Bazat e pedagogjisë kuranore (3)

 


Si e edukon personalitetin shoqëror Islami 


Kur'ani - kerim ka vendosur parime të përgjithshme, mbi të cilat duhet të bazohet shoqëria njerëzore, ku do të formohet një individ i shëndoshë, ku do të ketë mundësi t'i kryejë obligimet e veta, të jetojë me një jetë njerëzore në gjirin e familjes e të bashkësisë së vet, më tej: në gjirin e ymetit të tij musliman, e edhe më tej: në gjirin e gjinisë njerëzore, pavarësisht në cilën kohë dhe në cilin vend do të jetonte ai individ. 
Bashkimi i parë dhe gurthemeli ku mbështet shoqëria islame, është familja, së cilës Islami i kushtoi kujdesin dhe vëmendjen më të madhe. Familja, në këtë mësim, është përfshirë në sistemin shoqëror dhe nëpërmjet saj, njeriu plotëson nevojat e veta njerëzore dhe shoqërore, e në të njëjtën kohë, Islami i obligon të gjithë muslimanët me këtë sistem, pa i lejuar asnjë anëtari të bashkësisë muslimane të bëjë as edhe një hap jashtë parimit të atij sistemi.
E institucioni më i rëndësishëm (nizam) i familjes është martesa (zevvaxh) për ç'arsye edhe Islami e ka furnizuar këtë institucion me të gjithë faktorët e suksesit dhe vazhdimësisë, kënaqësisë dhe aftësimit të bashkëshortëve që t'i kryejnë obligimet e tyre shoqërore. Në radhë të parë, Islami vendosi kufizime për djaloshin dhe vajzën në zgjidhjen e bashkëshortit të vet dhe para tyre caktoi standarde të njëjta: secili duhet të gjejë tek pala tjetër atë që dëshiron, ndërsa që të dy duhet të synojnë që me martesën e tyre të bëjnë vepra të mira dhe t'i afrohen Zotit (xh. sh.). 
Në themel të asaj zgjedhjeje qëndron besimi (feja) i bashkëshortëve - si bazë e familjes së lumutur, e cila mund të luajë atë rolin në shoqërinë muslimane që prej saj e kërkon i Lartësuari, lidhur me të cilin Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë: `Gruaja martohet në bazë të besimit të saj, pasurisë së saj dhe bukurisë së saj; merre atë që ka besim, se do t'i kesh të gjitha!` (transmeton Termidhiu me sened të Xhabirit, e ai nga i Dërguari); pastaj: `Nëse ju vjen dikush, me besimin dhe edukimin e të cilit jeni të kënaqur, martohuni me të, e nëse nuk e bëni këtë, në tokë do të krijohet përçarje(fitne) dhe rrëmujë (fesad)` (Tirmidhiu, me sened të Ebi Hatima el-Mudhnia, r.a.). 
Kur'ani-kerim në lidhje me familjen ka vendosur dispozita universale, me qëllim që ajo te jetë e fortë dhe në të jeta të kalohet me kënaqësi; në këtë qëllim Kur'ani flet mbi të drejtat dhe obligimet e bashkëshortëve, pastaj sjell norma të rregulluara për mënyrën e shkurorëzimit dhe të lëshimit të gruas, pastaj sjell arsye dhe dispozita për martesën me shumë gra (te'addudu'z-zevxhat) - të gjitha këto me qëllim që të bëjë të mundur kënaqësinë në jetën familjare, në mënyrë që ta mbrojë familjen dhe që të evitohen goditjet dhe shqetësimet në të, që në të fëmijët të zhvillohen pa vështirësi e trauma. 
Duhet ditur se Islami e çliroi familjen nga shtypjet e xhahilijjetit, nga përbuzja dhe poshtërimi i saj në të dhe në sisteme të tilla në çfarëdo forme që do të paraqitej xhahilijjeti; që Islami familjes i dha pozitë të nderuar dhe që nëpërmjet familjes ai dëshiron të realizojë një jetë të lumtur dhe të këndshme edhe në këtë botë edhe në tjetrën, dhe e bëri gjynah çdo dalje nga rrethi i caktuar dhe meritë për dënim në të dy botët. 
Në edukimin e personalitetit shoqëror, Islami nuk u ndal në kufirin që mbaron me familjen, por e kaloi atë kufi duke përfshirë në mënyrën më të gjerë, edhe bashkësinë ku jeton njeriu, bashkësi që duhet të jetë e lidhur me lidhje të veçanta të brendshme; Islami në këtë fushë mbështetet në pastërtinë e bashkësisë (xhema'ah) dhe pengimin e çdo forme të sëmundjeve dhe goditjeve shoqërore në pastërtinë e përmendur. Morali, që mbron Islami, sjellja ndërmjet njerëzve, veprat e tyre, traditat, ndalesat dhe urdhëresat … të gjitha këto funksionojnë për të vendosur lidhjet më të mira mbi të cilat është e mundur të realizohet mëshira, ndihma, obligimet dhe bashkëpunimi i ndërsjellë ndërmjet pjesëtarëve të bashkësisë. 
Islami i edukon pjesëtarët e tij në frymën e vlerave të sipërpërmendura, me të cilat konkretizohet bindja (ita'ah) ndaj Zotit, dhe nga ana tjetër, shpalli të qortuar çdo gjë që rrënon ato vlera, që shpien në përçarjen e bashkësisë, në mosunitetin e saj, mbylljen, frymën e urrejtjes dhe izolimin etj., gjë që vetvetiu është e mjerë dhe e përbuzur. Në suren El-Huxhurat, Kur'ani sulmoi me iritimin më të madh konfliktet brenda bashkësisë, kërkoi pajtimin e palëve të grindura, kërkoi përkrahjen e palës së drejtë, e pastaj sulmoi ashpër ata që spiunojnë të tjerët, ata që bartin fjalët e huaja, shpifin dhe përgojojnë, etiketojnë të tjerët me emra të këqij etj.; veprat e këtilla janë shkaqe të përçarjes dhe urrejtjes në shoqëri. 


