“A mos mendove ti se ata të vendosurit në shpellë dhe Rrekimit ishin nga mrekullitë Tona më të çuditshme? Kur djelmoshat u strehuan në shpellë e thanë: “O Zoti ynë, na dhuro nga ana Jote mëshirë dhe na përgatit udhëzim të drejtë në tërë çështjen tonë!” Ne u vumë mbulojë mbi veshët e tyre (i vumë në gjumë) në shpellë për disa vite me radhë. Pastaj ata i zgjuam (prej gjumit) për të parë se cili prej atyre dy grupeve ishte më preciz në njehsimin e kohës sa gjatë kishin qëndruar. Ne po të rrëfejmë saktë çështjen e tyre. Ata ishin disa djelmosha, që kishin besuar Zotin e tyre, e Ne atyre edhe më ua shtuam bindjen. Edhe i forcuam zemrat e tyre (i bëmë të qëndrueshëm), saqë, kur u ngritën, thanë: “Zoti ynë është Zot i qiejve e i Tokës, nuk adhurojmë ndonjë zot tjetër përveç Tij”, pse atëherë do të thoshim diçka shumë mizore!” Këta, populli ynë ka besuar zota të tjerë përveç Atij, pse pra nuk sjellin ndonjë argument të qartë për ata? A ka më mizor se ai që shpif gënjeshtër ndaj Allahut? Derisa jeni izoluar prej tyre dhe prej asaj që adhurojnë ata, përveç Allahut, atëherë strehohuni në shpellë, e Zoti juaj ju dhuron nga mëshira e tij e gjerë dhe ju lehtëson në çështjen tuaj atë që është në dobinë tuaj. Dhe ti e shihje diellin, kur lindte e bartej prej shpellës së tyre nga ana e djathtë, e kur perëndonte largohej nga ata nga ana e majtë, e ata ishin në një vend të gjerë të saj. Kjo ishte një nga argumentet e Allahut. Atë që e udhëzon Allahu, ai vërtet është udhëzuar, e atë që e humb, ti nuk do të gjesh për të ndihmës që do ta udhëzonte. Do të mendoje se ata janë të zgjuar, ndërsa ata ishin të fjetur, e Ne i rrotullonim herë në krahun e djathtë e herë në të majtin. Qeni i tyre i kishte shtrirë këmbët e para pranë hyrjes. Sikur të kishe hasur në ta, do të ishe kthyer duke ikur dhe do të ishe mbushur frikë prej tyre. Ashtu (sikurse i vumë në gjumë) i zgjuam ata që të pyesin njëri-tjetrin (se sa kishin fjetur). Njëri prej tyre foli e tha: “Sa keni ndenjur?” Ata thanë:”Kemi ndenjur një ditë ose një pjesë të ditës!” Disa thanë: “Zoti juaj e di më së miri se sa keni ndenjur, prandaj dërgojeni njërin prej jush me këtë argjend (monedhë argjendi) në qytet, e të zgjedhë ushqim më të mirë, e t’jua sjellë juve dhe le të ketë shumë kujdes e të mos i japë të kuptojë askujt për ju”. Pse, nëse ata (të qytetit) kuptojnë për ju, do t’ju mbysin me gurë, ose do t’ju kthejnë në fenë e tyre, e atëherë kurrë nuk keni për të shpëtuar. Dhe ashtu (sikurse i zgjuam nga gjumi) i zbuluam (t’i shohin njerëzit), e të kuptojnë se premtimi i Allahut (për ringjallje) është i sigurt dhe se katastrofa e përgjithshme (kiameti) është e padyshimtë. (I zgjuam) Mu atëherë kur ata (populli) bisedonin për çështjen e tyre dhe thanë: Ndërtojuni atyre një ndërtesë (të jetë shenjë). Zoti i tyre di më së miri për ta. E ata që ishin me shumicë, thanë: “Do të ndërtojmë gjithqysh në hyrjen e tyre një xhami”. Ata (që bisedonin për këtë) do të thonë: “Ishin tre, i katërti i tyre ishte qeni i tyre, dhe thonë: “Ishin pesë, e qeni i tyre ishte i gjashti i tyre”, kjo ishte hamendje, po thonë edhe: “Ishin shtatë, e qeni i tyre ishte i teti!” Thuaj: “Zoti im di më së miri për numrin e tyre, përveç një pakice nuk di kush për ta, e ti (Muhamed) mos polemizo për numrin e tyre vetëm ashtu në tërësi, dhe mos pyet askënd për ta”. Dhe mos thuaj kurrsesi për ndonjë çështje: “Unë do ta bëj këtë nesër”! Vetëm (nëse i shton): “Në dashtë Allahu”! E kur të harrosh, përmende Zotin tënd dhe thuaj: “Shpresohet se Zoti im do të më japë udhëzim edhe më të afërt prej këtij (të as-habi kehfit)”. (dhe thoshin) Ata qëndruan në shpellën e tyre treqind e nëntë vjet. Thuaj: “Allahu e di më së miri sa kanë ndenjur, Atij i takon fshehtësia e qiejve dhe e Tokës. Çfarë (i çuditshëm) është të parët e Tij dhe çfarë është të dëgjuarit e Tij! Pos Tij ata (njerëzit) nuk kanë ndihmëtarë. Në vendimin e Tij nuk mund t’i përzihet askush”. – (El-Kehf, 9-26)
Lidhshmëria e këtyre ajeteve me ato paraprake
Në ajetet e para të kësaj sureje, shohim se i Lartmadhërishmi e nis me falënderim dhe na e kujton se e zbriti kuranin në të cilin ka udhëzim e dritë. Ai është Fjalë e Allahut, të cilit nuk mund t’i vishet e pavërteta. në të nuk ka ndonjë kundërthënie a shtrembërim. Më pastaj flet për zbukurimin e kësaj bote me gjelbërim e gjallëri, për ta kthyer më pastaj në shkretëtirë e tokë të thatë pa jetë. Andaj nuk është e rastësishme që grupi i ajeteve që fillon me ajetin e 9-të: “A mos mendove ti se ata të vendosurit e shpellës dhe Rrëkimit ishin nga mrekullitë Tona më të çuditshme?”, i drejtohet Pejgamberit a.s. dhe të tjerëve: Përse çuditeni për ngjarjen e djelmoshave të shpellës, të cilët Allahu xh.sh. i vuri në gjumë për 309 vjet, kur dihet se edhe proceset e tjera natyrore të kësaj bote, si Toka, qielli, hëna, Dielli, ndryshimi i natës e i ditës etj., janë shenja dhe argumente edhe më të mëdha për ekzistimin e Zotit, sesa vënia në gjumë të thellë shekullor e disa djemve të rinj.
Ngjarja që do të shtjellohet në vazhdim, dëfton për fuqinë absolute të krijuesit fuqiplotë, i cili na ofron argumente të panumërta për ringjalljen, që nëpërmjet tyre ta gjejmë udhëzimin e vërtetë…
Koha e kësaj ngjarjeje
Shumë prej komentatorëve të kuranit famëlartë, duke u bazuar në rrëfimet e pjesëtarëve të Librave të mëhershëm, sidomos prej burimeve të krishtera, këtë ngjarje të djemve që u strehuan në shpellë, e zhvendosin në kohën pas Isait a.s., përkatësisht në kohën e Perandorit romak Decius (Dikjanos – 201-251 e.r.) (1)
Sipas të dhënave historike, Deciusi ka sunduar si perandor në vitet 249-251 e.r., vite të cilat në analet OR 2013 historike të të krishterëve janë të shënuara si vitet më të rënda, të mbushura me vrasje masive dhe persekutime të tyre. Perandori Decius, në vitin 250 të e.r., kishte nxjerrë një dekret perandorak, me të cilin detyroheshin të gjithë banorët e Perandorisë (përveç çifutëve) që të flijonin kafshë për nder të zotave romakë, madje në praninë e zyrtarëve të lartë të Perandorisë, të cilëve pastaj u jepej një certifikatë, se një gjë e tillë ishte realizuar dhe kryer. ky presion i Deciusit ishte shkas që shumë besimtarë të krishterë, të refuzonin flijimin për zotat dhe idhujt romakë, prandaj pasoi persekutimi i tyre brutal.(2)
Megjithatë, dijetari dhe mufesiri i madh islam Ibn kethiri, pohon e thotë se kjo ngjarje ka ndodhur shumë kohë para shfaqjes së krishterimit, duke argumentuar me faktin se rabinët hebrenj kishin njohuri të bollshme rreth këtyre djelmoshave. Madje, në lidhje me këtë, është transmetuar nga Ibn Abbasi se ata djem kishin jetuar në kohën e një mbreti tiran, i cili i detyronte njerëzit me dhunë t’u besonin idhujve.
Mendimi i Ibn Kethirit fiton edhe më shumë në peshë, sepse, kur të krahasojmë kohën e sundimit të Perandorit Decius – Dikjanos (249-251 e.r.), shohim se këto vite nuk përputhen me mendimin e atyre që thonë se kjo ngjarje ka ndodhur në vitet e hershme të krishterimit. Po të ishte kjo ngjarje e djelmoshave të shpellës e zhvendosur në këtë periudhë kohore, atëherë zgjimi i tyre pas 300 vjetësh do të kishte ndodhur diku nga viti 550 i e.r., d.t.th. fare pak vjet para lindjes së Muhamedit a.s. dhe arabët sigurisht që do ta kishin të freskët atë ngjarje!!!
Ndonëse personalisht e përkrahi mendimin e Ibn kethirit, megjithatë, duke parë se mendimi i shumicës dërrmuese të komentatorëve anon për mendimin e parë, se kjo ngjarje ka ndodhur në kohën e Deciusit (Dikjanosit), atëherë edhe ne do të përpiqemi që këtë ngjarje ta shtjellojmë në këtë epokë historike...
Ngjarja e djemve të shpellës
Në kohën e mbretit a perandorit romak Dikjanos (Decius 249-251 e.r.), në qytetin Afsos (Tarsus apo Afjon), besimtarët e Njëshmërisë së Pastër, po vuanin nga zullumi dhe tirania e tij. Ata përndiqeshin dhe persekutoheshin gjithandej mbretërisë. Duke parë se kësaj tiranie nuk po i dihej fundi, zemrat e disa djelmoshave të rinj, që kishin përqafuar fenë e Njëshmërisë, për se kishte thirrur Isai a.s., duke flakur anash adhurimin e idhujve, u bashkuan duke pulsuar me ritmin e pastërtisë së çiltër shpirtërore. Ata së bashku, pa pasur ide se nga t’ia mësynin, në shpëtim të fesë dhe besimit të tyre të pastër, ia mësynë një kodre të afërt dhe, kur u afruan, panë një të çarë, brenda së cilës fshihej një shpellë, e cila nuk u binte në sy njerëzve. Ata hynë aty në fillim të ditës dhe u shtrinë për të pushuar pak, në mënyrë që pastaj të vazhdonin rrugën në një vend më të qetë e më të sigurt.
Pasi hynë në shpellë, Iu lutën Allahut të Gjithëmëshirshëm që t’u dhuronte mëshirë nga ana e Tij, dhe t’i udhëzonte edhe më tej në besimin e tyre të drejtë.
Sapo hynë në shpellë dhe u shtrinë për të pushuar, Allahu xh.sh. i vuri në një gjumë të thellë (gjendje letargjie), për plot 309 vjet lunarë (hënorë). Përgjatë gjithë atyre viteve e shekujve, ata, me Lejen e Të Plotfuqishmit, rrotulloheshin herë në krahun e djathtë e herë në të majtin, në mënyrë që të mos u prishej (kalbej) mishi i trupit...
Ndërkohë në vendlindjen e tyre, përgjatë këtyre shekujve, kishin ndodhur ndryshime të mëdha. Besimi i drejtë më nuk konsiderohej blasfemi, po kishte hyrë lirshëm pothuajse në çdo shtëpi. Madje edhe vetë mbreti ishte një prej atyre që besonin Zotin një.
Kur, me vullnetin e Zotit, ata u zgjuan nga letargjia e tyre, dielli ishte pothuajse në perëndim. Asnjëri prej tyre nuk e kishte idenë se sa gjatë kishin fjetur. Shumica e tyre mendonin se kishin fjetur nja 7-8 orë. Pas një bisede të shkurtër në mes tyre, ata ranë në ujdi që të dërgonin njërin prej tyre fshehurazi në qytet për t’u sjellë ca ushqime... kur ai po i afrohej qytetit, kishte vërejtur se gjërat po i dukeshin krejtësisht ndryshe. ndërtesat, rrugët dhe çdo gjë që shihte, e hutuan fare. Mendonte se kishte gabuar rrugën dhe kishte hyrë në një qytet të huaj. kur arriti në qytet, ashtu i ndrojtur, gjeti një furrë dhe i kërkoi furrtarit ca bukë. kur i ofroi monedhën për të paguar, furrtari e mori atë në dorë dhe po e shikonte me habi. nga shikimet e tij, djaloshin e kaploi frika në mos po zbulohej. Por furrtari e pyeti me dashamirësi në mos kishte gjetur ndonjë thesar të vjetër, sepse kjo monedhë, që ia kishte afruar djaloshi, ishte e vjetër mbi 300 vjet. Djaloshi i rrudhi krahët dhe u step, por furrtari e qetësoi sërish, duke i thënë se në këtë qytet të gjithë ndiheshin të sigurt, pavarësisht nga bindjet dhe besimi. Atëherë djaloshi e pyeti se a vazhdonte ende tirania e Dikjanosit (Deciusit), e furrtari, duke buzëqeshur, i tha se ai kishte vdekur pothuaj para 300 vjetësh. nga kjo u zbulua identiteti i djemve të strehuar në shpellë dhe lajmi sakaq arriti te popullata e te mbreti i atëhershëm besimtar.
Atëbotë, në mesin e atyre njerëzve, besimtarëve, dhe atyre që ende ishin në dyshim për ringjalljen, ishte ndezur një polemikë e madhe rreth asaj çështjeje. kjo ishte arsyeja që mbreti u gëzua shumë për djemtë e shpellës, sepse mendimi që Ringjallja ishte e vërtetë, triumfoi ndaj dyshimit në të.
Nga ajo që është përcjellë nëpërmjet shumë rrëfimeve, thuhet se djemtë e strehuar në shpellë, Allahu xh.sh. i mori pranë fqinjësisë së Tij, duke i bërë të shijonin vdekjen. Pas vdekjes së tyre, njerëzit sërish nuk ishin të një mendimi se çfarë të vepronin me kufomat e tyre. Një grup thanë që t’i linin ashtu në shpellë, duke mbyllur hyrjen e saj me gurë, ndërsa besimtarët insistuan që ata të varroseshin në shpellë, dhe pranë saj të ndërtohej një faltore, në shenjë kujtimi për ta. Ashtu edhe vepruan, dhe, pasi i varrosën në shpellë, pranë saj ndërtuan faltoren, që njerëzit të vinin aty dhe t’i luteshin Allahut fuqiplotë për udhëzim e shpëtim...
(vijon)
1. http://en.wikipedia.org/wiki/Decius
2. Shih: http://en.wikipedia.org/wiki/Persecution_of_christians_in_the_Roman_Empire#Under_ Decius
Sabri Bajgora