Pesë porosi të Pejgamberit a.s.

 


Pejgamberi (a. s.) ka theksuar se mexhliset ku përmendet Allahu (xh. sh.), mexhliset ku shpjegohet dituria, feja, morali, njerëzia janë mexhlise të mirësive të shumta, të siguruara nga Melaqet e që Pejgamberi (a. s.) i quajti “kopshte prej kopshteve të Xhenetit”.


Transmetohet nga Ebu Hurejra, i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut ((s.a.v.s.)) ka thënë: ”Kush i merr nga unë këto pesë cilësi, të veprojë me to, ose ia mëson tjetrit që të veprojë me to?” Ebu Hurejre tha: Unë, o i Dërguari i Allahut. Tha: Më mori për dore dhe i numëroi ato cilësi, duke thënë:
1. “Ruaju nga haramet, që të jesh njeriu më adhurues
2. Pajtohu me atë që ta ka ndarë Allahu (xh. sh.) (nga furnizimi), do të jesh njeriu më i pasur
3. Sillu mirë ndaj fqinjit tënd, që të jesh besimtar (mu’min)
4. Dëshiroja njerëzve atë që e do për veten tënde, do të jesh musliman.
5. Mos e shto qeshjen tënde, sepse qeshja e tepërt e vdes zemrën. (Ahmedi, Termidhiu)


