- sprova në besim –
9. “A mos mendove ti se ata të vendosurit e shpellës dhe “Rrekimit” ishin nga mrekullitë Tona më të çuditshme?
Koment: Tregimet kuranore i ngjajnë një oqeani të madh që me valët e tij gjigante përherë na vë në dijeni se kjo botë është një vendsprovim, dhe atë shumëdimensionalisht. E një prej këtyre sprovave të cilën e shtjellon surja “El-Kehf” në fillim të saj, është pikërisht sprova në besim.
Rrëfimi i djelmoshave të shpellës është një ngjarje që të lë gojëhapur nga habia, sepse këta djem të rinj, nuk u tunduan nga të mirat e kësaj bote, e as nga bukuritë e saj, por zgjodhën rrugën e besimit, të vetëdijshëm se kjo rrugë do t’i sillte në sprova të mëdha e të rrezikshme, por jeta e Ahiretit, ishte më e dashur për ta se të gjitha bukuritë dhe stolitë e kësaj bote, të cilat një ditë, megjithatë do të zhdukeshin. Ambienti në të cilin ata po jetonin ishte një ambient armiqësor, nga aspekti i besimit, por ata zgjodhën të ndiqnin zërin e mendjes dhe dritën e udhëzim it më të cilën Allahu xh.sh. ua kishte ndriçuar zemrat e tyre të njoma.
Zaten, ky edhe ishte shkaku që idhujtarët mekas kishin ngelur të habitur e gojëhapur nga rrëfimi i djelmoshave të shpellës, të cilin rrëfim ua kishin treguar hebrenjtë e Medinës, kur kishin dashur ta vinin në sprovë Pejgamberin a.s..
Allahu xh.sh. nëpërmjet të Dërguarit të Tij, sikur Ua bën me dije të gjithë atyre se kjo ngjarje, ndonëse në shi kim të parë, duket e çuditshme, është shumë më pak e rëndësishme dhe e çuditshme, se sa këto ajete e argumente kuranore që po zbrisnin. Madje, e gjithë kjo botë me bukuritë e saj, është shumë më madhështore sesa fakti që disa djelmosha, Allahu xh.sh. i vuri në gjumë për 300 e ca vite hënore, si argument i fuqisë së Tij absolute për ringjalljen.
Kur këta të rinj, ishin strehuar në shpellë, dhe për një kohë kishte humbur çdo gjurmë e nishan i tyre, dikush ishte kujtuar që emrat e tyre t’i shënonte-skaliste në një pllakë guri apo plumbi, në mënyrë që kujtimi i tyre të ishte i përjetshëm dhe njëkohësisht mësim për brezat e ardhshëm përgjatë historisë. Ky zaten është mendimi më i pranuar i kuptimit të fjalës “Rrekim”, e cila nënkupton një pllakë në të cilën shkruhet apo shënohet diçka. Ky është mendim edhe i Seid ibn Zubejrit dhe i Muxhahidit, të cilin e ka përzgjedhur Fahruddin er-Rraziu (1), e të cilin e përkrahim edhe ne.
Lidhur me fjalën “Rrekim”, janë dhënë edhe disa mendime të tjera se f.v. me të nënkuptohet kodra në të cilën gjendet shpella ku ishin strehuar djelmoshat e disa të tjera thonë se “Rrekim” quhet fshati në të cilën gjendet shpella. Sidoqoftë, mendimi i parë është më i arsyeshmi dhe më i pranuari në mesin e dijetarëve.
10. Kur djelmoshat u strehuan në shpellë e thanë: “O Zoti ynë, na dhuro nga ana Jote mëshirë dhe na përgatit udhëzim të drejtë në tërë çështjen tonë!”
Fillimi i këtij ajeti, flet për një grup djemsh të rinj, të cilët në ruajtje të besimit të tyre, u larguan nga vend banimi i tyre dhe u strehuan në një shpellë. Pra, nuk bëhet fjalë për burra të pjekur e të moshuar, as për pleq, e as për fëmijë, por për djem të rinj, në lulen e rinisë së tyre. Dihet se mosha e rinisë, është mosha e tundimeve më të mëdha, kur të rinjtë i tërheq hovi djaloshar, dhe mundësia për të rrëshqitur në të ndaluarat është më e madhja. Por, këta djem, kishin zgjedhur rrugën e cila do t’i vinte në rreziqe edhe më të mëdha, por fundi i të cilave është më shpresëdhënësi se do t’i gëzojnë të mirat e Krijuesit të tyre në Ahiret.
Mbase për këtë arsye, edhe i dërguari i Allahut, në shumë prej haditheve të tij, i ka lavdëruar të rinjtë që nuk bien pre e tundimeve dhe epsheve të tyre, por qëndrojnë stoikë e të paluhatshëm në besimin e tyre. Në hadithin në të cilin ceken shtatë grupet e shpëtuara, të cilat do të jenë nën hijen e Arshit dhe të mëshirës së Allahut, është edhe një i ri i cili është rritur në adhurimin e Allahut dhe respektimin e urdhrave të Tij.
Pasi këtë djem të rinj u futën në shpellë, ngritën duart lart dhe me përulësinë më të madhe iu drejtuan Krijuesit të tyre me fjalët: “O Zoti ynë na dhuro nga ana Jote mëshirë dhe na përgatit udhëzim të drejtë në tërë çështjen tonë!”. Kjo lutje kaq e sinqertë dëfton për besimin e pastër që e vlonte në zemrat djaloshare. Ata sikur po thoshin: “O Zoti ynë, Ti na ke krijuar, na ke furnizuar me të mirat dhe begatitë Tua, na ke udhëzuar, na dhuro përveç kësaj edhe mëshirën Tënde të pakufishme dhe nxirr faqebardhë nga tërë kjo çështje”.
11-12. Ne u vumë mbulojë mbi veshët e tyre (i vumë në gjumë) në shpellë për disa vite me radhë. Pastaj ata i zgjuam (prej gjumit) për të parë se cili prej atyre dy grupeve është më precize në njehsimin e kohës sa qëndruan gjatë.
Pas kësaj duaje të thënë nga thellësia më e skajshme e shpirtrave të tyre të pastër, Allahu i Madhërishëm, deshi që çështja e këtyre të rinjve të ishte shembull për gjeneratat që do të vinin më vonë, se mrekullitë hyjnore janë të pranishme gjithmonë në këtë Univers, dhe se një gjë e tillë, për Krijuesin Fuqiplotë, është vetëm një fjalë urdhërore: “Bëhu!”, dhe vullneti i Allahut zbatohet menjëherë.
Këta djem, së bashku me qenin e tyre, Allahu xh.sh. i vuri në gjumë të thellë, apo në një gjendje letargjie she ullore, për treqind e ca vite, dhe pastaj i bëri që të zgjoheshin nga ky gjumë. Pasi që u zgjuan, asnjëri prej tyre nuk e kishte idenë se sa kohë kishin fjetur. Njëri prej tyre kishte pyetur të tjerët: “Sa keni ndenjur?” Ata thanë:”Ke mi ndenjur një ditë ose një pjesë të ditës!” Disa thanë: “Zoti juaj e di më së miri se sa keni ndenjur...”
Se për cilat grupe bëhet fjalë në ajetin e lartëcituar, komentatorët kanë dhënë disa mendime, por mendimi më i përafërt dhe i përzgjedhur është se njëri grup janë vetë djemtë e strehuar në shpellë, të cilët nuk kishin ndjesinë se sa kishin fjetur në shpellë, kurse grupi i dytë ishin banorët e vendbanimit të cilët nga të dhënat historike e dinin se ngjarja e djemve kishte ndodhur para 300 e ca viteve.
Ky ajet kuranor, na dëfton më së miri se kur njeriu është në gjendje gjumi apo letargjie, humb ndjesinë për kohën, ashtu siç do të ndodh me ne atëherë kur të ringjallemi, sepse gjatë jetës në varreza, ne do të humbin ndjesinë për kohën, prandaj secilit prej nesh do t’i duket sikur në Berzah kemi kaluar një periudhë fare të shkurtër kohore, një gjysmë dite apo diç më tepër...
Djelmoshat që u rritën në dritën e Imanit
13. “Ne po të rrëfejmë saktë çështjen e tyre. 14. Ata ishin disa djelmosha, kishin besuar Zotin e tyre, e Ne atyre edhe më ua shtuam bindjen. Edhe i forcuam zemrat e tyre (i bëmë të qëndrueshëm) saqë kur u ngritën, thanë: “Zoti ynë është Zot i qiejve e i tokës, nuk adhurojmë ndonjë zot tjetër pos Tij”, pse atëherë do të thoshim diç ka shumë mizore!”15. Këta, populli ynë ka besuar zota të tjerë pos Atij, pse pra nuk sjellin ndonjë argument të qartë për ata? A ka më mizor se ai që shpif gënjeshtër ndaj Allahut? 16. Derisa jeni izoluar prej tyre dhe prej asaj që adhurojnë ata, pos Allahut, atëherë strehohuni në shpellë, e Zoti juaj ju dhuron nga mëshira e tij e gjerë dhe ju lehtëson në çështjen tuaj atë që është në dobinë tuaj.
***
Në Kuranin famëlartë, ka shumë ngjarje që janë ce kur si përkujtim për Ne, që të jemi të vëmendshëm për pësimet e popujve të kaluar, që e njëjta gjë të mos na përsëritet. Ata që ia kthyen shpinën udhëzimit hyjnor, u shkatërruan në forma të ndryshme duke humbur njëkohësisht edhe dynjanë edhe Ahiretin.
Ngjarjet e shumta që janë përmendur në Kuran, nuk shtjellojnë detaje historike, por ato përçojnë mesazhin e duhur tel lexuesi dhe tek gjeneratat. Kjo është edhe arsyeja kryesore që në Kuran, fare rrallë përmenden emra apo vende me emërtime të caktuara, sepse më e rëndësishmja është mesazhi ashtu siç e theksuam më parë. Aje ti i 13-të i kësaj sureje, mbase është dëshmia më e mirë, që muslimanët të mos e preokupojnë veten me rrëfime të krishtera dhe me israiliate, që fatkeqësisht shpeshherë ka ndodhur, kur para vetes kanë Kuranin, i Cili i rrëfen ngjarjet pikërisht ashtu siç kanë ndodhur. Prandaj edhe ky ajet shpërfaq urtësinë e Allahut të Gjithëdijshëm, tek sa i drejtohet Muhamedit a.s., me fjalët: “Ne po të rrëfejmë saktë çështjen e tyre”, pra të djemve të shpellës, dhe është një këshillë domethënëse që muslimanët në përgjithësi të kenë kujdes e të mos hutohen duke dëgjuar nga ithtarët e Librit versione të ndryshme rreth disa ngjarjeve që janë cekur në Kuran, e në rastin konkret, të këtyre djemve që në ruajtje të besimit të tyre, u strehuan në një shpellë, ku Allahu i vuri në gjumë për 300 e ca vite...
Ajetet në vazhdim fillojnë me shtjellimin e kësaj ngjarjeje në mënyrë më të detajuar, duke na bërë me dije se këta të rinj, ishin disa djelmosha që kishin besuar Allahun, dhe i Lartmadhërishmi Ua forcoi edhe më tepër bindjen e tyre. Këta djem, kur shihnin popullin e tyre teksa adhuronin statuja në vend të Zotit, duke pasur koncept dhe qasje të gabuar në besim, u besatuan në mes vete që kurrë nuk do ta braktisnin besimin në Zotin Një, Krijuesin e vetëm të kësaj gjithësie. Ata u përpoqën të ndikonin tek të afërmit e tyre, por shihej qartë se injoranca dhe verbëria e tyre ishte jashtë çdo kufiri dhe po çuditeshin me ta teksa i shihnin duke shpifur haptazi ndaj Allahut, duke besuar zota të tjerë.
Rrugëdalja e vetme për ta ishte të izoloheshin dhe të largoheshin nga bashkëvendësit e tyre, në ruajtje të besimit të pastër. Ata u strehuan në shpellë dhe ranë në gjumin e thellë, pasi që Allahu xh.sh. U vuri një lloj perdeje-pengese në veshët e tyre, që të mos dëgjonin asnjë zë dhe asnjë pipëtimë nga jashtë...
- vijon –
1. Fahrudin er-Rraziu “Mefatihul Gajb” v.l. 21, f. 82
Sabri Bajgora