Ti je. Ti je burimi i dashurisë sonë, që nuk ka fund dhe kufizime. Ti je ai që i dëgjon rënkimet e shpirtit tim, dhe që e njeh mirë gjendjen time. Ti je streha ime, vendi im i sigurt. Ti je Ai që i plotëson lutjet e mia dhe i dëgjon psherëtimat e mia. Ti je gjithmonë me mua, kudo që shkoj. Por, edhe tani, në këtë ditë Arafati, të thërras. Në emër të emrit Tënd. Ti që fal, që i sheh dhe i fsheh mëkatet tona, na fal neve! Mëshiroji myslimanët kudo që janë! Na jep pak nga Drita Jote, që ta shohim rrugën më mirë! Mos na lër në errësirë! Largoje urrejtjen nga zemrat e myslimanëve të lajthitur! Largoje barrën e rëndë, që për shkak të disave po rëndon qafën e umetit mysliman! Na ndihmo që në këtë ditë të Arafatit të mbjellim farën e paqes globale, dhe të heqim frikën nga zemrat e myslimanëve dhe jomyslimanëve!
Arafati
Çfarë porosie! Çfarë pamje! Mahsheri. Ringjallja. Llogaridhënia dhe pritja e mëshirës së Allahut (xh.sh.). Lodhje dhe një mori zërash. Ka mëkate që Allahu (xh. sh.) i fal vetëm në Arafat. Një njeri vetëkritik në Arafat tha: “Çfarë do të ishte ky tubim po të mos isha unë aty?!” Atij nuk do t’i mungonte asgjë. Por ti duhet ta shtrosh pyetjen: “Çfarë do të isha unë po të mos isha i pranishëm aty?”
Ka mëkate që Allahu i fal vetëm në rrafshnaltën dhe në ditën e Arafatit. Nuk do t’i falet vetëm atij që nuk shpreson në falje. Takimi i Ademit dhe i Havasë. Dashuria. Arafati.
Ditën e nëntë të Dhul-hixhës qëndrohet në Arafat. Aty janë takuar Ademi (a.s.) dhe Havaja. Aty është djepi i njerëzimit. Aty ka filluar civilizimi. Aty janë takuar stërgjyshërit tanë. Ndalesh aty, dhe qëndrosh tërë ditën. Ajo ditë është dita e pendimit. Atë ditë, dhe në atë vend, Allahu (xh.sh.) i fal gjynahet dhe shpëton nga zjarri më shumë se kurrë prej robërve të Tij. Ajo është koha dhe hapësira e pendimit, edhe fizikisht edhe metafizikisht. Aty Allahu (xh.sh.) ia pranoi pendimin Ademit (a.s.). Aty ia pranoi lutjen dhe ia bëri të mundur të takohet me bashkëshorten e tij. Këtë takim kuptoje si shënim simbolik të mundësive të komplementimit (plotësimit) njerëzor. Shikoje se si arrihet ajo mundësi dhe mënyrë!
Rrafshnalta e Arafatit, në të cilën tubohen haxhilerët, dhe ku i drejtojmë Zotit (xh.sh.) lutjet më të thella për faljen e gjynaheve, simbolizon Mahsherin – skenën e ringjalljes, ku secili njeri në Ditën e Gjykimit do të qëndrojë përpara Allahut xh.sh., i zbuluar dhe i privuar nga çdo gjë e panevojshme; do të jetë vetëm me veprat e veta dhe pasojat e tij për shpirtin... Kjo ditë do të duhej të ishte dita e reflektimit dhe iluminimit të myslimanëve nga të gjitha anët e botës. Shkëmbimi i përvojave dhe shfrytëzimi maksimal i kohës dhe energjisë kolektive do t’ia kthente umetit të Muhamedit (a.s.) gjallërinë e tij të dikurshme, dhe do ta shndërronte Haxhin në konferencën më të madhe dhe më të frytshme në planet.
Dita e Arafatit është një ditë para Bajramit, e pa qëndrimin në Arafat nuk ka Haxh. Qëndrimi në Arafat na kujton Ditën e Ringjalljes, e Pejgamberi (s.a.v.s.), duke folur për mëshirën e Allahut në Ditën e Arafatit, në hadithin që e transmeton h. Aisheja, thotë: “Nuk ka ditë në të cilën Allahu liron robër nga zjarri më shumë sesa në Ditën e Arafatit.” (21)
Allahu (xh.sh.) thotë në një hadith kudsij: “Allahu (xh.sh.), krenohet me melaqet dhe ju thotë: “Shikoni robërit e Mi se nga vijnë; nga çdo vend i largët, të pluhurosur e të rraskapitur, për të prezantuar të mirat e tyre (për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre). “O melaqet e Mia, bëhuni dëshmitarë së Unë ua fala atyre mëkatet e bëra!”
