KOXHA SINAN PASHA, me prejardhje shqiptare, ishte nga katundi Topojan, që i takonte sanxhakut të Prizrenit deri në vitin 1912. Në administratën osmane, ai qeverisi më se gjysmë shekulli, arriti postet më të larta shtetërore dhe ushtarake, pesë herë ka qenë kryeministër i Qeverisë Osmane dhe pesë herë kryekomandant i ushtrisë osmane. Ishte njëri ndër njerëzit më të pasur të shek. XVI. Tërë pasurinë e vet e shpenzoi për ndërtimin e objekteve bamirëse dhe humane në mbarë Perandorinë Osmane.
Depërtimi i osmanlinjve në Ballkan nga fundi i shekullit XIV dhe fillimi i shekullit XV, popullin shqiptar e gjeti në një dezintegrim të plotë, si në aspektin etnokulturor e fetar, ashtu edhe në aspektin tokësor. Shqiptarët në këtë periudhë dhe në këto rrethana historike, qenë të detyruar të shkolloheshin në gjuhë të huaja: greke, latine dhe sllave, varësisht se nën sundimin e kujt gjendeshin. Edhe pse disa princa e bujarë shqiptarë të Arbanonit Qendror kishin arritur përkohësisht të pavarësoheshin nga Bizanti (në vitin 1043), në zyrat e bujarëve shqiptarë: Balshajve, Kastriotëve, Muzakajve, Topiajve, Dukagjinasve dhe Gropajve, administrata mbahej në gjuhët latine, greke dhe sllave. Pas vdekjes së mbretit Stefan Dushani (1355) Balshajt sundonin në Shqipërinë Veriore dhe në Dukël (Mali i Zi), ndërsa Gropajt në Ohër me rrethinë. Mirëpo, pjesa dërrmuese e tokave shqiptare-Arbanonit Verilindor, kishte mbetur edhe më tutje nën sundimin e bujarëve serbë; ata shtriheshin deri në Shtip (Astibos), Kumanovë, Nish (Naissus), Jenipazar e Ras. Krahinën e Moravës dhe Toplicën e kishte marrë Lazar Hrebelanoviçi me qendër Krushevcin, Vuk Brankoviqi pjesën më të madhe të Kosovës deri përtej Shkupit, Jenipazarin e Rasin, ndërsa një pjesë të Maqedonisë Lindore e patën pushtuar bujarët serbë: Uglesha, Vukashini dhe vëllezërit Dejanoviç, të cilët së shpejti u bënë vasalë të parë të sulltan Muratit dhe në Betejën e Kosovës luftuan në anën e osmanlinjve. Duhet theksuar se pjesa dërrmuese e popullsisë së Kosovës, Toplicës-Sanxhakut të Nishit, Sanxhakut të Jenipazarit, Maqedonisë Perëndimore e Qendrore në pikëpamje etnike kanë qenë shqiptarë të besimit ortodoks, dhe një pjesë kanë qenë të besimit katolik. Kjo pjesë e dytë, nën presionin e administratës së mbretërve serbë (Nemanja, Milutin dhe Dushan) si edhe të Kishës pravosllave, qe kthyer në fenë ortodokse-pravosllave. Këto dëshmi të konvertimit të shqiptarëve shihen edhe nga dokumentet kishtare sllave të shekujve XIII-XIV, si dhe nga regjistrimet e popullsisë të administratës osmane gjatë shekullit XV, kur zakonisht bijtë-fëmijët kishin emra tipikë sllavë, ndërsa prindërit e tyre patronimet (mbiemrat) karakteristikë e tradicionalë shqiptarë, si p.sh. Bozhidar Berisha, Radosllav Berisha, Bogosllav Gjoni, Radonja Gjini etj.
