Komentimi i kaptinës “El-Kehf” (2)


“Falënderimi I takon vetëm Allahut Që ia shpalli robit të Vet Librin dhe në të nuk lejoi ndonjë kundërthënie. (ia shpalli) Të saktë (pa shmangie), për t’ua tërhequr vërejtjen (atyre që nuk besojnë) ndaj një dënimi të rëndë prej Tij, e për t’i përgëzuar besimtarët që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë një shpërblim të mrekullueshëm.Duke qenë në të përgjithmonë. Për t’ua tërhequr vërejtjen atyre që thanë se Allahu ka fëmijë. Dhe për atë (fëmijë), as ata, e as të parët e tyre nuk kanë kurrfarë dijenie. Sa e madhe është ajo fjalë që del nga gojët e tyre, e ata nuk thonë përveçse gënjeshtër. A thua do ta shkatërrosh ti veten nga hidhërimi për shkak të tyre, nëse ata nuk i besojnë këtij ligjërimi (Kur’anit)? Gjithçka që është mbi tokë, Ne e bëmë stoli të saj, për t’i provuar ata, se cili prej tyre do të jetë më vepërmirë. Ne kemi për ta bërë gjithçka që është mbi të dhé pa bimë (të shkatërrojmë çdo gjelbërim)”. – (El-Kehf, 1-8) 


Lartësimi i Allahut me falënderim dhe madhështia e Kur’anit 


Koment: 1. 
Falënderimi I takon vetëm Allahut Që ia shpalli robit të Vet Librin dhe në të nuk lejoi ndonjë kundërthënie. 
Allahu i Plotfuqishëm këtë sure e fillon me falënderim, ashtu siç i ka filluar edhe katër sure të tjera kuranore: El-Fatiha, El-En’am, Sebe’ë dhe Fatir. Ky falënderim është që njerëzit t’i vërë në dijeni se falënderimi, adhurimi, lartësimi dhe madhështia I takon vetëm Allahut Një, i Vetëm dhe i Pashoq, i Cili ia zbriti Kur’anin famëlartë të dërguarit të Tij fisnik, nëpërmjet të cilit, i nxori njerëzit nga errësirat e kufrit në dritën e Imanit dhe të së vërtetës. 
Nisja e kësaj sureje me fjalën “El-Hamdu lil-lah” dëfton se Allahu xh.sh. është i Falënderuar dhe i Lavdëruar në çdo kohë, e njëkohësisht i mëson robërit e Vet se si ta falënderojnë e ta madhërojnë Atë për të gjitha të mirat e Tij ndaj tyre në këtë botë dhe në Botën tjetër.
Në gjuhën arabe kemi disa fjalë a sinonime që asociojnë me fjalën“hamd-falënderim”, e ato janë “med’h”, “thena’ë” dhe “shukr”, mirëpo që të gjitha këto sinonime nuk mund ta arrijnë kuptimin e fjalës “hamd”, e cila nënkupton njoftimin për mirësitë e Atij ndaj të Cilit shprehim falënderim të shoqëruar me dashuri, respekt dhe madhërimin, - Allahut xh.sh.. Me fjalën “hamd” nuk mund të falënderohet askush tjetër përveç Allahut të Madhërishëm. 
Në vazhdim të ajetit, Allahu xh.sh. na bën me dije për madhështinë e Kur’anit, si libër të zbritur nga Ai, për robin e Tij (Muhamedin a.s.), në të cilin nuk ka kundërthënie a paqartësi, por vetëm udhëzim e dritë, për ata që dëshirojnë të përudhen. Dihet se Kur’ani famëlartë, si shpallja e fundit qiellore, ngërtheu në përmbajtjen e tij edhe parimet kryesore të shpalljeve paraprake hyjnore, dhe njëkohësisht u garantua nga ana e të Plotfuqishmit, se ky Libër do të ishte i mbrojtur nga çdo devijim, zhdukje a falsifikim: “Ne me Madhërinë Tonë e shpallëm (zbritëm) Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij”. - (El Hixhr, 9) 
Kur’ani fisnik vërtet mbeti i tillë, i ruajtur, i mbrojtur dhe i paprekshëm, ngase është Libër të cilit nuk mund t’i vishet a përshkruhet asnjë dobësi a kundërthënie: “Ai (Kur’ani) është një libër ngadhënjyes (i pashoq). Atij nuk mund t’i vishet e pavërteta nga asnjë anë, është i zbritur prej të Urtit, të Lavdishmit”. - (Fussilet, 41-42). 
Si në të kaluarën ashtu dhe tash, shumë njerëz u përpoqën të sfidonin vërtetësinë e Kur’anit - nëse është Libër i zbritur prej Zotit, duke pretenduar e shpifur se në të ka kundërthënie e paqartësi, po përpjekjet e këtyre mendjeve të sëmura njerëzore, dështuan gjithmonë, sepse Kur’ani nuk është fjalë e njeriut-Muhamedit a.s., po Fjalë e Allahut të Lartmadhërishëm.. Ai, në lidhje me këtë, në Kur’an thotë: “Përse ata (jobesimtarët) nuk meditojnë (me vëmendje) rreth Kur’anit? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie”. – (En-Nisa’ë, 82) 
Kurse, për sa u përket librave tjerë të mëparshëm qiellorë - Tevratit, Zeburit dhe Inxhilit, këta libra të shenjtë, fatkeqësisht, nuk e patën fatin e Kur’anit që të mbroheshin nga kthetrat e njerëzve të ligj, të cilët futën duart e tyre dhe bënë ndryshime e falsifikime të shumta në ta. Me një fjalë, të parët e fesë dhe paria sunduese e hebrenjve dhe e të krishterëve, fjalët e Tevratit dhe të Inxhilit ua përshtatnin interesave të tyre personale. Kontradiktat dhe mospajtimet e shumta, që janë të pranishme në Tevrat dhe në Inxhil, mbase janë dëshmia më e madhe për këtë falsifikim të shëmtuar. 
Këtë na e vërteton edhe Kur’ani fisnik për hebrenjtë, në ajetin 13 të kaptinës El-Maide: “Për shkak se ata e thyen zotimin e tyre, Ne i mallkuam ata dhe zemrat e tyre i bëmë të ngurta (të shtanguara). Ata i ndryshojnë fjalët (në Tevrat) nga domethënia e tyre dhe braktisën një pjesë me të cilën ishin urdhëruar. Ti vazhdimisht do të vëresh tradhtinë e një pjese të tyre...”. 
Dhe për të krishterët: “Ne e morëm zotimin edhe prej atyre që thanë: Ne jemi nesara-përkrahës, por edhe ata harruan (braktisën) një pjesë të saj me të cilën ishin udhëzuar...”. - ( El Maide, 14) dhe në fund, Allahu xh.sh. u drejtohet të dyja grupeve të “Ehli Kitab”-it me fjalët: “O ithtarë të librit, juve ju erdhi i dërguari Ynë, që ju sqaron shumë nga ajo që fshihni prej librit...”. - (El Maide 15) 
Nga kjo, sipas logjikës, del një konstatim se ishte e domosdoshme dhe e arsyeshme që Kur’ani të ishte Libri përmbledhës i të gjithë librave të mëparshëm qiellorë, ngase i vërtetoi ata të mëparshmit nga aspekti i besimit të drejtë, për të cilin bënë thirrje të gjithë të dërguarit e Allahut xh.sh., që prej Ademit a.s. e deri tek Muhamedi a.s., ashtu siç ka ardhur në ajetin 48 të kaptinës El Maide: “Ne edhe ty (o Muhamed) ta zbritëm librin (Kur’anin) e vërtetë, që është vërtetues i librave të mëparshëm dhe garantues (mbikëqyrës) i tyre”. 
Njëkohësisht na njoftoi për falsitetin dhe devijimet që aktualisht gjenden në Tevrat (Tora) dhe Ungjill, si pasojë e ndërhyrjeve njerëzore në shtrembërimin e fjalëve të Allahut në këta libra qiellorë, të cilët dallojnë thelbësisht nga origjinali i tyre, kur kishin zbritur...


