Ndëshkimi i pabesimtarëve në Xhehenem
“Dënimi në Xhehenem është edhe për ata që nuk i besuan Zotit të tyre; sa vend i keq është ai! Kur të hidhen në të, ata do t’ia dëgjojnë atij ushtimën e ai vlon. Nga zemërimi, ai gati copëtohet. Sa herë që hidhet në të ndonjë turmë, roja i pyet: “A nuk ju pati ardhur juve ndonjë pejgamber (qortues)? Ata thonë: Po, na erdhi pejgamberi, por ne e përgënjeshtruam dhe ne u thamë: Allahu nuk shpalli asgjë, e ju nuk jeni tjetër vetëmse në një humbje të madhe! Dhe thonë: Sikur të kishim dëgjuar dhe pasur mend, ne nuk do të ishim ndër banuesit e zjarrit. Pra, i pranojnë mëkatet e veta; banuesit e zjarrit qofshin larg mëshirës” (El-Mulk, 6-11)
Lidhmëria e këtyre ajeteve me ato paraprake
Pasi i Lartmadhërishmi në ajetet paraprake na sqaroi se çfarë dënimi ka përgatitur për djajtë në këtë botë, duke i gjuajtur e goditur me predha e shkëndija të zjarrta nga qielli, ndërsa në Ahiret duke i futur ata në dënimin e tmerrshëm të Xhehenemit, tash në këto ajete na flet për dënimin e ashpër edhe të pabesimtarëve, të cilët do të rrëmbehen me forcë e do të hidhen në flakët e zjarrta të Xhehenemit, ku do të përjetojnë vuajtje të pandërprera…
Koment:
6. Dënimi në Xhehenem është edhe për ata që nuk i besuan Zotit të tyre; sa vend i keq është ai!
Mosbesimi-Kufri është shkalla më e ulët dhe më e turpshme, në të cilën mund të bjerë një krijesë, sepse, të mohosh Krijuesin tënd, do të thotë të jesh i verbër, ndonëse ke sy; të jesh i shurdhër, ndonëse ke veshë. Vetëm ata njerëz, të cilët zemrat e tyre i kanë të mbyllura me ndryshk të kufrit, mund të jenë indiferentë ndaj mijëra argumenteve që dëshmojnë ekzistencën e Allahut xh.sh.. Por, meqë në këtë botë erdhëm me Vullnetin e Krijuesit, të pajisur me lirinë e mendimit dhe të veprimit, atëherë secili prej nesh individualisht do ta bartë këtë barrë të përgjegjësisë mbi supet e veta, në Ditën e Gjykimit.
Pa dyshim që shejtani i mallkuar, meqë ishte dëbuar edhe vetë nga mëshira e Allahut për shkak të arrogancës dhe kryeneçësisë së tij, përpiqet që të shmangë sa më shumë njerëz nga rruga e Allahut. Ai do të jetë shkaktar i shumë devijimeve nga njerëzit, por nuk do të ketë mundësi t’i shmangë nga kjo rrugë njerëzit e devotshëm, që besojnë bindshëm në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit. Ata që pasuan rrugën e shejtanit, do të jenë të përbuzur e të injoruar, dhe në mjerim të madh në Skëterrat e zjarrta të Xhehenemit, në të cilat do të hidhen pamëshirshëm…
7. Kur të hidhen në të, ata do t’ia dëgjojnë atij ushtimën e ai vlon.
Xhehenemi është vendi ku do të ndëshkohen pabesimtarët, mohuesit e Njëshmërisë, kriminelët dhe të gjithë ata që mohuan Ditën e Gjykimit dhe Ringjalljen. Në këtë ajet, ai na paraqitet si një krijesë e gjallë, me shpirt, i cili vërtet është i tillë, sepse ajetet në vazhdim, si dhe shumë ajete të tjera në Kuran, që flasin rreth tij, tregojnë për ndjenjat e tij ndaj pabesimtarëve, duke shprehur mllefin dhe zemërimin e tij ndaj atyre që u ngritën kundër Allahut, duke E mohuar Atë. Pabesimtarët do të përballen me Zjarrin e Xhehenemit, i cili do të jetë armiqësor ndaj tyre, sikur ndërmjet tyre ka armiqësi dhe hakmarrje të moçme. A thua përse? Përgjigjja është se pabesimtarët janë armiq të Allahut, ndërkohë që Xhehenemi është një prej ushtrive të Allahut, i cili do të gllabërojë këta fe-mohues. Dihet se takimi i dy armiqve në mes tyre, nënkupton një armiqësi e cila përjashton çdo ujdi apo ndjenjë mëshire, kështu që Zjarri i Xhehenemit, vërtet do të jetë i gatshëm, me të gjitha tmerret dhe llahtaritë e tij, për të gllabëruar këta armiq të Allahut, duke lëshuar gjëma e oshtima të frikshme...
8. Nga zemërimi, ai gati copëtohet. Sa herë që hidhet në të ndonjë turmë, roja i pyet: “A nuk ju pati ardhur juve ndonjë qortues (pejgamber)?”