Kuptimi i përgjithshëm i hadithit


Fillimisht nga hadithi i Pejgamberit (s.a.v.s.) mësojmë se mexhliset ku rrinte Pejgamberi (s.a.v.s.) me shokët e tij ishin mexhlise të mësimit, mexhlise ku kultivohej feja, dituria dhe shkenca, mexhlise ku ndërtoheshin dhe promovoheshin vlera të larta morale dhe njerëzore. Krahas tjerash, ato mexhlise ishin mexhlise të dhikrit dhe mirësisë, mexhlise të bekuara dhe frytdhënëse, ato nuk ishin mexhlise të ahengjeve, qeshjeve dhe përqeshjeve dhe lojërave, mexhlise të fitneve dhe përgojimeve. Andaj, jo rastësisht Pejgamberi (a. s.) ka theksuar se Mexhliset ku përmendet Allahu (xh. sh.), mexhliset ku shpjegohet dituria, feja, morali, njerëzia janë mexhlise të mirësive të shumta, të siguruara nga Melaqet e që Pejgamberi (a. s.) i quajti “kopshte prej kopshteve të Xhenetit”. Na mësoi se kur të kalojmë pranë kopshteve të xhenetit, të ndalemi të pushojmë pak në ato kopshte. Dikush nga shokët i tha: Cilët janë ato vende, o i Dërguari i Allahut ? Pejgamberi (a. s.) tha: “Mexhliset e dhikrit ku përmendet Allahu (xh. sh.) (mexhliset ku mësohet dituria dhe edukata)” Nga kjo nënkuptohet se ato mexhlise që nuk i plotësojnë këto kritere të mexhlisit janë mexhlise të udhëhequra nga djalli, dhe mexhlise të dështuara.
Nëse këtë hadith e kundrojmë nga aspekti racional, na jep të kuptojmë se i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) përmes këtyre pesë atributeve njerëzore përcakton kritere jo vetëm të një besimtari solid islam, por përcakton edhe kritere të moralit të lartë njerëzor, të cilat nuk janë shërbim vetëm të individit, por mbarë shoqërisë njerëzore. Vlerësojmë kështu ngase në këtë mexhlis Pejgamberi (a. s.) fillimisht përcaktoi vlerën e ruajtjes nga sendet e ndaluara, që të jetë adhurues i vërtetë, pastaj përcaktoi kënaqë- sinë e njeriut me përcaktimin e Allahut (xh. sh.) për ta arritur lumturinë në këtë botë, përcaktoi sjelljen dhe moralin njerëzor duke filluar nga fqinji për të qenë besimtar i devotshëm dhe besnik ndaj tyre, përcaktoi vlerën se një mysliman i vërtetë në jetën e përditshme jo që nuk guxon të dëmtojë të tjerët, por nuk guxon as të paramendojë dëmin ndaj tjerëve, dhe krejt në fund të këtij hadithi përcaktoi një vlerë shumë të rëndësishme se kjo botë nuk është botë vetëm e ahengjeve dhe qeshjeve, që dobësojnë dhe vdesin zemrën e njeriut, porse në të ka seriozitet dhe veprime që gjallërojnë zemrën e njeriut.
-I-
Porosia e parë: “Ruaju nga haramet, që të jesh njeriu më adhurues”
Me nocionin “haramet-el Meharim”, që në hadith përmendet në shumës, ka për qëllim të gjitha haramet-ndalesat që përcaktohen nga Allahu (xh. sh.) qoftë përmes Kuranit, apo Sunnetit të Pejgamberit (a. s.). Nga kjo nënkuptohet se beteja më e shenjtë e njeriut gjatë jetës së tij është beteja për të mbrojtur veten e tij nga ato veprime që janë të ndaluara nga Krijuesi Absolut. Me këtë luftë të përhershme njeriu i përcakton vetes së tij kufijtë veprimit dhe sjelljes dhe nëse arrin që të fitojë këtë betejë, betejat tjera janë shumë të lehta dhe sipërfaqësore. Andaj, Imam Hasan el Basriu (r. a.) thoshte: “Adhuruesit, nuk kanë bërë ndonjë adhurim më të kompletuar, më meritor, se sa të jenë larguar nga ndalesat (haramet) që i ka ndaluar Allahu (xh. sh.).”
Nëse zbatimi i imperativit për veprim është farz, pra detyrim, atëherë edhe zbatimi i imperativit për mosveprim është identik me zbatimin e imperativit për veprim, pra farz. Nga kjo nënkuptojmë se falja e namazit është imperativ, kurse dispozita është farz, e mos zbatimi i këtij urdhri, pra mos falja e namazit është veprim i ndaluar-haram. Në anën imperativi për mospirje të alkoolit nënkupton ndalimharam, kurse të larguarit nga alkooli është farz-detyrim.
Pasojat e harameve janë katastrofale si për individin, ashtu edhe për shoqërinë njerëzore; si në aspektin shpirtëror, ashtu edhe në aspektin material-fizik, si në jetën e kësaj bote ashtu edhe në jetën e botës tjetër, e për këtë do të flasim një herë tjetër, andaj edhe jo rastësisht nga prioritetet e para që e vuri Pejgamberi (a. s.) në këtë hadith ishte ruajtja nga haramet, sepse pretendimi që njeriu të jetë edhe i devotshëm edhe të merret me harame është absurd jo vetëm racional, por edhe islam.
-II-
Porosia e dytë: “Pajtohu me atë që ta ka ndarë Allahu (xh. sh.) (nga furnizimi), do të jesh njeriu më i pasur.”
Kënaqësia dhe të pajtuarit me atë që të ka përcaktuar Allahu (xh. sh.), në përcaktimin e Tij, përveç se është edhe çështje e Imanit, në vete ngërthen edhe një segment tjetër të rëndësishëm në jetën e kësaj bote. Hadithi në fjalë na tregon qartë se kënaqësia dhe lumturia në jetën e kësaj bote nuk qëndrojnë në grumbullimin e pasurisë, por qëndrojnë në besimin e fuqishëm dhe stabil tek Allahu (xh. sh.). Kjo është vërtetuar edhe praktikisht në jetën e përditshme, sepse shumë njerëz ka që kanë grumbulluar pasuri të shumtë në këtë jetë, por e vërteta është se atyre u mungon lumturia, kënaqësia dhe rehatia, dhe në anën tjetër shumë njerëz jetojnë në kushte minimale, por kanë lumturinë dhe kënaqësinë. Pra, pasuria nuk qëndron në grumbullimin e të mirave materiale, por pasuria është pasuri shpirtërore, qetësia zemërore e njeriut, ajo është që e rehaton dhe e kënaq njeriun. Allahu (xh. sh.) thotë: “Nuk do t’ju vlejë pasuria e as pasardhësit, përveç atij që ka ardhur me zemër të shëndoshë.” (Shuara 88-89) E, zemër e shëndoshë është vetëm ajo zemër që është e bindur në përcaktimin e Allahut (xh. sh.).
-III-
Porosia e tretë: Sillu mirë ndaj fqinjit tënd, që të jesh besimtar (mu’min).
Kjo porosi profetike përveç në vete ngërthen elemente të besimit, siç potencon vetë hadithi, dërgon një mesazh shumë të rëndësishëm për mirësjelljen e njerëzve ndaj fqinjëve të tij. Mirësitë ndaj fqinjit janë detyrime islame, sepse jo vetëm që nuk guxon ta dëmtojë, dhe ta shqetësojë atë, por ka obligim që edhe ta ndihmojë në rastet e nevojshme kur kërkohet ndihma e tij. Pejgamberi (a. s.) kur foli për rolin dhe rëndësinë e fqinjit siç tregon Abdullah ibni Omeri Pejgamberi (a. s.), ka thënë: “Xhibrili aq shumë më porositi për fqinjin, saqë mendova se ai do të jetë edhe trashëgimtar.“ (Buhari-Muslim).
-IV-
Porosia e katërt: Dëshirojua njerëzve atë që e duan për veten tënde, do të jesh musliman.
Nga karakteristika e kompletimit të Islamit si sistem hyjnor, Pejgamberi (a. s.) ka porositur që edhe njerëzve të tjerë t’ua duash të mirën ashtu siç ia donë të mirën edhe vetes tënde, dhe në anën tjetër, të urresh për njerëzit tjerë, atë që ia urreni vetes tënde. Këtu në këtë hadith nuk bëhet fjalë për veprime konkrete të ndaluara, por bëhet fjalë për mendime dhe dëshira, që nënkupton se veprimi për ta dëmtuar njeriun pavarësisht kush është dhe çka është, as që vjen në shprehje. Në një hadith tjetër Pejgamberi (a. s.) porosit duke thënë: “nuk është besimtar (me besim të kompletuar) asnjëri nga ju, derisa nuk ia dëshiron vëllait të tij atë që ia dëshiron vetes së tij”.
-V-
Porosia e pestë: Mos e shto qeshjen tënde, sepse e qeshja e tepërt e vdes zemrën.
Qeshja është karakteristikë dhe veçori e njeriut, sepse zakonisht qeshja vjen në shprehje vetëm pasi të kemi kuptuar një thënie, fjalë ose të kemi parë ndonjë ngjarje. Njeriu nga natyrshmëria e tij ndien nevojë për qeshje, porse porosia e hadithit është se edhe qeshja duhet të jetë e kontrolluar, sepse në të kundërtën shpien në dëmtim. Shpeshherë kemi dëgjuar nga njerëz, bile edhe njerëz të ngritur e shumë herë edhe në emër të shkencës, se qeshja e relakson njeriun, bile edhe se qeshja e zgjat jetën e njeriut. Mirëpo, edukatori dhe pedagogu i njerëzisë Muhamedi (a. s.) na ka mësuar se buzëqeshja është ndaj vëllait tënd konsiderohet sadaka, kurse qeshja e tepërt dhe me zë të akorduar jo vetëm se është cilësi e morali të ulët njerëzor, por është edhe e dëmshme për vetë njeriun, ku thotë se e vdes zemrën e tij. Kohëve të fundit në këtë lëmë janë bërë edhe disa hulumtime shkencore, ku është konstatuar se e qeshura e tepërt mund të shkaktojë krizë epileptike me peleritje të zemrës. Hulumtimet nga Universiteti i Birminghamit dhe Oxfordit për këtë çështje kanë mbledhur të dhëna që nga viti 1946 e deri më sot, për të studiuar dobitë nga e qeshura dhe kanë rezultuar se një dremitje e një të qeshure të tepër për një ditë të tërë mund të ndihmojmë të humbasë deri më 2000 kalori. Kjo nënkupton se fjalët e Pejgamberit (a. s.) të thëna para më se 1400 viteve nuk janë fjalë të thjeshta, por fjalë të cituara mbi bazën e shpalljes.


 


Jusuf Zimeri


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme