Komentimi i kaptinës “El-Mulk” (5)

 


“(Për) ata që, pa e parë, I frikësohen Zotit të vet, ka falje dhe shpërblim të madh. E ju, fshiheni ose thuajeni fjalën tuaj haptas; s’ka dyshim se Ai e di ç’fshihni në zemrat tuaja. A nuk e di Ai që ka krijuar, kur dihet se Ai depërton në thellësi të sekreteve, i njeh hollësitë. Ai është që juve tokën jua bëri të përshtatshme, andaj ecni nëpër pjesë të saj dhe shfrytëzoni begatitë e Tij, meqë vetëm tek Ai është e ardhmja”.(El-Mulk, 12-15)


Lidhmëria e këtyre ajeteve me ato paraprake 


Pas kërcënimeve të Allahut ndaj pabesimtarëve, me ndëshkimet e Xhehenemit, të cilat do t’i përjetojnë ata, tash në këto ajete, i Lartmadhërishmi përmend besimdrejtët duke u premtuar atyre falje dhe shpërblime të mëdha. Shpërblimi i Allahut është meritor, sepse besimtarët i besuan Atij pa e parë, besuan bindshëm në Ringjalljen dhe në shpërblimet e premtuara nga i Gjithëmëshirshmi. Ndërsa në ajetet e tjera pasuese, rikthehet sërish kërcënimi i Allahut ndaj idhujtarëve, dhe pabesimtarëve të të gjitha llojeve, duke ua bërë edhe një herë të ditur se pabesimi i tyre ua kishte verbuar sytë dhe zemrat e nuk i shihnin të gjitha mirësitë dhe dhuntitë e Allahut dhënë atyre mbi sipërfaqen e tokës... 


Koment: 


12. “(Për) ata që, pa e parë, i frikësohen Zotit të vet, ka falje dhe shpërblim të madh.” 


Besimtarët e vërtetë janë njerëzit më fatlumë, sepse zemrat e tyre të pastra, i besuan Allahut xh.sh., ndonëse ky besim hyn në sferën e abstraktes-gajbit dhe të padukshmes. Ata besimin e tyre e bazojnë në ndjenjën e pastër, e cila lind së bashku me njeriun, dhe këtë besim nuk e përlyejnë kurrë me ndonjë shibël të pabesimit a idhujtarisë. Ata besojnë bindshëm se ekziston Allahu, i Cili i kishte krijuar ata nga mosqenia, besojnë se një ditë do të vdesin dhe po ashtu do të ringjallen, për të dhënë llogari para Krijuesit të tyre. Ata janë të paluhatshëm në këtë besim të tyre, prandaj edhe gjatë jetës së tyre në këtë botë, përpiqen që veprat e tyre të jenë në përputhje me Urdhëresat dhe Ndalesat e Allahut dhe këshillat e të Dërguarve të Tij. Frika (droja) ndaj Allahut është frikë e bazuar në besim të paluhatshëm. Ndonëse sytë tanë në këtë botë janë të paaftë që ta shohin Krijuesin, megjithatë Atë e shohin “sytë” e zemrës e të mendjes dhe ruhen nga gjynahet, duke e ditur se një ditë do të dalin para Tij, kështu që shpërblimi meritor për ta nga i Gjithëmëshirshmi do të jenë Xheneti dhe kënaqësitë e tij. Këta njerëz gjithmonë kanë në mendje ditën kur do të dalin para Allahut. Jetojnë në mes frikës dhe shpresës, drojës dhe lakmisë. Këta njerëz e dinë shumë mirë se nesër para tyre do të jetë llogaria e madhe, e pas saj ka dy rrugë: ose Xheneti ose Xhehenemi, për këtë arsye para tyre qëndron gjithmonë si e f iksuar pamja trishtuese e zjarrit të Xhehenemit, andaj edhe luten me lot në sy:”Zoti ynë, largoje prej nesh vuajtjen e Xhehenemit, e s’ka dyshim se vuajtja në të është gjëja më e rëndë”. (El Furkan, 65) Besimtarët e sinqertë e dinë fort mirë se vdekja nuk domethënë fundi, sepse, po të ishte kështu, që jeta jonë të përfundonte me vdekjen dhe të mos kishte llogari, çështja do të ishte e lehtë, por përkundrazi, e dinë mirë se vdekja është fillimi i një procesi të paparashikueshëm për ta. ata e dinë se pas vdekjes do të ketë ringjallje, do të ketë llogari, do të ketë vuajtje, fletushka që nuk e dinë se në ç’anë do t’u vijnë, nga e djathta apo nga e majta, nga para apo prapa, nuk e dinë nëse i ka tradhtuar ndonjëherë mendja, syri apo dora e tyre për ndonjë mendim a veprim të keq. Nuk e dinë nëse Allahu do t’i shikojë me syrin e mëshirës apo të hidhërimit, prandaj luten me sy të përlotur gjatë namazit të tyre të natës, që të mos përjetojnë trishtimin e zjarrit të Xhehenemit. Ata e dinë se ç’vendbanim i keq e i shëmtuar është ai vend. 
Transmetohet nga Salih ibn Kejsane të ketë thënë: Ka thënë Ebu Abdurrahmani: “E kam dëgjuar Ebu Hurejren të ketë thënë se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu ia ka ndaluar Zjarrit (të Xhehenemit) t’i djegë dy palë sy: Syrin që ka qarë (lotuar) nga droja e Allahut, dhe syrin që ka ndenjur zgjuar duke ruajtur Islamin dhe pjesëtarët e tij nga pabesimtarët”1. Besimtarët e vërtetë, të cilët kanë kuptuar qëllimin e ekzistencës së tyre në këtë univers, gjatë jetës së tyre sillen në përputhje me këto rregulla të përcaktuara, duke u shkrirë në këtë harmoni të sistemit të përkryer hyjnor, kështu që çdo veprim i tyre është i matur dhe i baraspeshuar, e të tillët edhe meritojnë të jenë në mesin e shtatë grupeve të njerëzve, të cilët do të jenë nën Hijen e Arshit të Allahut, nga të cilët është edhe personi, të cilin Resulullahu s.a.v.s. e ka përshkruar: “... Një njeri, i cili E ka përmendur Allahun në vetmi, e sytë e tij kanë lotuar”. 


13. “E ju, fshiheni ose thuajeni fjalën tuaj haptas; s’ka dyshim se Ai e di ç’ fshihni në zemrat tuaja”. 


Ky ajet ka zbritur për idhujtarët, të cilët në mes vete flisnin fjalë të këqija rreth Pejgamberit a.s., por që të gjitha këto biseda të fshehta, Allahu ia bënte të ditura Muhamedit a.s., prandaj ata, pasi kuptuan se për të gjitha këto informacione ishte i njoftuar i Dërguari i Allahut, i thoshin njëri-tjetrit ‘mos flisni haptazi, që të mos i dëgjojë këto fjalë Zoti i Muhamedit’. Ky ishte shkaku që Allahu i Madhërishëm T’u kundërvihej me këtë ajet, duke ua bërë të ditur se çfarëdo që të flisnin, qoftë haptazi qoftë fshehtazi, Atij nuk mund t’i fshihet asgjë... .(2) 
Një prej Emrave të bukur të Allahut dhe Cilësive të Tij, është Emri “Alim”-“I Gjithëdijshëm”, që nënkupton se Ai di dhe është i njoftuar për çdo gjë që ndodh në këtë ekzistencë. Dijes së Tij nuk mund t’i fshihet asgjë, madje as imtësia më e vogël. Ky ajet është një njoftim i përgjithshëm, drejtuar të gjitha krijesave, për t’i vënë në dijeni se nuk mund të fshehin asgjë nga Allahu, madje as mendimet që i fshehim në zemra e në mendje, e në veçanti u drejtohej idhujtarëve-pabesimtarëve, të cilët përgatisnin intriga e komplote të ndryshme kundër Muhamedit a.s., po për të gjitha këto plane djallëzore, ai njoftohej me kohë nga ana e të Lartmadhërishmit, që të kishte kujdes. 


14. “A nuk e di Ai që ka krijuar, kur dihet se Ai depërton në thellësi të sekreteve, i njeh hollësitë.” 


Ky ajet është një vazhdimësi kuptimore e ajetit paraprak, i cili flet për Cilësitë e Allahut, Dija e të Cilit është gjithëpërfshirëse. Prandaj, edhe ajeti fillon me nistoren pyetëse: A mund t’i vishet Allahut ndonjë mangësi në Dije për veprat tona, kur Ai na ka krijuar dhe e di se ç’pëshpëritin madje edhe mendjet tona?
Ai depërton në thellësitë më të skajshme të sekreteve dhe të fshehtave, sepse është i Gjithëdijshëm dhe i Plotfuqishëm. Emrat e bukur të Allahut “El-Letif” dhe “El-Habir”, përveç të tjerash, nënkuptojnë se Allahu xh.sh. i di imtësitë më të vogla të njeriut, qofshin ato të fshehta a të hapëta. Asgjë në këtë ekzistencë nuk ndodh pa Vullnetin dhe Dijen e Tij, asgjë nuk lëviz as pipëtin pa Dijen e Tij, ashtu siç ka ardhur edhe në Kuranin fisnik:“Zotit tënd nuk mund t’i fshihet as në tokë e as në qiell as sa grimca e as më e vogël se ajo e as më e madhe, e të mos evidentohet në librin e sigurt”. (Junus, 61) 
Emri i bukur i Allahut “El-Letif” ka edhe një kuptim tjetër, që shpreh butësinë, dhembshurinë dhe dashurinë e Allahut ndaj krijesave të Tij. Të gjitha këto mirësi dhe nimete që i shfrytëzojmë gjatë jetës sonë në këtë botë, i kemi nga mëshira e pakufishme e Krijuesit ndaj nesh, prandaj, ndaj këtyre begative hyjnore, duhet të jemi mirënjohës të pakufishëm dhe kurrsesi mosmirënjohës e t’ia kthejmë kurrizin Udhëzimit të Allahut të Gjithëpushtetshëm. 


15. “Ai është që juve tokën jua bëri të përshtatshme, andaj ecni nëpër pjesë të saj dhe shfrytëzoni begatitë e Tij, meqë vetëm tek Ai është e ardhmja”. 


I Lartmadhërishmi na krijoi nga elementet e kësaj toke dhe na bëri mëkëmbës në të. Na bëri përgjegjës të këtij planeti të vockël, të përhumbur në oqeanin e pafund kozmik, të këtij planeti me qiell të kaltër e të pastër, me plot male, lëndina, kodra, oqeane e dete; një botë e cila vlon nga gjallëria, për të cilën në Kuran thuhet:“Prej asaj (Tokës) Ne ju krijuam ju, në të do t’ju kthejmë përsëri dhe prej saj do t’ju nxjerrim edhe një herë” - (Ta-Ha, 55). Meqë mëkëmbësia e njeriut në këtë Tokë është një mision i shenjtë dhe fisnik, pra edhe ne duhet të sillemi konform përgjegjësive tona. Allahu xh.sh. pati mëshirë ndaj nesh, kur këtë tokë na e bëri të përshtatshme për jetesë, duke na plotësuar çdo nevojë dhe kërkesë. Bëri që në këtë tokë të ketë ujë të pijshëm, male, gjelbërim, po edhe shkretëtira, të cilat kanë funksion të caktuar në jetën e njeriut. Po të kishte qenë toka e papërshtatshme për jetesë, krejt shkëmbinj apo krejt akullnaja, jeta në të do të ishte e pamundur. Njeriu nuk do të arrinte të shfrytëzonte begatitë e saj, por, ja që Allahu xh.sh. na i mundësoi të gjitha këto mirësi, që ne të ecim në çdo cep të tokës, e të shfrytëzojmë begatitë që na i ka lënë në shfrytëzim, në kërkim të rrëskut tonë. Por, ja që shumë prej njerëzve nuk janë të vetëdijshëm për këto mirësi dhe, nga mendjemadhësia e tyre, thonë se ata vetë janë ata që e rregullojnë këtë tokë sipas dëshirës, duke tentuar ta shkatërrojnë ekuilibrin natyror që ka përcaktuar Krijuesi ynë. Ata janë dhënë aq shumë pas të mirave të kësaj bote, - sikur të ishin të sigurt se do të jetojnë në të deri në pafundësi, ndërkohë që harrojnë se rrugëtimi ynë mbi këtë tokë është shumë i shkurtër, dhe gjithsesi do të pasojë vdekja e pastaj ringjallja dhe llogaria. Këto ajete fisnike janë vetëm një udhërrëfim i këtij shtegtimi tonë të shkurtër, prandaj besimtarët e vërtetë nuk duhet të habiten që të harrojnë kurrë Krijuesin e tyre, sepse, ta mohosh atë, do të thotë të shkatërrosh të ardhmen tënde përjetësisht. Andaj, o njeri mos u habit dhe kujtoje përherë se ekziston një Fuqi Mbinatyrore Që ka krijuar këtë ekzistencë dhe tërë këtë gjithësi. Mos u bëj prej atyre që mohuan Zotin, e në të vërtetë mohuan vetveten, por ndalu dhe mendo i qetë, pastaj beso patundshmërisht me një Iman të plotë, dhe dije se ne jemi krijesa të vogla e të pafuqishme, e në këtë pafuqinë tonë kemi nevojë për një udhëzim dhe prehje shpirtërore. Rruga e vetme për të gjetur këtë udhëzim, është Islami që aq bindshëm na thërret në besim dhe mbështetje në Fuqiplotin, të Gjithëpushtetshmin, të Lartëmadhërishmin, në Krijuesin tonë, në Allahun xh.sh.. 


Urtësia e këtyre ajeteve


- Vlera e Imanit në të fshehtën, duke qenë në dijeni se Allahu na mbikëqyr në çfarëdo gjendjeje qofshim, qoftë kur flasim apo kur veprojmë diçka në fshehtësi.
- Vërtetimi i besimit në Ringjallje dhe Llogari.
- Droja nga Allahu, frika nga ndëshkimi i Tij dhe lufta kundër cytjeve të shejtanit - janë detyrim për çdo njeri. Ata që ia kanë dronë Allahut, qoftë haptazi qoftë kur janë vetëm, duke iu frikësuar dënimit të Tij në Ditën e Gjykimit dhe nëse gjatë jetës së kësaj bote jetojnë ndershmërisht, si besimtarë të vërtetë, të tillët vërtetë meritojnë shpërblimin dhe mirësitë e allahut nesër në ahiret.
- Allahu është i Gjithëdijshëm dhe është hollësisht i njoftuar për çdo veprim, fjalë a mendim të pashprehur të krijesave.
- Nxitja që të udhëtojmë në tokë në kërkim të rrëskut e furnizimit, për tregti dhe për ta studiuar atë.
- Allahu është Ai Që ka krijuar këtë tokë për ne njerëzit, me plot mirësi e begati, që të jetë në shërbimin tonë. Ai na ka nxitur që të udhëtojmë në tokë për të kërkuar rrëskun tonë, dhe që këtë tokë, në të cilën Ai na bëri mëkëmbës, ta punojmë e ta zbukurojmë, gjatë kësaj jete, duke mos harruar asnjëherë se, megjithatë, pas vdekjes do të ringjallemi dhe do të dalim para Tij. 


- vijon -



(1) Bejhekiu, Shuabil Iman, 6/99, nr. 3930). (2) Shih: Hadaiku rrevhi ver-rrejhani…., vëll. XXX, f, 30


 


Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme