Dr. Atiye Adlan
Ndërmjet gjakut të dëshmorëve dhe ngjyrës së penës së dijetarëve, mendja arabe qëndron e shokuar dhe me frustrim pyet: Deri kur do të mbetet vija ndarëse mes gjakut të dëshmorëve dhe ngjyrës së dijetarëve në vendin e saj, duke u shtrirë nga Toka deri në Qiell? Deri kur të mbetet gjaku i dëshmorëve në ballë, ndërsa ngjyra e dijetarëve në fund?
A nuk është koha që ngjyra e dijetarëve të rrjedhë në momentin e duhur, pa ngatërresa dhe pa konfuzion, ashtu siç rrjedh gjaku i dëshmorëve? Kur do të shohim një dijetar islam, një hoxhë, një predikues, një shkrimtar dhe një mendimtar si udhëheqës dhe komandant, e që më pas të shohim luftën dhe betejën për liri, e cila zhvillohet si karvani që udhëton nën udhëzimin e një udhëheqësi të besueshëm?
E vërteta është se ekziston diçka që dijetarët kanë shkruar dhe që përfaqëson tekstin themelor për luftëtarët dhe revolucionarët, të cilin ata e shpjegojnë dhe komentojnë në pozitat e luftës, por kjo ende mbetet e rrallë, siç janë të rralla hijet në shkretëtirë dhe shqiponjat në qiell.
Dhe sa herë që një katastrofë zbret mbi muslimanët, gjaku rrjedh si lum dhe pjesët e trupave të muslimanëve shtrihen të shpërndara kudo, para se të ketë rrjedhur me druajtje një pikë ngjyre e dijetarit musliman.
Mesazhet e gjakut që shpërthyen në Gaza, mes rrënojave të saj, depërtuan në perceptimet dhe mendjet e njerëzve të arsimuar dhe të thjeshtë. Ato gjetën një rrugë në ndërgjegje dhe ndjenja, ngjallën emocionet fetare dhe njerëzore te muslimanët dhe jomuslimanët, ndërtuan një vetëdije të re, unike në një brez, në nivelin islam dhe njerëzor, dhe u paraqitën njerëzve, arabëve dhe jo-arabëve, një imazh unik dhe brilant të luftës për liri.
Ku qëndrojmë ne në raport me kapitalin tonë historik?
Ku janë atëherë dijetarët tanë, ku është ngjyra e tyre dhe ku janë librat dhe studimet tona që shkojnë përtej pyetjeve sipërfaqësore dhe mosmarrëveshjeve të pjesshme, që janë të orientuara drejt një vështrimi të përgjithshëm dhe të plotë të së ardhmes së muslimanëve dhe Islamit, dhe që synojnë të formojnë një projekt të madh civilizues që trashëgon kulturën dhe qytetërimin, dhe që do të jetë dhe do të mbetet pishtar dhe fanar për njerëzit?
Ku është mendimi premtues i bazuar në Librin e Allahut dhe zhytet në thelb të problemeve kryesore, të cilat filozofitë, qoftë ato lindore ose perëndimore, i kanë manipuluar, derisa ato nuk u bënë copëza skolastike që janë konsumuar nga bollëku i debateve dhe spekulimeve teorike?
A posedojmë ne – ummeti i Kur'anit – një teori koherente të edukimit sot? A kemi një koncept kur’anor dhe sheriatik për rregullat e menaxhimit të konflikteve?
A kemi aftësinë të sillemi siç duhet ndaj ligjeve hyjnore, duke i lidhur ato me ngjarjet në një mënyrë të drejtë që zgjidh dilemat intelektuale dhe krizat psikologjike me të cilat përballen brezat muslimanë? Kush prej nesh ka kryer një hulumtim të thellë mbi revolucionet, për të zbuluar mjetet e revolucionit dhe mjetet për ndryshimin pozitiv?
Para se ummeti islam të udhëtonte në lindje dhe perëndim, duke pushtuar, udhëhequr dhe ndërtuar, para se gjaku të derdhej në fushat e betejës, Kur'ani iu mësohej njerëzve ngadalë, dhe idetë dhe perceptimet zhvilloheshin dhe rriteshin bashkë me të vërtetat juridike dhe doktrinore.
Gjenerata e parë e muslimanëve ishte e frymëzuar nga ajetet e Kur'anit, me një kuptim të sofistikuar, me njohuri gjithëpërfshirëse, me një besim motivues dhe aspirata të larta që preknin qiellin plot yje.
Prandaj, ecja e tyre në rrugën e jetës nuk u karakterizua nga konfuzioni, hapat e tyre nuk ishin të paqëndrueshëm, dhe ata nuk ishin indiferentë ndaj ngjarjeve që ndodhnin dhe përsëriteshin vazhdimisht.
Edhe pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ky brez u ngrit pa devijime ideologjike dhe shtrembërime psikologjike, dhe ngriti shtetin dhe në të shpërndau drejtësinë mbi bazat e sheriatit.
Ata, përmes Kur'anit, i injektuan lëng jete njerëzimit të vdekur dhe vunë themelet e shkencës dhe civilizimit për brezat që i pasuan, dhe që mbi ato themele ndërtuan dhe zhvilluan në të gjitha fushat e shkencës dhe veprës praktike.
Sa shumë na duhet sot një kuptim i tillë i besimit dhe një kërcim shkencor dhe intelektual, të çliruar nga prangat e pasimit të verbër, që do të na shtynte përpara, që do të shoqërohej me sakrificë dhe heqje dorë, dhe përmes të cilit do të realizohej dhe bëhej realitet premtimi i Zotit të botëve, i Cili nuk e shkel asnjëherë premtimin e Tij.
Përshtati në shqip: Esat Rexha