Flakët e Xhehenemit do të përpijnë pa mëshirë trupat e pabesimtarëve, duke i bërë të ndiejnë në çdo pore të trupit të tyre këtë azab të tmerrshëm e të paimagjinueshëm. Xhehenemi, sa nuk copëtohet nga zemërimi kur sheh këto turma pabesimtarësh teksa hidhen në të. Zemërimi i Xhehenemit në këtë situatë është i arsyeshëm, sepse atyre njerëzve që do të digjen në thellësitë e tij, u kishin ardhur shumë tërheqës të vërejtjes-pejgamberë dhe Libra të shenjtë, por ata, nga mendjemadhësia e tyre, kishin refuzuar të përudheshin në rrugën e drejtë. Madje, rojat e Xhehenemit, të çuditur për mosbesimin e atyre qafirëve, do t’i pyesin ata nëse u kishte ardhur ndonjë tërheqës i vërejtjes? Pyetja e tyre është pyetje qortuese, sepse argumentet ishin aq të pastra dhe vetëm i verbri a injoranti nuk mund t’i vërente. Sipas mufessirëve, fjala “Nedhir”-“Qortues” në këtë ajet mund të ketë disa kuptime. Si tërheqësi vërejtjes mund të jetë Kurani, mund të jetë Pejgamberi, mund të jetë edhe pleqëria, etj., por, sidoqoftë, dy kuptimet e para janë më të pranueshme logjikisht.
9. Ata thonë: “Po, na erdhi qortuesi (pejgamberi), por ne e përgënjeshtruam dhe ne u thamë: “Allahu nuk shpalli asgjë, e ju nuk jeni tjetër vetëmse në një humbje të madhe!”
10. Dhe thonë: “Sikur të kishim dëgjuar dhe pasur mend, ne nuk do të ishim ndër banuesit e zjarrit”.
Pabesimtarët, të cilët do të tërhiqen zvarrë në greminat e Xhehenemit, të ballafaquar me realitetin e pamohueshëm, të vetëdijshëm plotësisht për paudhësitë e tyre, tash nuk janë në gjendje të mohojnë asgjë, prandaj do të pohojnë me keqardhje të vonuar se atyre u kishin ardhur tërheqës të vërejtjes, por i kishin përgënjeshtruar të gjithë të dërguarit e Allahut dhe Librat e shenjtë, duke u tallur me ta. Ata, tash të penduar, thonë me psherëtima të përvajshme, ‘ah, sikur të kishim pasur mend e të mos i kishim injoruar të gjitha këto argumente që na ishin ofruar nga ana e Allahut dhe të dërguarve të Tij’!
11. Pra, i pranojnë mëkatet e veta; banuesit e zjarrit qofshin larg mëshirës.
Ata që jetuan jetën e tyre në këtë botë në mënyrë të pistë nga aspekti shpirtëror, pa i vrarë fare ndërgjegjja se ajo që bënin, ishte në kundërshtim me natyrën njerëzore, e cila thellë në brendinë e saj megjithatë ka të rrënjosur besimin në Allahun, duke u nisur nga besa që ne krijesat njerëzore, në Ezel, I kishim dhënë Allahut se e njihnim si Krijues tonin, tash, pranojnë fajësinë e tyre, i pranojnë gjynahet dhe sjelljet e tyre arrogante. Rojat e Xhehenemit apo zebaninjtë-melekët e azabit, do t’i mallkojnë ata pabesimtarë, duke E lutur Allahun që ata të jenë larg mëshirës së Tij, sepse, për shkak të kufrit dhe krimeve të tyre, ata do të jenë përjetësisht banues të Zjarrit, i cili do t’i ndëshkojë me flakët e tij që përpijnë e djegin çdo gjë.
Urtësia e këtyre ajeteve
- I Madhërishmi Allah, ka përgatitur një dënim të dhembshëm për pabesimtarët, si dhe për shejtanët dhe exhinët.
- Ky Zjarr i Xhehenemit, i cili do të djegë çdo mohues të Ringjalljes dhe të Ditës së Gjykimit, është aq i trishtueshëm e i llahtarshëm, saqë dijetarët i kanë bërë këtë përshkrim:
1. Nga brendia e tij do të dëgjohen ushtima dhe ulërima që ta kallin datën e të lemerisin, atëherë kur në të do të hidhen pabesimtarët.
2. Ai do të vlojë, ndërkohë që ujët e valë do t’ua copëtojë zorrët e mushkëritë e tyre.
3. Xhehenemi do të jetë shumë i ashpër ndaj tyre, për shkak të kufrit, dhe do t’i gllabërojë pa mëshirë në brendinë e tij të zjarrtë.
4. Rojet e Xhehenemit do t’i pyesin ata fe-mohues për se jeni hedhur në Xhehenem? A nuk ju kanë ardhur tërheqësit e vërejtjes (Librat e shenjtë dhe të dërguarit e Allahut), që t’u shmangeni devijimeve nga shejtani i mallkuar?
5. Banorët e Xhehenemit do të pranojnë se Allahu nuk është duke i ndëshkuar pa arsye, sepse ata kishin përgënjeshtruar me vetëdije të dërguarit e Allahut, prandaj ky dënim është i merituar për ta.
6. Melekët e Xhehenemit do të luten kundër pabesimtarëve, që ata të mos i përfshijë kurrë mëshira e Allahut, por të digjen përjetësisht në Skëterrat e Xhehenemit.
- vijon -
Sabri Bajgora