Me vendosjen e administratës osmane në tokat e Arbërisë mesjetare, shqiptarët nga një amulli shumëshekullore dolën në skenën politike. Ata nëpërmjet sistemit të Timarit osman, arritën të inkuadroheshin në administratën osmane dhe gradualisht duke punuar në integrimin etnokulturor e tokësor, arritën t’i rikthenin trojet e tyre etnike prej Nishit e Komanoven deri te Prizreni, të cilat i kishin pushtuar sllavët, pas Bizantit, në fund të shekullit XII, si edhe viset e Epirit e të Çamërisë, që i kishin pushtuar grekët. Kalimi në fenë islame i shqiptarëve dhe inkuadrimi i tyre në administratën osmane në këto rrethana historike, ishte i domosdoshëm dhe e vetmja rrugëdalje për të ruajtur qenien etnike dhe integritetin e tërësishëm tokësor. Duhet theksuar se në radhë të parë në fenë islame filluan të kalonin bujarë shqiptarë të Kosovës, të Sanxhakut, të Nishit e të Maqedonisë Perëndimore, që më parë ishin zhveshur nga pozitat shoqërore dhe i kishin humbur feudet (pronat e tyre në kohën e sundimit mesjetar serb). Disa bujarë të tjerë kaluan në fenë islame me pretekst që të ruanin pozitat shoqërore dhe feudet që i kishin pasur deri në vendosjen e administratës osmane. Si duket edhe stërgjyshi i Sinan Pashës nga Topojani, që atëherë i takonte anës së Prizrenit, ishte bujar i krishterë, ndërsa i ati, Aliu, e pranoi Islamin dhe u inkuadrua në administratën osmane, ndërsa i biri i tij, Sinani, arriti pozita dhe gradat më të larta shtetërore e ushtarake në Qeverinë e Perandorisë Osmane.
Meqë jemi duke folur për Koxha Sinan pashën dhe institucionet e tij bamirëse, duhet theksuar se për këtë personalitet e figurë historike të shquar, që luajti një rol të rëndësishëm në skenën politike të Qeverisë Osmane, është shkruar shumë nga autorë tanë dhe të huaj. Shkrimet e deritashme mund të shërbejnë si një bazë e mirë për të shkruar një monografi a disertacion për ta ndriçuar sa më mirë këtë figurë të madhe historike, meqë të gjitha sukseset që arriti Qeveria Osmane gjatë shekullit XVI, janë të lidhura ngushtë me meritat dhe me vetëmohimin e Sinan Pashës.
Meqë revista “Edukata Islame” ka hapësirë të kufizuar kësaj radhe po sjellim vetëm disa të dhëna më pak të njohura, që flasin për monumentet dhe institucionet e tij bamirëse në Kosovë. Shumë autorë, sidomos ata sllavë-serbë, janë munduar që Koxha Sinan pashën ta nxjerrin me prejardhje serbe, mirëpo burimet osmane dhe vakufnameja e tij dëshmojnë pa mëdyshje se ai ishte me prejardhje shqiptare.
Mehmed Tahir Efendiu, myfti i Prizrenit, është ndër autorët e parë që në kronikën e tij të viteve 70 të shekullit XIX e përmend Koxha Sinan pashën si pushtues të Jemenit (Fatih-i Yemen), dhe për të thotë se ishte nga fshati Topojan i nahijes së Lumës që atëherë i takonte sanxhakut të Prizrenit, pra i anës së Kosovës-Shqipërisë Veriore. Duke folur për të, ai thotë se Sinani ishte jashtëzakonisht i mençur, i edukuar dhe guximtar. Rrethanat dhe fati i jetës atë e sollën në radhët e ushtrisë osmane dhe më pastaj në oborrin e sulltanëve osmanë. Më vonë qe dërguar në një ekspeditë ushtarake në viset e Persisë si reformator me përvojë të madhe ushtarake, dhe atje kishte arritur suksese të mëdha në realizimin e detyrave të shtruara nga Porta e Lartë. Në vazhdim komandant i famshëm ushtarak në vilajetin e Karsit, pastaj emërohet vali në Kajro të Egjiptit, dhe në këtë pozitë ai fiton lëvdata dhe avancohet për qeverisje të mirë me sukses. Prej Egjiptit ai nga Porta e Lartë, me gradën e gjeneralisimusit, dërgohet në Jemen për ta kthyer përsëri në qeverisjen e Perandorisë Osmane. Derisa qëndroi në Jemen, ai themeloi dhe ringjalli shumë institucione bamirëse dhe vakëfe, të cilat ishin lënë pas dore. Në një kohë të një agonie e të një krize ai arriti të forconte sundimin osman dhe të aftësonte brezat e ardhshëm për qeverisje të mirë në Jemen. Kundërshtarët e Sinan pashës, thotë Tahir Efendiu, që nuk ishin për reforma rrënjësore, frikësoheshin nga një personalitet i famshëm me prejardhje shqiptare. Pasi e qetësoi situatën politike në Jemen, u kthye përsëri në Egjipt si qeveritar për të vazhduar qeverisjen e tij për një kohë të caktuar. Nga kjo pozitë arriti ofiçin më të lartë - kryeministër (sadriazem) i Qeverisë Osmane. Gjatë shërbimit të tij në administratën osmane ai qe emëruar pesë herë kryeministër edhe kryekomandant i ushtrisë. Gjatë shekullit XVI nuk pati njeri tjetër që të kishte arritur një gradim të tillë përveç Koxha Sinan pashës, të cilin sulltanët osmanë e quanin shqiptar kokëfortë, por pa të cilin nuk mund të korrnin fitore, sidomos në arenën e betejave të luftërave të shumta që po zhvillonin osmanët për zgjerimin e Perandorisë Osmane. Sipas kronistëve osmanë, Koxha Sinan pashën e çmonin dhe e respektonin të gjithë njerëzit e mëdhenj për aftësitë e tij, mirëpo në të njëjtën kohë edhe e urrenin për kryeneçësinë e tij dhe sidomos për shkak se kishte përkrahur shumë shqiptarët që të vinin në pozita të larta shtetërore. Sinan pasha gjatë qeverisjes së tij gjysmëshekullore kishte përparuar shumë njerëz nga shqiptarët, ndër të tjerë edhe djalin e vet, që quhej Mehmet Pashë Kaçaniku e kishte emëruar në postin e vezirit. Edhe në burimet e tjera osmane si edhe në Enciklopedinë historiko-gjeografike-Kamus-al-alam-të Sami Frashërit, vëllimi IV, botuar në Stamboll në vitin 1894, gjejmë pothuaj të njëjtat të dhëna, ku thuhet se Sinan pasha ishte me prejardhje shqiptare dhe gjatë periudhës së sundimit të sulltan Muratit III dhe sulltan Mehmeti III ishte emëruar pesë herë në postin e kryeministrit. Kur qe emëruar për të pestën herë në postin e kryeministrit, sipas Sami Frashërit, kishte kaluar moshën 90 vjeç, dhe, sipas tij, ai kishte vdekur në vitin 1596. Sami Frashëri thotë se Sinan pasha është varrosur në tyrben që kishte ndërtuar vetë në lagjen Sedefçiler të Stambollit. Përveç ndërtimit të shumë e shumë monumenteve sakrale-fetare e profane-publike e shoqërore dhe institucioneve bamirëse (hajrateve) anembanë Perandorisë Osmane, që në atë kohë shtrihej në tri kontinente, në Evropë, Azi e Afrikë, Sinan pasha ndërtoi disa monumente dhe institucione bamirëse edhe në Kosovë.
Koxha Sinan pasha dhe i biri i tij, Mehmet pasha, i quajtur Kaçanikli, janë shumë të lidhur për të kaluarën e Kaçanikut e të rrethinës, për arsye se ata të gjitha objektet sakrale e profane i ndërtuan kryesisht në vetë Kaçanikun dhe në rrethinën e tij. Pa marrë parasysh faktin se sipas disa të dhënave thuhet që Kaçaniku ishte i fortifikuar që nga koha e Bizantit dhe quhej Zigon, është vërtetuar se kështjellën (kalanë) e Kaçanikut e pati ndërtuar veziri i madh, Koxha Sinan pasha. Udhëpërshkruesi i njohur osman Evlia Çelebiu në udhëpërshkrimin e tij (Seyahatname), në pjesën ku përshkruan disa vendbanime shqiptare, na jep edhe disa të dhëna për Kaçanikun dhe Sinan pashën, të cilin e quan Pushtuesi i Jemenit (Fatih-i Yemen); për të thotë se në grykën e Kaçanikut dhe në buzë të lumit Lepenc kishte ndërtuar një kala të bukur katërkëndëshe prej materiali të fortë, e cila përfshinte një hapësirë-gjatësi e gjërësi prej 800 hapash. Kalaja, vazhdon ai, ka dizdarin e qytetit, 50 ushtarë, 2 topa dhe një portë (kapi), ndërsa brenda saj ka 40-50 shtëpi ushtarake. Të gjitha shtëpitë që gjenden jashtë kalasë, janë të mbuluara me tjegulla dhe janë të zbukuruara me hardhi rrushi e me kopshte të bukura. Poshtë Kaçanikut, buzë lumit Lepenc është një tyrbe, të cilën populli e quan Teqja e Musa Kesexhisë, ndërsa disa mendojnë se ajo tyrbe është e Musait, të birit të Bajazitit. Mirëpo, se kush e ka ndërtuar dhe në ç’kohë, si dhe se kush është varrosur në të, deri tash nuk dihet.
Është interesant të theksohet me këtë rast se askund në literaturën e historiografisë sllave-serbe nuk thuhet se kështjellën e Kaçanikut e ndërtoi në gjysmën e parë të shekullit XVI Koxha Sinan pasha me prejardhje shqiptare nga treva e Kosovës - Shqipëria Veriore. Kjo gjë është e kuptueshme për shkencën shqiptare, meqë sipas historiografisë borgjeze serbe, bile edhe të tashme, në atë kohë, gjatë shekullit XVI, gjoja nuk kishte shqiptarë as në Kaçanik, as në Kosovë. Edhe kjo kështjellë është një fakt i pamohueshëm historik që dëshmon se popullsi shqiptare kishte në këto vise që në kohët më të lashta. Edhe monumentet e tjera sakrale dhe profane të mesjetës, që nga shekujt XI-XV të proviniencës jo vetëm bizantine-ortodokse, por edhe latine katolike, dëshmojnë se ato i kishin ndërtuar shqiptarët e krishterë. Në kohët e fundit, sipas dokumenteve që janë zbuluar në arkivat e Dubrovnikut, Vatikanit dhe Stambollit, shihet se shqiptarët kishin kishat e tyre në këto vende: në Ohër- Kisha e Shën Nikolla Arbanasit, e shekullit XIV dhe Kisha e Zonjës Shënmëri, më parë e Shën Klimentit, e ngritur në vitin1295 nga ndërtuesi shqiptar progon Zguri; në Kratovë del të përmendet kisha shqiptare në (Kilise-i Arnavud); në Prizren ka ekzistuar kisha shqiptare qysh në shekulli XI (1019). Gjatë shekujve XIII-XIV ndeshim kisha katolike shqiptare në Prishtinë, në Trepçë, në Mitrovicë, në Vushtri, Novobërdë, Janjevë, Prokupe, Shkup e në vende të tjera.
Nga sa thamë, shihet qartë se popullsia shqiptare ka pasur kishat e veta në tërë territorin e Kosovës dhe në vise të tjera, ku ka jetuar në mesjetë.
Qysh në fillim të shekullit XV në Kaçanik dhe në rrethinat e tij gjejmë të regjistruar shqiptarë të krishterë në defterët e parë kadastralë të administratës osmane, ku fëmijët kanë emra tipikë sllavë, ndërsa prindërit kanë patronime (mbiemra) karakteristike dhe tradicionale shqiptare: Dobrosllav i biri i Berisha-s, Millosh i biri i Ukiqit, Jovan i biri i Progonit, Bogosllav i biri i Gjinit, Bogosllav i biri i Gjinoqit, Petko i biri i Gjonqes, Gjura Arbanas, etj. Këto të dhëna antroponimike na dëshmojnë bindshëm se popullata shqiptare ishte autoktone, por e kryqëzuar me emra sllavë gjatë sundimit mesjetar serb në Kosovë, Maqedoni, në sanxhakun e Jenipazarit e të Nishit, dhe se ajo, pa marrë parasysh emrat sllavë, në pikëpamje etnike ishte shqiptare. Përveç kështjellës, në Kaçanik Sinan Pasha në vitin 1494 kishte ndërtuar një xhami të bukur, e cila kishte luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e gjuhës shqipe e të traditave të popullsisë shqiptare, meqë në këtë institucion fetar mësimi dhe dersi mbahej kryesisht në gjuhën shqipe. Gjithashtu ai ndërtoi një imaret (kuzhinë publike, popullore) në të cilin ushqeheshin mysafirë dhe udhëtarë të ndryshëm që kalonin nëpër Kaçanik. Më tutje ai kishte ndërtuar dy hane (bujtina) të mëdha, nga të cilat njëri quhej Kurshumli Han, meqë ishte i mbuluar me plumb; sot kanë mbetur vetëm themelet e tij. Gjithashtu kishte ndërtuar një shkollë (mekteb) dhe një banjë publike (hamam), që nuk ekzistojnë më. Sinan pasha ka ndërtuar edhe një hamam të madh e të bukur në Prishtinë, i cili gjendej në afërsi të Xhamisë së Gurit-të Çarshisë, themelet e të cilit shihen edhe sot përmbi ndërtesën e këshillit Ekzekutiv të Kosovës në Prishtinë. Nuk kemi të dhëna se kur do të jetë rrënuar, por sipas disa shënimeve është dëmtuar pas viteve 1913- 1914, me depërtimin e ushtrisë serbe në Prishtinë. Sinan pasha ndërtoi dy mullinj të mëdhenj në fshatin Kamenicë në kazanë e Novobërdës, pesë mullinj dhe një han në fshatin Jenixhë në kazanë e Shkupit, një han në fshatin Akbash, dhe tre mullinj në fshatin Ismixhë në kazanë e Shkupit. Në Prizren kishte ngritur një ndërtesë të madhe për medrese e bibliotekë dhe një urë, por jo edhe xhaminë, siç është menduar më herët, sepse ajo është ndërtuar nga Sofi Sinan pasha, i cili ishte me prejardhje nga fshati Vilë, që atëherë i takonte Sanxhakut të Prizrenit. Në vendlindje (Topojan) kishte ndërtuar ujësjellësin. Supozohet se edhe në Ulqin do të ketë ndërtuar një hamam, ndërsa në kazanë e Ulqinit kishte lënë si vakëf kullosa verore. Edhe i biri i tij, Mehmed pashë Kaçaniku, ka ndërtuar disa objekte në Kosovë, ndër të tjera një urë prej guri në Kaçanik dhe katër hane në lagjen e vjetër të Kaçanikut.
Përveç këtyre monumenteve të arkitekturës islame dhe objekteve bamirëse, (për të cilat në literaturën osmane thuhet se janë më se 100), që kishte ndërtuar nëpër vilajete të Perandorisë Osmane të asaj kohe, ai ka lënë edhe pasuri të mëdha përshpirtëse si vakëf (toka pjellore, male, bjeshkë, livadhe dhe kullosa të mëdha).
Përveç monumenteve sakrale-fetare, ai ndërtoi edhe shumë objekte profane-publike: fortifikata, ujësjellës, ura, kroje, shkolla, biblioteka, banja publike etj. Prej objekteve të tij bamirëse që ndërtoi në trevat tona, më së paku janë ruajtur hamamet e tij. Hamami i Koxha Sinan pashës në Prishtinë është ndërtuar në vitin 1586, tetë vjet para të Kaçanikut. Që të dyja këto hamame janë rrënuar nga pushtuesit serbë. Pas vitit 1912, ushtria famëkeqe serbe pushtoi Kosovën dhe me atë rast rrënoi e dëmtoi shumë objekte kulturore-historike të arkitekturës tradicionale shqiptare dhe të kulturës islame-orientale.