Sistemi shoqëror islam 


Në një sure të Kur'anit, në suren En-Nisa', është dhënë sistemi shoqëror, të cilin e kërkon Islami prej njerëzve; ky është një sistem që nuk e jep asnjë sistem tjetër juridik; sistem që është më universal se çdo sistem tjetër.
 Ajo është surja e katërt në radhitjen e Kur'anit; e shpallur në Medine pasi qenë vendosur muslimanët në këtë qytet, e pastaj e ngritën bashkësinë e tyre, e cila dallohej nga bashkësia e shirkut, kufrit dhe xhahilijjetit, e edhe nga bashkësia e hebrenjve dhe të krishterëve. 
Nëse do ta ndjekim radhitjen e ajeteve lidhur me sistemin shoqëror që vendos, Kur'ani në këtë sure sjell si më poshtë: 
- vërteton se të gjithë njerëzit, gjininë njerëzore si të tillë, e krijoi një i njëjti Krijues "min nefsin wahidetin - prej një shpirti" dhe që marrëdhëniet midis njerëzve janë të bazuara në institucionin e familjes, nëpërmjet së cilës i lidh ndjenja e mëshirës; 
- urdhëron kujdes të veçantë për jetimët dhe ua tërheq vërejtjen atyre që do ta shpërdoronin pasurinë e tyre, pastaj obligon që pasurinë e tyre ta mbrojnë anëtarët më seriozë dhe më të drejtë të shoqërisë muslimane; 
- vendos të drejta për bashkëshortët në jetën e familjes së drejtë, e cila jeton në gjirin e mëshirës; 
- kërkon nga bashkësia që pasurinë private të muslimanit ta konsiderojë si edhe pasurinë e bashkësisë dhe ua ndalon personave me të meta të kufizuara mendore të administrojnë pasurinë duke caktuar kujdestarë për pasurinë e tyre; 
- vendos standarde të drejta dhe obligime të rrepta për trashëgimi, në mënyrë që të mos jetë e mohuar as e cenuar e drejta dhe pjesa e askujt në trashëgim; mendohet në trashëgiminë, që u takon pasardhësve meshkuj e femra, fëmijëve, pleqve…në lidhjen horizontale dhe vertikale farefisnore; 
- mbron bashkësinë nga të këqijat e prostitucionit e homoseksualizmit dhe lavdëron vendosjen e lidhjeve martesore; - forcon respektin ndaj gruas, e cila ruan pasurinë dhe nderin e familjes së vet; 
- evidenton pengesat martesore (në aspektin e `breznive`, kush me kë s'mund të lidhë martesë e të ngjashme); 
- konfirmon obligimet e njerëzve ndaj pasurisë së tyre; 
- lavdëron bamirësinë ndaj prindërve; 
- kritikon koprracinë dhe lavdëron dhënien e pasurisë në rrugën e Zotit (xh. sh.); ndalon alkoolin; 
- urdhëron pastrimin fetar; 
- urdhëron përmbushjen e amanetit që i jep njeriu anëtarit tjetër të bashkësisë së vet; 
- urdhëron gjykim të drejtë dhe drejtësi në çdo veprim; 
- urdhëron bindje ndaj All-llahut (xh. sh.) dhe ndaj Pejgamberit (s.a.v.s.); 
- analizon raportet e muslimanëve me hipokritët; 
- ndalon gjakderdhjen dhe cakton pasoja juridike për vrasjen pa paramendim;
- i mëson muslimanët që t'i shmangen jetës në rrethana që janë poshtëruese për ta; urdhëron shpërnguljen kur të krijohen kushtet për të; 
- flet mbi organizimin e luftës dhe faljen e namazit në luftë; 
- thekson se ky sistem shoqëror është vetëm pjesë e sistemit apo nizam-it, të cilin e ka vendosur i Lartësuari në Gjithësi; 
- shpjegon që marrëdhënie miqësore (welaje) mund të vendosen vetëm ndërmjet besimtarëve, e jo me të tjerët 
- për arsye se ata nuk mbështeten mbi bazën e përbashkët të tevihidit me besimtarët; 
- i ndalon muslimanët t'i ndjekin ata që nuk besojnë dhe që dëshirojnë t'i largojnë nga Islami; 
- thekson që pastërtia e bashkësisë muslimane arrihet me të evituarit e çdo fahishe-je , vepre të keqe: gënjeshtrës, shpifjes, përgojimit; 
- qorton debatet e panevojshme brenda bashkësisë muslimane; 
- dënon veprimatrinë me kamatë që prish marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, shkakton smirë e urrejtje, poshtëron disa - të varfrit dhe të dobëtit, ndërsa të tjerët - të pasurit, i bën fodullë; 
- thekson lidhjen e njëjtë të të gjithë të dërguarve - në mënyrë që besimtarët, muslimanët dhe pjesëtarët e Librit, hebrenjtë dhe të krishterët, të mund të bashkohen rreth Fjalës së përbashkët dhe në këtë bazë t'i ndërtojnë marrëdhënëniet ndërmjet bashkësive dhe individëve të tyre; 
- sjell dispozita mbi kelalen, d.m.th. në rastin kur pas vdekjes së burrit apo gruas nuk mbeten as prindër as fëmijë dhe kur vllëzërve dhe/ apo motrave të tij/ të saj i takon një pjesë e trashëgimisë së tij/ të saj, gjë që Kur'ani e thekson me saktësi, etj.