Të gjitha dispozitat që i paraprijnë Arafatit, duke filluar nga tavafi, falja, saji etj., janë pjesë përbërëse e një umreje të thjeshtë, ndërsa komponenti kryesor i Haxhit është ngjitja dhe qëndrimi në malin Arafat, sepse Resulullahi (s.a.v.s.) ka thënë: “Haxhi është Arafat.” Me fjalë të tjera, Haxhi fillon nga momenti kur ne e lëmë Qabenë, apo, për ta bërë Haxhin duhet patjetër ta lësh Qabenë dhe të largohesh prej saj.
Në qoftë se haxhiu nuk e kupton që Haxhi i vërtetë fillon që nga momenti kur largohet prej Qabesë, përkatësisht kur e lë shtëpinë e Allahut, atëherë mbetet rob i të kuptuarit të jetës si një luginë e rrafshët, statike e pa pengesa, dhe pa nevojën për ambicie të qarta vetjake dhe qëllim personal jetësor. Sepse, kush nuk e ka njohur Allahun (xh.sh.) dhe nuk e ka ndier ndikimin (veprimin) e Tij para ritit zyrtar të Haxhit, në Mekë, ai do të jetë që ka qenë edhe në shtëpi – një statist pa siv, i frikësuar për vdekje se nuk do të përshtatet në koreografinë dekorative të kësaj shfaqjeje më të madhe myslimane në hapësirë të hapur.
Rrënja e emrit “Arafat” rrjedh nga folja “arefe”, që do të thotë “njohje”, të mësuarit, njoftim, etj. Kështu që, ngjitja e obligueshme në malin e diturisë, të mësuarit dhe njoftimi (Arafat), si dhe qëndrimi i detyrueshëm në të, në mënyrë të qartë sugjeron llojin e aktiviteteve të obligueshme pas kryerjes së Haxhit dhe kthimit në mëmëdhe. Nëse Haxhi është Arafat, atëherë le të jetë haxhiu i vendosur për t’u ngjitur me përkushtim drejt majave shkencore, ekonomike e politike, dhe i gatshëm për të derdhur shumë djersë, si rezultat i një ngjitjeje të gjatë dhe qëndrimi nën diellin e pakëndshëm flakërues e pa një hije të vetme.
Nëse Haxhi është Arafat, atëherë haxhiu është një njeri që e di se pas formimit të vet i duhet patjetër - herët apo vonë - të futet në turmën e njerëzve, i duhet të dije të përzihet në mënyrë kualitative në projektet e xhematit, shoqatës, firmës, partisë politike etj., pastaj të marrë përsipër liderizmin ose ta forcojë atë.
Por, le t’i kthehemi dispozitave të Haxhit.
Me përfundimin e ditës nisesh nga Arafati për në Muzdelife (dija të çon drejt vetëdijes). Në Muzdelife mendon (mediton) dhe “armatosesh” me guralecë, të cilët ditën e nesërme, pas lindjes së diellit, do t’i gjuash mbi shejtanin, në Mine.
Në Mine
Në Mine vjen në mëngjesin e ditës së parë të Kurban bajramit. I hedh guralecët në xhemrete, që simbolizojnë shejtanin. I hedh gurët mbi epshin tënd, mbi indif erencën (gafletin) tënd, përtacinë tënde, gënjeshtrën, mosbindjen ndaj dispozitave të Allahut, mbi çdo gjë që të bëhet e huaj dhe e vështirë nga ai moment - kur ke filluar ta duash të Vërtetën. Hedhja e guralecëve mbi xhemret në Mina simbolizon gurëzimin e shejtanit të mallkuar. Ky rit nuk është një akti i jashtëm, por ai është mbështetja e jashtme për luftën e brendshme kundër shejtanit, luftë e cila duhet të bëhet vazhdi misht, deri në fitoren përfundimtare. Ai nuk është shejtani yt, por i Ibrahimit dhe Ismailit. Ai të përkujton luftën kundër shejtanit tënd, i cili është mishërim i çdo të keqe në këtë dynja. Beteja jote kundër shejtanit në Mine zgjat vetëm tri ditë. Kurse lufta kundër ligësive dhe të këqijave të nxitura nga shejtani është e vazhdueshme, deri në ditën e fundit. Betejën fizike kundër shejtanit e fiton në Mine, duke e gjuajtur atë me gur (fizikisht), ndërsa lufta ideologjike kundër tij (të keqes në vete dhe në shoqëri) vazhdon gjatë tërë jetës tënde.
