Komentimi i kaptinës “El-Mulk” 2


Argumente madhështore të fuqisë hyjnore 


“I madhëruar është Ai, në Dorën e të Cilit është i tërë sundimi dhe Ai ka fuqi mbi çdo send. Ai është Që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është ngadhënjyesi, mëkatefalësi.” (El-Mulk, 1-2)


Koment 


1. I madhëruar është Ai, në Dorën e të Cilit është i tërë sundimi dhe Ai ka fuqi mbi çdo send. 


Kjo sure madhështore e Kuranit famëlartë, fillon me fjalën “tebareke”, e cila nënkupton madhërimin, lavdërimin, shenjtërimin dhe zhveshjen e Allahut nga çdo cilësi a përshkrim që nuk përkon me Madhërinë e Tij. Fjala “tebareke” rrjedh nga rrënja “bereke” dhe nënkupton shtesën, mirësinë e shumtë, ose mirësitë e pakufishme që i janë dhënë njeriut nga ana e Fuqiplotit, i Cili përkujdeset për furnizimin e çdo krijese. Mu për këtë arsye njeriu duhet të jetë përjetësisht mirënjohës ndaj Allahut xh.sh., i Cili i ka dhuruar atij mirësi të panumërta, për se dëshmon edhe ajeti kuranor: “Edhe po qe se përpiqeni t’i numëroni dhuntitë (të mirat) e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përcaktoni (përthekoni) ato (në numër)...” (Ibrahim, 34) 
Kurse fjala “bi jedihi el-mulk” nënkupton sundimin absolut të Allahut në çdo gjë; në urdhëresa e ndalesa, në krijim, dhurim jete dhe vdekjeje, në dhënie e në marrje të pasurisë, në pasurim e varfërim të njerëzve, në ngritje dhe në poshtërim të tyre etj.. Me një fjalë, sundim i pakufishëm, i cili në asnjë mënyrë nuk mund të kontestohet, sepse çdo gjë në këtë ekzistencë, është e tëra pronë dhe krijim i Allahut të Gjithëfuqishëm, i Cili nuk ka fillim dhe as mbarim.I Madhërishmi, në lidhje me këtë, thotë: “Thuaj: “O Allah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq prej dore pushtetin atij që do, e lartëson atë që do, dhe e përul atë që do. Çdo e mirë është vetëm në dorën Tënde, vërtet, Ti ke mundësi për çdo gjë”! (Ali Imran, 26) 
Të përmendurit e “Dorës” në këtë sure, duke i ikur çdo shëmbëllimi dhe përngjasimi të Allahut xh.sh. me krijesat, nënkupton fuqinë absolute të Tij, në Kompetencën dhe Vullnetin e të Cilit gjendet çdo gjë, dhe askush nuk mund t’i përzihet në asnjë çështje. Sundimi dhe pushteti i Tij shtrihet në çdo segment dhe veprim që kryhet në këtë ekzistencë.Dijetarët, kur kanë diskutuar rreth dallimeve në mes fjalëve të të njëjtit brumë - “mulk” dhe “melekut”, kanë thënë se fjala “mulk” nënkupton botën materiale, kurse “melekut” botën shpirtërore. Gjatë analizës së ajeteve kuranore lidhur me fjalët “mulk” dhe “melekut”, mund të vërejmë se, kur i Lartmadhërishmi flet në Kuran rreth veprimeve të Tij në botën e “mulk”-it sipas Vullnetit dhe Dëshirës së Tij, Veten e përshkruan me fjalën “tebareke”, ashtu siç ka ardhur në këtë ajet, që simbolizon shenjtërinë, madhështinë dhe mirësitë e pakufishme të Tij. Ndërsa, sa herë që flet rreth veprimeve të Tij në botën e “melekutit, sipas Vullnetit dhe Dëshirës së Tij, i përdor fjalët “sebbeha”, “jusebbihu” ose “subhane”, si f.v. në suren “Jasin”, ajeti 83: “I lartë është Ai në dorën e të Cilit është pushteti mbi çdo send dhe vetëm tek Ai ktheheni”, dhe në atë “Es-Saff”, ajeti 1: “Allahun E madhëroi ç’ka në qiej dhe ç’ka në Tokë, e Ai është mbizotëruesi, i urti”.(1) Ajeti përfundon me fjalët: “Ai ka fuqi mbi çdo send”, - dhe nënkupton se I Madhërishmi është i Gjithëpushtetshëm dhe fuqia e Tij është e pakufishme. Me vullnetin dhe fuqinë e Tij, çdo gjë në këtë ekzistencë rrjedh sipas përcaktimit të Tij hyjnor, Vullnet në të cilin nuk mund të ndërhyjë askush. 


