacmimi verbal përfshinë thirrjen, abuzimin, çnderimin, mallkimin, talljen, ngacmimin dhe kërcënimet verbale, etj., (Goodstein, 2013). Agresioni verbal është kur një ngacmues ngacmon dikë. Mund të përfshijë gjithashtu një ngacmues që bën kërcënime verbale për dhunë ndaj pronës personale të dikujt. Transmetohet nga Sa’id bin Zejd, se i Dërguari ka thënë: “Lloji më i përhapur i kamatës është të flasësh pa të drejtë kundër nderit të një myslimani.” (Ebu Davud). 


2. Ngacmimi – bullizmi indirekt 


Ngacmimi indirekt është më delikat dhe përfshinë një ose më shumë forma agresioni, tjetërsim social, thashetheme, turpshëm, përjashtim të qëllimshëm, përhapje thashethemesh, duke bërë fytyra ose gjeste të turpshme pas shpinës së dikujt, duke dëmtuar reputacionin e dikujt dhe duke manipuluar rendin shoqëror, ndarjen ose distancimin e njerëzve nga njëri-tjetri. 
Ebu Ejub el Ensariu transmeton se i Dërguari i Allahut a.s., ka thënë: “Nuk i lejohet myslimanit të ketë shkëputje të raporteve me vëllain e tij përtej tri netëve..” (Muslimi). 


Ngacmimi – bullizmi social (p.sh., duke lënë një ose disa individ jashtë aktiviteteve sociale, duke i shpërfillur apo duke mos i ftuar në festat e ndryshme, prishja e miqësisë etj.). 


Ngacmim – bullizmi intim (p.sh. sjellje intime e padëshiruar fizike ose verbale, që përfshinë pohime intime eksplicite dashakeqe ose kontakte të padëshirueshme fizike që bëhen nga dikush në një mjedisi edukativ, që janë fyese dhe të pakëndshme dhe që e bëjnë që ai të ndjehet i turpëruar ose në siklet, etj.). 


Ngacmimi – bullizmi virtual/ kibernetik, i cili është bullizëm që ndodh nëpërmjet dërgimit të mesazheve të bezdisshme, shqetësuese dhe kërcënuese përmes telefonit apo internetit, nëpërmjet shërbimeve të rrjeteve sociale, nëpërmjet blogjeve e të tjera mjeteve të fushës kibernetike. 