 Edukimi i personalitetit politik (et-terbijutu's-sijasijje) 


Fakti kryesor që duhet të rrënjosin edukatorët në vetëdijen e atyre që edukojnë, është që Islami është mësim i plotë, i përkryer (ElMa'ide, 3), prandaj çdo diskutim nëse Islami ka lidhje me aktivitetet politike apo jo, bie. Islami përfshin në mënyrë shumë të theksuar edhe këtë aktivitet njerëzor, ai është shprehimisht fe politike, d.m.th. ai ka dimensionin e vet të theksuar politik, ndërsa Muhammedi (s.a.v.s.), si shembull i besimtarëve, formoi edhe shoqërinë muslimane dhe bashkësinë politike muslimane në Medine, e cila në Kur'an është karakterizuar si `bashkësia më e mirë që është paraqitur në Tokë.` 
Islami, pra, ka sistemin e tij origjinal të plotë të jetës. Në sferën politike, kjo fe refuzon veprimin jashtë rregullave dhe dispozitave të Kur'anit dhe synetit, refuzon sundimin e njerëzve dhe drejtimin e punëve e resurseve publike sipas hamendjes arbitrare dhe pasioneve, dhe në këtë kuptim i Lartësuari këshillon:
"Pastaj, Ne të caktuam një rrugë të drejtë të fesë, pra ti ndiqe atë e mos paso dëshirat e atyre që nuk dinë,/ sepse ata nuk mund të të mbrojnë nga dënimi i All-llahut; zullumqarët janë miq të njeri-tjetrit, kurse All-llahu është mbrojtës i besimtarëve të devotshëm." (ElXhathije, 18 - 19); pastaj: 
"Dhe gjyko në bazë të asaj që ta zbriti All-llahu, e mos ndiq tekat e tyre dhe ruaju prej atyre që të të mos shmangin nga një pjesë e asaj që të shpalli All-llahu…" (El-Ma'ide, 49) 
Buhariu me senedin e vet transmeton që El-Hasen ka thënë: `All-llahu (xh. sh.) ua ndalon sundimtarëve: t'i ndjekin pasionet e tyre, t'ua kenë frikën njerëzit dhe që ajetet e Tij t'i shesin për gjëra që vlejnë pak`, e pastaj lexoi:
"O Davud, Ne të kemi bërë sundimtar në tokë, prandaj gjyko me drejtësi mes njerëzve dhe mos shko pas dëshirave, se ato të largojnë nga rruga e All-llahut. Ata që largohen prej rrugës së All-llahut i pret dënim i rëndë për shkak se harruan ditën e përgjegjësisë". (Sad, 26) 
Ndërsa ata që si sundues marrin diçka që nuk u takon, të cilët përfitojnë nga rasti që të fitojnë diçka jashtë dispozitave të Sheriatit, Islami i akuzon, i kërcënon dhe i përgëzon me këto fjalë kur'anore: 
"…sepse Zoti yt është, vërtet, në pritë". (El-Fexhr, 14); 
" E kush respekton shenjtëritë e All-llahut, do t'i përjetojë të mirat e Zotit të vet.” (El-Haxhxh, 30) 
Sistemi politik islam, në të vërtetë, është i drejtë, ndërsa ligji i tij është i përkryer; edhe njëri edhe tjetri qëndrojnë mbi ato themele, të cilat nuk ndërrojnë sipas kohës dhe vendit, e në përgjithësi mund të thuhet që ky sistem mbështetet në themelet vijuese: në drejtësi (eladl), në bamirësi (el-ihsan) dhe në marrëveshje reciproke (esh-shura). Këto tri themele obligojnë edhe qeveritarin edhe shtetasin e tij, këto tri themele i realizuan të dërguarit e Zotit dhe për to janë dërguar, sikurse thotë i Lartësuari: 
"Ne i dërguam të dërguarit tanë me argumente të qarta dhe përmes tyre zbritëm Librin dhe Terezinë që të veprojnë njerëzit me drejtësi (lijekume'n-nase bi'l-kist)" (El-Hadid, 25)". 
Kështu, Islami për shtetin caktoi program dhe sistem, të cilët gërshetohen dhe bashkëveprojnë në mes vete dhe në bazë të kësaj realizohet bashkëpunimi mes shteteve, sikurse edhe për ata që nuk janë muslimanë, por janë shtetas të shtetit me rendin islam, i ka përkufizuar të drejtat dhe obligimet e tyre. 
Në një shtet të tillë çdo musliman e muslimane i di të drejtat dhe obligimet e veta sikurse i di edhe qeveria, të cilën e zgjedhin qytetarët me votën e lirë dhe e cila është e obliguar t'i zbatojë detyrimet e veta. 
Në rendin e tillë çdo individ e di pozitën e vet, sikurse e di edhe qeveritari dhe të gjithë ata që marrin pjesë në qeveri. 
Në dallim, të themi nga akide-ja, ibadeti dhe ahlaku, që nuk ndërrojnë me ndryshimin e kohës e të vendit, jeta politike ndërron me ndryshimin e rrethanave, prandaj rendi, që vendos Islami, duhet patjetër t'i nënshtrohet reflektimit të lirë të dijetarëve dhe ekspertëve muslimanë, të a.q. muxhtehidë.
E meqë ekonomia është ndër profesionet më të rëndësishme në politikë, Islami i mëson pjesëtarët e vet me dispozitat vijuese: 
- ndalimin e fajdesë (ihtikar); - ndalimin e magazinimit të mallit në kohën e skamjes me qëllim të shantazhimit të konsumatorëve dhe të ngritjes së çmimit të lartë në mënyrë enorme; 
- ndalimin e përtacërisë për cilindo që është në gjendje të punojë;
 - urdhërimin që kapitali të qarkullojë ndër të gjithë anëtarët e shoqërisë, e jo vetëm ndër të pasurit; 
- urdhërimin që kategoritë vijuese të popullit: 
të varfrit, invalidët dhe të pastrehët, të ngarkuarit me borxhe, udhëtarët që kanë mbetur pa mjete, të burgosurit, mbledhësit shtetëror të zekatit si dhe çdo aksion në `rrugën e Zotit`, kanë pjesën e tyre vjetore në pasurinë e të pasurve, të paktën 2,5 % nga pasuria e tyre - dhe kjo në nivel të mbarë Ymetit, e kjo pjesë mund të rritet në rast nevoje të domosdoshme, kur autorizohet i pari i muslimanëve apo bamirësi më i mirë në mesin e tyre, ta shpërndajë në mënyrën më të mirë. 
Qeveria e zgjedhur në mënyrë të lirë është e obliguar t'u përmbahet dispozitave juridike të Kur'anit dhe të synetit të Pejgamberit të All-llahut (s.a.v.s.), të punojë vazhdimisht për të mirën e përgjithshme të muslimanëve dhe të evitojë çdo formë të fesadit (rrëmujës) në shoqërinë e tyre. 
Të gjithë janë të obliguar t'u përmbahen këtyre parimeve, si qeveria ashtu edhe individët. 
Në këtë frymë, edukatorët do t'i edukojnë gjeneratat e reja dhe do t'ua mbjellin atyre të kuptuarit e këtillë të politikës - me qëllim që të jenë pjesëmarrës në ndërtimin e jetës, që do të ishte në harmoni me pozitën që i dhuroi qenies njerëzore i Lartësuari. 


Si edukon Islami personalitetin politik 


Muslimani duhet ta dijë se ai nuk është sikur njerëzit e tjerë dhe se nuk mund të jetojë i vetëm - pa familje, xhemat, shtet. Ai duhet të jetë gjithmonë i vetëdijshëm se i takon një bashkësie të madhe muslimane, Ymetit të Muhammedit (s.a.v.s.) - që është shumë i madh si dhe njerëzit të cilët jetojnë në një hapësirë shumë të madhe të planetit të Tokës. 
Ai duhet të jetë gjithashtu i vetëdijshëm që edukimi i tij politik islam dallon prej çdo edukimi tjetër. 
Ja cilat janë tri pikat e rëndësishme nga kuptohet esenca e edukimit politik islam: 
- formimi i vetëdijes politike te muslimanët; 
- aktivitetet më të rëndësishme që kërkohen nga muslimani në sferën politike;
- të drejtat dhe obligimet e sundimtarit dhe shtetasve - në përpjekjet që të arrihet vullneti i All-llahut dhe të meritohet ndihma e Tij. 


Formimi i vetëdijës politike tek muslimanët 


Kjo vetëdije nuk mund të formohet përderisa muslimanët të mos fillojnë të bëjnë pastrimin e vetëdijes së tyre nga mashtrimet dhe lajthitjet politike të kohës së tyre. 
Aso mashtrimesh përmbajnë parullat e të kuptuarit perëndimor të demokracisë: të vëllazërimit, lirisë dhe barazisë; muslimanët duhet ta dinë se këto janë fjalë boshe që Ymetit musliman nuk i sollën asnjë nga vlerat e përmendura, dhe që po ato vende që i proklamuan ato parulla zhvilluan luftëra koloniale kundër popujve muslimanë, i eksploatuan e vazhdojnë edhe sot t'i eksploatojnë, dhe nuk lejuan standarde të njëjta për popujt muslimanë, si ato që i realizuan për qytetarët e tyre. 
Të vërtetat politike dhe mashtrimet politike më të mëdha në rrethanat tona, në këto dhjetë dekada, janë, sipas mendimit tonë, si vijon: multietniciteti, sipas të cilit në Bosnjë do të ketë gjithnjë e më pak muslimanë, ndërsa ata që mbijetojnë do ta humbasin gjithnjë e më shumë identitetin islam - nëse All-llahu (xh. sh.) nuk do të ngrejë në Bosnjë një gjeneratë të re me një mendim dhe veprim të ri politik, d.m.th. islam, dhe që nuk gjykon tjetërfare. i ashtuquajturi `plagjiat i historisë`, sipas të cilit gjeneratat e këtij shteti nuk e dinë se Bosnja multietnike lindi falë ardhjes së Islamit aty dhe qëndrimit të tij tolerant ndaj ehl-i kitabijve, të krishterëve dhe hebrenjve, të cilët në besim janë më të afërt me muslimanët. Të kuptuarit komunist të multietnicitetit është i mundur vetëm në dëm të muslimanëve. Agresioni dhe gjenocidi ndaj popullit tonë ka qenë i mundur vetëm për shkak se jemi muslimanë. Edhe më tej bëhen plane kundër muslimanëve – me gjithë parullat e mëdha mbi demokracinë dhe të drejtat e njeriut dhe Evropën e bashkuar. Politika e simetrisë nacionale shkon në atë drejtim që muslimanëve t'u imponojë fajin e paqenë të fundamentalizmit dhe korrupsionit - në mënyrë që revolucioni i tyre popullor çlirimtar i fundit, i frymëzuar nga Islami dhe tradita boshnjake, ta humbë kapitalin e tij moral dhe me qëllim që të relativizohen apo të justifikohen krimet e fqinjëve tanë. Autoritetet morale të këtij populli bastardohen nga gazetaria mercenare, të padenjët avancohen, ndërsa të denjët dëbohen nga jeta politike e shoqërore - me qëllim që të dekurajohen muslimanët për t'u organizuar politikisht mbi baza nacionale e fetare, në mënyrë që ta kryejnë vetë punën e armiqve të tyre të fshehtë. Krimet ndaj muslimanëve relativizohen ose shlyhen nga kujtesa e gjeneratave të reja. Zbatimi i Islamit autentik në mediat sekulariste detektohet si rrezik për marrëdhëniet ndërnacionale e ndërfetare, ndërsa sipas kriterit të drejtuesve të rinj të Bosnjës, vetëm Islami si "çështje private" apo si intimitet i individit, vetë Islami i këtillë ka lejekalim shoqëror, etj. 
Ideja kryesore politike, të cilën duhet ta kenë të edukuarit në vetëdijen e tyre, është që vetëm Islami qytetarit dhe popujve u sjell lirinë e vërtetë; që Islami është revolucion permanent, ndërsa La ilahe il'lallah thirrja më revoluconare kundër çdo forme të robërisë dhe tiranisë në historinë njerëzore dhe që Islami mbron liritë dhe të drejtat e mëposhtme: 
- të drejtën e lirisë së mendimit; të drejtën e lirisë së besimit; të drejtën e lirisë së punës; të drejtën e lirisë së shprehjes; të drejtën e lirisë së pronës private dhe të administrimit të asaj prone; të drejtën për të fituar; të drejtën e lirisë së lëvizjes. 
Obligimet e muslimanit në sferën politike janë: 
- obligimet ndaj bashkësisë ku jeton, dhe puna për të mirën e saj, si dhe evitimi i çdo dëmi që do të mund t'i ndodhte asaj; 
- obligimet ndaj gjithë Ymetit islam dhe puna në forcimin dhe rritjen e tij në të gjitha sferat; 
- obligimet ndaj dini-islamit dhe puna në forcimin e këtij dini në jetën e njerëzve si dhe veprimi sipas parimeve të Sheriatit… 
Lidhur me këtë, këto obligime çdo musliman do t'i kryejë aq sa ka mundësi, meqë i Lartësuari nuk e ngarkon askënd jashtë mundësive të tij, në pajtim me ajetin: 
"Ai nuk ju obligoi në fe me ndonjë vështirësi`. (El-Haxhxh, 78); 
`All-llahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësive të tij". (El-Bekare, 286) 
Obligim i veçantë i muslimanit është që me njerëzit, si me ata që i ka të afërm, ashtu edhe me ata që nuk janë në farefisni me të, ose nuk janë pjesëtarë të bashkësisë së tij, të sillet në pajtim me dispozitat e ihsanit bamirësisë, sikur thotë i Lartësuari: "…dhe bëni mirë, se me të vërtetë All-llahu i do bamirësit" (ElBekar, 195); 
`Dhe All-llahu, për atë që ka thënë, do t'i shpërblejë me xhennete, nën të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përgjithmonë. Ky është shpërblim për njerëzit bamirës." (El-Ma'ide, 85) 
Obligimet të tjera: 
- Të vepruarit me drejtësi dhe të udhëhequr nga e vërteta në çdo punë, sikurse thotë i Lartësuari: 
"All-llahu ju urdhëron që punët me përgjegjësi (amanetet) t'ua jepni kompetentëve dhe kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni me drejtësi në mes njerëzve. Me të vërtetë, sa e shkëlqyeshme është këshilla e All-llahut. All-llahu dëgjon dhe sheh çdo gjë." (En-Nisa', 58). 
Të vepruarit me drejtësi është obligim i individit, qeverisë dhe gjithë Ymetit, si ndaj të afërmve edhe ndaj më të largëve, miqve edhe armiqve, besimtarëve dhe jobesimtarëve - për shkak se të vepruarit me padrejtësi shkakton urrejtje dhe rrëmujë, gjakderdhje dhe luftëra, dhe për arsye se drejtësia është më afër devotshmërisë. 
Të drejtat e sunduesit musliman janë: 
- të sundojë; të kërkojë dëgjueshmëri për çdo gjë nga shtetasit e tij, përveç për të mëkatuar ndaj All-llahut (xh.sh.); të ofrojë ndihmë morale dhe materiale; Ndërsa obligimet e tij janë: 
- të gjykojë në bazë të asaj që e ka shpallur All-llahu (xh. sh.); të zbatojë drejtësinë; të bëjë konvokimin e shurës (këshillit) dhe të veprojë sipas vendimmarrjes; t'i përmbahet ihsanit (bamirësisë); të punojë për të mirën e përgjithshme dhe të evitojë çdo formë të rrëmujës (fesad-it); të mbrojë sigurinë e shtetit dhe të njerëzve; të jetë në gatishmëri me forcat ushtarake dhe me forca të tjera në rast të ndonjë sulmi armiqësor; të urdhërojë për të mirën e të luftojë kundër së keqes; dhe ta përhapë Islamin ndër njerëzit.


Nevoja për pedagogjinë kuranore në kohën tonë 


Imamët dhe mësuesit fetarë janë vverethetu'l-enbija', `trashëgimtarë të pejgamberëve të Zotit`, edukatorë të gjeneratava tona të reja bashkë me prindërit. Të gjithë të dërguarit, duke edukuar bashkësitë e tyre, përveç shpalljes së tewhidit, njëkohësisht duhej të njihnin shirkun e kohës së tyre dhe të bënin luftë kundër tij në mënyrë që Fjala All-llahut (xh.sh.) të ishte më e larta. (Et-Tevvbe, 40) 
Cili është shirku i kohës sonë dhe si mund t'i shpëtojnë prej tij brezat boshnjakë - është çështje në vazhdim. 
Sipas leksikografëve të Kur'anit (psh. Ragib Isfahani), shirk është “çdo gjë që të shmang nga Rruga e All-llahut”. 
Në këtë kuptim, shirku i kohës sonë do të mund të përmblidhej në katër nocione: (neo)komunizmi/ titoizmi, modernizmi, shekullarizmi dhe ateizmi vulgar. 
Komunizmi si botëkuptim agresiv, ateist dhe titoizmi si konkretizim i tij në formë instrumenti të fshehur politik të shtypjes dhe i ateizmit të deridjeshëm të boshnjakëve dhe i manipulimit gati të pathyeshëm me vetëdijet e tyre, pasi u flak nga të gjithë popujt që jetuan në ish-Jugosollavinë, u imponohet gjeneratave të reja boshnjake me përpunime të reja, para së gjithash politike dhe në interpretimin e shtrembëruar të historisë bashkëkohore. Me fjalë të tjera, për krimet e titoizmit mbi boshnjakët dhe gulçimin e vetëdijes së tyre fetare, e në mënyrë më drastike të asaj islame dhe nacionale dhe çrrënjosjen e kulturës e civlizimit islam, gjeneratat e reja gati nuk dinë asgjë. Josip Brozi edhe sot u servohet gjeneratave boshnjake si model identifikimi - në vend të Muhammedit (s.a.v.s.). 
Modernizmi dhe shekullarizmi janë dy nocione semantikisht të ndëthurura. Edhe njëri edhe tjetri, historikisht lidhen me Krishterimin dhe Kishën e tij, e derivatet e tij stërpikën edhe boshnjakët me përmbajtjet e tyre primitive.
Modernizmi ka qenë emër për të tashmen e krishterë në shekullin e 5-të, pas rënies së Perandorisë Romake, në krahasim me të kaluarën romake pagane. Nga pikëpamja filozofike i dha kuptim I. Kanti me idenë e tij të subjektivizmit, sipas së cilës për çdo gjë që nuk është në mundësinë e të kuptuarit njerëzor, nuk mund të japësh gjykim. Kanti nuk e mohoi besimin(fenë), por kërkoi pajtueshmërinë e tij me arsyen (mendjen) moderne. 
Me kohë modernizmi u bë, sipas Renanit, i pakufizuar; çdo gjë tek ai u bë e lejuar; shoqëria moderne u lirua nga të gjitha prangat e shoqërive dhe religjioneve të vjetra. Mendja, më herët, që me fillimin e renesansës, u bë arbitër suprem: e vërtetë është vetëm një gjë, ajo që e shpall Cogito, të vërtetë; ajo është e vërteta pozitiviste, ndërsa flaken çështjet metafizike.
Njësoj sikur në shekullarizëm, edhe në modernizëm fesë nuk i lejohet të përzihet në rregullimin e çështjeve shoqërore dhe politike. 
Sipas Harvveyu Coxu, modernizmi perëndimor mbështetet në pesë shtylla, që janë: shteti bashkëkohor nacional; teknologjia shkencore e prodhimit; racionalizmi burokratik si parim i organizimit shoqëror; maksimalizimi i profitit dhe shekullarizimi i shoqërisë. 
Shekullarizmi (lat. Saeculum - këtu dhe tani) si drejtim i të menduarit, fillimisht u përpoq të kuptimësojë `etikën universale jashtë teizmit dhe ateizmit`, por me kohë u shndërrua në lëvizje kryesisht antireligjioze, në çdo rast, në lëvizjen që ndalon kategorikisht hyrjen e religjionit në sferën e çështjeve dhe raporteve shoqërore e politike. Si botëkuptim, shekullarizmi refuzon çdo çështje mbi transhendentalen, propagandon agnosticizmin ose përfundon tek ai, pastaj deizmin si pikëpamje religjioze, në bazë të cilës Zoti apo ndonjë Fuqi Supreme e ka krijuar botën, por Ai nuk mban parasysh jetën indivduale a shoqërore, nuk ekziston jeta përtej varrit as përgjegjësi për veprat e bëra. 
Në rrethanat tona, modernizmi imponohet në formë miti mbi shkencën, që e vetmja i bën të lumtur njerëzit dhe mund të zgjidhë çdo krizë, kurse shekullarizmi dhe ateizmi vulgar janë vërsulur mbi ne nga të gjithë ekranet, radio-programet dhe gati nga të gjitha mediat e shkruara. Propagandimi i jetës së këndshme, fitimit të lehtë, botës së qejfeve e të argëtimeve, udhëtimeve turistike, plazheve, trupave lakuriqë, lojërave, ushqimit të `shëndetshëm`, jetës së lirë jashtëmartesore, konsumimit…; ` më lejo të jetoj, të tjerët le të vdesin`, obsesioni pas trupit, grumbullim i profiteve, indiferentizmi ndaj çdo çështjeje mbi Zotin, Ahiretin, hisab-in (dhënien e llogarisë Ditën e Gjykimit), Xhennetin dhe Xhehennemin… - këta janë brithët e këtyre `religjioneve tokësore` që nga ora në orë, ditë e natë, pushtojnë vetëdijen e brezave të rinj boshnjakë dhe bëhen obsesioni tyre. 
Kur e përdor Kur'ani termin alihe, hyjni, me këtë ai nënkupton çdo gjë që duhet, çdo gjë që bëhet obsesion i individit dhe shoqërisë. Disa hyjni bashkëkohore sapo u përmendën; kibla e tyre është - nëse këtë nocion e kuptojmë si sistem vlerash - diku në Perëndim, gjithsesi jo në Mekë.
Pedagogjia kuranore ka për qëllim që boshnjakët t'i `nxjerrë nga errësira në dritë`, nga idhujtaria e përshkruar në sferën e tevvhidit, që para brezave boshnjakë të vendosë Kiblen e vërtetë. 
Në këtë rrugë, conditio sine qua non është edukimi i ruhut; këtë nuk e bën asnjë pedagogji shekullariste. 
Neve ky aspekt i edukimit na duket tepër i rëndësishëm edhe sepse imamët dhe mësuesit fetarë duhet t'ua prezantojnë brezave tanë pikëpamjen islame mbi njeriun, një nga çështjet kruciale të çdo filozofie dhe botëkuptimi. 
Brezave tanë u ofrohen pikëpamjet vijuese mbi njeriun: pikëpamja komuniste homo faber - qenie e punës, ose Prometeu, figura mitike, revolucionari tokësor që kundërshtoi zotat në Olimp; shekullariste homo ludens - qenie e lojës, ngesë dhe argëtimit, e të tjera. 
Në Islam, njeriu është halfetullahi fi'l-erd, përfaqësuesi ose mëkëmbësi i All-llahut në Tokë, qenie, e cila, po, është krijuar nga balta - që asnjëherë të mos jetë mendjemadh dhe kokëfortë (inatçor) para Krijuesit, por edhe qenie, në të cilën banon ruhu, pjesa hyjnore - me qëllim që ta dijë se është qenia më e nderuar dhe më e respektuar në Gjithësi, në mënyrë që, për shkak të kësaj, të jetë krenare dhe në mënyrë që të zhdukë çdo formë të shtypjes dhe tiranisë, çdo formë idhujtarie si burim i jolirisë dhe robërisë së njeriut. 
Në këtë rrugë, islami refuzon ato pikëpamjet (ashtu të pranishme), pak a shumë ekzistencialiste mbi botën e absurdit dhe pakuptimshmërinë e të jetuarit në këtë botë. Njeriu është `argjil me aromë`, kjo botë është më e bukura botë e krijuar, dhe kjo jetë ka kuptim dhe shpresëthotë Kur'ani. 
Për breznitë boshnjakë është me rëndësi jetike që ta pastrojnë trupin e tyre nga harami - në mënyrë që të mund t'i përvetësojnë porositë e All-llahut (xh. sh.) dhe që të mbrojnë shëndetin e bashkësisë sonë nacionale. (Për shembull, hebrenjtë, një popull gjithashtu numerikisht i vogël, që ka përjetuar gjenocide mbi vete dhe pedagogët e të cilit shpëtojnë çdo anëtar të vetin, në kibucet izraelite, kur therin kafshën që e kanë të lejuar sipas ligjit të tyre fetare, mëlqinë e saj e marrin dhe i futin në ujë - që ta kuptojnë nëse ka qenë e shëndoshë kafsha e therur apo jo, dhe atë mish nga kafshët e sëmura e transportojnë, kurse brezat e tyre i ushqejnë me mish të shëndoshë). Pedagogët boshnjakë duhet të jenë të vetëdijshëm ç'do të thotë t'i shpëtosh brezat nga e keqja e alkoolit, e të të droguarit, pirjes së duhanit, mishit të derrit dhe mishrave të tjera të ndaluara, nga devijime seksuale, prostitucioni (zinaja) etj. `Nganjëherë, shkruante M.Gazali, ndodh që të mëkatuarit bëhet traditë shoqërore, që më pastaj të legalizohet e të bëhet e zakonshme, dhe ata që nuk mëkatojnë bëhen objekt talljeje e përqeshjeje, ndërsa ata që i bëjnë ato mëkate, avancohen dhe popullarizohen; i këtillë ishte qytetërimi në kohën e Lutit (a.s.) - mëkatarët e të cilit i dëbuan besimtarët nga qyteti; i tillë eshtë edhe qytetërimi modern i Perëndimit, i cili në dukje i magjeps njerëzit, por në themelet e veta është i kalbur, me të gjitha të ligat`. 
Detyra vijuese shumë e madhe e imamëve dhe mësuesve tanë fetarë është që ta shpëtojnë familjen boshnjake; ajo, me valën e madhe të idhujtarisë së përmendur, gjithashtu është në krizë dhe ka filluar të përmbytet. Koncepti islam i familjes është plotësisht i ndryshëm nga ai që po imponon Perëndimi i shekullarizuar. Familja jonë u rrënua nga gjenocidi, shumë fëmijë mbetën pakujdesje, shumë martesa dështojnë, shumë muslimanë e muslimane martohen gabimisht, dhe shumica nuk i edukojnë fëmijët e tyre në islam! 
Dhe së fundi dhe me rëndësi më të madhe: edukimi i ri duhet të ketë patjetër dimensionin politik - në mënyrë që boshnjakët, për shkak të manipulimeve dhe inkoshiencës politike, të mos jenë viktimë e një gjenocidi të ri, as mish për top për luftërat e huaja, e as debilë që punojnë në dobi të dëmit të vet dhe për llogari të armiqve të tyre të hapët e të fshehtë. Që të mos jenë të tillë, mendja e tyre duhet të bëjë sexhde para Krijuesit - në mënyrë që rezultatet e sakrificave tona intelektuale të mos hedhin Ymetin tanë në kurthat shejtanore, në shkatërrimin në këtë botë dhe në botën e ardhshme. 


Literatura mbi pedagogjinë islame 


Në gjuhën arabe: 
- Ebu Hamid Muhammed el-Gazali, Ihja' 'ulumi'd-din, Kajro, 1969. 
- Ebu Abdil'lah Muhammed ibni 'Alijji'l-Hakim et-Termidhi, ElEmthal mine'l-Kirab we's-sunne, Kajro, pa vit botimi. 
- Ahmed Emin, Kitabu'l-Akhlak, Bejrut, 1969. 
- Ahmed Zeki Salih, 'Ilmu'n-nefsi't-terbewijeti, Kajro, pa vit botimi. 
- Ahmed Shelebi, Et-Terbijetu'l-islamijje, bot. 5, Kajro, 1978. 
- Ahmed Fuad, el-Ehwani, Et-Terbijetu fi'l-islam, Kajro, 1967. 
- Ahmed Muhammed Xhemal, Din we devle, Bejrut, 1393/ 1973. 
- Esma' Hasen Fehmi, Mebadiw u ' t-terbijeti'l-islamijje, Kajro, 1366/ 1947. 
- Et-Tehami Nefre, Sikuluxhijjetu'l -kisati fi' l-Kur'an, Algjeri, 1971. 
- Enwer el-Xhundi, Et-Terbijetu we bina ' u l-exhjali fi daw'i' l-islami, Bejrut, 1975. - Bukri Shejh Emin, Edebu'l-hadithi'n-nebewijje, Bejrut, 1395/ 1975. 
- Hasan Ejjub, Es-Suluku 'l-ixhtima'ijju fi'l-islam, Kajro, 1399/ 1979. 
- Seid Ismail Ali, Usulu 't-terbijeti 'l-islamijje, Kajro, 1974. 
- Sejjif Kutb, el-'Adaletu 'l-ixhtima'ijjetu fi'l-islam, Bejrut, 1975.; Nahwe muxhteme 'i islamijjin, Bejrut, 1975. 
- 'Abaz Muhammed 'Akad, El-Insan fi 'l-Kur'an, Kajro, 1978. 
- Abdu 'l-Ganijj Abud, Fi 't-Terbijeti 'I-islamijje, Kajro, 1977.; ElUsretu'l-muslimetu we 'l-usretu 'l-mua'sire, Kajro, 1979. 
- Ali el-Kadi, Menhexhu 't-terbijeti 'l-islamijje, Kajro, 1977. 
- Fuad Sulejman Kalade dhe të tjerë, El-Ehdafu 't-terbewijeti we tahtitu we tedrisu 'l-menahixh, Aleksandria, 1979. 
- Muhammed Ilmu 'd-din, Et-Terbijetu 'l-islamijje, Kajro, 1977. 
- Muhammed Kutb, Menhexhu 't-terbijeti 'l-islamijje, Bejrut, 1980. 
- Muhammed Muhammed Ridwan, El-Wesailu we'l-gajatu fi 't-terbijeti we 't-ta'lim, Aleksandria, 1957. 
- Munir el-Mersi Serhan, El-Hibrtu 'l-xhemalijjetu fi 't-terbije, Kajro, 1973. 


Në gjuhën angleze: 
- Dewey, John, Democracy and Education; The Macmillan Comp., U.S.A., 1968. 
- Hassan, Ibrahim Hassan, Islam, A Religious, Political, Social and Economic Study, Baghdat, 1967. 
- Hutchison, John A., Paths of Faith, Mc Graw - Hill, U.S.A., 1975. 
- Whitehead, A.N., Aims of Education, and Other Essays, London, 1966. 


* * * 


Ky punim është bërë kryesisht mbi bazën e dy burimeve të mëposhtme: 
- 'Ali Abdu 'l-Halim Mahmud, Terbijetu 'n-neshi 'i'l-muslimi, bot. 3, Kajro, 1994.; dhe 
- 'Abdu'l-Xhevad es-Sejjid Bikr, Felsefetu 't-terbijeti 'l-islamijjeti fi 'lhadithi 'sh-sherif, Bejrut, pa vit botimi. Lista e literaturës selektive është marr nga burimi i fundit, ku jepet një literaturë shumë e gjerë mbi fushën e përmendur.


 


Dr. Xhemaludin Latiq
Përktheu: Muhidin Ahmeti
Edukata Islame 67


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme