Falënderimet më kulmore i takojnë Allahut xh.sh., Zotit të botëve. Përshëndetjet dhe selamet qofshin mbi zotërinë tonë Muhamedin a.s., mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij. Të gjithë njerëzit kërkojnë lumturinë në këtë botë, por vetëm besimtarët e kërkojnë atë në të dy botët. 
Të gjithë e kërkojnë, por vallë, a e arrijnë? Për ta arritur atë, duhen ndjekur rrugët që të shpien tek ajo dhe të mos ketë devijim prej tyre. Prej këtyre rrugëve veçanërisht për besimtarin është të qenët modest (i thjeshtë) me njerëzit dhe i përulur ndaj Krijuesit dhe Ligjeve të Tij. Modestia është e ngritur me gradë e shkallë. Besimtari i arrin ato gradë, në saje të suksesit që i jep atij Allahu i Lartësuar,sigurisht me mund, përpjekje e sakrificë nga vetë ai. Fjala “modesti” është shumë e gjerë dhe mund të ketë shumë kuptime, por ne do të veçojmë vetëm dy prej tyre: 
1. I pari kuptim është që të pranosh atë që është e drejtë (e vërtetë) dhe t’i nënshtrohesh asaj prej cilitdo qoftë ajo, i vjetër a i ri, i pasur a i varfër, i famshëm apo jo, nga miku a armiku… Pra të pranojmë atë që është e drejtë prej kujtdo qoftë.
 2. Ndërsa kuptimi i dytë i fjalës modesti është që të sillesh mirë me njerëzit, cilado qoftë pozita e tyre shoqërore, të pasur a të varfër, të fortë a të dobët, të respektuar a të përbuzur… 
Pra, modestia është rruga e drejtë dhe e fortë për bashkimin e zemrave dhe fjalëve, si dhe për eliminimin e grindjeve, kundërshtimeve dhe përçarjeve në mesin e bijve të ymetit islam. Allahu i Lartësuar në Kuranin famëlartë thotë:
“Atë vend të përjetshëm (Xhenetin) ua kemi caktuar atyre që nuk duan as mendjemadhësi e as ngatërresa në tokë, e përfundim këndshëm u takon atyre që I frikësohen Allahut”. (suretu el-Kasas 83). 
Prej urtësive që mund të nxjerrim nga ky ajet, mund të veçojmë cilësitë e atyre njerëzve modestë, të sinqertë, të devotshëm, si dhe të atyre njerëzve të cilët janë faktorë stabilizues në tokë apo në shoqërinë ku jetojnë, të cilët kanë arritur kënaqësinë e Allahut xh.sh., i Cili vendqëndrim për ta zgjodhi Xhenetin, në të cilin do të jenë përgjithmonë. Sa përfundim i këndshëm u takon atyre që I frikësohen Allahut xh.sh.! 
Modestia është çelësi i pastrimit të vetvetes: rruga për faljen e mëkateve dhe fshirjen e të këqijave. Ajo është rruga për në Xhennet me lejen e Allahut të Lartësuar. Modestia nuk matet me peshën e pronës, pasurisë, pushtetit apo personalitetit, përkundrazi, ajo është garë e përpjekje në devotshmëri e punë të mira. 
Pra, të mundohemi që modestia të zërë vendin kryesor në jetën tonë të përditshme, në mënyrë që të ndiejmë ëmbëlsinë e saj, të shijojmë shijen e saj e të lumturohemi me gjurmët e saj. Të mos ngremë fjalën e askujt mbi Fjalën e Allahut xh.sh., apo të Dërguarit të Tij, në mënyrë që të ngrihemi në shkallët më të larta dhe në lumturinë e qëndrueshme. Për shkak të kësaj vlere dhe shpërblimit të madh që ka thjeshtësia (modestia) tek Allahu i Lartësuar, shejtani lufton dhe përpiqet të mos arrijë askush këtë vlerë e shpërblim. Për vlerën e modestisë dhe rëndësinë (peshën) që ka ajo tek Allahu xh.sh., Ebu Hurejra r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: 
“…Dhe nuk është përulur ndokush për hir të Allahut veçse Allahu e ka ngritur atë.” (transmeton Muslimi). 
Nuk ka dyshim se ai që përulet (është modest) për hir të Allahut: Allahu do t’i rrisë atij autoritetin dhe do ta ngrejë atë në një shkallë shumë të lartë. Shembullin më të mirë për të gjithë myslimanët në përgjithësi, e kemi vetë të Dërguarin e Allahut a.s.. A e dini se si hyri i Dërguari a.s. në Mekë pas çlirimit të këtij qyteti të shenjtë. Ai hyri me kokë ulur nga modestia, balli i tij pothuajse ishte i puthitur për devenë e tij. Megjithëse e patën torturuar e persekutuar dhe i patën munduar atë dhe shokët e tij, dhe, megjithëse e patën detyruar të largohej nga vendlindja, -ai prapëseprapë po hynte në Mekë me modesti… Subhanallah (i Patëmetë je, o Allah)… Shikoni se çfarë modestie është kjo?...Kush mund ta bëjë këtë sot?... Fitore madhështore, e modestia e tij edhe më madhështore…! Por cili ishte rezultati i asaj modestie? Me moralin e shkëlqyeshëm që tregoi Muhamedi a.s., ai arriti të përfitonte edhe zemrat e armiqve të tij, një gjë e vëmë re kur Muhamedi a.s. i pyeti mushrikët: “O popull kurejshit, si mendoni, ç’keni merituar dhe çfarë do të bëj tani me ju?” U përgjigjën: “Vetëm të mira”. Resulullahu tha: “Shkoni, ju jeni të lirë”. Po a thua me çfarë grade e ka ngritur Allahu Muhamedin a.s.? 
Thotë Allahu xh.sh. në Kuranin famëlartë: ”Vërtet ti (Muhamed) je në një shkallë të lartë të moralit.” (suretu el Kalemu, 4). 
Ky është piadestali më i lartë me të cilin Allahu xh.sh. e lavdëroi të dashurin e tij, Muhamedin a.s., në Librin e Tij fisnik. Ky pa dyshim është njëri prej shembujve që tregon virtytet e larta morale të Pejgamberit a.s., por ne do të përmendim edhe disa raste që tregojnë për modestinë e lartë që kishte ai. Ashabët e të Dërguarit të Allahut, r.a., tregojnë se, kur Pejgamberi a.s. përshëndeste dikë, nuk ia lëshonte dorën derisa të mos e tërhiqte ai vetë dorën e tij. Kur përshëndeste, përshëndeste me tërë qenien e tij dhe kurrë nuk e hiqte shikimin nga personi që e përshëndeste, derisa ai vetë të mos e largonte shikimin prej tij. Ulej atje ku kishte vend të lirë, dhe nuk mund ta shihje ndryshe përveçse të buzëqeshur. Nuk dëshironte të ngriheshin shokët në këmbë, kur hynte në ndonjë shoqëri. Tregohet se, kur Muhamedi a.s. iu ofrua nga Allahu xh.sh. të jetë mbret dhe pejgamber apo rob dhe pejgamber, Muhamedi a.s., nga modestia e lartë që kishte ndaj Allahut xh.sh., zgjodhi të ishte rob dhe pejgamber i Allahut. Aq modest ishte, saqë as në tubime nuk dallohej nga shokët e tij dhe, ata që nuk e njihnin, pyetnin se cili prej tyre ishte Muhamedi. Po, a thua ku jemi ne nga këto cilësi? 
Vallë, a i përshëndesim njerëzit me tërë qenien tonë apo i përshëndesim njerëzit me nxitim, duke u thënë: “Më fal, por jam shumë i zënë…”?! 
A thua ne jemi më të zënë sesa ishte Pejgamberi a.s.?! Kur ndodhemi në ndonjë vend publik, dëshirojmë që tërë vëmendja e njerëzve të jetë e përqendruar tek ne dhe të dëgjohet vetëm zëri ynë, ndërsa Muhamedin a.s., nga modestia që kishte, njerëzit që vinin ta takonin, e kishin vështirë ta dallonin prej shokëve të tij, dhe pyesnin: Cili prej jush është Muhamedi? Tregohet se një ditë kishte ardhur një njeri tek Pejgamberi a.s. dhe, kur u takua me të, filloi të dridhej nga emocionet. Pejgamberi iu drejtua njeriut me butësi duke i thënë: “Qetësohu, mos u frikëso, sepse unë nuk jam mbret”. Dije se unë jam biri i një gruaje që ka ngrënë mish të tharë në Mekë! Pa shih modestinë e Pejgamberit a.s. dhe ki kujdes të mos bëhesh prej mendjemëdhenjve dhe prej atyre që shfrytëzojnë çdo rast për t’u ngritur padrejtësisht mbi të tjerët. Obligimi ynë është që të frymëzohemi dhe të ndriçojmë rrugën tonë me shëmbëlltyrën dhe nurin e Pejgamberit tonë të dashur, Muhamedit a.s., dhe të mos ndahemi nga orientimi i drejtë që na ka hapur i dashuri ynë a.s. 
Njerëzit që u edukuan me mësimet e Pejgamberit të fundit-Muhamedit a.s. dhe i dhanë një kah të ri historisë së njerëzimit, pa dyshim që ishin ashabët e Resulullahut r.a. Dhe pikërisht modestia ishte morali i tyre i përditshëm edhe pas vdekjes së Pejgamberit a.s.. Ne do të përmendim disa nga aspektet e jetës së tyre modeste. Ebu Bekri Essidiku r.a., gjatë kohës sa ishte udhëheqës i myslimanëve, çdo ditë pas faljes së namazit të sabahut, shkonte dhe pastronte shtëpinë e një plake. Tregon Omeri r.a. se një ditë paska shkuar pas tij dhe e paska parë tek kishte hyë tek një shtëpi përdhese, dhe më pastaj kishte dalë. Hyra brenda në shtëpi, - thotë ai, - dhe gjeta një plakë, të cilën e pyeta se cili ishte ai që doli pak më parë. Ajo me tha se nuk e njihte, por ai vinte çdo ditë dhe pastronte shtëpinë e saj në të njëjtën kohë. Një rast tjetër tregohet se Ebu Bekri r.a. i kishte dhënë dikujt një letër që të shkonte tek Omeri dhe t’ia jepte atë që i kërkonte. Por, kur shkoi tek Omeri, ai refuzoi t’ia jepte. Personi u kthye përsëri tek Ebu Bekri duke i thënë: “Nuk e di cili është Halifi, ti apo Omeri! Ebu Bekri ia ktheu: “Ai, nëse dëshiron të bëhet.” Tregohet se Omer bin Hatabi r.a. ishte duke ligjëruar dhe pati gabuar në sqarimin për të kufizuar dhe përcaktuar sasinë e mehrit për gra. Në atë rast një grua në xhami e kundërshtoi dhe si argument lexoi ajetin e Kuranit në suren En-Nisa: 20. Omeri, sunduesi i myslimanëve, nuk e mbajti veten lart, nuk u hidhërua, por e pranoi gabimin dhe tha: “Gruaja ka të drejtë, Omeri gaboi.” Qëndrimi i tij vetëm ia shtoi autoritetin, e lartësoi dhe e bëri edhe më të dashur në zemrat e besimtarëve. 
Njëri prej shokëve më të afërt të Pejgamberit a.s. ishte edhe Halifi i tretë i myslimanëve - Othman bin Afvani r.a., i cili dallohej për moralin e tij të lartë që kishte, saqë edhe engjëjt turpëroheshin prej tij. Tregojnë shokët e Othmanit r.a. se ai ishte shumë i dashur i afërt me myslimanët. Një ditë ishte duke ligjëruar në hutbe dhe, gjatë ligjërimit të tij, myslimanët që nuk i kishte parë një kohë të gjatë, po i përshëndeste nga hutbeja në shenjë respekti që kishte për ta. 
Në një prej luftërave që kishte zhvilluar, Ali bin Ebi Talibit r.a. i kishte humbur shpata, të cilën e kishte gjetur një jahudi. Aliu r.a., kur pa se shpata ishte e tij, iu drejtua jahudiut: “Kjo shpatë është imja”- po ai nuk pranonte dhe kështu lindi konflikti në mes tyre. Aliu r.a. propozoi që të shkonin tek kadiu (gjykatësi) dhe ai të ndante drejtësinë në mes tyre. 
Gjykatësi e pyeti Aliun se në cilin vend i kishte humbur shpata. Aliu, i buzëqeshur, tha: “E kam ditur se do të ma bësh këtë pyetje” - dhe u largua. Kur e pa jahudiu këtë gjest të shkëlqyeshëm të Aliut r.a., vrapoi pas tij dhe ia dha shpatën, duke i treguar edhe vendin se ku i kishte humbur. Aliu r.a. e pyeti: “Përse e pranove tash që shpata është imja. Jahudiu iu përgjigj: “Më habiti se si shoku i Muhamedit, djali i xhaxhait të tij dhe Halifi i myslimanëve, nga modestia e tij dhe e vërteta që ishte në anën e tij, pranoi të bisedonte me një njëri të thjeshtë siç jam unë, dhe ky gjest i shkëlqyeshëm u bë shkak që unë të pranoja Islamin”. Aliu r.a. u gëzua pa masë dhe, si dhuratë për pranimin e Islamit, ia dha shpatën e tij. Omer bin Abdul Azizi ishte njëri nga Halifët më të dalluar të emevinjve, i njohur për cilësi të larta morale dhe për devotshmëri të sinqertë. Tregohet se njëherë një njeri kishte shkuar për ta vizituar Omer bin Abdul Azizin. Drisa po rrini, ishte fikur qiriri. Halifja Omer u ngrit dhe ndezi qiririn. I habitur nga ky gjest i tij, mysafiri e pyeti: “O udhëheqës i myslimanëve, pse nuk më urdhërove mua ta ndezja qiririn”? Ai u përgjigj: “U ngrita si Omer, u ktheva si Omer, dhe kjo nuk ndikoi në mua asgjë”. Dhe shtoi se prej njerëzve më të mirë tek Allahu, është ai që është modest. 
U përpoqëm të përmendnim disa she mbuj të modestisë së lartë në veprimet e ashabëve të Pejgamberit a.s. si dhe t’jua bëjmë me dije metodat e edukatës së përsosur dhe sjelljet e shkëlqyeshme që duhet të ketë si cilësi myslimani.
Lidhur me vlerën e modestisë dhe shpërbilimin e madh që ka ajo tek Allahu xh.sh,. do të ndalemi të përmendim disa komente dhe urtësi të dijetarë ve
Është pyetur Fudel ibni Ajad për modestinë dhe ka thënë: “Modestia është nënshtrimi ndaj së vërtetës dhe pasimi i saj, nëse e dëgjon të vërtetën prej fëmijës, pranoje atë, po edhe nëse dëgjon të vërtetën prej injorantit më të madh, pranoje atë. 
