Dukuria e lypjes në mes nevojës dhe mashtrimit (2)

 


Qëndrimi i Islamit ndaj dukurisë së lypjes dhe trajtimit të lypësit si individ, duhet shikuar nga aspekte të ndryshme, në atë moral, social, dhe shoqëror, po mbi të gjitha nevojiten trajtimi dhe paraqitja e problemit nga pikëpamja fetare. Nëse për çështjet më të imëta jetësore duhet të adresojmë zgjidhjen e tyre duke u bazuar në burimet fetare, atëherë kjo dukuri gjithsesi meriton një qasje më serioze. Në çdo trajtë, si nevojë apo mashtrim, e mirë apo e keqe, përgjigjja duhet të jetë e bazuar.


Dukuria e lypjes, sëmundje apo varshmëri 


Thirrjen e Islamit për humanitet dhe solidaritet me të gjithë ata që kanë nevojë, nuk duhet ta kuptojmë si mundësi të hapjes së derës së lypjes dhe shtrirjes së dorës duke kërkuar, derisa kjo e keqe kalon në sëmundje varshmërie dhe mund të gjenerojë një rrjet kriminaliteti që shprehet në forma të ndryshme. Nuk ka dyshim se ai që bën vepra të liga, mësohet me to, dhe pastaj i trajton si të zakonshme. Besoj se pamjet e ndryshme në shoqërinë tonë janë përgjigjja më e mirë për këtë. Atë që e dirigjon interesi i caktuar, në këtë rast ai material, e shtrin përtokë duke e zhveshur nga vlerat njerëzore dhe virtytet morale. Ai përdhos krenarinë e vet për një çmim shumë të ulët.


Këshilla si sadaka


Sa herë na ndodh që të shohim një njeri të rritur, të aftë fizikisht e psikikisht, me pamje të mirë, i cili afrohet duke u përulur dhe me mimika të ngrysura kërkon lëmoshë. Në rastet e tilla gjithsesi duhet të ofrojmë sadaka, por tani ajo duhet të jetë në formë këshille, qoftë edhe me një fjalë të mirë. Pejgamberi a.s. thotë: "Edhe fjala e mirë është sadaka". Gjersa i thua se po të jap për këtë e atë qëllim, ose e refuzon, do të ishte mirë të mos lëshosh nga rasti të drejtosh këshillën, e cila ndoshta do të bëhej shkak për ndryshimin e karakterit të tij, dhe do t'i shërbente më shumë se ndihma me para.
Një shok i Pejgamberit a.s., Hakijm bin Huzam, thotë: "Kërkova nga Pejgamberi a.s. e ai më dha. Kërkova herën tjetër, e ai më dha e pastaj më tha: "O Hakijm! Vërtet pasuria është e dashur dhe e ëmbël për njerëzit, prandaj ai që e merr -që i jepet- duke qenë i kënaqur shpirtërisht (ai që e jep) do të ketë bereqet në të, ndërsa ai që e merr me insistim (pa dëshirën e atij që e jep), nuk do të ketë bereqet në të. Ai do t'i ngjajë atij që ha e nuk ngopet. Dora e lartë (ajo që jep) është më e mirë se ajo që shtrihet (kërkon)". Hakimi thotë se i paska thënë: "O i dërguar i Allahut! Pasha Allahun, unë, pas teje, kurrë më nuk do të kërkoj asgjë nga askush derisa ta lë këtë botë. Më pas, Ebu Bekri e thërriste Hakijmin që t'i jepte, por ai refuzonte të merrte. Po ashtu veproi edhe Umeri, por as prej tij nuk merrte. Umeri thoshte: "O myslimanë! Dua të jeni dëshmitarë se unë po i ofroj Hakijmit të drejtën e tij nga preja e
luftës, por ai vazhdimisht po refuzon ta marrë". Pas vdekjes së Pejgamberit a.s., Hakijmi nuk mori nga askush asgjë derisa e la këtë botë." (Buhariu dhe Muslimi)


Ndihmë për dalje nga varfëria


Allahu na ka mësuar se në Muhamedin a.s. kemi shembullin më të mirë, e kjo përfshin të gjitha segmentet e jetës. Ai paraqet modelin shembullor si në teori, po ashtu edhe në praktikë. E gjithë ajo që thotë, vepron, ose e pëlqen ai, për ne është ligj që duhet ta marrim si model. Imitimi i tij i jep jetës kreativitetin e duhur, sepse na mëson mënyrën e saktë të veprimit në situata nga më të ndryshmet.
Pse të mos sillemi me lypësin ashtu siç bëri vetë Pejgamberi a.s., që tregohet në hadithin bazë të temës, që e trajtuam në pjesën e parë. Gjersa ai kishte ardhur pranë dhe kishte shtrirë dorën, i Dërguari i Allahut me shumë guxim dhe me mençuri kërkoi (për lypësin) ndonjë burim të mundshëm përfitimi, të cilin ai ndoshta do të mund ta kishte në shtëpinë e vet! A thua cilit nga ne do t'i shkonte mendja se një qilim dhe ibriku i ujit do të mund të ishin objekt përfitimi dhe rrugë për daljen nga varfëria! Vërtet ishte një zgjidhje shumë praktike, që do të mund t'i shërbente shumëkujt nga ne. Bërthama e propozimit ka të bëjë me përpjekjen për ndryshimin e mentalitetit dhe mendimit negativ që kishte sunduar lypësin, i cili nuk shihte rrugëdalje nga gjendja e tillë. Ai mori udhëzimin që të orientohej në një kah tjetër, të punonte dhe të angazhohej duke sjellë të mira për veten dhe familjen. Trajtimi i Pejgamberit a.s. kishte për qëllim zgjidhjen e problemit të tij social në planin afatgjatë, kur ai nuk do të shtrinte më dorën dhe nuk do të ishte barrë e shoqërisë. Ai, me dorën e vet, i vuri bishtin sëpatës dhe mori masa për të ndryshuar gjendjen e tij. Veprimi i Pejgamberit a.s. synonte aktivizimin e tij dhe angazhimin në punë, që ai për një kohë prej pesëmbëdhjetë ditësh, të mos shihej atypari, dhe më pas do të vinte për t'i treguar se si kishin shkuar punët.
Vërtet që projekti kishte pasur sukses, ngase ai me punën e bërë kishte plotësuar nevojat familjare dhe kishte mbledhur ca të holla të tjera. Kishte nisur e mbara.
Shikuar nga pikëpamja jonë, e trajtimit të lypësit, kujt do t'i shkonte mendja që një njeriu të tillë, që nuk posedon më shumë se një qilim dhe ibrik, t'i thuhej të hulumtonte pas rrëskut dhe të fitonte vetë, nga puna e tij!? Gjersa ka mundësinë e fitimit të ligjshëm, në asnjë mënyrë nuk bën të shtrihet dora e lypjes. Gjithsesi, lypësit duhet t'i ndihmojmë dhe t'i japim që të dalë nga kriza e jo t'i ndihmojmë të vazhdojë në varfëri. Besoj se ky është perceptimi më i drejtë, bazo- het fuqishëm në argumente dhe ka mbështetje në trajtimin e Pejgamberit a.s.. Shumë më e ndershme është ta mësosh dikë që të peshkojë vetë, sesa t'i japësh nga një peshk çdo ditë.
Në këtë paraqitje duhet të kemi për mbështetje brumin e tërësishëm të argumenteve fetare, të tubojmë fakte nga përditshmëria e shoqërisë islame, e cila për ne është shëmbëlltyrë në të gjitha kahet e jetës. Sigurisht se këtu ka shumë arsye për vlerësimin e situatave të ndryshme dhe për veprime sipas nevojës.


Lypja në mënyrën tjetër


Në parim Islami urren lypjen dhe e dënon atë. Këtu nuk është fjala për shtrirjen e dorës dhe kërkimin e lëmoshës, por gjithsesi kemi të bëjmë edhe me lypjen si një instrument përfitimi, që e gjejmë në karakterin e atyre që e kanë bërë traditë të kërkojnë nga të tjerët çdo gjë që atyre u pëlqen. Për individët e tillë është shumë lehtë të kërkojnë nga të tjerët dhe për këtë nuk vihen në siklet aspak. Është me interes të dimë se Islami urren edhe pyetjet që bëhen pa nevojë ngase edhe kjo llogaritet si një formë e lutjes-lypjes që në situata të caktuara ul personalitetin e njeriut. Ashabët e respektonin këtë ndalesë të Pejgamberit a.s. dhe, në anën tjetër, dëshironin të vinte ndonjë njeri i mençur nga beduinët, ta pyeste e ata të dëgjonin.
Shembulli i Ymetit më të mirë nuk mund të identifikohet vetëm me ndonjë fragment nga jeta, por shfaqet në tërësinë saj. Myslimani duhet të japë një performancë të mirë edhe në paraqitjen e çështjeve më elementare, ngase edhe ato janë pjesë e jetës së njeriut dhe shprehin karakterin e tij. Muhamedia.s. i mësonte shokët e tij që të mos lypnin nga të tjerët. Kjo këshillë kap edhe lypjen e gjësendeve të ndryshme, për të cilat njeriu ka nevojë apo edhe kërkimin e shërbimit pa ndonjë arsye të justifikueshme. Besimtari duhet të jetë aktiv, t'i shërbejë vetes dhe të tjerëve, e jo të bëhet barrë duke kërkuar shërbime të vazhdueshme për çështjet që ai mund t'i kryejë vetë.
Sa ka të tillë që vazhdimisht rrinë ulur duke ndjekur veprimet e të tjerëve e në anën tjetër, vetë as e mban mend se kur ka pirë një gotë ujë nga dora e vet. Sa ka të atillë që në biseda të rëndomta i dëgjon të thonë "nuk punoj asgjë qe sa e sa kohë". Ndoshta duke ndenjur dhe ndjekur zhvillimet në shtëpi, shumë çështje një person i tillë i merr me paragjykim dhe gjen arsye të hidhërohet pse dikush nuk po i rri gati për t'i plotësuar dëshirat para se ky t'i shprehë ato. Kjo gjendje është e natyrshme, ngase njeriu duhet ta zbrazë energjinë e vet, nëse jo duke u angazhuar, së paku këtë e bën duke sajuar paragjykime.
Pjesë e një mentaliteti të tillë janë edhe shumë njerëz që, të mësuar në një jetë paraziti, me kërkesa për shërbime të vazhdueshme, nuk mund t'i rehatojnë tërë familja. Mirësia ndaj prindit apo dikujt tjetër, nuk nënkupton që ai të shkëputet nga jeta duke pushuar tërë aktivitetin. Kalimi në jetën pasive dëm ton aktivitetin e tij fizik, po ashtu dëm- ton edhe karakterin dhe dinjitetin e tij.


Mentalitet varshmërie


Mendoj se dukuria e lypjes në një stil tjetër, e paraqitur si akt humanizmi, na ka dëmtuar shumë dhe ka krijuar një mentalitet varshmërie nga të tjerët. Puna në kurbet për ne paraqet arterien kryesore prej nga merr infuzion shoqëria jonë dhe ka krijuar një mirëqenie të domosdoshme materiale për shumë njerëz. Ky është një realitet i dukshëm në mesin tonë. Shohim njerëz që, me mundin e tyre, kanë ndryshuar shumë jetën, dhe vetes e familjes i kanë krijuar kushte më të mira. Në anën tjetër, puna në kurbet ka prodhuar anën tjetër negative, janë shfaqur pasoja serioze që janë shumë objektive në mesin tonë. Një anëtar i familjes punon në kurbet, ndërsa tërë familja jetojnë nga mundi dhe djersa e tij. Ai punon në një vend të huaj, i lodhur, i mërzitur, me ndjenjën se i shkoi ymri në kurbet, duke punuar pa e drejtuar kurrë kurrizin, shpeshherë pa e parë rritën e fëmijëve të vet, e në anën tjetër, në vendlindje, qëndron familja e cila hë për hë bën një thirrje për të kërkuar edhe ca të holla "se kemi mbet pa to". Familja thonë 'kemi dalë në selamet, ngase kemi një në kurbet' e fqinjët u lakmojnë me ndjenjën që shprehet haptas ‘ah me mujt edhe na me e qit nja qatje’!
Është fakt i pamohueshëm se, krahas shumë të mirave, kurbeti ka sjellë edhe pasoja të shumta. Merreni me mend, një anëtar punon në kurbet, e në anën tjetër, dhjetë e më shumë rrinë kot së koti duke mos punuar asgjë! Ata hanë mundin e kurbetqarit, edhe pse kanë mundësi që vetë të bëjnë shumë punë të tjera të dobishme, me të cilat do t'i ndihmonin vetes dhe atij. Te shumë njerëz sikur është krijuar bindja se, nëse ke dikë në kurbet, të tjerët rrinë e bëjnë sefa. Ky perceptim ka krijuar gjenerata parazitësh që me kohë nuk kanë mundur të lidhen me trendin e jetës. Në shumë raste është krijuar një komoditet fals, të cilin koha e ka treguar si të dështuar. Arat nuk mbillen me grurë e bereqete të tjera, ato mbeten djerrë, ngase puna dhe lodhja kompensohen nga mundi i kurbetqarit. A nuk është edhe kjo lypje me fjalë e vepër?!
Tani nuk kam për qëllim të qaj hallin e kurbetqarit, ngase ai nuk përthekohet dot, por vetëm dua të tërheq vëmendjen nga pasojat negative që për ne ka prodhuar mbështetja në ndihmën e tyre. A nuk paraqet kjo një dukuri të lypjes, ani pse ne nuk e kemi trajtuar si të tillë. Lypja si fenomen kap një fushë më të gjerë të paraqitjes, ndërsa ne shumë herë flasim vetëm për atë segmentin ekstrem, kur dikush e shtrin dorën para teje.


Mos kërkoni shërbime, punët bëni vetë


Pa dyshim kjo dukuri duhet trajtuar në të gjitha aspektet. A nuk është lypje edhe kur dikush, me të parë një gjësend të mirë, e kërkon dhe të vë në situatë të palakmueshme. Dhunti e Allahut nuk janë vetëm mjetet materiale, letrat me vlerë a metelikët, ato janë të panumërta. Gjithsesi, këtu bëjnë pjesë pasuria tokësore dhe të mirat që burojnë prej saj. Aty Allahu ka bërë rrëskun për ne, e megjithatë ne i injorojmë mirësitë e Tij duke mos i shfrytëzuar. Arat pa bereqet, kullotat pa bagëti, fshatrat pa banorë, e shumë pamje të tjera - janë dëshmi për këto që po themi.
Muhamedia.s. shokëve të vet ua tërhiqte vërejtjen rreth kërkimit të ndihmës apo kryerjes së ndonjë shërbimi, të cilin ndonjëri mund ta bënte vetë. Ata ishin shumë të kujdesshëm në zbatimin e prosive të tij, e dinin se në to qëndron urtësia.
Njëri nga shokët e tij, që quhej Thevban, thotë: "Pejgamberi a.s. tha: "Kush ma premton mua një gjë, unë atij i premtoj Xhenetin!" I thashë: Unë. E ai ma ktheu: "Mos kërko (mos lyp) asgjë nga njerëzit." Më pas Thevbani i qëndroi besnik zotimit në atë masë, sa, edhe kur ishte hipur mbi deve dhe i binte shigjeta në tokë, nuk kërkonte nga dikush që t'ia jepte. Ai zbriste vetë, e merrte dhe hipte sërish në deve". (Transmetojnë Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibën Maxhe).
Po ashtu, një shok tjetër, quhej Avf bin Malik el Eshxheij, thotë se një grup
prej nëntë, tetë a shtatë vetash, ishim duke ndenjur me Pejgamberin a.s. e ai na tha:" A nuk ma jepni besën (betimin), e ne kishim frikë nga betimi ynë. Ne i tha më se ta kemi dhënë betimin, o i Dërguar i Allahut. Ai prapë tha: "A nuk ma jepni betimin (këtë e përsëriti tri herë), e ata më në fund i shtrinë duart duke thënë se tashmë ta kemi dhënë betimin, pra, për çfarë do të të betohemi? Pejgamberi a.s. tha:" Ta adhuroni Allahun dhe të mos i bëni shok për asgjë, të falni namazet, t'i nënshtroheni Allahut, pastaj, duke pëshpëritur si në mënyrë të fshehtë, tha: “Dhe të mos kërkoni asgjë nga njerëzit." Transmetuesi thotë se i kam parë disa prej tyre ta zbatonin këtë besë në atë masë, sa edhe kur i binte shigjeta në tokë (gjersa ishte hipur mbi shtazën bartëse), zbriste dhe e merrte vetë pa kërkuar ndihmën e të tjerëve". (Transmeton Muslimi)


Pejgamberët jetonin nga mundi i vet


Njeriu duhet të jetojë nga mundi dhe djersa e vet. Në këtë aspekt shembulli më i mirë janë të dërguarit e Allahut. Ata, me gjithë pozitën e tyre në shoqëri dhe mundësinë që të jetonin në kurriz të të tjerëve, angazhoheshin sikur të ishin njerëz të rëndomtë. Allahu në Kuran na ka treguar se Nuhu a.s. kishte ndërtuar anijen, që të shpëtonte ata që besuan. Gjersa ai punonte, pabesimtarët talleshin dhe e nënçmonin me shumë përbuzje. Megjithatë, ai vazhdonte punën. Ademi a.s. punonte tokën dhe bënte punën e lavërtarit; Zekerijai ishte zdrukthëtar, ndërsa është e njohur se Musai a.s. bënte punën e bariut, bile për disa vjet rresht, ndërsa Idrisi a.s. punonte si rrobaqepës. Davudi a.s., megjithëse ishte mbret, kishte profesion përpunimin e hekurit. Ai prodhonte mburoja dhe mjete të tjera lufte. Këtë e ka sqaruar Allahu në ajetet kuranore. Duke lavdëruar dhe çmuar punën e tij, Pejgamberi a.s. thotë: "Askush nuk ka ngrënë ushqim më të mirë (më të ndershëm) se ai që fiton nga puna e dorës së tij. Pejgamberi i Allahut, Davudi a.s., ushqehej nga puna e dorës së tij." (Ebu Davudi, Nesaiu dhe Tirmidhiu)
Edhe vetë Muhamedi a.s., në të cilin kemi shembullin më të mirë, në rininë e tij të hershme ruante delet për një çmim të caktuar, dhe shoqërohej me barinj të tjerë. Më vonë, për shkak të nevojave më të mëdha dhe afiniteteve të tij, Ebu Talibi, xhaxhai i tij, i kishte propozuar të kalonte në tregti, ndoshta do të fitonin më shumë. Kur bashkëshortja e tij, Ajsheja, është pyetur për atë që bënte Pejgamberi a.s. në rrethin familjar, ishte përgjigjur se bënte punët e shtëpisë, madje edhe e milte dhinë.
Leximi në lutjet e tij na e bën të qartë sa shumë është lutur duke kërkuar prej Allahut që ta ruante nga varfëria, përtacëria, pamundësia, paaftësia, dembelia dhe shumë veti të tjera të kësaj natyre. Ai thoshte se Allahu e do besimtarin profesionist. (Taberaniu dhe Bejhekiu.) 
Pastaj në një hadith: "Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu se i dobëti, megjithëse në të dy ka mirësi. Bëhu i kujdesshëm për atë që të sjell dobi, mbështetu tek Allahu dhe mos u dëshpëro..."
Hadithi paraqet inkurajim të qartë për punë dhe angazhim, mbjell në shpirt vetëbesimin e duhur, për t'u hyrë punëve duke kërkuar atë që Allahu ka caktuar.
Njeriu duhet të kujdeset për punë të mira dhe të jetë aktiv, kurse bereqetin e jep Allahu. Bujku bën punën e vet duke hedhur farën në arë, ndërsa Allahu është Ai Që e bën të mbijë, të rritet dhe të jap frytin.
Allahu nuk çon bereqet tek ajo që merr nga lypja Atyre që shtrijnë dorën e lypjes ose zgjatin gjuhën për të kërkuar, duhet t'u themi se kjo është veçori e njerëzve që kanë humbur dinjitetin dhe u ka dalë uji nga fytyra. Ata shpeshherë marrin nga njerëzit atë që nuk ua japin me dëshirën
e tyre. Të tjerët fitojnë duke punuar e derdhur djersën, ndërsa ti, atë që është arritur me shumë mund, e merr me një gjest apo deklarim verbal. Metelikët që i mbledh, nuk t'i japin të gjithë duke u lutur për ty dhe duke të uruar. Ka shumë prej tyre që këtë e bëjnë pa dëshirë dhe në urrejtje ndaj teje, sa për të të hequr qafe.
Tregon Muaviu se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Mos insistoni në lypje, ngase, pasha Allahun, nuk ndodh që dikujt t'i jap si rezultat i lypjes së tij, përderisa unë e urrej këtë, e Allahu t'i japë bereqet në atë që i kam dhënë".


Dr.Sulejman Osmani
Dituria Islame 227


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme