Nysret Musa ka lindur më 24. Dhjetor 1979 në lagjen e Minatorëve “Tuneli i parë” në Mitrovicë, nga babai Osmani dhe nëna Sherifja.
Shkollën fillore “Elena Gjika” e ka mbaruar në vendlindje në vitin 1993 – 1994 me sukses shembullor.
Në vitin 1994 – 1995 ishte regjistruar në medresenë e mesme “Alauddin” të Prishtinës. Gjatë shkollimit në medrese, krahas interesimit për njohuritë fetare, Nysreti shfaqi një interesim të theksuar edhe për kauzën tonë kombëtare.
Ka marrë pjesë në demonstratat dhe protestat që organizoheshin asokohe në Prishtinë. Njëri nga bashkëluftëtarët e Nysretit dhe njëherësh epror në radhët e UÇK-së në ZOLL-it, Emin Musa, në kujtimin e tij për dëshirën dhe insistimin e Nysretit që të mobilizohej në radhët e UÇK-së thotë: “Me daljen publike të UÇK-së në Shalë, Nysreti insistonte të bëhej ushtar i Lirisë, por meqë ishte i ri, shëndetligë dhe kujdestar i prindërve të sëmurë, eprorët e UÇK-së nuk deshën ta angazhonin deri më 26.06.1998, kur Nysreti vjen në Bare, aty ku ishte formuar Shtabi Rajonal i Shalës, dhe betohet se, nëse nuk do ta pranonin, do të bënte grevë urie.”
Ai mori pjesë aktive në shumë beteja, ku u tregua shumë guximtar dhe trim në të gjitha ballafaqimet me armikun. Nysret Musa ka rënë shehid në ofensivën e fuqishme të forcave serbe në rrethina të Shalës së Bajgores, duke mbrojtur popullatën civile, më 2 maj 1999, në vendin e quajtur “Qafa e Fierit”, te gryka e Sllakocit të Vushtrrisë.
Për kontributin e dhënë për çlirimin e vendit, Nysret Musa është shpallur dëshmor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe ka marrë çmime të ndryshme post mortum.