Komentimi i kaptinës “El-Mulk” (6)


A u garantuat ju prej Atij Që është në qiell, që të mos ju shafitë (të mos ju lëshojë) toka kur të dridhet. A u garantuat ju prej Atij Që është në qiell, që të mos lëshojë kundër jush ndonjë stuhi me rrebesh gurësh. E pra, do ta kuptoni se si është ndëshkimi Im! Edhe ata që ishin para tyre përgënjeshtruan, por çfarë ishte dënimi Im. (El-Mulk-16-18)


Lidhmëria e këtyre ajeteve me ato paraprake 


Pas sjelljes së shumë argumenteve në ajetet paraprake, që dëftojnë se Allahu është i Gjithëdijshëm, i Gjithëfuqishëm dhe është në gjendje që në çdo çast të kërcënojë e të zbresë dënimin ndaj secilit që mohon Madhërinë e Tij, Ai prapëseprapë nga mëshira e Tij, i nxit të udhëtojnë nëpër tokë në kërkim të rrëskut, të cilin i Gjithëmëshirshmi ia ka garantuar çdo krijese, pa dallim nëse është besimtar apo pabesimtar, Ai tash në ajetet në vazhdim, ua bën me dije për lloje të tjera të kërcënimit dhe dënimit të mundshëm, si f.v. t’i shafitë nën tokë, kur ajo të dridhet, t’u sjellë rrebeshe gurësh nga qielli etj.. Allahu xh.sh. edhe një herë i thërret pabesimtarët t’i kthehen arsyes dhe logjikës së shëndoshë e të shikojnë shpezët në qiell teksa fluturojnë, dhe të pyesin vetveten - a thua kush i mban ata në ajër pos Fuqiplotit? Këto janë paralajmërime hyjnore që njerëzit t’i kthehen besimit të drejtë, sepse askush përveç Allahut nuk i ushqen dhe nuk ua sjell rrëskun, prandaj të mos vazhdojnë më me arrogancën dhe mendjemadhësinë e tyre në mohim… 


Koment: 


A u garantuat ju prej Atij Që është në qiell, që të mos ju shafitë (të mos ju lëshojë) toka kur të dridhet. A u garantuat ju prej Atij Që është në qiell, që të mos lëshojë kundër jush ndonjë stuhi me rrebesh gurësh. E pra, do ta kuptoni se si është ndëshkimi Im! Edhe ata që ishin para tyre përgënjeshtruan, por çfarë ishte dënimi Im?! 
Ky grup ajetesh që fillon me atë të 16-in të kësaj sureje: “A u garantuat ju prej Atij Që është në qiell, që të mos ju shafitë (të mos ju lëshojë) toka kur të dridhet.” 
Fillon me një kërcënim hyjnor, që vjen nga i Gjithëfuqishmi, kërcënim i drejtuar ndaj pabesimtarëve, të cilët nuk po arrinin ta hiqnin perden e errët para syve e të përudheshin në rrugën e drejtë. Allahu u bën atyre pyetjen - vallë kush Ju garanton juve përveç Allahut, që të mos ju shafitë e t’ju lëshojë toka, kur ajo dridhet e lëkundet. A thua jeni kaq të sigurt teksa ecni mbi këtë tokë? A nuk keni marrë mësim nga Karuni, të cilin e pati mashtruar pasuria e tij marramendëse, duke pretenduar se ai ishte më i pasuri e më i forti?! A nuk e përpiu atë toka me tërë pasurinë e tij, që të mbetet një shembull i keq në histori se si mund ta pësojnë pabesimtarët dhe mohuesit? 
A nuk mendojnë këta pabesimtarë se Allahu ka fuqi për një gjë të tillë, kur Ai thotë: “Thuaj: “Ai ka fuqi (t’ju shpëtojë, por edhe) t’ju sjellë dënim prej së larti ose prej së poshti nën këmbët tuaja” (El-En’am, 65) 
Kjo tokë, e cila në shikim të parë na duket shumë e bukur, me të gjitha begatitë dhe zbukurimet e saj, në brendinë e saj fsheh shumë sekrete. Nga kjo tokë shpeshherë shpërthejnë vullkane të zjarrta, të cilat shkatërrojnë vendbanime të tëra, si dhe tërmete vdekjeprurëse, të cilat marrin me vete shumë viktima. 
Prandaj, secili njeri që ka mendje, duhet të mendojë me arsye të shëndoshë se, nëse vazhdohet në mohimin e Fuqisë Absolute të këtij universi, lehtë mund të pësojnë sikur shumë popuj në të kaluarën që ia kthyen kurrizin mësimit hyjnor.
Në lidhje me pjesën e parë të këtij ajeti “A u garantuat ju prej Atij Që është në qiell”, kelamistët dhe pjesëtarët e fraksioneve akaidologjike kanë debatuar shumë, nëse në këtë ajet i është atribuuar Allahut ndonjë anë, dhe pse pikërisht në këtë rast është specifikuar qielli si “anë”, ndërkohë që dihet mirë se Allahut nuk mund t’i atribuohet ndonjë anë, vend apo pozicion. 
Megjithatë, përgjigjja që qetëson shpirtin në këtë rast, është se qielli këtu është përmendur vetëm për madhështim të fuqisë së Allahut, e jo për ndonjë përkufizim ane, sepse edhe qielli, edhe Toka, janë krijimtari e Allahut të Plotfuqishëm, dhe Ai është i adhuruar edhe në Qiell, edhe në Tokë, siç thotë Lavdiploti:“Ai është Zot (i vërtetë e i adhuruar) në qiell dhe Zot (i vërtetë e i adhuruar) në Tokë...”. (Ez-Zuhruf, 84) 
Imam Maturidiu, lidhur me këtë çështje, thekson: Kuptimi i çështjes ka të bëjë me tërësinë e gjërave në ekzistencë se çdo gjë është krijimtari e Allahut xh.sh. dhe nga kjo nxjerrim cilësinë e ngritjes, të lartësimit dhe Madhërisë së Tij, prandaj edhe nga ky ajet kuptohet se qielli është nën sundimin e Allahut, është krijesë e Allahut, pronë e Tij e jo vend i Tij.(1) 
Kërcënimi hyjnor vazhdon edhe me ajetin 17, “A u garantuat ju prej Atij që është në qiell, që të mos lëshojë kundër jush ndonjë stuhi me rrebesh gurësh. E pra, do ta kuptoni se si është ndëshkimi Im”! i cili është edhe më i hapur dhe më i drejtpërdrejt. Si mund të ishin të qetë idhujtarët kur nga historia kishin shumë shembuj se si i kishte shkatërruar Allahu popujt e mëhershëm pabesimtarë. Madje, shembullin më të freskët, shumë prej tyre e kishin në Ebrehenë, ushtrinë e të cilit e pati shkatërruar Allahu me tufa zogjsh, të cilët kishin hedhur gurë të Xhehenemit mbi ta. Shumë prej idhujtarëve mekas madje kishin qenë dëshmitarë të drejtpërdrejt të kësaj katrahure njerëzore që kishte goditur Ebrehenë, prandaj, pse ishin aq insistues në këtë kufër të tyre. Pjesa e fundit e ajetit: “E pra, do ta kuptoni se si është ndëshkimi Im”!, tregon qartë se, nëse idhujtarët nuk do të zgjidhnin rrugën e besimit të drejtë, atëherë, ata do të ballafaqohen pashmangshmërisht me ndëshkimin e rreptë hyjnor. 
I Lartmadhërishmi, mbase nga Vullneti i Tij, mund të vonojë ndëshkimin në këtë botë, sepse këtë e ka konfirmuar edhe në Kur’an, kur thotë: “E sikur Allahu t’i kapte njerëzit sipas veprave (të këqija) të tyre, nuk do të linte mbi faqen e dheut asnjë gjallesë, por Ai i afatizon deri në momentin e caktuar, e, kur të vijë afati i tyre, s’ka dyshim se Allahu i ka parasysh robërit e Vet”(Fatir, 45). Mirëpo, ndëshkimi i ashpër do t’i presë ata gjithsesi në Ahiret, sepse më nuk ka kthim mbrapa, dhe paudhësia dhe e keqja si “shpërblim” do të kenë përjetësinë në Xhehenem, në azab të vazhdueshëm. Ajeti i 18: “Edhe ata që ishin para tyre përgënjeshtruan, por çfarë ishte dënimi Im?!” sikur synon t’i kthjellë mendjet e hutuara të pabesimtarëve, që të shikonin prapa në histori e të merrnin mësim nga pësimet e popujve në të shkuarën. A nuk kishte shkatërruar Allahu popujt e Nuhut, Hudit, Salihut, Lutit, Shuajbit dhe Faraonin për shkak të pabesimit dhe mendjemadhësisë së tyre! 
Madje gjurmët e disa prej këtyre popujve, arabët kishin pasur mundësi t’i shihnin edhe vetë, si ato popullit të Hudit, atij të Salihut etj.. 
Disa prej këtyre popujve ishin shkatërruar me rrebeshe gurësh nga qielli, disa të tjerë me stuhi uji dhe përmbytje, e disa me erëra vrastare, të cilat i kishin ngrirë e gozhduar në vend. 
Sjellja e shembujve të këtyre popujve të ndëshkuar më parë, në Kur’an, ka ardhur si një tërheqje e vërejtjes, se edhe idhujtarët mekas mund t’i priste një fat i tillë, nëse do të përpiqeshin të pengonin Dritën e Shpalljes që po zbriste në vendin e tyre, kësaj radhe, jo vetëm për ta, por për njerëzimin mbarë, sepse ishte revelata e fundit qiellore drejt tokës. 


Urtësia e këtyre ajeteve 


Tërheqja e vërejtjes për çdo të pabindur për Madhërinë e Allahut si Krijues i tërë kësaj ekzistence, se Ai është i Gjithëpushtetshëm dhe në gjendje që në çdo moment të zbresë ndëshkimin, t’i shafitë në tokë, t’u zbresë rrebeshe gurësh nga qielli, apo ndëshkime të tjera të dhimbshme. Ndodhitë e Karunit dhe popullit të Lutit, janë ndodhi që do të duhej t’i analizonte e t’i kishte parasysh çdo pabesimtar. këto ndëshkime nuk ishin të rastësishme e as nuk ishin pasojë e ndonjë katastrofe natyrore, por ndëshkim i drejtpërdrejt hyjnor.
Në ngjarjet dhe ndëshkimet e popujve të mëhershëm, ka mësime e urtësi, që askush të mos shkojë rrugës së tyre të mbrapshtë, sepse ndëshkimi i allahut është i pamëshirshëm dhe nuk vonon. 
(vijon) 


__________________________
(1)Imam Ehli Suneh vel xhemaah Ebu Mensur El-Maturidi ve arauhu el-Kelamijeh, Dr. Ali Abdul Fetah el-Magribi, Botim i I, 1985 Kajro, f. 234


Sabri Bajgora 


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Gara ndërkombëtare e Kuranit në Kosovë: Juria e vlerëson si ndër më të mirat e organizuara deri tani