Hamami i Koxha Sinan pashës, që gjendej në kompleksin e Çarshisë së vjetër orientale të Prishtinës, që ishte e gërshetuar edhe me elemente të arkitekturës tradicionale shqiptare, qe dëmtuar shumë, por rrënimi definitiv i hamamit në fjalë bashkë me Çarshinë vjetër u bë nga ana e pushtuesit monist, pas vitit 1945, dhe në vendin e tij u ndërtua ndërtesa e ish-Këshillit Ekzekutiv të Kosovës. Është rrënuar gjithashtu xhamia e Llokaçit, dhe në vend saj është ngritur hotel “Ilira” (ish-Bozhur). Rrënimi i Çarshisë së vjetër, e cila konsiderohej si çarshia më e bukur e Ballkanit, përbën një dëm të madh, sepse kësodore janë zhdukur gjurmët e kulturës shpirtërore dhe të arkitekturës popullore shqiptare, që ruheshin sidomos në objektet që kishin ndërtuar shqiptarët, qofshin të kulturës latine ose islame-orientale. Sipas burimeve raguziane dhe osmane, në mesjetë (1300-1385-1455), në Prishtinë kishte dy kisha katolike, dhe asnjë sllave. Ky gjenocid perfid i pushtuesve serbë mbi kulturën shpirtërore dhe arkitekturën popullore shqiptare kishte edhe një prapavijë tjetër, për të argumentuar gjoja para Evropës dhe botës se monumentet e kulturës së krishterë në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare janë vepra të serbëve ardhacakë, ndërsa monumentet e kulturës islame janë vepra të aziatikëve, kështu që, sipas tezës serbe, popullsia autoktone shqiptare nuk kishte ndërtuar asgjë nga monumentet mesjetare. Kjo hipotezë e propagandës së politikës dhe historiografisë serbe, nuk mund të qëndrojë dhe nuk ka të bëjë me shkencën dhe me të vërtetën historike.
Nga gjithë kjo që u tha, del se institucionet tona shoqërore, fetare dhe bamirëse, që merren me mbrojtjen e monumenteve kulturore e historike, duhet të punojnë në mënyrë të organizuar e të bashkërenduar që të bëhet evidentimi dhe hulumtimi i monumenteve-objekteve fetare e shoqërore dhe i tërë pasurisë së hajrateve-vakëfeve, që kanë lënë amanet stërgjyshët tanë. Të gjitha ato monumente a objekte bamirëse shoqërore e fetare që sot janë lënë pas dore, në një gjendje të mjeruar, sa më parë duhet të restaurohen dhe të vihen në shërbim të popullit.
Dokumentet më të reja të zbuluara në kohët e fundit, dëshmojnë në mënyrë bindëse se popullsia autoktone shqiptare ka pasur monumente të vetat të kulturës romano-latine, po edhe të kulturës islameorientale. Nga monumentet e kulturës së krishterë, shumicën i kanë ndërtuar shqiptarët, por administrata dhe Kisha sllave i përvetësuan. Në themelet e disa kishave gjenden gurë me shkrime latine. Po ashtu shumicën e objekteve të kulturës islame të mesjetës së vonë i kanë ndërtuar shqiptarët autoktonë, që kaluan në fenë islame e jo njerëzit nga Orienti e Azia, një fakt i pamohueshëm historik, që tentojnë ta mohojnë autorët sllavë se kinse para ardhjes së Osmanlinjve në Kosovë nuk kishte popullsi shqiptare. Këtë fakti historik e dëshmojnë, përveç burimeve shkrimore, edhe monumentet e kulturës materiale, siç janë: banjot publike: Hamami i Gazi Ali beut në Vushtrri, Hamami i Ali Arnautit në Novobërdë si dhe objektet e tjera të shekujve XV-XVI në Kaçanik e në Prizren.
Literatura:
1. Sh. Sami Frashëri, Kamus al-a’m, IV, Istanbul, 1311/1984. Shih edhe në gjuhën shqipe, Sami Frashëri, Vepra 9, me titull: “Personalitetet shqiptare në Kamus al-a’m, përgatit dhe shqipëroi Mehdi Polisi, Logos, Shkup 1994.
2. Mehmet Tahir Efendi, El-Menakib, dorëshkrim në Bibliotekën e Xhamisë së Gazi Mehmet Pashës në Prizren.
3. Tarih-i Ibrahim Peçevi, Istanbull 1281/1864.
4. Dr. Hasan Kaleshi, Najstari vakufski dokumenti u Jugoslaviji na arapskom jeziku, Prishtinë, 1972.
5. Salname-i Vilajet-i Kosova 1318/19000, Uskup, Vilayet-i matba’asinda tab’olunmustur.
6. Evlija Çelebi, Seyahatnamesi, Istanbul, 1314/1896 – 1318-1900. Shih edhe Hazim Shabanoviq, Putopis Evlije Çelebije, Sarajevë 1979.
7. Tarih-i Naima – Istanbul, 1280-1863.
8. Osman Zade Ahmed, Hadikat-ul Vuzera, përgatitur për shtyp nga D. Robischon – Freiburg, 1969.
Mr. Iljas Rexha
Edukata Islame 67