Sëmundjet psikike nga perspektiva e mësimeve profetike

 


Sëmundjet psikike janë të shumta dhe të ndryshme, siç është ankthi, depresioni, stresi, frika ekstreme, harresa etj. Simptomat e këtyre sëmundjeve shkaktohen nga faktorë të shumtë, por si më të theksuar do të kishim përmendur disa prej tyre.


Në radhë të parë paraqitet papjekuria, pastaj është harmonizimi i keq social, pamundësia për t’i përballuar kërkesat shoqërore, konfuzioni në marrëdhëniet shoqërore, mungesa e vendosjes së raporteve solide shoqërore - humane, prezenca e ndjenjës së privimit të të drejtave, mungesa e dashurisë reciproke, mungesa e respektit të ndërsjellë, mungesa e të kuptuarit të të tjerëve, mungesa e harmonisë familjare, sjelljet joadekuate të prindërve ndaj fëmijëve, gabimet fatale, ngecjet e shumta gjatë edukimit, perceptimi negativ ndaj vetvetes, mosharmonia familjare, dështimi martesor, papunësia etj. Por, mbi të gjitha është mungesa e mishërimit dhe distanca e tyre me dimensionin ose faktorin fe. Si pasojë e gjithë kësaj, është moszbatimi i asaj që është deklaruar në Librin e Shenjtë, në Kur’an dhe në mësimet e të të Dërguarit (sal-lall-llahu alejhi vesel- lem). Dhënia tepër pas epsheve, moskujdesi nga mëkatet janë rrethana të mjaftueshme për të konstatuar origjinën e këtyre sëmundjeve shpirtërore.
Shërimi me ilaçe, baza e të cilave është substancë kimike ose që buron nga substancat narkotike dhe qetësues të ndryshëm, të cilat shfrytëzohen për trajtim dhe shërim mjekësor nga këto sëmundje, jo që nuk janë efikase për eliminimin e llojit të këtyre sëmundjeve, por ato e thellojnë krizën te pacienti, duke e prolonguar sëmundjen për një periudhë të pacaktuar. Andaj, terapia efikase dhe shërimi falas qëndron në mësimet profetike.
Misioni i Muhamedit (sal-lall- llahu alejhi vesel-lem) ka sjellë me vete baza dhe rregulla parandaluese për mbrojtje nga sëmundjet psikike (mendore). Udhëzime këto të dëshmuara për ndikim pozitiv në sferën e trajtimit psikik. Në kuadër të marrjes së masave preventive.
Feja Islame ka prezantuar program ditor, përmes të cilit shfaqet interesimi i madh i mbrojtjes nga sëmundjet psikike, me qëllim të ndërtimit të jetës së individit dhe shoqërisë islame në baza solide, që të mund të mbrohet nga sëmundjet fizike, psikike dhe nga anomalitë shoqërore.
Nëse i hedhim një vështrim të kaluarës, ditëve të para të lindjes së Islamit, do të gjejmë jetë përlot probleme violente psikike. Ndikime psikike të ngulitura, me tendencë të rritjes si pasojë e grindjeve dhe luftërave të përgjakshme shumëshekullore mes klaneve, sëmundje psikike si pasojë e dekadencës shoqërore, shoqëri me të drejta skajshmërisht të shkelura të fëmijëve, veçanërisht varrosja për së gjalli e fëmijëve të gjinisë femërore, e cila paraqet kulmin e jetës shtazarake të mentalitetit të atëhershëm. Shoqëri në të cilën femra jo që nuk gëzonte kurrfarë të drejte, por ishte e robëruar në kuptimin e plotë të fjalës. Fati i saj ishte në dorën e një grupi të caktuar njerëzish, edhe pse Zoti ato i kishte krijuar të jetonin të lira. Janë disa frekuenca që e portretizojnë jetën shoqërore të asaj periudhe kohore. Ndërkaq, në haxhin lamtumirës në tokat e shenjta Muhamedit (sal-lall-llahu alejhi vesel-lem) i shpallet ajeti i fundit, i cili ndërkohë kishte paralajmëruar përmbylljen e shpalljes së fundit hyjnore. “... sot ju përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj...” (Kur’an, 3 : 3)
Mbi bazën e kësaj, në vazhdim do të përpiqem të paraqes modele shëruese të sëmundjeve psikike nga perspektiva islame.



Rregulla parandaluese nga sëmundjet psikike


Në kuadër të parandalimeve nga sëmundjet psikike, perspektiva e mësimeve profetike ka paraparë rregulla të përshtatshme, që ndërlidhen me periudha të caktuara të jetës së njeriut. Në vazhdim do të theksoj segmente të përzgjedhura, të dëshmuara si të suksesshme në kontekst të masave preventive nga sëmundjet psikike.



Zgjedhja e partnerit adekuat


Me kohë, sunneti e ka nxitur njeriun që në periudhën paramartesore të zgjedh partnerin e përshtatshëm të jetës. Në një hadith të Muhamedit (sal-lall-llahu alejhi vesel-lem) e gjejmë këtë udhëzim: “Zgjidhni për spermën tuaj (bashkëshorte të përshtatshme), sepse raca kurdis ngatërresa.” (el- Kadai, Musnedush-shihab, 1, 370)
Një konstatim i këtillë është vërtetuar nga hulumtimet që janë marrë me studime gjenetike.
“Martohuni me femra të largëta nga aspekti i gjakut, me qëllim që fëmijët tuaj të mos dobësohen.” (Ibni Haxher, Telhisul Habir, 3, 146)


Martesa e hershme ose agjërimi


Islami e parapëlqen martesën e hershme të të rinjve, posa të jenë futur në moshën e pjekurisë. Në të kundërtën, preferohet agjërimi nëse për shkaqe të ndryshme nuk mund të arrihet martesa. Për vetë faktin se agjërimi motivon mbrojtje të të rinjve dhe të rejave nga infektimet e mundshme të sëmundjeve seksuale. “O të rinj, ai që prej jush mund të martohet, le të martohet. E ai që, ndërkaq, nuk mundet, le të agjërojë, sepse agjërimi për të paraqet mbrojtje.” (Muslim, Sahihu Muslim, 2, 1019)
Nga këto mësime profetike vërehen mënyrat më të mira në shërbim të parandalimit të devijimeve dhe infektimeve nga sëmundjet psikike. Interesim të thellë Islami i ka kushtuar procesit sublim të përvetësimit të aktiviteteve shtesë, ndërkohë të vlefshme, gjatë adoleshencës. Në këtë kontekst paraqitet rekomandimi i Pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi vesel-lem): “Mësojua fëmijëve tuaj hedhjen e shtizës, notin dhe kalërimin.” (el-Menavi, Fejdul Kadir, 4, 327)
Si masë preventive Islami në mënyrë kategorike i ka ndaluar veprimet monstruoze dhe të neveritshme, siç është prostitucioni.
Në Kur’an theksohet: “Dhe, mos iu qasni kurvërisë, se ajo është shfrenim dhe rrugë e shëmtuar!” (Kur’an, 17 :32)
Psikologë të ndryshëm kanë ftuar në sublimimin e instinktit. Duke bërë hulumtime të shumta në këtë fushë, kanë arritur të nxjerrin në pak rezultate duke konstatuar se sublimimi dhe aktivitetet përmes proceseve sportive dhe hobeve kanë ndikim psikik në rritjen e balancimit të shëndetit mendor në mesin e të rinjve.
Në kontekst të kësaj, Islami thellë është interesuar për martesën e të rinjve pasi që ata të kishin filluar moshën e pjekurisë: ”Vini në provë, jetimët, derisa të bëhen për martesë!
Nëse vëreni se janë pjekur, atëherë jepjuani pasurinë e tyre...” (Kur’an, 4:6)
Kjo tregon qartë rëndësinë e ekzaminimeve psikologjike të kujdestarit ndaj fëmijës deri në moshën e pjekurisë, para se të urdhërohet me bartje të përgjegjësive. Islami iu ka kushtuar vëmendje të veçantë grave shtatzëna gjatë muajve të shtatzënisë. Në këtë drejtim i ka kushtuar vëmendje ushqimit, pijes dhe mirësjelljes ndaj saj. Duke e respektuar lodhjen, nëse lodhja asaj i shkakton stres. Ashtu që ia ka lejuar ngrënien, përkatësisht mosagjërimin e Ramazanit gjatë muajve të shtatzënisë, derisa fetusi të formohet dhe të mund të zhvillohet si në aspektin fizik, ashtu edhe aspektin nervor, në formën më të mirë të mundshme.
Në Kur’an theksohet: “Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi...” (Kur’an, 2, 184)



Edukimi psikik


Kujdes të madh Islami i ka kushtuar kujdesit ndaj femrës, duke bërë që ajo të ishte në qendër të vëmendjes së bashkëshortit të saj. Me të vetmin qëllim: ajo të mund të kryejë me nder, me qetësi e me lehtësi misionin e edukimit psikik.
Edukimi i tillë fillon me dhënien gji fëmijës nga nëna e vet ose nga ndonjë grua tjetër. “Por, nëse keni vështirësi të merreni vesh, atëherë le ta ushqej me gji një (mëndeshë) tjetër.” (Kur’an, 65 : 6)
Sipas hulumtimeve të bëra, është konstatuar se ushqimi nga gjiri i nënës ka rezultuar më i suksesshëm në edukimin psikik se ushqimi i fëmijës me gji artificial. Sipas Kur’anit, periudha kohore e ushqimit të fëmijës me gjirin e nënës zgjat rreth dy viteve të plota.
“Nënat le t’iu japin gji fëmijëve të tyre dy vjet të plota...” (Kur’an, 2:233)
Sipas parimeve juridike islame, fëmija që ka thithur qoftë edhe një pikë qumësht nga gjiri i një gruaje, e ka të ndaluar martesën me atë dhe fëmijët e saj. Ngase llogaritet vëlla, përkatësisht motër nga qumështi.
“Ju ndalohet martesa me nënat tuaja, me bijat tuaja, me motrat tuaja, me hallat tuaja, me tezet tuaja, me bijat e vëllezërve dhe bijat e motrave, me nënat (gratë) që ju kanë dhënë gji, me motrat tuaja që kanë thithur prej një gjiri... “ (Kur’an, 4 : 23)
Në mënyrë shkencore është dëshmuar (këtë e rekomandojnë edhe organizatat shëndetësore ndërkombëtare) rëndësia e thithjes së qumësht të fëmijës nga gjiri i nënës.
Në shenjë edukimi psikik, Islami thërret në barazi të plotë ndaj fëmijëve, bile edhe në puthje, me qëllim që të mos shkaktohet shqetësimi mes fëmijëve, që të mos vuajnë, të mos iu shkaktohen tensionime, frikë dhe forma të tjera psikike. Në fund po theksoj se Feja Islame vëmendje dhe kujdes i ka kushtuar dëfrimit të fëmijës për atë se e konsideron si të nevojshme në kuadër të edukimit të tyre psikik.
“Dëfrehu (bëj shaka) me birin tënd kur t’i ketë mbushur shtatë vjet dhe fillo po në atë moshë edukimin e tij dhe shoqërohu me të në atë moshë, më pas lëshoja litarin dhe lëre të lirë.”


 


Dr. Fahrudin Ebibi


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Gara ndërkombëtare e Kuranit në Kosovë: Juria e vlerëson si ndër më të mirat e organizuara deri tani