2 (ia shpalli) Të saktë (pa shmangie), për t’ua tërhequr vërejtjen(atyre që nuk besojnë) ndaj një dënimi të rëndë prej Tij, e për t’i përgëzuar besimtarët që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë një shpërblim të mrekullueshëm.
3 Duke qenë në të përgjithmonë. 


Kur’ani është Fjalë e Allahut dhe atribut i Tij, dhe, si i tillë, është i saktë, udhëzim dhe dritë për çdo njeri që kërkon udhëzimin e vërtetë. Në vazhdim të këtij ajeti (2), Allahu xh.sh. ua tërheq vërejtjen jobesimtarëve se, nëse nuk e pranojnë këtë udhëzim, ata pashmangshëm do t’i presë një ndëshkim i tmerrshëm në Ahiret. 
Në këtë ajet, vërejmë po ashtu fryma mëshiruese që valëviten fuqishëm drejt zemrave të njerëzve, pavarësisht nga bindjet e tyre. Allahu i Gjithëmëshirshëm i fton të gjithë që të besojnë Njëshmërinë e Tij, mirëpo, ja që njerëzit nuk janë të gjithë njësoj. Shumë prej tyre, të shtyrë nga egot, injoranca dhe nga cytjet e shejtanit, bëhen mendjemëdhenj dhe ia kthejnë shpinën udhëzimit të Allahut. Megjithatë, pavarësisht nga këto, Krijuesi i Gjithëmëshirshëm i thërret ata vazhdimisht që të mos bëhen të verbër e të shurdhër ndaj kësaj drite hyjnore. 
Për të tillët, që ia kthyen shpinën këtij udhëzimi të dritës, Allahu xh.sh. na dëfton që nesër do t’i ringjall të “verbër”, sepse ata, ndonëse kishin sy, nuk dëshironin të shihnin të vërtetën dhe të udhëzoheshin: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kiametit do ta ringjall të verbër. Ai (që nuk besoi) do të thotë: “Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?” Ai (Allahu)thotë: “Ashtu si i harrove ti argumentet Tona që t’i ofruam, ashtu je ti i harruar sot”. – (Ta Ha, 124-126).
Ja, ky do të jetë nënçmimi më i madh për jobesimtarët, të cilët, për shkak të mendjemadhësisë së tyre, do të injorohen, do të privohen e do të “harrohen” nga mëshira e Allahut. 
Pas kërcënimit hyjnor për ata që ia kthyen shpinën këtij Libri dhe këtij udhëzimi, Allahu xh.sh. i përgëzon besimtarët e sinqertë se shpërblimi për besimin e tyre të paluhatshëm, do të jetë Xhenneti dhe mirësitë e tij, të cilat do t’i shijojnë pafundësisht dhe përjetësisht. Kjo është mëshira e Allahut për besimdrejtët, të cilët e privuan veten nga shumë kënaqësi të kësaj bote, vetëm e vetëm që të arrijnë kënaqësinë e të Gjithëmëshirshmit, me veprat e tyre të mira. Ata nuk u joshën nga intrigat e shejtanit dhe as nga kënaqësitë e përkohshme të kësaj bote, prandaj edhe meritojnë vendqëndrimin e amshueshëm në këto xhenete të mrekullueshme, në të cilat do të gjejnë prehje, qetësi dhe kënaqësi të papërshkrueshme, që vazhdojnë përjetësisht... 


4. Për t’ua tërhequr vërejtjen atyre që thanë se Allahu ka fëmijë. 
5. Dhe për atë (fëmijë), as ata, e as të parët e tyre nuk kanë kurrfarë dijenie.


Në këto ajete, Allahu xh.sh. ua tërheq vërejtjen në radhë të parë idhujtarëve arabë, që të mos flasin të pavërteta me gojët e tyre duke i shpifur Allahut fëmijë. I Lartmadhërishmi është i zhveshur nga të tilla shpifje, sepse Ai është i Vetëm dhe i Pashoq. Idhujtarët arabë thoshin se engjëjt (melaqet) janë “bijat e Allahut”, i Lartësuar dhe larg është Ai nga këto shpifje, ndërsa hebrenjtë thoshin se Uzejri është “djali i Allahut”, kurse të krishterët shkuan edhe më larg në humbëtirën e tyre, duke pretenduar se Isai a.s. ishte “biri i Zotit “ e pastaj edhe vetë Zoti i mishëruar në trupin e Isait a.s.. (Jezu Krishtit)!(1) 
Kjo tërheqje e vërejtjes është më e rrepta, sepse gjëja më e shëmtuar dhe gjynahu më i madh ndaj Krijuesit është t’i shpifet Atij se ka fëmijë! 
Ajeti në vazhdim, tregon qartë se as idhujtarët, po as të parët e tyre, e në këtë kontekst mund të përfshihen edhe hebrenjtë dhe të krishterët, nuk kanë ndonjë argument për pretendimet dhe shpifjet e tyre të sëmura se Allahu paska fëmijë. Këto mendime të çoroditura të idhujtarëve mekas, vinin kryesisht nga injoranca e thellë e tyre dhe pasimi i verbër i të parëve të tyre në këtë humbje-“dalalet”, meqë shejtani ua kishte zbukuruar e hijeshuar këto bindje të mbrapshta. 
Këto fjalë të turpshme dhe këto shpifje të mbrapshta, që dalin nga gojët e tyre, pa dyshim që janë fjalë të kufrit, prandaj me plot të drejtë janë cilësuar si gënjeshtra e shpifje. Ja si i përshkruan Allahu xh.sh. këto shpifje të tyre: “Ata thanë: “I Gjithëfuqishmi ka fëmijë”. Ju (jobesimtarë) vërtet sollët një fjalë shumë të shëmtuar. Aq të shëmtuar sa gati u copëtuan qiejt, gati pëlciti Toka dhe gati u shembën kodrat nga ajo (fjalë), për shkak se të Gjithëmëshirshmit I shpifën fëmijë. E të Gjithëmëshirshmit nuk I takon të ketë fëmijë. Nuk ka tjetër, vetëm se gjithë ç’është në qiej e në tokë ka për t’Iu paraqitur Zotit si rob. Ai me diturinë e Vet ka përfshirë të gjithë dhe ka numëruar e evidencuar çdo gjë të tyre në mënyrë të saktë. Dhe në Ditën e Kiametit secili do t’I paraqitet Atij i vetmuar”. – (Merjem, 88-95) 


6. A thua ti do ta shkatërrosh veten nga hidhërimi për shkak të tyre, nëse ata nuk i besojnë këtij ligjërimi (Kur’ani)? 


Ky ajet është një tërheqje e vërejtjes drejtuar Pejgamberit a.s., po njëkohësisht edhe një qetësim shpirtëror për të, që të mos preokupohej dhe të mos e mundonte veten shpirtërisht, për shkak se idhujtarët nuk besonin misionin e tij. Atij i bëhet me dije se udhëzimi është vetëm në “dorën” e Zotit, ndërsa obligimi i tij ishte vetëm t’ua përcillte Shpalljen nga Allahu Fuqiplotë.
Në lidhje me këtë, Allahu xh.sh. thotë: “Nuk është obligim yti (Muhamed) udhëzimi i tyre (në rrugë të drejtë), Allahu e shpie në rrugë të drejtë atë që do”. – (El Bekare, 272), 
pastaj: “Është e vërtetë se ti nuk mund ta udhëzosh atë që do ti, por Allahu udhëzon kë të dojë dhe Ai është që di më së miri për të udhëzuarit”. – (El Kasas, 56) 
I Dërguari fisnik, me shpirtbutësinë dhe dhembshurinë që e karakterizonte, dëshpërohej e pikëllohej aq shumë, për shkak se mekasit nuk përfillnin dritën e Islamit që kishte filluar të rrezatonte Siujdhesën Arabike, saqë net të tëra i kalonte pa gjumë, duke menduar se si të gjente ndonjë metodë që t’i përudhte ata. 
Këtij Pejgamberi madhështor, që ishte i dërguar mëshirë për mbarë njerëzimin, po dhe për të gjitha botët, i digjej zemra nga pikëllimi, për shkak se ata nuk dëshironin të përudheshin. Zemra e tij fisnike nuk mund të gjente prehje e qetësi, kur shihte se ata i shmangeshin dritës së shpëtimit dhe zhyteshin gjithnjë e më thellë të harlisur në valët e kufrit, duke pretenduar se ishin në të drejtën. Sytë e tyre ishin “verbuar”, po edhe veshët e tyre thuajse ishin “të shurdhër”. Ndryshku që kishte mbuluar zemrat e tyre, nuk lejonte që rrezet e Imanit të depërtonin e t’i pastronin ato. 
Allahu i Lartmadhërishëm, duke parë këtë shqetësim e pikëllim të të Dërguarit a.s., ia bënte me dije që të mos dëshpërohej për ta, sepse udhëzimin e vërtetë do ta gjejë vetëm ai që e kërkon me ngulm, dhe vetëm ai të cilit kjo dritë e Imanit do t’ia zhdavarisë mykun e kufrit të shtresuar në zemrat e tij. 
Ajete të tilla të ngjashme, sikurse ky, që i tërhiqnin vërejtje Pejgamberit a.s. që të mos e vinte veten në siklet e pikëllim për shkak të mosbesimit të tyre, kanë ardhur edhe në disa sure të tjera kuranore, si p.sh.: “... andaj ti (Muhamed) mos e shkatërro veten me dëshpërim për ta,” – (Fatir, 8); 
“A mos do ta mbysësh ti veten (Muhammed) për shkak se ata nuk bëhen besimtarë?!” – (Esh-Shuara’ë, 3); 
dhe: “Ti mos u pikëllo për ata, as mos u brengos për dredhitë që bëjnë ata”! – (En-Nahl, 127). 


7. Gjithçka që është mbi Tokë, Ne e bëmë stoli të saj, për t’i provuar ata, se cili prej tyre do të jetë më vepërmirë. 


I Lartmadhërishmi në këtë ajet dëfton se si e ka zbukuruar Tokën me stoli të ndryshme, me florë e faunë, me oqeane, dete e lumenj, me fruta dheprodhime të ndryshme, po gjithnjë duke ia tërhequr vërejtjen njeriut se jeta mbi këtë Tokë është vetëm një urë kaluese për në Ahiret. Andaj, ua bën me dije atyre që të mos mashtrohen nga bukuritë e kësaj bote, duke menduar se jeta në të është e përjetshme, po ta kuptojnë se kjo botë është vetëm shkas për t’i vënë ata në sprovë, se cili prej tyre do të arrijë t’i ikë tundimit të saj dhe cili prej tyre do të bëjë vepra të mira, të cilat e afrojnë tek krijuesi i Gjithësisë. 
I Dërguari a.s., në një hadith që e përcjell Ebu Seid el Hudrijj, thotë: “Kjo botë është e bukur dhe e gjelbër, dhe Allahu ju ka bërë trashëgimtarë të saj, për të parë se si po punoni (gjatë jetës suaj të shkurtër) në të...”(2)
 Ajeti vijues tregon realitetin e mirëfilltë se kjo botë është kalimtare dhe se një ditë do të shkatërrohet... 


8. Ne kemi për ta bërë gjithçka që është mbi të dhé pa bimë (të shkatërrojmë çdo gjelbërim) 


Pas afatit të caktuar, sa toka ishte një bukuri e rrallë me gjelbërim e natyrë magjepsëse, Allahu xh.sh. do ta japë urdhrin që ajo të shkatërrohet e tëra, duke e kthyer në një tokë të thatë, në një shkretëtirë pa bimësi a gjelbërim.
Fjala “Es-Said” nënkupton dheun a tokën e bardhë pa kurrfarë bimësie a peme dhe të papërshtatshme për jetesë të asnjë qenieje të gjallë, ndërsa fjala “xhuruza” nënkupton shkretëtirën e thatë, në të cilën nuk mbin as pemë e as gjelbërim.(3)
Këto dy ajete, në një mënyrë kanë ardhur për ta prehur e qetësuar shpirtërisht të Dërguarin e Allahut, që të mos pikëllohej e dëshpërohej për mosbesimin e idhujtarëve, dhe të jobesimtarëve në përgjithësi, sepse të gjithë ata së bashku me kufrin (mosbesimin) e tyre, dhe çdo gjë tjetër në Tokë, përfshirë edhe bukuritë e saj, do të shkatërrohen e do të zhduken pa gjurmë e nishan...


Urtësia e këtyre ajeteve: (1-8) 


- Allahu xh.sh., është i Vetmi Që meriton falënderimin. Ai na mëson se si ta falënderojmë Atë për të gjitha mirësitë e Tij ndaj nesh. 
- Ajetet sqarojnë se mirësia më e madhe që Allahu u dhuroi robërve të Tij, është zbritja e Kur’anit famëlartë, në të cilin gjenden përgjigjet për të gjitha shqetësimet dhe preokupimet e tij gjatë rrugëtimin në këtë botë. Udhëzimi i Allahut, që gjendet në ajetet kuranore, njerëzit i nxori nga errësira në dritë e shpëtim. Në këtë Kur’an nuk mund të gjesh ndonjë kundërthënie, sepse është zbritje e të Gjithëfuqishmit dhe të Gjithëdijshmit. 
- Ky Kur’an ka ardhur si tërheqje e vërejtjes për jobesimtarët, vërejtje e cila vjen në formë kërcënimi hyjnor, për shkak të bindjeve të tyre të mbrapshta, teksa I shpifnin Allahut fëmijë. I Lartësuar dhe i pastër është Ai nga të tilla shpifje. Nëse ata nuk i ndryshojnë këto qëndrime, atëherë ndëshkimi i tyre i përjetshëm do të jetë zjarri i Xhehenemit. 
- Kur’ani, përveç kërcënimit ndaj jobesimtarëve, ka dhe përgëzimin për besimtarët e drejtë e të sinqertë në besimin e tyre. Shpërblimi i tyre do të jenë Xheneti dhe kopshtet magjepsëse, në të cilët ata do të shijojnë kënaqësitë që u ka përgatitur Krijuesi i Gjithëmëshirshëm. Ata gjatë jetës në këtë dynja respektuan urdhrat e Zotit të tyre, respektuan porositë e pejgamberëve të Zotit dhe iu përmbajtën udhëzimeve të Librave të shenjtë, ashtu siç kishin zbritur, e jo të atyre që u devijuan nga njerëzit e ligj.
 - Në këtë grup ajetesh, kemi një tërheqje vërejtjeje, butësisht, edhe ndaj Pejgamberit a.s., që të mos preokupohej aq shumë për mosbesimin e idhujtarëve dhe as të dëshpërohej për “kufrin” e tyre, sepse udhëzimi nuk ishte në dorën e tij, po është vetëm në kompetencën e të Madhit Zot. 
- Njeriut i bëhet me dije se jeta në këtë dynja, sado që të zgjasë, është kalimtare, dhe se kjo Tokë, me të gjitha bukuritë e saj, do të shkatërrohet e do t’i ngjajë një vendi të thatë e të pajetë. 


- vijon –



_____________________
1. Shih: “Hadaiku-r-rrevhi ve-r-rrejhani fi revabi ulumi-l-Kur’ani”, vëll. 16, f. 285
2. Shih Tefsirin e Kurtubiut, “El-Xhamiu li Ahkami-l Kuran”, vëll.fq. 208, Bejrut 2006 
3. Imam Maturidiu “Te’vilatu Ehli-s Sunneti” vëll.7, fq.138. Bejrut, 2005


 


Sabri Bajgora