Kaptina “El Kehf” është kaptinë mekase në tërësi. Transmetojnë Nehasi dhe Ibn Merduvije nga Ibn Zubejri, e ky nga Ibn Abasi r.a., të ketë thënë se kaptina “El Kehf” ka zbritur në Mekë.(1) Kaptina “El Kehf” ka gjithsej 111 ajete, 1577 fjalë e 6460 shkronja.(2) Në radhitjen e Mus’hafit mban numrin 18, kurse në radhitjen e zbritjes është e 68-ta. Ka zbritur pas sures “El Gashije” dhe para sures “Esh-Shura”.(3)
Emërtimi i kësaj kaptine
Kjo kaptinë është emërtuar me emrin “El Kehf”-“Shpella”, për shkak të ngjarjes së çuditshme të djemve që u strehuan në një shpellë, për të shpëtuar besimin e tyre, nga mizoria e një sundimtari tiran. Me këtë emër e ka quajtur edhe vetë i Dërguari i Allahut në disa hadithe të tij, të cilat do t’i përmendim tek vlera e kësaj sureje.
Vlera e kësaj kaptine
- Transmetohet nga Ebu Derdaja të ketë thën “Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: “Ai që i mëson përmendsh 10 ajetet e para të sures “El-Kehf”, do të jetë i mbrojtur prej fitnes së Dexhalit”.(4) - Transmeton Ahmedi në Musnedin e tij që i Dërguari i Allahut të ketë thënë: “Ai që i lexon 10 ajetet e fundit të sures “El-Kehf”, do të jetë i mbrojtur prej fitnes së Dexhalit”(5)
- Ndërsa në Sahihun e Ibn Hibbanit gjendet ky hadith nga Resulullahu s.a.v.s., i cili ka thënë: “Ai që i lexon 10 ajete të sures “El-Kehf”, do jetë i mbrojtur prej fitnes së Dexhalit”(6)
- Në Sunenin e Tirmidhiut gjendet hadithi nga i Dërguari a.s. me këtë përmbajtje: “Ai që lexon 3 ajetet e para të sures “El-Kehf” do të jetë i mbrojtur prej fitnes së Dexhalit”(7)
- Transmetohet nga Muadh in Xhebeli r.a. të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s “Ai që e lexon fillimin dhe fundin e sures “El-Kehf”, kjo (leximi i këtyre ajeteve) do t’i bëhet dritë nga këmbët deri tek koka, ndërsa ai që e lexon të tërën (suren “El-Kehf”), kjo do të jetë dritë për të në hapësirën mes qiellit dhe Tokës”.
- Transmetohet nga Ebu Seid el Hudrijj të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: Ai që e lexon suren “El-Kehf” në natën e xhumasë atij do t’i bëhet dritë (ndriçohet) në hapësirën mes tij dhe Shtëpisë së shenjtë (Qabesë)”.(9)
- Nga i Dërguari a.s. Hakimi transmeton ketë hadith “merfuan”: “Ai që e lexon suren “El-Kehf” në ditën e xhuma, do të jetë dritë për të prej xhumasë në xhumanë tjetër”.(10)
- Transmetohet nga Berra’ë in Azib r.a. të ketë thënë: “Një njeri gjatë namazit në shtëpinë e tij kishte lexuar suren “El-Kehf”, ndërkohë që një kafshë shtëpiake, kishte filluar të trembej. Ky, kur kishte dhënë selam, kishte parë një mjegull apo re teksa e kishte mbuluar atë. Këtë ia kishte përmendur të Dërguarit të Allahut, ndërsa Resulullahu s.a.v.s. i kishte thënë: “Lexo, o filan, sepse kjo është prehja-qetësia që ka zbritur për shkak të Kur’anit (që ke lexuar)”.(11)
- Abdurrahman in Jezid in Kajs ka thënë E kam dëgjuar Abdullah Ibn Mes’udin duke thënë për suret: (Beni Israil (El-Isra’ë), El-Kehf Merjem, Taha dhe El-Enbija’ë) se ato janë prej të parave që kanë zbritur nga Kur’ani dhe janë prej më të hershmeve që kam lexuar”.(12)
Shkaku i zbritjes së kësaj kaptine
Transmeton Ibn Xheriri nga Ibn Is’haku nëpërmjet një vargu transmetues që arrin deri tek Ikrimja, e ky nga Ibn Abbasi të ketë thënë: “Kurejshët dërguan Nadr ibnul Harithin dhe Ukbe bin Muajtin tek priftërinjtë (rabinët) e çifutëve në Medinë, që u thanë: Pyetini ata për Muhamedin, dhe përshkruajuani atë dhe njoftojini për disa prej fjalëve të tij, sepse ata janë poseduesit e librit të parë dhe kanë më shumë dijeni (njohuri) për të dërguarit (pejgamberët)”.
Ata (kurejshët) erdhën në Medinë dhe i pyetë priftërinjtë çifutë rreth të Dërguarit të Allahut Ua sqaruan çështjen e tij dhe ua bënë të qartë disa nga fjalët që ai po i thoshte. Pasi i dëgjuan fjalët e tyre, rabinët çifutë u thanë kurejshëve: Pyeteni atë rreth tri çështjeve: nëse do t’ju lajmërojë për to, vërtet është i dërguar i Allahut, e nëse nuk e bën këtë, atëherë dijeni se është shpifës. Pyeteni për djemtë e rinj që ikën në një kohë të hershme, se si ishte çështja e tyre, sepse për ta ka fjalë të çuditshme. Pyeteni edhe për një burrë që i ra tokës rreth e rrotull, nga lindja deri në perëndim, se si ishte çështja e tij, dhe pyeteni edhe për Shpirtin.
Nadri dhe Ukbeja u kthyen në Mekë d u thanë kurejshëve: “O kurejshë! Ne kem ardhur tek ju me një çështje që do t’ju ndajë përfundimisht mes jush dhe Muhamedit”.
Ata erdhën tek Pejgamberi a.s. dhe i thanë: Muhamed, na njofto për djemtë që qenë larguar në kohën e hershme, për të cilët ka një tregim të çuditshëm. Po ashtu na trego edhe për një burrë që i ra tokës rreth e rrotull nga lindja deri në perëndim, e na trego edhe se ç’është Shpirti”.
I Dërguari a.s. u tha atyre se për këtë gjë do t’i njoftonte të nesërmen dhe nuk përmendi fjalën:
“Inshallah”-“Nëse do Allahu”. Ata u larguan prej tij, ndërkohë që i Dërguari i Allahut qëndro pesëmbëdhjetë net e Allahu nuk po i zbriste shpalljen për këtë, dhe as Xhibrili nuk po i vinte, derisa mekasit filluan të flisnin haptazi: “Na tha Muhamedi se nesër do të na njoftonte e kaluan pesëmbëdhjetë net e ai nuk po na lajmëron për atë që e pyetëm”. Kjo gjë e mërziti shumë të Dërguarin e Allahut, sepse i vinte rëndë të dëgjonte atë që po thoshin mekasit. Pastaj erdhi Xhibrili i dërguar nga Allahu me suren e banorëve të Kehfit, në të cilën ishte një ajet qortues për të, që të mos e vinte veten në siklet për fjalët e tyre (kurejshëve). Ai u lajmërua me këtë sure për çështjen e djelmoshave, dhe rreth burrit që i kishte rënë tokës rreth e përqark.(13)
Lidhshmëria e kësaj kaptine me atë paraprake “El-Isra’ë”
Lidhshmëria në mes sures “El-Kehf” dhe asaj paraprake, është mjaft e fuqishme dhe shumëdimensionale.
- Surja “El-Isra’ë” fillon me tesbih-madhërim: ”Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabesë) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes)”
E surja “El-Kehf” fillon me falënderimin e Allahut: “Falënderimi i takon vetëm Allahut që ia shpalli robit të Vet Librin dhe në të nuk lejoi ndonjë kundërthënie”. Shprehjet “tesbih” dhe “tahmid” kanë ardhur së bashku në Kur’an edhe në shumë ajete të tjera,
ndërkohë që “tesbihu” i ka paraprirë “tahmidit”, ashtu siç ka ardhur në suren “el-hixhr”, ajeti 98: “Po ti madhëroje me falënderime Zotin tënd e bëhu prej atyre që luten (përulen duke u falur)”, - pastaj në atë “en-nasr”, ajeti 3: “ti, pra, lartësoje Zotin tënd duke falënderuardhe kërko falje nga ai”,- si dhe në hadithin e Pejgamberit a.s., i cili transmetohet nga ebu Hurejra: “Dy falë janë të lehta në shqiptim, por të rënda në peshore (mizan), e të dashura tek mëshiruesi (allahu), subhanallahi ve bihamdihi, subhanallahil adhim”(14).
- Meqë lidhshmëria kuptimore në mes sureve kuranore është një mrekulli në vete, shohim se surja “el-isra’ë” ka përfunduar pikërisht me “tahmid-falënderim”: ”dhe thuaj: “falënderuar qoftë Allahu...”, ashtu siç fllon edhe surja “Elkehf”: “falënderimi i takon vetëm allahut...”
- Kur hebrenjtë i këshilluan idhujtarët mekas ta pyesnin muhamedin a.s. për tri gjëra: rreth shpirtit, rreth ngjarjes së banorëve të shpellës dhe për dhulkarnejnin, i lartmadhërishmi, nga pjesa e fundit e sures “el-isra’ë”, ajeti 85, që njihet edhe me emërtimin “Beni-israil”, i është përgjigjur pyetjes së parë rreth shpirtit: “të pyesin ty për shpirtin; thuaj: “shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, e juve ju është dhënë fort pak dije”, ndërkohë që në suren “el-kehf” u është përgjigjur dy pyetjeve të tjera: rreth banorëve (djelmoshave) që u strehuan në shpellë, shih ajetet (9-26); dhe rreth dhulkarnejnit, shih ajetet:(83-99).
- Kur i Lartmadhërishmi në suren “El-Isra’ë”, ajeti 85, thotë: “... e juve ju është dhënë fort pak dije (dituri)”, ky ajet përputhet plotësisht me ngjarjen e Musait a.s. dhe të robit të devotshëm idrit, argumenti se dija është dhunti nga Zoti xh.sh., të cilën ia jep kujt të dojë prej robërve të tij.
- Është cekur edhe në një hadih të Pejgamberit a.s. se, kur pati zbritur ajeti 85 i sures “El-Isra’ë”: “... E juve ju është dhënë fort pak dije (dituri)”, hebrenjtë kishin thënë: “neve na është dhënë Tevrati, në të cilin gjendet dituria për çdo gjë”, llahu në suren “El-Kehf” ka zbritur ajetin 109: “Thuaj: “Sikur të ishte deti ngjyrë për t’i shkruar falët e Zotit tim, deti (uji i tij) do të shterej para se të përfundonin falët e Zotit tim, e edhe sikur të sillnim shtesë edhe një si ai (deti)”.(15)
Përmbajtje e shkurtër e kësaj kaptine
- Surja “El-Kehf” fllon me sqarimin se Kur’ani është libri me vlerë në të cilin nuk ka mospajtime e kundërthënie, as nga ana e shprehjes dhe as nga aspekti i kuptimit. ky kur’an ka ardhur përgëzim dhe tërheqje e vërejtjes për të shkujdesurit.
Në vazhdim të sures flitet se çdo gjë e bukur mbi këtë tokë, çdo çudi e mrekulli – është argument i pakontestueshëm për fuqinë absolute të allahut xh.sh. (shih ajetet: 1-8).
- Surja “El-Kehf” shtjellon katër rrëfime që konsiderohen ndër më të bukurat dhe më të mahnitshmet në Kur’an. Këto rrëfime në fakt janë sprova me të cilat Allahu i sprovon robërit e vet në këtë dynja. së pari kemi sprovën në fe, rreth së cilës flasin ajetet mbi djemtë që u strehuan në shpellë, për të shpëtuar dinjitetin e tyre fetar; pastaj vjen sprova në pasuri, që pasqyrohet me ngjarjen e pronarëve të dy kopshteve, dhe sprova në dituri,
që reflektohet nëpërmjet rrëfimit të Musait a.s. me Hidrin dhe, krejt në fund, sprova e pushtetit që na
vjen në rrëfimin mbi Dhulkarnejnin.
- Rrëfimi mbresëlënës rreth djelmoshave të shpellës, është shembulli më i përkryer i sakrificës dhe i vetëflijimit për hir të besimitdhe arritjes së kënaqësisë së Allahut xh.sh.. këta djelmosha besimtarë, kishin ikur nga zullumi i një mbreti tiran, duke kërkuar përkohësisht strehim në një shpellë. Allahu xh.sh. i kishte vënë në gjumë shekullor për 300 vjet lunarë, e pastaj i kishte “zgjuar-ringjallur”, që të ishin argument për njerëzit rreth ringjalljes. (shih ajetet: 9-26).
- Pas këtij rrëfmi, i Madhërishmi e urdhëroi të dërguarin e tij që t’u përmbahej urdhëresave hyjnore që gjenden në librin e shenjtë-kur’anin, që të ishte modest dhe të shoqërohej me të varfrit prej besimtarëve në ndenjjet e tyre, dhe në asnjë mënyrë të mos i linte ata për të ngarendur në ndenjjet e të pasurve, për t’i thirrur ata në fe, besim. (shih ajetet: 27-28).
- Pas kësaj, Allahu xh.sh. i kërcënoi jobesimtarët me azabin e tmerrshëm në ahiret, meqë tashmë ishte shfaqur e vërteta. (shih: ajetin 29), ndërkohë që ajetet (30-31) flasin për Xhenetin dhe shpërblimet që i Gjithëmëshirshmi
i ka përgatitur për besimtarët në ahiret.
- Ajetet në vazhdim (32-44) flasin për ngjarjen e pronarëve të dy kopshteve, duke bërë një krahasim në mes të pasurit arrogant e mburravec për pasurinë e tij, dhe të varfrit që krenohet e mburret për besimin-imanin e tij. - ajetet (45-46) ua tërheqin vërejtjen njerëzve se kjo botë është kalimtare dhe se një ditë ajo do të zhduket e shkatërrohet, për të cekur më pastaj disa prej pamjeve trishtuese të ditës së kiametit, ditë në të cilën kodrat do të shkapërderdhen, ndërsa njerëzit do të ringjallen për një moment,
duke pritur fletushkat e veprave të tyre, se nga ç’anë do t’u vijnë.(shih ajetet: 47-49).
- Pastaj flitet për refuzimin e Iblisit që t’i bënte sexhde Ademit a.s., ngjarje e cila pasqyron mendjemadhësinë dhe mburrjen e shejtanit, që mund t’i shpjerë njerëzit në humbje, nëse ndjekin cytjet dhe intrigat e të mallkuarit. ndërkohë, ata që shpëtojnë nga kthetrat e këtyre intrigave djallëzore, do të arrijnë kënaqësinë e Allahut xh.sh.. (shih ajetet: 50-53).
- Ajetet (54-59) flasin për kujdesin që i Gjithëmëshirshmi ia ka kushtuar në Kur’an sjelljes së shembujve për njerëzit, që ata të kenë kujdes, sqarimit të misionit të të dërguarit të tij dhe tërheqjes së vërejtjes nëse i kthehet kurrizi udhëzimit hyjnor. Në fund të këtyre ajeteve, Allahu xh.sh. përmend dy cilësitë e tij: faljen dhe mëshirën.
- Në vazhdim të sures, shtjellohet tregimi i Musait a.s. me robin e mirë e të devotshëm (i cili, sipas dijetarëve, është Hidri), i cili shërben si mësim për të gjithë dijetarët, që të jenë modestë, të thjeshtë e të çiltër gjatë rrugëtimit të tyre drejt diturisë. Ashtu siç theksuam më parë, dituria është një dhunti nga Zoti i Gjithëdijshëm, të cilën ia dhuron edhe ndonjërit prej robërve të tij të mirë, e të cilën nuk ua ka dhuruar as Pejgamberëve. (shih ajetet: 60-82).
- Ndërsa rrëfimi rreth Dhulkarnejnit, që është shtjelluar në ajetet (83-99), është një mësim mahnitës (mbresëlënës) për mbretërit dhe sundimtarët. nëse ky mbretërim, të cilin Allahu ia jep ndokujt prej robërve të tij, shoqërohet me devotshmëri, drejtësi dhe dituri, atëherë rrezatimi i këtij mbretërimi të drejtëdo të shtrihet që nga lindja e deri në perëndim
të tokës. i tillë ishte mbreti a Pejgamberi Dhulkarnejni, i cili madje, me kërkesë të banorëve të një province, kishte ndërtuar një Pendë gjigante për të penguar daljen e Jexhuxhëve dhe exhuxhëve, të cilët do të
bëjnë shkatërrime të mëdha në tokë, pak para Kataklizmës përfundimtare. Mund të themi se këto tri rrëfime: I banorëve të shpellës, i Musait a.s. me Hidrin dhe i Dhulkarnejnit, janë shembuj të përkryer, që burojnë nga realiteti, se e vërteta nuk mund të krahasohet as me sundim dhe as me pasuri, veçse ajo ndërlidhet fuqimisht vetëm me iman të pastër e të dëlirë.
- Ajetet (100-106) flasin për faktin që punët e jobesimtarëve janë të dështuara dhe pa kurrfarë fryti në Ahiret, kurse ajetet (107-108) flasin për përgëzimin për besimtarët, të cilët gjatë jetës së tyre në këtë botë, punuan vepra të mira, e shpërblimi i tyre do të jetë kënaqësia e përjetshme në Ahiret.
- Surja përfundon me ajetet që konfirmojnë faktin se Dituria e Allahut është e pakufishme dhe e pambarim. (shih ajetet: 109-110).
________________________
[1] imam shevkaniu, “fet’hul kadiir” v.3, f. 274. mensureegjipt, 1994. [2] muhamedinilemin bin abdullah el arumijj esh-Shaf’ijj - “Hadaiku-r-rrevhi ve-r-rrejhani f revabi ulumil-kur’ani”, v. 16, f. 277, Bejrut-liban, 2001[3] ibn ashur et-tahriru ve-t-tenviru v.15 f. 242 [4] transmeton muslimi (709)-hadithi është i kategorisë “sahih” [5] shih musnedin e ahmedit (6/446). Zinxhiri transmetues (isnadi) është “sahih”; [6] shih sahihun e ibn hibbanit (3/65) Zinxhiri transmetues (isnadi) është “sahih” [7] shih sunenin e tirmidhiut (2886). hadithi është i kategorisë “hasen sahih”, ndërkohë që edhe zinxhiri transmetues (isnadi) është “sahih”. [8] transmeton
ahmedi (3/439) ; taberaniu në “mu’xhemul kebir (20/197). Sipas këtyre të dyve, hadithi është “hasen” fl fedail”. hejthemiu në “mexhmeu-z-zevaid” (7/52) ka thënë: “këtë hadith e kanë transmetuar ahmedi dhe taberaniu, ndërkohë që në isnadin e ahmedit gjendet ibn luhej’ah, tek i cili ka dobësi, ndonëse hadithi si tërësi arrin gradën “hasen”. [9] transmeton daramiu në sunenin e tij (3407). hadithi është i kategorisë “hasen mevkuf”. [10] el-mustedrek (2/352). hadithi është i kategorisë “hasen”, ndërsa edhe isnadi (vargu) zinxhiror “sahih”. [11] transmeton Buhariu (3114) dhe muslimi (795). [12] transmetimi është “sahih” dhe e transmeton Buhariu (4994) [13] imam sujutiu “lubabu-nnukuli f esbabi-n-nuzuli”, f. 168, Bejrut 2002. Në këtë libër, në fund të transmetimit, gjendet edhe falia se Muhamedi a.s. i njoftoi ata edhe për pyetjen rreth shpirtit, por redaktorët e këtij libri kanë thënë se është bërë një gabim në radhitje nga transmetusit, sepse njoftimi për pyetjen rreth shpirtit ka ardhur në suren “el-isra’ë” e jo në suren “el-kehf”. (shënim yni S.B). [14] Buhariu dhe muslim [15] në lidhje me lidhmëritë në mes dy sureve “el-isra’ë” dhe “el-kehf”, shih më gjerësisht: “Tenasuku-d- Durrer f tanasubi-s-Suver” nga imam sujutiu
Sabri Bajgora