Ligji i Zotit xh.sh. në këtë botë është që konflikti ndërmjet së vërtetës dhe përkrahësve të saj nga njëra anë, dhe gënjeshtrës dhe përkrahësve të saj nga ana tjetër, të mbetet i ndezur deri në Ditën e Kiametit. Që kur Ademi a.s. dhe gruaja e tij zbritën nga Xheneti, shejtani zbriti me ta, në cilësinë e përgjegjësit kryesor për përhapjen e së keqes.
Ekzistimi i mundësisë për të kryer një vepër të keqe dhe për të rënë në vese përbën një aspekt të rëndësishëm të sprovës së Zotit xh.sh. ndaj robërve të Tij. Sa herë që njerëzimi përparon drejt zhvillimit dhe qytetërimit, aq më shumë zgjerohen mundësitë përpara përkrahësve të së mirës dhe përkrahësve të së keqes. Por, duke qenë se jemi duke jetuar nën hijen e një qytetërim ateisto-materialist, atëherë zbulimi i mundësive dhe hapësirave për përhapjen e mirësisë kërkon një lloj krijimtarie, përkundër të keqes e cila na troket në dyer dhe shpesh hyn edhe pa leje!
Përvoja jonë e kaluar në rezistencën ndaj së keqes bazohej në ndalimin, qortimin, shëmtinë dhe ndëshkimin e njerëzve të këqij. Kjo metodë kërkohet ende që të praktikohet, por, përvoja historike na ka mësuar se nëse presioni shoqëror nuk shoqërohet me edukim të mirëfilltë dhe zhvillim më të mirë të motivimit të brendshëm (ndërgjegjes), atëherë efektet e tij do të jenë më afër negative sesa pozitive, sepse kjo metodë mundëson të formojmë-edukojmë një shoqëri e cila në dukje të parë dhe të jashtme është e përkushtuar, e drejtë dhe në pajtueshmëri me parimet e Sheriatit, por brendësia dhe esenca e saj është një shoqëri e devijuar dhe imorale.
Nëse duam trajtim-shërim të qartë të devijimit, atëherë kjo çështje kërkon një trajtim të bazuar me butësi, tërheqje dhe mirëkuptim, si dhe një përdorim minimum të forcës.
Çështja e përparimit dhe qytetërimit ndikon në zgjerimin e hapësirës së lirisë personale për secilin individ, dhe kështu ajo që, në të kaluarën, mendohej të ishte një gjë me interes të përgjithshëm e që ndikon në jetën shoqërore – për këtë arsye edhe ke mundur ta kritikosh – sot është bërë çështje individuale.
Në ditët e sotme po dalin zakone të cilat e bëjnë të padëshirueshme që fqinji të këshillojë fqinjin e tij ose, që një person ta këshillojë të afërmin e tij. Prandaj, hapësira për të folur për rrethimin (bllokimin) e së keqes po ngushtohet dita-ditës. Me këtë tkurrje, parimi i madh islam (urdhri për të mirë dhe ndalimi nga e keqja) fillon të vyshket e të humbasë logjikën dhe përkrahësit e tij në mënyrë të frikshme dhe të turpshme!
Në të kaluarën, një numër i madh i myslimanëve mbështeteshin te shteti për të frenuar të keqën dhe për të kufizuar përhapjen e devijimit, pasi ai ishte i vetmi organ me një autoritet të njohur parandalues dhe të organizuar. Shteti në fakt po bënte diçka për këtë, por ne duhet të vërejmë një sërë gjërash, prej tyre: Kur shteti është legjitim, ai mund të zvogëlojë shumë përhapjen e së keqes, por siç e përmenda pak më parë, parandalimi i së keqes me forcë ka pak dobi nëse nuk shoqërohet me veprime udhëzuese pozitive.
Ne e dimë që shumë devijues janë kthyer në kriminelë të mëdhenj pasi që ata janë burgosur me një grup të përfshirë në krim apo me persona me të kaluar kriminale.
Ndërsa, nëse shteti nuk ka legjitimitet ose nuk i nënshtrohet mbikëqyrjes së popullit, atëherë aftësia e tij për të mbrojtur moralin publik dhe për të ruajtur shoqërinë është pothuajse inekzistente. Sepse ai vetë ka nevojë për shumë riparim. Ekziston një pikë e rëndësishme që ne zakonisht nuk i kushtojmë vëmendje, fjala është për atë se të kërkosh nga shteti të ndërhyjë më shumë për të mbrojtur moralin, etikën dhe zakonet e mira, kjo automatikisht do të thotë t’i japësh atij më shumë autoritet dhe ndikim për të ndërhyrë në jetën e njerëzve. Si rezultat, kjo kërkon zgjerim të aparatit shtetëror, dhe një gjë e tillë nuk është as në interes të tij dhe as në interes të popullit të tij. Shteti është si zemra dhe mëlçia, nëse zmadhohet, prishet dhe nëse prishet, zmadhohet. Kishte të drejtë kur njëri tha: Shteti është rezultat i gabimeve tona, ndërsa shoqëria është rezultat i virtyteve tona. Një shoqëri e virtytshme sipas vizionit islam është ajo që kryen shumicën e punëve të saj pa kërkuar ndihmë nga ndonjë pushtet apo autoritet, sepse është e vetëmjaftueshme me iniciativat, institucionet dhe lidhjet e saj civile dhe popullore. Besoj se tani kemi arritur në pikën esenciale çka duam të themi përmes kësaj trajtese. Bota, sot po jeton në një gjendje unike të presionit dhe rivalitetit konkret, dhe në një gjendje të tillë vlera e veprimit maksimalizohet, ndërsa pesha e fjalës venitet. Gjithashtu, bollëku i joshjeve dhe stimujve për t’u përfshirë në punët e kësaj bote ka dobësuar aftësinë e njerëzve për t’u rezistuar epsheve, ashtu siç ka dobësuar frikën e tyre për jetën e përtejme dhe për botën reale në përgjithësi. Në të ardhmen, inkurajimin, influencën, pengimin dhe dekurajimin (në masën më të madhe) do ta ketë ambienti, atmosfera, kontekstet e ndryshme dhe rrethanat e përgjithshme. Një mjedis i mirë ndikon në personalitetin e njeriut në mënyrë të (pa vetëdijshme) dhe redukton pa probleme prirjet drejt së keqes në mënyrë të sistemuar. Marrëdhëniet-kontekstet e mira ndërtohen përmes mijëra veprave dhe nismave të mira, dhe për këtë arsye ata që predikojnë dhe që janë dertli për të ardhmen e popullit duhet të mendojnë në mënyrë serioze dhe praktike se si të kenë një prani të shkëlqyer në të gjitha fushat dhe në të gjitha nivelet. Natyra, siç thonë ata, e urren vakumin. Prandaj, duhet ta kemi në konsideratë se çdo vakum politik, edukativ, ekonomik apo mediatik ... që nuk plotësohet nga njerëz të drejtë dhe kompetent, do të mbulohet në mënyrë të jashtëzakonshme nga të tjerët.
Në këtë aspekt ne mund të mësojmë nga lëvizja hebreje në botë më shumë se një mësim elokuent, pasi ata ishin në gjendje që me një heshtje mahnitëse dhe me punë të zellshme të transformoheshin, nga një pakicë e persekutuar dhe e urryer në një pakicë dërrmuese, të frikësuar dhe kontrolluese, dhe sado që themi në lidhje me favorizimin e Perëndimit ndaj tyre, është gjithashtu e vërtetë se ata kanë demonstruar një zgjuarsi të rrallë në organizim, planifikim dhe përpjekje të vazhdueshme në shqyrtimin e pikave të forta dhe pikave mbështetëse, shto kësaj ndjenjën e tyre të hershme ndaj rëndësisë së shkencës në ndërtimin e ndikimit...
Kur ke një shkallë të lartë kompetence, rritet numri i njerëzve që kanë interes për ty si dhe numri i atyre që kanë nevojë për ty. Nëpërmjet nevojës së tyre për ju, ata ju japin mundësinë dhe rastin që të keni ndikim tek ata dhe të jenë efektiv. Edhe armiqtë tuaj janë të detyruar t’ju paraqiten si dashamirë, për të përfituar nga ju.
Mbushja e zbrazëtirës dhe krijimi i një ndikimi të veçantë kërkon një sërë gjërash të rëndësishme, prej tyre:
1. Aftësi ose kualifikim të lartë, shumica e këtyre aftësive vijnë nga mësimi i mirë, specializimi, trajnimi i shkëlqyer dhe këmbëngulja në fitimin e përvojës.
2. Ndershmëria, integriteti dhe ndjenja e përgjegjësisë morale nga ana e personit për punën që i besohet.
3. Sakrifica dhe krijimi i shprehisë së dhënies me qëllim të pritjes së shpërblimit nga Zoti i Madhëruar.
4. Arti i dallimit ndërmjet thelbësores dhe dytësores, ndërmjet sëmundjes dhe simptomave të saj. Besoj se përhapja e të këqijave në shoqëritë islame është për shkak të një sërë arsyesh thelbësore, prej tyre: dashuria ndaj kësaj bote, edukimi i dobët familjar, dobësimi i imanit dhe aspektit shpirtëror, refuzimi për të lexuar dhe vazhdueshmëria për të mësuari, mos efikasiteti i ligjeve dhe i sistemeve administrative.
5. Ndjenja e përgjegjësisë fetare përballë përhapjes së veprimeve të neveritshme dhe shtrirjes së akteve të pamoralshme, lidhur me këtë mund të meditojmë rreth ajetit kuranor ku Allahu xh.sh. ka thënë: “Ata që mohuan të vërtetën nga Beni Israilët, u mallkuan prej gjuhës së Davudit dhe Isait, të birit të Merjemes. Kështu u veprua sepse kundërshtuan dhe e tepruan. Ata ishin që nuk ndalonin njëri tjetrin nga e keqja që punonin. E ajo që bënin ishte e shëmtuar.” (El Maide, 78-79). Ndërsa prej haditheve, hadithi që transmetojnë imamët Buhariu dhe Muslimi, se Pejgamberi a.s. një ditë kishte shkuar i frikësuar te Zejnebja e bija e Xhahshit r.a. duke thënë: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, mjerë për arabët nga sherri- e keqja që është ofruar” Zejnebja me këtë rast e pyeti Pejgamberin a.s. duke i thënë: “O i Dërguari i Zotit, a do shkatërrohemi nëse në mesin tonë ka të mirë?”, Pejgamberi a.s. iu përgjigj duke thënë: “Po, nëse e keqja është më e madhe.”
Sikur në çdo epokë, edhe në epokën tonë, indirektja do ta ketë ndikimin më të madh sesa ajo që është direkte. Pengimi i ndonjë fenomeni nëpërmjet veprimit është më i fuqishëm sesa përmes fjalës. Gjithashtu lëvizja pozitive është më e rëndësishme sesa një pozicion i zbehtë protestues. Qëllimet e mira dhe aktiviteti intensiv kanë vlerë në çdo kohë, nuk ka shpërblim për virtytin e sinqeritetit përveç suksesit të bekuar.
Prof. dr. Abdulkerim Bekkar
Përktheu: Mr. Vedat Shabani