Zëvendëskryeministrja në detyrë, znj. Emilia Rexhepi, nën shoqërimin e kryeimamit të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, vizitoi sot ekspozitën “Urat”, e organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe Ministria e Çështjeve Fetare e Arabisë Saudite.
Ajo gjatë kësaj vizite u shpreh se Arabia Saudite nuk është vetëm partner ndërkombëtar, por edhe mik i sinqertë me të cilin na lidh një lidhje e thellë – feja islame, vlerat e përbashkëta dhe respekti i ndërsjellë. Kjo lidhje i jep një forcë të veçantë marrëdhënieve tona dhe hap rrugën për bashkëpunim edhe më të fortë në të ardhmen, qoftë në kulturë, arsim, ekonomi apo projekte të përbashkëta që e përmirësojnë shoqërinë tonë.
Besoj se së shpejti do të kemi mundësinë të prezantojmë pasurinë e kulturës kosovare në Arabinë Saudite, për të promovuar trashëgiminë tonë dhe për të afruar edhe më shumë popujt tanë përmes artit, kulturës dhe fesë që na bashkon.
Kultura dhe feja janë urat më të fuqishme që i lidhin njerëzit. Kosova mbetet e përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve miqësore me të gjitha shtetet që ndajnë vlerat tona: paqen, tolerancën, bashkëpunimin dhe respektin e ndërsjellë.