2. Ai është Që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është ngadhënjyesi, mëkatefalësi. 


Vdekja dhe jeta janë ligje dhe krijesa të Allahut, që përbëjnë tërësinë e një procesi, të cilit i nënshtrohet çdo krijesë e gjallë në këtë botë, duke filluar nga njerëzit, exhinët, kafshët, madje vdekjen do ta përjetojnë edhe engjëjt (melekët) e Allahut.Vdekja nënkupton lirimin e shpirtit nga ngushtësia trupore, i cili qëndron i kufizuar në këtë trup njerëzor, kurse pas vdekjes, ai lirohet nga kjo ngushtësi dhe kalon në një etapë tjetër të jetës, në Berzah, e cila dallon për shumëçka nga jeta e dynjasë. I Dërguari a.s. thotë: “Njerëzit (në këtë botë) janë të fjetur, dhe, kur të vdesin, përmenden (zgjohen-kthjellen)”.Për sa i përket çështjes për ç’arsye, në këtë ajet, vdekja është përmendur para jetës, ekzistojnë disa sqarime nga ana e mufesirëve. Disa kanë thënë se, me vdekjen, në këtë ajet është qëllimi që të theksohet se ajo i ka paraprirë jetës njerëzore mbi tokë, meqë nuk ishim fare të gjallë e pastaj Allahu na bëri të tillë, me ardhjen në këtë botë nëpërmjet procesit të lindjes. Disa të tjerë thonë se që të gjitha gjërat ishin të vdekura, derisa nuk i preku ato gjallëria e jetës si dhuratë nga i Gjithëmëshirshmi. Në frymën e këtij mendimi, jep sinjal edhe ajeti kuranor:“Si e mohoni Allahun, e dihet se ju ishit të vdekur e Ai ju ngjalli, mandej ju bën të vdisni e pastaj ju ringjall, e mandej tek Ai do të ktheheni”? (El-Bekare, 28) 
Disa kanë shprehur mendimin që me vdekjen në këtë ajet synohen ditët e jetuara në këtë botë, të cilat janë të numëruara dhe një ditë përfundojnë me vdekjen, ndërkohë që me jetën synohen ditët e Ahiretit, për shkak se do të jenë të përjetshme, të cilat nuk i prek as kërcënon më vdekja. Ndërkohë, Mukatili ka një komentim interesant rreth kuptimit të jetës dhe vdekjes, kur thotë se me krijimin e vdekjes nënkuptohen etapat e krijimit të njeriut ende pa iu frymëzuar shpirti: “Nutfetun” - farë (pikë uji), “alekatun” - copëz gjaku e ngurtë (e ngjizur), dhe “mudgah” - copëz mishi, të cilën pastaj Allahu e shndërron në eshtra, kurse eshtrave sërish ua vesh mishin, kurse me jetën nënkuptojmë frymëzimin e shpirtit dhe gjallërinë e këtij trupi, i cili deri në këtë etapë, ishte i pajetë.(2) Megjithatë, mendimi më i saktë është se në këtë ajet me vdekje kuptohet vdekja në këtë botë, kurse me jetën, jeta e amshueshme dhe e përhershme e Ahiretit. Për sa i përket pjesës së ajetit “për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë”, kjo do të thotë se cili prej jush (njerëzve) do të jetë më i sinqertë në raport me Krijuesin e tij; cili prej jush do të ruhet nga mëkatet dhe do të largohet nga ato vepra të shëmtuara që i ka ndaluar i Gjithëfuqishmi, dhe cili prej jush do të jetë më i devotshëm dhe më afër mëshirës së Allahut, me vepra të mira e të pëlqyeshme.Sipas shumë dijetarëve, kuptimi i këtij ajeti është edhe më gjithëpërfshirës, sepse këtu nuk synohet vetëm adhurimi me gjymtyrët e trupit, siç janë namazi, agjërimi, dhe ibadetet e tjera, por njëkohësisht synohet adhurimi me mendje, me zemër dhe me çiltërinë imanore, e cila të shtyn të meditosh rreth krijimit të kësaj gjithësie, për ta kuptuar se kush je ti në të vërtetë. Kuptimi i kësaj pjese të ajetit, sqarohet edhe më tepër nga vetë i Dërguari i Allahut, i cili, gjatë shpjegimit të tij, thotë: “për t’ju provuar se cili prej jush është më i mirë në të logjikuarit (menduarit) e drejtë, më i ruajtur nga haramet (ndalesat) e Fuqiplotit dhe më nxituesi në devotshmërinë ndaj Allahut të Plotfuqishëm”.Ndërsa, kur është pyetur i Dërguari i Allahut se cili prej besimtarëve është më i mençuri (më i logjikshmi), ka thënë: “Ai i cili e përmend (e kujton) më së shumti vdekjen dhe ai që përgatitet më së miri për të”.Njeriu erdhi në këtë botë me vullnetin dhe dëshirën e Fuqiplotit, por gjithsesi kjo botë do të jetë një sprovë e madhe për të, pasi njerëzit, së bashku me exhinët, janë krijesat e vetme që posedojnë një liri të kufizuar individuale të