Gjithashtu ka thënë Ebu Beker Essidiku r.a.: “Të mos e nënçmojë askënd askush prej myslimanëve, sepse fëmija i myslimanëve tek Zoti është i madh.” Thotë imam Shafiu r.a.: “Njeriu që ka vlerë më të madhe, është ai që tregohet modest. Si dhe ai që është më i miri po nuk e konsideron veten të mirë.” Gjithashtu, kur është pyetur Hasan El Basriu se ç’është modestia, ai ishte përgjigjur: “Modestia është të dalësh nga shtëpia jote dhe të konsiderosh çdo mysliman më të mirë se ti.” Ky është rezultat i frikës së tij nga Allahu i Madhërishëm se ndoshta nuk do t’ia pranojë veprat e tij si dhe vlerësimet e përhershme të vetvetes. Kjo e largon atë nga çfarëdo devijimi për çfarëdo pune që ka kryer, dhe prandaj mendon se çdo mysliman është më i mirë se ai. Ky gjithsesi është një lloj nënvlerësimi, por nënvlerësim të cilin e do Allahu i Madhërishëm, me të cilin i rritet autoriteti tek njerëzit dhe derexhet (shkallët) tek Allahu i Madhërishëm. 
Thuhet se kurora e njeriut është modestia. Vërtet i Madhi Zot xh.sh., nëpërmjet ajeteve të Kuranit, të cilat flasin për modestinë, na tregon se, nëse dëshirojmë të jemi një shoqëri produktive në të gjitha sferat e jetës, duhet të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin. Thelbi i bashkëpunimit pa dyshim që është modestia. Përmes modestisë mund të arrijmë t’i zhdukim barrierat e kobshme, të cilat na ndjekin shekuj me radhë. Dhe si fryt i zhvillimit mjaft të avancuar të teknikës se sotme, pa dyshim që është modestia. Këtë e vërejmë se dijetarët dhe shkencëtarët e sotëm përfillin mësimet e dijetarëve që ishin para tyre. Duhet ta dish se, sado që të kesh fuqi e aftësi, sado që të jetë i lartë autoriteti dhe pozita jote, sado që të jesh i pasur etj., fuqia e zotit është më e madhja nga të gjitha ato që posedon ti. Prandaj, ule kokën, zhduke vrazhdësinë, hape gjoksin, bëhu i mëshirshëm dhe sillu ndaj njerëzve ashtu siç dëshiron të sillen ata ndaj teje. Lidhur me këtë, Muhamedi a.s. thotë: 
“Nuk do të hyjë në xhenet ai që në zemrën e tij ka mendjemadhësi qoftë edhe sa grima.”(transmeton Muslimi dhe Tirmidhiu). 
Dobitë e modestisë (thjeshtësisë) dhe gjurmët e saj në sjelljen e njeriut janë:
1. Pranimi i së vërtetës prej kujtdo që e thotë, pa marrë parasysh kombësinë, prejardhjen, pozitën apo moshën e tij, e të tjera si këto. 
2. Ekzistenca e një shoqërie të pastër e të dashur me njëri-tjetrin, si të ishin një trup i vetëm, ku askush nuk e ngre kokën mbi tjetrin. 
3. Forca, fuqia e krenaria para besimtarëve. Thotë Allahu xh.sh. në Librin e Tij: “Të ashpër të rreptë ndaj pabesimtarëve.” 
4. Falja, butësia dhe mirësjellja ndaj besimtarëve. 
5. Butësia me të vegjlit dhe të dobëtit. 
6. Ngritja e vendit dhe pozitës. I Dërguari i Allahut a.s. thotë: “…Dhe nuk është përulur ndokush për hir të Allahut vetëmse Allahu e ka ngritur atë.” (transmeton Muslimi). 
7. Të ndiesh ëmbëlsinë e imanit (besimit). 
Po e përmbyllim këtë temë kaq të gjerë me lutjen që Allahu xh.sh. të na e bëjë modestinë moral tonin



 _________________________ 
Literatura e konsultuar: 
- Kurani-përkthim me komentim në gjuhën shqipe-Sherif Ahmeti-Prishtinë, 28 Prill 1987.
 - Përmirësimi i zemrave-Amër Halid. 
- Thjeshtësia dhe vendi i saj në fe-Husein bin Aude el-Auaajsheh. 
- Komente dhe mendime islame-Sherif Ahmeti. - Rijadu salihin-Imam Neveviu.
 - Metodat e davetit. Sead Kelmendi


 


Sead Kelmendi
Dituria Islame  212


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?