“Lehtësimi ligjor” dhe reflektimi i tij në aktualitetin njerëzor (2)

 


Rregullat e Usulit janë ato kritere gjuhësore të vendosura mbi baza të argumentit për të definuar kuptimin e argumenteve dhe përkufizimin e «ixhtihadit”
“Lehtësimi ligjor” dhe rregullat e Usulit Rregullat e Usuli
Rregullat e Usulit janë ato kritere gjuhësore të vendosura mbi baza të argumentit për të definuar kuptimin e argumenteve dhe përkufizimin e «ixhtihadit”.(1) 
 Sikur rregullat e Usulit, ashtu edhe ato të fikhut ndihmojnë në të kuptuarit e mirë të qëllimit të teksteve dhe të dispozitave të cilat ato japin. Ato janë të bazuara në parime fetare, prandaj të bazuarit në to është njëjtë sitë bazuarit në argument.
“Çdo obligim parësor (azime), lënia e të cilit është e lejuar, quhet “lehtësim ligjor”, i cili edhe nëse veprohet (si obligim parësor) është i vlefshëm.”
“Lehtësimi ligjor” thamë se është të punuarit kundër asaj që flet argumenti, por nëse i ngarkuari punon me “argumentin parësor” (azime), por duke mos e vënë në rrezik jetën apo diçka të domosdoshme për të, dhe nuk e shfrytëzon “lehtësimin ligjor”, të tillit i pranohet. Për dallim nga “obligimi parësor”, i cili nëse vërtetohet dhe definohet, i tilli duhet të zbatohet në formën që është kërkuar, në të kundërtën nuk pranohet. 
“Nevoja është shkak i lehtësimit ligjor.” 
Me fjalën “nevojë” është për qëllim ajo çështje pa të cilën jeta vazhdon, por me vështirësi të theksuara, prandaj kur nevoja paraqitet, mund të vihet në veprim “lehtësimi ligjor”, kurse kur ajo nuk gjendet, edhe mundësia për shfrytëzimin e “lehtësimit ligjor” nuk ekziston. Për shembull, transmeton Ibën Abasi r.a., se i Dërguari i Zotit -salAllahu alejhi ve selem- kishte bashkuar namazin e drekës me atë të ikindisë dhe të akshamit me të jacisë, pa pasur rrethana frike dhe as shi. Kur u pyet pse e ka bërë këtë, ai tha se ka dashur që mos ta rëndojë ymetin e tij.(2) Prandaj, në rastin në fjalë, kemi të bëjmë me një nevojë, e cila nëse nuk realizohet jeta vazhdon në formë normale, por me vështirësi.(3)
“Çdo veprim i cili lejohet për shkak të nevojës, nuk lejohet para se të shfaqet ajo (nevoja)”. 
Edhe ky rregull është i ngjashëm me atë paraprak. Shembull, nëse i ngarkuari niset për një udhëtim, dhe i njëjti është agjërueshëm për shkak të Ramazanit, të tillit nuk i lejohet ta ndërprejë agjërimin derisa të paraqitet nevoja, apo shkaku i lehtësimit. Pra, ai e fillon udhëtimin e tij duke qenë agjërueshëm, dhe në momentin kur paraqitet nevoja për të ngrënë, apo për ta ndërprerë agjërimin, atëherë i lejohet ta shfrytëzojë “lehtësimin ligjor”. I ngjashëm me këtë rregull është edhe: «Ajo çka lejohet për (një) arsye, s’lejohet nëse arsyeja zhduket”. P.sh., nëse nuk ka ujë, dhe i ngarkuari e praktikon tejemumin, i njëjti nuk ka të drejtë të marrë tejemum pa hyrë koha e namazit, gjegjësisht pa u paraqitur nevoja për tejemum, dhe kjo sipas shkollës juridike malikite, që nënkupton se tek ta (malikitë) nuk lejohet të falin më shumë se një namaz me një tejemum, por duhet marrë tejemum për çdo namaz.
“Lehtësimi ligjor” dhe rregullat fikhore (juridike) 
Nëse usulistët ndërlidhin “lehtësimin ligjor” me qëllimet e fesë, apo rezultatet dhe frytet e saj, atëherë edhe juristët e fikhut ndërlidhin atë me të qenit e veprës e lejuar apo jo?! Ata merren me fushën se: lehtësimi fetar në rast të caktuar, a është i lejuar apo jo!? Në bazë të kësaj ata kanë vënë rregulla: 
“Lehtësimi fetar nuk lejohet të praktikohet në mëkate”. 
Që do të thotë se nëse qëllimi i të ngarkuarit është të marrë një udhëtim për ta kryer ndonjë veprim jo të lejuar, atëherë për të nuk lejohet të praktikuarit e “lehtësimit ligjor”, por për të mbeten obligimet ashtu siç janë në esencë, ngase nuk ndihmohet askush në atë që e hidhëron Zotin. Kjo, ngase “lehtësimi ligjor” është legjitimuar për të mënjanuar vështirësitë dhe për të lehtësuar ato, prandaj atij që ka qëllim të bëjë mëkat, nuk i duhet lehtësuar, por duhet shtrënguar në mënyrë që mos t’i mundësohet bërja e veprës së ndaluar.
“Lehtësimi ligjor” nuk duhet t’i tejkalojë kufijtë e së lejuarës”.
Edhe ky rregull sikur ai paraprak, ka për qëllim fushën e të vepruarit për “lehtësimin ligjor”. D.m.th se, me rastin e lejimit të shfrytëzimit të “lehtësimit ligjor”, i ngarkuari nuk duhet ta përdorë atë dhe ta shfrytëzojë në fusha të tjera.
Parimi i “lehtësimit ligjor” dhe reflektimi i tij në aktualitetin njerëzor.
Kemi cekur më lart se “lehtësimi ligjor” është një dhuratë nga Zoti, lehtësim dhe mëshirë prej Tij, të cilën të ngarkuarit me detyra dhe obligime kanë mundësinë ta përdorin atëherë kur gjejnë vështirësi apo pamundësi në realizimin e së obliguarës. Kurani thotë: “Nuk obligon Zoti askënd përtej asaj që ai ka mundësi”(El-Bekare, 286),dhe:“…Ai (Allahu) nuk ka bërë në fe (gjëra) të vështira.” (El-Haxh, 78). Pastaj, jeta e të Dërguarit dhe gjeneratave të arta, si dhe librat e dijetarëve, janë të mbushura me shembuj dhe rregulla për këtë parim fetar. Kjo dëshmon se ligjet hyjnore janë të gjitha në shërbim të jetës së njeriut, për të mirën e tij dhe shoqërisë njerëzore, si dhe për ta bërë jetën më të lehtë, të lumtur, dhe praktimin e obligimeve të mundur dhe pratik. Kurani thotë: “Zoti do për ju lehtësimin dhe nuk e do vështirësimin.” (El-Bekare, 185). 
Për këtë arsye, thotë Ajshja -radijAllahu anha-, për të Dërguarin e Zotit: “Nuk ka pasur ndonjë rast për të përzgjedhur në mes të dy gjërave i Dërguari i Zotit e të mos e ketë zgjedhur më të lehtën prej tyre...”.(4)
Megjithatë, keqpërdorimet dhe keqinterpretimet për këtë parim nuk kanë qenë të vogla, andaj juristët edhe kanë vënë rregulla dhe kritere, të cilat e përkufizojnë atë dhe nuk e lënë të padefinuar. Bazuar në këtë, të ndjekurit e lehtësimit në çdo situatë apo për çdo veprim nuk është legjitim dhe as i pranuar. Madje, gjejmë juristët islamë të qortojnë shumë ata të cilët ndjekin çdoherë dhe kurdoherë “lehtësimin ligjor”, dhe gjykojnë për veprimet e tyre si të papranuara dhe për vepruesit si mekatarë. 
Dijetari Shatibiu i ka cekur efektet të cilat shkaktohen me rastin e ndjekjes së pakontrolluar të “lehtësimit ligjor”, duke iu referuar edhe juristëve tjerë si: Neveviu, Salahi, etj, si dhe i ka përkufizuar efektet e ndjekjes së lehtësimeve në tri pika: 
1. Në të ndjekurit e vazhdueshëm të “lehtësimit ligjor” ka shpërbërje të kritereve dhe bazës së obligueshmërisë, ngase i ngarkuari bën lehtësime të pakontrolluara dhe pa kritere, duke vepruar çdoherë atë që është më e lehtë për të dhe kjo është shfuqizim i obligimeve dhe shkelje e rregullave bazë. 
2. Shpërbërja dhe krijimi i një anarkie brenda institucionit të fetvasë, me këtë rast shkelen kriteret dhe injorohen qëllimet e fesë, bazë e të cilave është drejtësia dhe barazia, dhe si pa sojë shfuqizohet sistemi juridik dhe humbin të drejtat në mes të njerëzve. 
3. Ndjekja e vazhdueshme dhe e pakriter e “lehtësimit ligjore” shpie në idenë e shfuqizimit të shkollave juridike, ngase ai i cili ndjek çdoherë të lehtën, ai këtë e bën duke marrë nga çdo shkollë juridike atë që është më e lehtë.(5)
Përfundim
Disa nga rezultatet kryesore të cilat i veçoj në këtë punim: 
1. Prej veçorive të legjislacionit Islam është lehtësimi, kurdo që vështirësohet zbatimi i normave, si dhe rënia e obligueshmërisë, sa herë që pamundësohet jetësimi i tyre. 
2. Parimi i “lehtësimit ligjor” është i bazuar fuqishëm në burimet kryesore të legjislacionit islam, Kuran dhe Sunet, por edhe burimet e tjera bazë. 
3. Fushat e veprimit dhe praktikimit të “lehtësimit” janë përballja me vështirësi maksimale, në gjëra të domosdoshme dhe të nevojshme në jetë.
4. Keqpërdorimet dhe keqinterpretimet për këtë parim megjithatë nuk kanë qenë të vogla, andaj juristët edhe kanë vënë rregulla dhe kritere, të cilat përkufizojnë dhe e definojnë atë. 
Prandaj, për fund, mendojmë që fuqizimi dhe unifikimi i institucionit të fetvasë dhe kufizimi i kësaj dispozite vetëm te juristët e së drejtës islame, duke mos lejuar që të nxjerrë verdikte kushdo që ka dëshirë apo që mendon se është i thirrur dhe përgjegjës, është mënyra më e mirë e ruajtjes së parimeve bazë të fesë, në këtë rast edhe të dispozitës së “lehtësimit ligjor.»


_____________________
1. "Ixhtihad”quhet shfrytëzimi i gjithë potencialit mendor për të arritur te ndonjë vendim juridik. Shih:Zuhajli, El-vexhizë fi Usulil-Fikh el-Islami, botimi 2, (2/275), boton Ministria e Vakëfeve dhe Çështjeve Islame, Katar, viti 2006.
2. Muslimi, kapitulli: “Lejimi i bashkimit të dy namazeve në prezencë”. (1/490). Nr (48). Boton Dar “Ihja et-Turath el-Arabij”, Bejrut. 
3. Në shkollën juridike hanefite, një bashkim i tillë nuk lejohet, ngase namazi është bërë obligim në formë dhe kohë të caktuar me “argument të prerë” (kat’ij), ndërsa nuk mund të nxirret jashtë kohës së tij veçse me argument të prerë, ndërsa në rastin në fjalë argumenti nuk është i tillë, por është “i menduar” (supozuar) (dhannij). 
4. Buhariu, kapitulli: Zakoni i Profetits.a.v.s, (4/189), nr (3560). 
5. Shih: Shatibiu, el-Muvafekat, botimi 1, (1/477). Boton Dar “IbënAffan”, viti 1997


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Gara ndërkombëtare e Kuranit në Kosovë: Juria e vlerëson si ndër më të mirat e organizuara deri tani