Trajtimi i ngacmimit – bullizmit nën dritën e Islamit 


Mësimet islame që derivojnë nga Kurani dhe Suneti, sugjerojnë një strategji për të reduktuar pasojat negative dhe shpeshtësinë e bullizmit. Fillimisht Zoti në Kuran thotë: “O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër, e as gratë me gratë e tjera, sepse mund të ndodhë që gratë e tjera të jenë më të mira se ato që përqeshin (duke nënçmuar njëri-tjetrin) dhe mos etiketoni njëri-tjetrin me llagape. Pas besimit është keq të përhapet llagapi i keq. E ata që nuk pendohen, janë mizorë.” (El Huxhurat, 11). 
Kurse i Dërguari a.s., në hutben lamtumirëse, ndër të tjera pati porositur: “....Vërtet gjaku juaj, nderi juaj dhe pasuria juaj janë të shenjta për ju, derisa të takoheni me Krijuesin tuaj, ashtu siç është e shenjtë kjo ditë në këtë muaj dhe në këtë vend.” (Buhariu). 
Po ashtu, Muhamedi a.s., ka thënë: “Myslimani është ai që të tjerët janë të qetë prej gjuhës dhe dorës së tij.” (Mutefekun alejhi). 
Eliminimi i fenomenit të bullizmit kërkon socializimin e duhur të fëmijës që në moshë të vogël, krahas rolit të medias dhe shoqërisë në përballje me këtë fenomen të papranueshëm. Krahas rolit të shkollës, universitetit dhe të gjitha institucioneve brenda vendit për të ndërgjegjësuar njerëzit dhe për të tërhequr vëmendjen e tyre për ashpërsinë e këtij akti, ajo që duhet bërë është të fillohet që nga mosha e mitur. Rritja e fëmijëve duhet të bëhet sipas parimeve etike dhe edukimin e tyre, në mënyrë që të kenë sjellje korrekte në raport me të tjerët. Edukatori ynë më i çmuar, Muhamedi a.s., i këshillonte kësisoj fëmijët, të rinjtë, burrat dhe gratë: “Askush nuk e përul veten për Zotin, vetëm se Allahu e lartëson atë”, duke flakosur vesin e mendjemadhësisë dhe krenarisë; “Nuk është nga ne ai që nuk mëshiron të vegjlit tanë dhe që nuk nderon të moshuarit tanë”, duke shpalosur solidaritetin dhe respektin ndaj të tjerëve; “Mirësia nuk gjendet te çdo gjë përveç se e zbukuron atë dhe nuk hiqet nga asgjë përveç se e shtrembëron atë”, duke mësuar së butësia është virtyti më i çmuar për të korrigjuar sjelljet; “I fortë nuk është ai që godet, por i fortë është ai që kontrollon veten kur zemërohet”, duke shpalosur se forca qëndron në vetëkontrollin tonë dhe të qenët i durueshëm kur përballesh me keqbërës. 
Në anën tjetër, jemi të vetëdijshëm se në asnjë rrethanë nuk mund të konkludojmë se do të arrijmë të çrrënjosim këtë dukuri nga shoqëria ku jetojmë. Por, me siguri se me një plan dhe politika të mirëfillta nga institucionet përkatëse shtetërore, dhe duke i involvuar edhe ato fetare, do të arrihet në kufizimin e saj dhe reduktimin maksimal. Andaj, pa vullnet të shoqërisë, e aq më shumë të politikës, dhe pa involvimin e prijësve fetarë, që edukojnë shpirtin e individit, nuk mund të mendohet në sukses përballë këtij fenomeni. Në anën tjetër, institucionet përkatëse do të duhej të ndërmarrin edhe këta hapa: 
- Monitorimin e vazhdueshëm të sjelljeve të bullizuesëve; 
- Organizmin e seminareve edukative brenda shkollave, universiteteve; 
- Domosdoshmëria e vëzhgimit të të rinjve në të gjitha nivelet arsimore nëpërmjet specialistëve të psikologjisë dhe sociologjisë; 
- Qeveritë duhet të vendosin ligje strikte për këdo që praktikon bullizmin në të gjitha format e tij ndaj të tjerëve; 
- Të inkorporohet brenda korikulës së arsimit para universitar lënda e Edukimit Fetar në të gjitha nivelit, dhe kjo të bëhet pas asnjë vonesë dhe në koordinim me bashkësitë fetare; 
- Lejimi i organizatave të të drejtave të njeriut dhe institucioneve të ndryshme që të publikojnë programet e tyre ndërgjegjësuese për çdo fazë – moshë, sipas asaj që u përshtatet atyre. 


Përfundim 


Islami nuk toleron asnjë formë bullizmi. Mësimet fetare trajtojnë drejt atë që dinjiteti i njeriut është i shenjtë dhe nuk guxon të cenohet e degradohet nga askush. Andaj, të gjithë njerëzit janë të thirrur të jenë të respektueshëm ndaj njëritjetrit, pa marrë parasysh ngjyrën, gjuhën, besimin, pozitën dhe pushtetin që mund ta kenë. Mësimet islame tregojnë se një nga karakteristikat themelore të një myslimani është që të tjerët të jenë të sigurt nga dëmi i tij. Bile përkundrazi, Muhamedi a.s., e bëri këtë karakteristikë pjesë të përkufizimit të myslimanit, që nuk mund të ndahet prej tij, përndryshe ai nuk do ta meritonte epitetin mysliman. I Dërguari i Allahut, paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Mysliman është ai, nga gjuha dhe dora e të cilit janë të sigurt myslimanët e tjerë.” 



_________________________
 Literatura: 
1. Kurani Fisnik, përkthim i kuptimeve të tij nga H. Sherif Ahmeti. 
2. Sire En Nebevij, Ibni Hisham, Botues: Mustafa El Babij, Egjipt, Botimi i dytë, 1955. 
3. Ahmed bin Ali el Bejhekiju, Shu’ab el Iman, Riad, 2003, Botues: Mektebeh El Rushd. 
4. Olweus, Dan. (1993). Bullying at School: What we know and what we can do. USA: Black Well. 
5. Goodstein, Phyliss Kaufman. (2013). How to Stop Bullying in Classrooms and Schools. NY: Routledge 
6. Sally, Kuykendall. (2012). Bullying. California: ABC-CLIO LLC. 
7. https://www.akhbarona.com/religion/336953.html
8. https://islamonline net. 
9. https://www.seekerspath.co.uk/question-bank/character-moral/qid0638-what-is-the-islamic-perspective-on-bullying/ 
10. UNESCO (2017). “School violence and bullying” Published by the United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization. ISBN 978-92-3-100197-0. Online: http://unesdoc.unesco.org/ images/0024/002469/246970e.pdf 
11. https://pikepamja.net/bullizmi-si-pjese%CC%88-eshoqe%CC%88rise%CC%88-pasojat-dhe-lufta-kunde%CC%88r-tij/


Dituria Islame 399