Traktati i Hudejbijes

 


Njohja e jetës së Muhammedit a.s. dhe veprimeve të tij që bëri gjatë 63 vjetve, veçanërisht gjatë 23 vjetëve të pejgamberisë, janë të domosdoshme për arritjen e bashkimit të myslimanëve dhe garantimin e paqes botërore. Njohja dhe kuptimi i drejtë i veprimeve të Pejgamb erit a.s., myslimanëve do t’u ndihmojë për të mbrojtur fenë e tyre ashtu si duhet dhe me çfarë mekanizmash duhet. Ne je mi krenarë me fenë tonë dhe Pejgamberin tonë, dhe jam i bindur se sikur ne myslimanët, t’ua prezantonim drejt dhe mirë jetën dhe mesazhin e Muhammedit a.s., i tërë njerëzimi do të ishte krenar për të, përveç kryeneçëve. 
Një segment i rëndësishëm i jetës së Muhammedit a.s. dëshmon se ka qenë vazhdimisht në favor të paqes dhe respektit ndërnjerëzor, dhe kjo e ka përshkuar tërë jetën e tij dhe veprimet e veçanta që ka bërë ai gjatë gjithë jetës. Një ndër kë to veprime është edhe marrëveshja Traktati i Hudejbijes.
Fillimisht të shohim këtë Traktat nga aspekti teorik i së drejtës ndërkombëtare moderne. Rëndësia e këtij Traktati nga ky aspekt është se e bën më të pasur historikun e së drejtës ndërkombëtare, dhe ky Traktat duhet të përmendet në librat dhe punimet shkencore të kësaj fushe. Marrëveshja e paqes e Hudejbijes (es sulhu), shikuar nga aspekti teorik i së drejtës ndërkombëtare, duhet të quhet traktat dhe jo marrëveshje. Marrëveshja zakonisht është pajtim i vullnetshëm për lidhjen e kontratës (kur kemi të bëjmë me persona fizikë apo juridikë, por që nuk janë subjekte ndërkombëtare) ose traktatit (kur kemi të bëjmë me shtete dhe organizata ndërkombëtare që kanë statusin e subjektit ndërkombëtar). Ndërkaq traktat ndërkombëtar konsiderohet çdo pajtim i vullnetshëm midis shteteve me qëllim të krijimit, ndryshimit ose ndërprerjes së ndonjë raporti juridik. Traktatet zakonisht janë dokumente që aludojnë çështje të rëndësishme, si p.sh. traktatet e paqes (Zejnullah Gruda, E Drejta Ndërkombëtare Publike, fq. 249, 2002, Prishtinë). 
Traktati i Hudejbijes ishte lidhur në mes dy përfaqësuesve të dy grupeve sociale të ndryshme, që përfaqësonin dy qytete-shtete, njëri Medina, me Muhammedin a.s. në krye, si qytet-shtet i përbërë nga shumica dërrmuese e banorëve myslimanë (Medina kishte rregullimin e vet juridiko-politik dhe territorial), dhe tjetri Meka, një qytet-shtet që kishte banorët e saj, shumica dërrmuese (me përjashtime individuale) politeistë, dhe kishte një rregullim juridiko-politik tejet primitiv, që ndërtohej mbi të drejtën zakonore. 
Në këtë traktat përfaqësues i Mekës ishte Suhejl b. Amri. Prandaj kjo marrë veshje në çdo përkthim në gjuhën shqipe dhe studim duhet të quhet Traktati i Paqes i Hudejbijes. Përfundimisht, në lidhje me këtë mund të themi se Marrë veshja e Hudejbijes është “Traktat ndër kombëtar” i lidhur në mes dy shteteve, njëri i përfaqësuar nga kryetari, që ishte Medina me Muhammedin a.s. në krye, dhe tjetri, që ishte Meka, i përfaqësuar nga i autorizuari i mekasve, Suhejl b. Amri, me qëllim të arritjes së paqes në mes këtyre dy vendeve, për një afat prej 10 vjetësh. 


Rrethanat historike 


Traktati i paqes i Hudejbijes ndodhi në fund të vitit të 6 Hixhri (es-siretun nebeujje, Li-ibni Hisham). Hudejbije është emri i një vendi 50-60 km larg Mekës. Më parë kishte qenë emri i një oaze që ndodhej në atë vend, pastaj këtë emër e kishte marrë edhe fshati afër. Hudejbija erdhi për shkak të umres. Derisa Pejgamberi a.s. ishte në Medinë, kishte parë ëndërr se si e kishte marrë çelësin e Qabesë dhe kishte bërë tavafin dhe umren. Të nesërmen Pejgamberi a.s. i lajmëroi shokët e tij për ëndrrën dhe filluan për gatitjet për t’u nisur. Pejgamberi a.s. nga Medina për Mekë u nis me 1400-1500 persona të paarmatosur, vetëm me shpata në këllëf. (Për rrethanat dhe kronologjinë historike të kësaj ngjarjeje shih më gjerësisht librat e Sires-jetëshkrimit të Muhammedit a.s.). 


Marrëveshja për lidhjen e Traktatit dhe përmbajtja e tij 


Myslimanët e bindur për të kryer umren kishin të vendosur ta realizonin atë pa marrë parasysh rreziqet, dhe nuk përjashtonin as luftën. Nga ana tjetër, politeistët kurejshitë ishin të vendosur të mos lejonin hyrjen e myslimanëve në Mekë. Kjo vendosmëri e dyanshme shpinte në një luftë të tmerrshme në mes tyre. Duke tentuar t’i shmangej kësaj ngatërrese, Pejgamberi a.s. dhe kurejshitët shkëmbenin të deleguarit e tyre për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme. Pas shkëmbimit të disa të deleguarve nga Meka, radha i arriti edhe Suhejl b. Amrit. Pejgamberi a.s., posa e pa Suhejl b. Amrin, tha: “Ky do të na e lehtësojë situatën, kurejshitët me siguri dëshirojnë armëpushim, meqë e kanë dërguar këtë”. 
Pas një diskutimi të gjatë në mes Muhammedit s.a.v.s. dhe Suhejl b. Amrit, arritën marrëveshjen për nënshkrimin e një traktati paqeje. Pejgamberi s.a.v.s. e urdhëroi Aliun r.a të shkruante atë që i diktoi. Pejgamberi s.a.v.s tha: “ Bismil lahir-rrahmanir-rrahim”, kurse Suhejli ndërhyri e tha: “Kush është ky Er-rahman, ne nuk e njohim këtë Zot, prandaj shkruaje Bismika-Allahumme”. Pejgamberi s.a.v.s. e pranoi këtë kusht dhe atëherë urdhëroi Aliun r.a. të vepronte ashtu. 
Vazhdoi Pejgamberi s.a.v.s.: “Ky është traktat në mes Muhammedit s.a.v.s., i dërguar i Allahut, dhe Suhejl B. Amrit...”, kurse Suhejli ndërhyri prapë dhe tha: “Ndal, sikur të të kishim pranuar për të dërguar të Allahut, ne nuk do të ndalonim hyrjen tuaj në Qabe dhe as që do të luftonim kundër teje, por shkruaj kështu: ‘Ky është Traktat në mes Muhammedit, të birit të Abdullahut dhe...”! Pejgamberi s.a.v.s. tha: “Megjithatë, unë jam pejgamber e i dërguar i Allahut, edhe pse ju nuk më besoni”. Pejgamberi s.a.v.s urdhëroi Aliun r.a. që të vepronte ashtu siç kërkoi Suhejli. Sigurisht që ata që luftuan me Pejgamberin s.a.v.s, të cilët e donin dhe e besonin si të dërguar të Allahut, nuk dëshironin të vepronin as gjë që do të cenonte nderin dhe imazhin e Muhammedit s.a.v.s. I këtillë ishte edhe Aliu r.a., i cili ngurroi dhe nuk mundi të fshinte fjalët “i dërguar i Allahut”. Kur e pa Pejgamberi s.a.v.s. vendosmërinë e tij, atëherë e fshiu vetë. 
Ky Traktat në formën e tij përfundimtare do të dukej kështu: 


