Çfarë thotë psikologjia për hadithin: “Gruaja është krijuar nga brinja…”?

 


"Personalitetin e gruas duhet ta pranoni ashtu siç është, vetëm nëse veproni kështu mund të jetoni një jetë të lumtur së bashku."
Shumë njerëz, pasi lexojnë hadithet që flasin për gratë, marrin një qëndrim dyshues ndaj tyre. Thonë: "Këto janë hadithe shoviniste." Po jap si shembull një hadith të njohur, në të cilin thuhet se gruaja është krijuar nga brinja e shtrembër dhe nëse përpiqesh ta drejtosh, vetëm do ta thyesh. Pra, duhet të kënaqesh me të ashtu siç është, ta pranosh ashtu siç është. Nëse përpiqesh ta drejtosh me forcë dhe e thyen, do të përfundosh duke u ndarë prej saj. Njerëzit e dëgjojnë këtë hadith dhe komentojnë: "Sa shovinist është ky!" Por, pse nxitojmë në marrjen e një përfundimi të tillë? Pse të mos shikojmë më parë në kuptimin e vërtetë të këtij hadithi?
Para se të martohesha, lexova librin për të cilin më flisnin të gjithë "Burrat janë nga Marsi, gratë nga Venera". Çfarë shkruhej në të? Shkruhej se nuk duhet të përpiqesh të zgjidhësh problemet gruas në vend të saj, mos prit që ajo të sillet si ti, duhet ta pranosh ashtu siç është. Mos prit që ajo të ndryshojë shumë; mjafton të jesh aty për të. Ndonjëherë ajo do të bëjë gjëra që për ty nuk kanë kuptim, por duhet ta pranosh se do të ketë edhe situata të tilla. Arsyeja është se "burrat janë nga Marsi, gratë janë nga Venera", pra janë të ndryshëm në shumë aspekte, sikur të vinin nga dy planete të ndryshme. Kur e lexova hadithin e përmendur, e kuptova që përcjell të njëjtin mesazh.
Ky hadith i drejtohet burrave. Ju garantoj, nëse do të mblidhni të gjithë burrat në një dhomë, të gjithë do të fillojnë të flasin për dëshirën që gratë e tyre të jenë më të arsyeshme, që të shohin disa gjëra ashtu siç i shohim ne, pse ato nuk mendojnë si ne? Nëse burrat mendojnë kështu, do të bëhen të pakënaqur dhe do të jetojnë në martesa të palumtura, sepse asnjëherë nuk do të arrijnë që gratë e tyre të jenë të njëjta me ta. Ata kurrë nuk do të mund t'i "rregullojnë" plotësisht. Ju duhet ta pranoni personalitetin e gruas ashtu siç është, dhe nëse veproni kështu, mund të kaloni një jetë të lumtur së bashku.
E kuptova se në këtë hadith përcillet i njëjti mesazh si në librin e njohur "Burrat janë nga Marsi, gratë nga Venera". Para se të gjykojmë hadithet e tilla, pse të mos ndalojmë dhe të pyesim se çfarë urtësie dhe mesazhi dëshiron të na përcjellë Resulullahi, salallahu alejhi ve selem? Ndoshta në këtë rast, hadithi i drejtohet burrave dhe u thotë se duhet të ndryshojnë mënyrën se si i shohin martesat dhe marrëdhëniet me gratë e tyre?
Kur hasim një problem me kuptimin e një hadithi të caktuar, i cili na duket i çuditshëm ose i pazakontë, le të pyesim veten: "Ku qëndron rrënja e problemit? A është problemi vërtet te hadithi apo në mënyrën si unë e kuptoj atë? Pse nxjerrim përfundime kaq të shpejta? Pse lexojmë hadithet në mënyrën që i lexojmë? Pse nuk lexoj komentet dhe shpjegimet e dijetarëve që kanë zbuluar urtësinë dhe mesazhin e thellë të këtyre fjalëve të bekuara??"



Autor: Dr. Jonathan Brown


Nuk ka artikull pas ketij.