Kur haxhiu në Mine, në mënyrë aktive dhe të saktë (precize), i qëllon me guralecë shtyllat që simbolizojnë shejtanin, atëherë ai e zhvillon edhe një element të liderizmit dhe prijësit, duke e kuptuar se i duhet të përcaktohet qartë karshi bartësve të çdo gjëje që dëmton një shoqëri dhe një kohë. Mbase, ky është vizualizimi më i rëndësishëm që haxhiu duhet ta përjetojë derisa aktivisht godet shtyllat e përmendu ra, d.m.th. secilën herë kur hedh gurin në drejtim të shtyllës; në kokën e tij duhet të përcaktojë qartë men dimet, ideologjitë, personat negativë, sabotuesit, etj., mbi të cilët do të lëshohet me fuqinë e tij personale intelektuale dhe fizike. Në qoftë se ky vizualizim nuk ndodh, haxhiu i ngjan një boksieri të pasigurt e që kënaqet duke harxhuar energjinë e vet në thesin e varur në qoshen e një dhome të errët, duke mos pasur guxim t’u kundërvihet përbindëshave të vërtetë...
Kurbani
Pas gjuajtjes së guralecëve duhet të shkosh në Qabe, për ta falur namazin e Bajramit, e pastaj në hotelin tënd. Nëse ke vendosur të therësh kurban - there atë. Ringjalle kujtimin e sunetit të Ibrahimit, dhe përsëri kujtoje atë! Ai është dashur ta therë të birin, dhe iu bind urdhrit të Allahut.
Siç është Qabeja vetëm fillimi i Haxhit, dhe siç është ngjitja dhe zotërimi i malit të dijes (Arafati) vetëm një fazë në këtë program të lidershipit (udhëheqjes), program të cilin e shoqëron gatishmëria për një kundërvënie të pashmangshme ndaj forcës superiore fizike (xhemreteve), po ashtu edhe flijimi (kurbani) në fund të Haxhit është një rast fantastik për të vizualizuar flijimin e kohës tënde, parasë, dijës, fuqisë, prestigjit (famës), pozitës etj., për hir të realizimit të qëllimeve të larta kolektive.
Ti duhet të flijosh pak nga dynjallëku, por i vendosur dhe i vetëdijshëm se tek Allahu nuk arrin as gjaku as mishi i kurbanit tënd, por nënshtrimi yt, vendosmëria, sinqeriteti, bindja... E, pas kësaj, vazhdon edhe disa ditë në Mekë, e pastaj kthimi për në shtëpi. Shfrytëzoji ato! Obligimet tua nuk kanë përfunduar.
Përmbyllja
E tërë jeta jonë, bashkë me dispozitat e Haxhit, është udhëtime domethënëse deri në pikat e qarta gjeografike të kombinuara me tavafin – përkatësisht ritualet/ ushtrimet, sajin – kërkimin e shqiponjës për mundësi reale, Arafati – ngjitja e mundimshme nëpër shkallët e ndryshme shoqërore, xhemeratet – lufta intelektuale dhe fizike me idolët e rrejshëm (individët, sistemet) të kohës sonë. Mirëpo, jetën tonë, në mënyrën më të saktë, e përshkruan Kurbani, përkatësisht koncepti jetësor që thotë: nëse Allahu na do, dhe ne këtë synojmë, do të na sprovojë (testojë) me atë që ne e duam më së shumti, në mënyrë që njerëzit ta shohin prej çfarë materiali jemi.
Referencat:
1. Edin Tule, Kur’anski tretman stresa, Sarajevë 2011.
2. www. mullasadra.com.
3. www.sadrvan.com.
4. www.islamweb.net.
5. www.dzemat-oberhausen.de.
6. www.islam-penzberg.de
Mr. Muhidin Ahmeti
Dituria Islame 310