veprimit. Në përputhje me këtë përgjegjësie, ata nesër në Ditën e Gjykimit edhe do të merren në llogari për të gjitha veprimet e tyre. Jeta me të cilën Allahu na ka bërë ta ndiejmë gjallërinë, ishte për shkak të mëkëmbësisë, me të cilën Ai na nderoi dhe na obligoi në tokë. Prandaj njeriu, për hir të kësaj përgjegjësie madhore, duhet të përpiqet të arrijë majat e përsosmërisë së tij morale e shpirtërore. Hilafeti apo mëkëmbësia e njeriut në tokë, përveçqë është një përgjegjësi e përbashkët, është po ashtu edhe përgjegjësi individuale në kuptimin që secili individ duhet të marrë rolin dhe përgjegjësinë që i takon në këtë botë, sepse, pas vdekjes, në bazë të veprave të tij, ose do të shpërblehet, ose do të ndëshkohet.Shpeshherë hasim njerëz me iman të dobët dhe pabesimtarë teksa shprehen haptazi se e urrejnë vdekjen dhe kanë frikë nga ajo. Përgjigjja e vetme ndaj këtyre klithmave trishtuese të tyre, është se, nëse vdekja do të kuptohej ashtu siç duhet, në realitetin e mirëfilltë të saj, ajo nuk është përveçse kalim prej një procesi në një proces tjetër jetësor, - atëherë nuk do të kishte paragjykime negative ndaj saj dhe nuk do të kishte frikë nga ajo. Përkundrazi, vdekja do të duhej kuptuar thjesht si një fazë kalimtare në zinxhirin e pashkëputur të jetës, qëllimi final i së cilës është jeta e Ahiretit dhe arritja e kënaqësisë së Allahut. Është transmetuar nga Katadeja, të ketë thënë: Ka thënë i Dërguari a.s.:“Allahu i madhërishëm i ka nënshtruar bijtë e Ademit (njerëzit) me vdekjen, pastaj e ka bërë këtë botë, botë të jetës e pastaj të vdekjes, ndërsa Ahiretin e ka bërë botë të shpërblimit apo ndëshkimit, e pastaj botë të amshimit”.(3) 
Kurse, rreth pjesës së ajetit: “Ai është ngadhënjyesi, mëkatefalësi”, dijetarët kanë thënë se Ai është Ngadhënjyesi dhe i Gjithëpushtetshmi, i Cili krijesave të Tij u ka imponuar dhe përcaktuar vdekjen, dhe të Cilin nuk mund ta pengojë askush në realizimin e kësaj, kurse Mëkatefalës për ata që pendohen nga e kaluara e tyre e zymtë dhe marrin mësim nga vdekja, para se t’u vijë ajo, dhe njëkohësisht përgatiten sa më mirë për ahiretin. 
Është më se e qartë se cekja e krijimit të vdekjes dhe jetës në këtë ajet, është argument i pakontestueshëm i manifestimit të fuqisë së Allahut të Madhërishëm, ashtu siç është argument edhe krijimi i njeriut, prapa të cilit fshihet një urtësi e madhe hyjnore, ashtu siç na tregon i Lartmadhërishmi:“A menduat se Ne ju krijuam kot dhe se ju nuk do të ktheheni tek Ne?” (El-Mu’minun, 115) 
Pra, nga kjo mund të vërejmë se njerëzit vërtet nuk janë krijuar ashtu kot, por për një qëllim të lartë e f isnik, dhe ata janë nderuar nga i Lartmadhërishmi me gjënë më të çmueshme-mëkëmbësinë. Allahu xh.sh., duke ditur ndjesinë e brishtë shpirtërore të krijesës njerëzore, atyre u dërgoi pejgamberë dhe u zbriti libra të shenjtë, në mënyrë që të ngrihen sa më lart shpirtërisht, dhe që përfundimisht të dallohen të devotshmit prej të prishurve, meqë jeta e tyre do të jetë një sprovë e vërtetë për të arritur kënaqësinë e Krijuesit të tyre, ndërkohë që grupi i femohuesve dhe të prishurve, do të marrin ndëshkimin e tyre të merituar, sepse me vetëdije të plotë pasuan intrigat e shejtanit të mallkuar dhe vulosën përjetësisht fatin e tyre në skëterrat e Xhehenemit... 


- vijon -


__________________________
1. Dr.Shevki Dajf “Suretu er-Rrahman ve suver kisar” Kajro, 1995, f.168. 
2. Shih: Umer ibn Alijj Ibn Adil ed-Dimeshkijj el Hanbelijj “El Lubab fi ulumil kitab”, vëll. 19, f. 225, Bejrut, 1998. 
3. Këtë hadith e kanë regjistruar në tefsiret e tyre Taberiu “Xhamiul bejan an te’vili ajil Kur’an” vëll.23 f. 118 (botim i redaktuar na Dr. Abdullah ibn Abdul Muhsin et-Turki- Kajro 2001), dhe Imam Sujutiu në “Ed-Durrul menthur” vëll.14, f. 608 (botim i redaktuar po ashtu nga Dr. Abdullah ibn Abdul Muhsin et-Turki- Kajro 2003)


Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Gara ndërkombëtare e Kuranit në Kosovë: Juria e vlerëson si ndër më të mirat e organizuara deri tani