3. Ai është Që krijoi shtatë qiej palë mbi palë. Në krijimin e Mëshiruesit nuk mund të shohësh ndonjë kontrast, andaj drejto shikimin se a sheh ndonjë çarje?
Pa dyshim që ndër gjërat më madhështore të krijimit, është edhe krijimi i qiejve, i cili mbulon botën tonë, me kaltërsinë e tij të pafund. Allahu i Madhërishëm, sa herë që në Kuran ka cekur krijimin e qiejve, të yjeve, planetëve apo Tokës, këtë nuk e ka bërë për diçka tjetër, përveçqë njerëzimi të meditojë rreth ekzistencës që e rrethon, në mënyrë që në ndërdijen e tij të forcohet bindja se duhet të ekzistojë patjetër një Fuqi e lartë, që është në gjendje të krijojë diçka madhështore si qiejt dhe yjësitë, të cilët kanë një funksion jetik në mbarëvajtjen e jetës njerëzore në këtë tokë. Të përmendurit e numrit shtatë tek krijimi i qiejve, pa dyshim që përmban në vete një urtësi hyjnore, por kjo nuk do të thotë se nuk ekzistojnë edhe qiej të tjerë, sepse për ne kjo është një botë e fshehtë dhe është vështirë të depërtojmë në njohjen e saj me këtë mendje dhe logjikë të kufizuar. Një prej llojeve më të reja të tefsirit është ai shkencor, të cilit i janë rrekur një numër i madh dijetarësh myslimanë. Këta tash e sa kohë po bëjnë përpjekje të sqarojnë shumë prej ajeteve kuranore në dritën e të arriturave më të fundit shkencore, gjë që është për t’u përshëndetur. Ka prej tyre që thonë se nocioni Qiell”-“Es-Sema’ë” në njëjës, më së shpeshti aludon atmosferën që mbështjell dhe rrethon Tokën, kurse trajta e shumësit “Qiejt”-Es-Semavat” më së shpeshti nënkupton gjerësinë e Universit me të gjithë qiejt që gjenden në të. Disa prej tyre thonë se nocioni shtatë qiej, në fakt nënkupton shtatë shtresat e atmosferës që mbështjellin Tokën, emërtimet e të cilave dallojnë nga njëri tek tjetri. Këto shtresa atmosferike janë: Troposfera, Stratosfera, Mezosfera, Termosfera, Ekzosfera, Jonosfera dhe Magnetosfera.Mbase (Allahu a’ëlem) një prej kuptimeve të këtij ajeti, mund të jetë edhe ky, që Allahu ka krijuar shtatë palë qiej njërin mbi tjetrin, apo shtatë shtresat e atmosferës, megjithëse, sipas nesh, nocioni shtatë palë qiej, është shumë më impozant dhe më i gjerë.
Po t’i hedhim një vështrim studiues Universit dhe kësaj gjithësie që na rrethon, do të mbesim të mahnitur nga krijimtaria e Allahut. Këto miliarda yje, planetë e galaktika, të cilat sot kemi mundësi t’i shohim me anën e teleskopëve të fuqishëm, na bëjnë me dije se në krijimin e qiejve nuk mund të gjesh ndonjë të metë, çarje a mangësi. Që të gjithë këta trupa qiellorë lëvizin nëpër orbitat e tyre të përcaktuara nga i Gjithëfuqishmi. Prandaj edhe ka ardhur ky provokim i hapët hyjnor, i cili sfidon pabesimtarët, që, nëse kanë mëdyshje se kush është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës, le të përpiqen të gjejnë ndonjë gjë që nuk është në harmoni të plotë me ligjet e këtij Universi, nëpër të cilin enden këto yjësi dhe galaktika të panumërta.
4. Mandej, herë pas here drejto shikimin, e shikimi do të kthehet tek ti i përulur dhe i molisur.
Nëpër librat e tefsirit, shkencëtarët myslimanë kanë thënë se qielli është një materie dhe fshehtësinë e krijimit të tij e di vetëm Allahu xh.sh., ndërsa astronomët kanë thënë se qielli nënkupton një zbrazëti të paskajshme për rezonimin njerëzor, nëpër të cilën enden yjet, planetët dhe galaktikat.
Hapësira qiellore është aq e gjerë dhe e pakapshme për shikimet tona, saqë çdo përpjekje jona për ta eksploruar atë, është pothuajse e pamundur. Ftesa e të Lartmadhërishmit që Ne të vrojtojmë këtë gjithësi, këto yjësi e galaktika, nëse rastësisht mund të gjejmë në të ndonjë të metë, - është një thirrje për të mençurit, për ata që dinë të logjikojnë dhe të rezonojnë drejt, kur është fjala për Krijuesin e tyre, sepse, sado të përpiqemi të depërtojmë në këto pafundësi kozmike, prapëseprapë, do ta shohim pafuqinë tonë për t’i eksploruar, dhe sigurisht që shikimet tona do të lodhen e molisen, sepse paskajshmëria e këtij Universi, është e pamundur të kuptohet me të logjikuarit tanë të kufizuar e të brishtë.
Në anën tjetër, ky ajet, si edhe ai paraprak, janë një sfidim i hapur për mohuesit e Allahut si Krijues, që të përpiqen me të gjitha mundësitë e tyre për të gjetur diçka në këtë mrekulli të përsosur të krijimit, me të cilën do të vinin në pikëpyetje madhështinë e Allahut. Natyrisht, një gjë të tillë nuk do të mund ta realizojnë, se shikimet e tyre, sërish do të kthehen, jo vetëm një herë po qindra e mijëra herë, të thyera e të lodhura, sepse madhështia e këtij Universi është prej mrekullive të Krijuesit Fuqiplotë.
5. Ne qiellin më të afërt e kemi zbukuruar me kandila (yje ndriçuese) dhe ata i kemi bërë gjuajtës kundër djajve, të cilëve u kemi përgatitur dënim me zjarr shumë të madh.
Në këtë ajet kuranor Allahu i Plotfuqishëm dëshiron t’ua sqarojë njerëzve se qielli i kësaj bote është vetëm një prej shtatë qiejve të krijuar nga Ai. Njerëzit në këtë qiell shohin planete dhe yje që lëvizin pandërprerë, nëpër orbitat e tyre. Këta planetë dhe këto yje janë quajtur si kandila ndriçues, për faktin se ndriçojnë mu si llambadarë. Disa prej këtyre yjeve janë vetë burim i dritës dhe i energjisë, siç është Dielli, e disa nga planetët dhe trupat e tjerë qiellorë, këtë reflektim të dritës e marrin nga energjia e Diellit.
Mufesiri bashkëkohor Seid Havva mendon se fjala “el mesabih” - kandila, ka të bëjë me planetët e sistemit tonë diellor, sepse Dielli, i cili është një yll si shumë të tjerë në këtë gjithësi, në Kuran është quajtur “Siraxh”, që nënkupton se është burim i dritës dhe i energjisë.(1)
Këta trupa qiellorë, përveçqë janë zbukurim, njëkohësisht janë edhe gjuajtës të djajve me goditje të zjarrta, të cilat i pengojnë ata t’i afrohen qiellit.
Një grup të ngjashëm me këtë ajet për nga kuptimi, kemi edhe ajetet në kaptinën “Es-Saffat”, (6-10), ku Allahu flet për goditjen e djajve me shkëndija të zjarrta nga qielli: “Vërtet, Ne kemi stolisur qiellin më të afërt (të Dunjasë) me bukurinë e yjeve. Dhe me mbrojtje prej çdo djalli të prishur. Ashtu që nuk mund të përgjojnë parinë më të lartë (engjëjt më të zgjedhur), sepse gjuhen me shkëndija nga të gjitha anët. Ata janë të përzënë dhe do të kenë një dënim të përhershëm. Përveç atij që rrëmben vrullshëm, po atë e ndjek ylli që e djeg”.
Në lidhje me këto ajete, Katadeja ka thënë: “Allahu i ka krijuar yjet për tri funksione: si zbukurim për qiellin, ndëshkues e gjuajtës kundër djajve dhe shenja orientimi... (orientim për udhëtarët që udhëtojnë gjatë natës nëpër tokë (shkretëtirë) apo det, - sqarim shtesë yni S.B.)”(2)
Për sa i përket pjesës së fundit të ajetit “dhe ata i kemi bërë gjuajtës kundër djajve...”, nëpër librat e tefsirit është përmendur arsyeja pse Allahu i ka bërë këto shkëndija të zjarrta, që dalin nga trupat qiellorë, si ndëshkim për djajtë. Siç dihet, shejtanët janë mëkatarët dhe femohues nga radhët e exhinëve, të cilët nuk prajnë nga prapësitë e tyre, që të devijojnë çdo qenie njerëzore nga rruga e drejtë. Djajtë kanë shpifur dhe i kanë hutuar pasuesit e tyre prej falltarëve dhe magjistarëve, se ata gjoja kanë mundësi të depërtojnë në hapësirat e larta të qiellit dhe të marrin fshehurazi prej atje lajme të ndryshme për të ardhmen. Kjo është absolutisht e paqëndrueshme, sepse, në fakt, ata nuk kanë një mundësi të tillë. Madje, edhe po të tentojnë të bëjnë diçka të tillë, ata do të hasin në pusi dhe do të goditen sakaq nga këto shkëndija të zjarrta qiellore.
Në këto ajete konfirmohet se pushteti absolut I takon vetëm Allahut të Madhërishëm, dhe se askush nuk ka mundësi të marrë ndonjë lajm sekret që gjendet vetëm në dijen e Allahut, as prej xhinëve e as prej njerëzve, përveç atij të cilit Allahu dëshiron t’ia zbulojë ndonjë prej fshehtësive të Tij, e ata janë të Dërguarit e Tij në Tokë. Këtë e konfirmon Vetë i Plotfuqishmi në Kuran:“Ai është Që e di të fshehtën, por fshehtësinë e Vet nuk ia zbulon askujt. Me përjashtim të ndonjë të dërguari që Ai do. Atëbotë Ai vë roje para edhe prapa tij (kur i shpall fshehtësinë)” (El-Xhinn, 26-27)
Ky nderim i veçantë, që Allahu e ka bërë për të dërguarit e Tij, është shenjë e fisnikërimit të tyre nga ana e Tij, sepse ata janë përcjellësit besnikë të mesazhit të Tij në Tokë, tek njerëzit.Ndërsa djajtë, përveç këtyre ndëshkimeve të rrepta në këtë botë, në Ahiret i pret ndëshkimi i përjetshëm në zjarrin e Xhehenemit, i cili është përgatitur enkas për ta dhe për pasuesit e tyre prej njerëzve dhe exhinëve. Ky do të jetë përfundimi i të gjithë atyre që mohojnë Allahun e Madhërishëm, të cilët nuk besojnë se Ai ka krijuar vdekjen dhe jetën, që të na vërë në sprovë, Që i ka krijuar shtatë qiej, në të cilët nuk ka mundësi të shohësh ndonjë të çarë, kontrast a mangësi...
Urtësia e ajeteve (1-5):
- Këto ajete vërtetojnë se Allahu është Krijues i tërë ekzistencës dhe Mbikëqyrës i gjithçkaje që gjendet në të. Madhështinë e Fuqisë së Tij në këtë gjithësi e shfaq nëpërmjet argumenteve të shumta që dëftojnë për fuqinë, diturinë, mirësinë dhe bereqetin, për të na tërhequr vërejtjen që të mos mashtrohemi me këtë botë e të harrojmë se kush është Zotëruesi madhështor i Universit dhe të mos harrojmë Ahiretin.
- Allahu është Ai në Dorën e të Cilit është çdo gjë, Ai ka krijuar vdekjen dhe jetën, që të na sprovojë në këtë botë se cili do të jemi më vepërmirë dhe më i devotshëm.
- Jeta dhe vdekja janë dy krijesa të Allahut, të cilit proces do t’i nënshtrohet çdo krijesë e gjallë në këtë ekzistencë. Në këtë aspekt, sprovimit i janë nënshtruar dy lloj krijesash: njerëzit dhe exhinët, në mënyrë që nesër të mos kenë mundësi të arsyetohen para të Lartmadhërishmit për veprat e tyre, në të cilat kanë qenë absolutisht të lirë dhe pa imponime. Allahu i ndëshkon mëkatarët, por edhe i fal ata që pendohen dhe largohen nga të këqijat.
- Allahu është Krijues i qiejve, të palosur njëri mbi tjetrin, sipas urtësisë së Tij hyjnore, që për ne është nocion i pakapshëm. Në këtë krijim, nuk mund të shohësh e as të gjesh ndonjë mangësi a zbrazëti, dhe njeriu që mohon Allahun, sado që ta drejtojë shikimin nga qielli për të gjetur ndonjë mangësi, nuk do ta gjejë, dhe shikimi i tij do t’i rikthehet sërish, i lodhur e i molisur.
- Allahu e ka zbukuruar qiellin me yje, që janë stoli, zbukurim dhe udhëzim e orientim për udhëtarët në det dhe shkretëtirë, po njëkohësisht edhe ndëshkim për djajtë, ndërkohë që për këta të fundit, në Ahiret, Allahu ka përgatitur si vendndëshkim Zjarrin e Xhehenemit, i cili, për shkak të mosbesimit, ligësive dhe paudhësive të tyre, do t’i djegë pamëshirshëm.
- vijon –
_______________________
(1) Shih: “El-Esasu fi-t-Tefsiri” nga Seid Havva, vëll. 10, f. 550, Kajro-Haleb Bejrut, 1985
(2) “Tefsiri i Taberiut”, vëll.23, f.123
Sabri Bajgora