Në emrin Tënd, o Allah! 
Ky Traktat i paqes (es-sulhu) është marrëveshje në mes Muhammedit, të birit të Abdullahut, dhe Suhejl b. Amrit (të cilët pajtohen): 


neni 1 
Muhammedi të kthehet në Medinë dhe në këtë vit të mos hyjë në Mekë, ndërsa në vitin e ardhshëm të vizitojë Qabenë në afat prej tri ditësh duke pa pasur me vete armë, përveç shpatave në këllëf.
Gjatë kësaj kohe kurejshitët nuk lejohen t’u bëjnë kurrfarë pengesash. 


neni 2 
Ndërprerja e armiqësive në mes tyre në afat prej 10 vjetësh. Gjatë kësaj periudhe, sa zgjat ky armëpushim, njerëzit do të qarkullojnë lirisht dhe do të mbrojnë njëri-tjetrin.


 neni 3 
Kush dëshiron t’i bashkohet Muhammedit, këtë mund ta bëjë, me kusht që ta respektojë këtë traktat, e kush dëshiron t’u bashkohet kurejshitëve, le të veprojë ashtu. Çdo fis i tillë konsiderohet pjesë e atij populli. Çdo armiqësi ndaj aleatëve, do të konsiderohet si armiqësi ndaj palës që i takon. 


neni 4 
Ata që ikin tek Muhammedi nga fisi kurejsh pa lejen e zotërisë së tij, ata do t’i kthejnë në Mekë. Kurse ata që vijnë nga myslimanët te kurejshitët, përkatësisht nëse dikush prej tyre ikën te këta, të mos u kthehen myslimanëve. 


Efekte psikologjike të këtij traktati te myslimanët


 Umeri r.a. është shembulli më i mirë se çfarë efekti psikologjik kishte ky traktat tek shumica e myslimanëve. Kur dëgjoi Umeri r.a. për këto kushte, nuk mundi ta përmbante veten dhe shkoi tek Pejgamberi s.a.v.s., që të shihte se çfarë kishte ngjarë me këtë traktat. I tha: “O pejgamber i Allahut, a është e vërteta në anën tonë”? Pejgamberi s.a.v.s. i tha: “Po”. Umeri r.a.: “A do të hyjnë të vrarët tanë në Xhennet, e të vrarët e tyre në Xhehenem”? Pejgamberi s.a.v.s. i tha: “Po, do të hyjnë”. Umeri r.a. atëherë tha: “Përse të turpërojmë fenë tonë e të kthehemi, e të mos e lëmë që Allahu të gjykojë në mes nesh dhe atyre”? 
Pejgamberi s.a.v.s., i tha: “O biri i Hatabit, unë jam pejgamber i Allahut dhe nuk kam dashur të jem i padëgjueshëm ndaj Tij. Ai do të më ndihmojë dhe kurrë nuk do të më braktisë”. Umeri r.a. i tha: “Po ti a nuk na ke thënë se do ta bëjmë umren”? Pejgamberi s.a.v.s. i tha se u kishte thënë por jo për atë vit. 
U largua Umeri r.a. për tek Ebu Bekri, i pikëlluar për këtë armëpushim, dhe gjendja e tij shpirtërore, që vlonte për të hyrë në shtëpinë e Allahut, nuk u qetësua derisa zbriti suretu-l-fet’h dhe u bind se ajo ishte fitore. Thotë Umeri r.a: “Kisha dëshirë të lahesha, andaj edhe sot jap sadaka, fal namaz nafile, agjëroj dhe liroj robër, vetëm me qëllim që ta lehtësoj ndërgjegjen time për shkak të atyre fjalëve që pata thënë. E kam lutur Allahun që kjo punë të merrte fund mirë”. 
Ashabët e Pejgamberit s.a.v.s. nuk u qetësuan derisa zbriti sureja Fet’h, e cila fillon: “Ne të dhamë ty fitoren e qartë...” 


Efektet juridiko-politike të këtij traktati 


Efektet juridike të këtij traktati i nxjerrim nga 4 nenet e shënuara; këto ishin:
1. Myslimanët e kishin për detyrë të ktheheshin pa e kryer umren atë vit. 
2. Myslimanët kishin të drejtë të vinin dhe ta vizitonin Qabenë vitin tjetër, në afat prej 3 ditësh, dhe të paarmatosur. 
3. Kurejshët e kishin për detyrë që vizitën e Qabesë, nga myslimanët vitin e ardhshëm, ta duronin dhe të përmbaheshin nga çdo provokim. 
4. Kjo marrëdhënie e re juridike (paqja dhe armëpushimi), që buron nga ky traktat, do të zgjaste në një kohë prej 10 vjetësh. 
5. Qarkullimi i lirë i njerëzve nëpër hapësirat e tyre dhe mbrojtja e njëri tjetrit.
6. E drejta e fiseve të tjera për t’iu bash kuar Muhammedit s.a.v.s., dhe e drejta e tyre për t’iu bashkuar kurejshëve, me detyrimin që ta respektonin Traktatin. 
7. Armiku i aleatit ishte edhe armik i palës së cilës i takonte ai aleat. 
8. Muhammedi s.a.v.s. detyrohej që myslimanët nga kurejshët që vinin në Medinë, t’i kthente prapë në Mekë. 


Këto ishin të drejtat dhe detyrimet që buronin për palët nga ky traktat. Ndërkaq, nga efektet politike, mund të veçojmë: 
1. Suksesi i madh në këtë Traktat ishte se kurejshët e kishin pranuar si palë Muhammedin s.a.v.s. (në fushën e së drejtës ndërkombëtare kjo njihet si njohje e shtetit të ri në mënyrë të heshtur). 
2. Kurejshët e kishin kuptuar se ndalimi i Muhammedit s.a.v.s për të hyrë në Mekë ishte i pamundur, prandaj kërkuan vetëm të shtyhej për një vit (që të mos dilnin para fiseve të tjera arabe si humbës fatalë). 
3. Kurejshëve më nuk u interesonte se kush dhe sa veta do të hynin nën flamurin e Muhammedit s.a.v.s. (neni 3), po u interesonte vetëm ekzistenca e tyre si palë me “rol në fiset arabe”.
Këto 3 pika bëjnë të mësojmë për falimentimin e pashmangshëm të kurejshitëve dhe suksesin e pashmangshëm të Muhammedit s.a.v.s. 


Efektet e Traktatit në fushën e Daves islame 


Përfitimi i daves islame gjatë kësaj kohe të armëpushimit me kurejshët, ndikoi dhe shihet në dy drejtime. 
1. Në pranimin e Islamit nga figura të fuqishme mekase. Gjatë kësaj periudhe të paqes, ftohja e gjaqeve dhe dhënia përparësi racionalizimit para emocionalitetit, ndikoi fuqishëm në pranimin e Islamit nga njerëzit. Ndër njerëzit e mëdhenj që pranuan Islamin, ishin: Halid b. Uelid r.a., Amr b. Asi r.a. dhe Uthman b. Talha r.a. Kur i pa Pejgamberi s.a.v.s. se ata njerëz pranuan Islamin, tha: “Na dhuroi Meka copë nga mëlçia e saj”. 
2. Shtrirja dhe prezantimi i Islamit tek fise arabe, mbretër dhe perandorë të kohës. 


Gjatë asaj kohe Pejgamberi s.a.v.s. aktivizoi ambasadorët e vet dhe diplomacinë në shumë vende arabe, perse e bzantine. Ata ambasadorë i dërgonte për t’i përcjellë amanetin të gjithë njerëzi mit, me të cilin e kishte ngarkuar Allahu xh.sh.. Para dërgimit të tyre, Pejgamberi s.a.v.s. përgatiti edhe vulën e tij, në të cilën shkruante: “Allah, Rasul, Muhammed”, por që shkruhej dhe lexohej nga poshtë lart. (d.m.th. fillonte me Muhammed s.a.v.s. dhe përfundonte me Allah, por lexohej duke filluar nga Allah pastaj Rasul dhe Muhammed, për respekt ndaj Allahut xh.sh.).
Mesazhi islam u prezantua te këta sundimtarë përmes këtyre të deleguarve ambasadorë:
1.    Negusit - Mbretit të Abisinisë përmes Amr b. Umejje ed-Damerin r.a. Ky mbret e pranoi Islamin para Xhafer b. Ebi Talibit (Pejgamberi s.a.v.s. u informua nga Allahu xh.sh. për vdekjen e Nagusit dhe ia fali namazin e Xhenazes në mungesë). 
2. Mesazhi iu dërgua Mukaukisit-Mbret i Egjiptit përmes Hatib b. Beltanit. Ky sundimtar nuk e pranoi Islamin, por shprehu admirim dhe respekt të madh ndaj Pejgamberit s.a.v.s. duke i dërguar dhurata, dy robëresha dhe një mushk. 
3. Mesazhi dërguar Kisras -perandorit të Persisë përmes Abdullah b. Hudhafen, i cili ia dorëzoi mesazhin magnatit të Bahrejnit për ta përcjellë tek ky perandor. Ky perandor nuk e pranoi Islamin, përkundrazi u soll shumë keq dhe grisi shkresën e Muhammedit s.a.v.s. Kur dëgjoi Pejgamberi s.a.v.s. për këtë, tha: “U gristë pushteti i tij”. Dhe vërtet ndodhi pas pak kohe: një natë pallati i tij u zhyt në trazira dhe i biri i tij, Shirevahi, e vrau atë dhe ia rrëmbeu pushtetin. 
4. Mesazhi dërguar Cezarit, Kajser-perandorit të Bizantit përmes Dihjetu b. Hulejfe. Ky perandor ishte i bindur në profetësinë e Muhammedit s.a.v.s., po nuk e pranoi Islamin. Po Muhammedit s.a.v.s. i dërgoi shumë dhurata. 
5. Mesazhi dërguar el-Mundhir b.Savit, përmes El-ala b. El-Hudramijjut. Ky ishte sundimtar i Bahrejnit, i cili e pranoi Islamin si dhe shumica e po pullit të tij.
6. Mesazhi dërguar Haudhete b. Aliut sunduesit të Jemenit, iu dërgua për mes Sulejh b. Amri el-Amirijj. Ky sundimtar i kishte thënë Muhammedit s.a.v.s.: “Sa e mirë ajo për se po më thërret ti. Arabët më ndjekin nga ky vendiim, e ti ma mundëso të kem edhe unë hise së bashku me ty, dhe unë do të të pasoj ty”. Ky sundimtar i dërgoi Muhammedit s.a.v.s. shumë dhurata. 
7. Mesazhi dërguar Harith Ebi Shemer el-Gassanit-sundues i Shamit përmes Suxha b. Vehbit. Ky sundimtar nuk e pranoi Islamin. 
8. Mesazhi dërguar sunduesit të Amma nit përmes Amr b. Asit. Ky e pranoi Islamin bashkë me vëllanë e tij. 


Këto ishin komunikimet diplomatike të Muhammedit s.a.v.s. me perandorët dhe mbretërit e kohës, të cilëve ua përcolli mesazhin e Allahut xh.sh. Disa prej tyre e pranuan e disa jo, por ishte i rëndësishëm fakti i prezantimit të Islamit në botë. 
Ishte me rëndësi fakti se Pejgamberi s.a.v.s. gjatë armëpushimit me kurejshët, zhvilloi disa luftëra me fise të tjera që rrezikonin dhe kërcënonin shtetin islam. 


Zgjidhja e problemit të besimtarëve mekas 


Në nenin 4, siç thamë, parashihej kthimi i besimtarëve myslimanë që vinin nga Meka te Muhammedi s.a.v.s. për në Mekë përsëri. Pas lidhjes së marrëveshjes erdhën disa gra që kishin pranuar Islamin, dhe pas tyre edhe zotërinjtë e tyre për t’i kërkuar nga Pejgamberi s.a.v.s. që t’ua kthente prapë. Kjo kërkesë e tyre u refuzua nga Pejgamberi s.a.v.s. duke u thënë se aty nuk nënkuptoheshin gratë, sepse ato as që ishin përmendur.


Zgjidhja e problemit të burrave besimtarë


nga Meka Kur arriti Pejgamberi s.a.v.s. në Me dinë, pas tij arriti një i arratisur nga Me ka, që quhej Ebu Besir, nga fisi Thekafe. Pasi arriti në Medinë, pas tij erdhën dy burra, njëri prej të cilëve zotëria i tij, për ta kthyer Ebu Besirin në Mekë. Ky mysliman i nderuar, Ebu Besiri, nuk mund ta imagjinonte t’u kthehej torturave që i shkaktonin mekasit. Iu ankua myslimanëve dhe Pejgamberit s.a.v.s. që do ta kthenin përsëri në duar të tyre. Pejgam beri s.a.v.s., i dashuri i ebu Besirit dhe i dashuri ynë s.a.v.s., nuk e theu besën e dhënë, por e dinte qartë se Allahu nuk do të zhgënjente as atë dhe as besimtarët që janë me të.. Muhammedi s.a.v.s. i tha: “O Ebu Besir, kemi lidhur marrëveshje me ta, e ajo na obligon që të të dorëzoj më tek ta. Por Allahu do t’ju bëjë zgjidh je të shpejtë”. 
Duke u kthyer për Mekë, gjatë një pushimi, Ebu Besiri e mashtroi përcjellësin e zotërisë së tij, ia mori shpatën dhe e vrau. Përsëri iku për Medinë dhe pas tij erdhi sërish zotëria i tij. Kur e pa Pejgamberi s.a.v.s. zotërinë e Ebu Besi rit, thotë se ky paska parë fantazmën paska frikë të madhe. Ebu Besiri i tha: “O Pejgamber i Allahut, e mbajte besën tënde e më dorëzove, por Allahu më shpëtoi prej tyre”. Ebu Besiri e pa qartë se Pejgamberi s.a.v.s. nuk do ta thyente besën, prandaj iku në fshatin Sejfu-l ba hr. Atje iu bashkuan shumë shpejt edhe Xhendel b. Suhejli dhe shumë të tjerë nga Meka që pranuan Islamin. Në këtë vend u bë grupi i muhaxhirëve të Ebu Besirit dhe, meqenëse ishte pikë udhëtimi për tregtinë e kurejshëve, ata vazhdimisht rrezikonin karvanet e tyre. Pas një kohe kurejshët ishin ata që shkuan dhe e lutën Pejgamberin s.a.v.s. që të gjithë myslimanët nga Meka që pranonin Islamin, të lejoheshin në Medinë. 
Me lejen e Allahu xh.sh. përfundoi edhe kjo pikë e këtij traktati në të mirë të myslimanëve, dhe s’kishte si të mos përfundonte në të mirë të tyre sa kohë që pas Muhammedit s.a.v.s. ishte Allahu xh.sh.


Thyerja e Traktatit nga Kurejshitët


Pejgamberi i Allahut s.a.v.s. dhe ata që janë me të, janë të drejtë, të matur dhe kurrë nuk e thyejnë besën, nuk mashtroj në e as gënjejnë. Atë marrëveshje myslimanët e prezantuan për hair dhe dobi të përgjithshme. E shfrytëzuan për ta për hapur paqen edhe në fise e rajone të tjera. Muhammedi s.a.v.s. e respektoi dhe e ruajti Traktatin deri në momentin kur e thyen tradhtarët e radhëve të kurejshëve. Ky Traktat, siç e pamë, nenin 3 para shihte mundësinë e hyrjes së fiseve të ndryshme në radhët e palëve që e kishin lidhur. Fisi Benu Bekër hyri me Kurejshitët, kurse fisi Huza hyri në radhët e Muhammedit s.a.v.s. 
Gjatë një nate, derisa një grup meshkujsh nga fisi Huza qëndronin te burimi El-Vetir në shpatin e Mekës, një grup nga fisi Benu Bekër i sulmuan ata të ndihmuar nga Kurejshët me armë e njerëz, dhe i vranë ata. Kjo ndodhi në vitin 8 hixhri në muajin Shaban. Këtu qe fundi i këtij Traktati, prej të cilit myslimanët e Muhammedit s.a.v.s. kishin pasur shumë dobi, duke përcjellë Islamin, duke kryer umren, duke u shtuar dhe duke u organizuar për ta arritur fitoren e Madhe, Çlirimin e Mekës. 
Falënderimi I takon Allahut 
Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin për Muhammedin s.a.v.s., për familjen e tij dhe pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.


Abdullah Klinaku
Dituria Islame  219


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme