Komentimi i kaptinës “El-Mutaffifin” (1)


Kjo kaptinë është emërtuar "El-Mutaffifinë", sipas ajetit hyrës të saj, ku Allahu xh.sh. njerëzit që matin dhe peshojnë shtrembër në dëm të të tjerëve, i përshkruan se hanë hakun e të tjerëve, pa të drejtë.
Kaptina "El-Mutaffifin", sipas shumicës dërrmuese të dijetarëve, është kaptinë mekase, e zbritur para sures "El-Bekare" dhe pas sures "El-Ankebut". Ka gjithsej 36 ajete, 199 fjalë dhe 780 shkronja.(1) Në radhitjen e Mus'hafit mban numrin 83, kurse në radhitjen e zbritjes është e 86-a.(2)
Megjithatë, rreth vendit të zbritjes së saj, dijetarët nuk janë të gjithë në ujdi, nëse kjo sure është mekase apo medinase, apo nëse ka zbritur një pjesë në Mekë e pjesa tjetër në Medinë...
- Prej dijetarëve të mëhershëm, të cilët këtë sure e konsiderojnë mekase, janë Ibn Mes'udi, Dahhaku, Jahja ibn Selami, e në disa rivajete edhe Ibn Abbasi, kurse nga mufessirët: Ibn Ebi Zemenin,(3) Ibn Atijje,(4) Zemahsheriu,(5) eth Thealebi,(6) Fahru Rraziu,(7) etj.. Ndërkaq, nga mufessirët bashkëkohorë, të cilët e përkrahin këtë mendim, janë: Meragiu,(8) Mahmud Hixhazi,(9,) Sejid Kutbi,(10), Dr. Vehbe Zuhajli(11) etj..
- Në mesin e dijetarëve që e konsiderojnë medinase këtë sure, janë: Ibn Abbasi, Hasani, Ikrimja, Katadeja dhe Mukatili, ndërkohë që Ibn Abbasi dhe Katadeja kanë thënë se 8 ajetet e fundit të kësaj sureje (ajetet 29-36)(12) janë mekase. Prej mufessirëve të mëdhenj, të cilët e përkrahin këtë mendim, janë Ibn Kethiri,(13) Begaviu(14) etj., kurse prej atyre bashkëkohorë, i këtij mendimi është Ebu Bekr el Xhezairi.
- Ndërsa nga dijetarët e mëhershëm që përkrahin mendimin se kjo sure ka zbritur në mes Mekës dhe Medinës, d.m.th. gjatë hixhretit, janë: Xhabir bin Zejd dhe Ibnu-s-Saibi,(15) e prej mufessirëve bashkëkohorë këtë mendim e përkrahin: Ibn Ashuri16, muhamedinilemin el Arumijj esh-Shafi'ijj(17) etj..
Në vijim do të sjellim nga një mendim të argumentuar të dijetarëve lidhur me vendin dhe kohën e zbritjes së kësaj sureje:
- Ibn Atijje ka thënë: "Një grup tefsirologësh kanë argumentuar se kjo sure është mekase, për faktin se në të janë përmendur fjalët "esatirul evvelin"-"legjenda (mite) të të parëve", të cilat kryesisht janë përdorur në suret mekase, meqë edhe përmbajtja e saj flet rreth mohuesve të ringjalljes dhe ndëshkimit të tyre në Ahiret".(18)
- Imam Sujutiu në veprën e tij "El-Itkan...", duke anuar nga mendimi se kjo sure është medinase, thotë: "Për këtë sure thuhet se është mekase, për shkak se në të janë përmendur fjalët "esatirul evvelin". Po ashtu është thënë se është medinase, sepse banorët e Medinës ishin njerëzit më të këqij në matje e peshim, ndërkohë që ka edhe disa të tjerë që thonë se ka zbritur në mes Mekës dhe Medinës, kurse unë them (se është medinase), duke u mbështetur në transmetimin që përcjellin Nesaiu(19) dhe Ibn Maxhe(20) nga Ibn Abbasi, të ketë thënë: "Kur i dërguari i Allahut u vendos në Medinë, ata ishin njerëzit më të këqij në matje dhe, pasi zbriti surja "El-Mutaffifin", ata i përmirësuan sjelljet e tyre në matje dhe peshim".(21)
- Ndërsa prej mufessirëve bashkëkohorë, Ibn Ashuri, duke u përpjekur për të vënë një baraspeshë logjike në mes këtyre transmetimeve, konsideron se kjo sure ka zbritur në mes Mekës e Medinës dhe thotë: "Sigurisht se ka një urtësi të madhe që kjo sure të ketë zbritur në mes Mekës e Medinës, sepse matja dhe peshimi i shtrembër ishin të përhapura në të dyja qytetet (Mekë e Medinë). Prandaj mendimi se kjo sure është e fundit që ka zbritur në Mekë, dhe e para që ka zbritur në Medinë, është një mendim në të cilin të fle zemra, sepse ishte dëshira dhe vullneti i Allahut që Medina të pastrohej nga këto vese të urryera e devijante, para se të hynte në të i Dërguari i Allahut,(22) sepse në këtë qytet të bekuar të Medinës, që atëherë do të fillonte themelimi i shtetit islam, i bazuar në ligjet e Allahut të Madhërishëm.
Sidoqoftë, të vërtetën rreth zbritjes së kësaj sureje e di më së miri vetëm Allahu xh.sh., për sa kohë që edhe unë anoj nga mendimi se kjo sure është mekase dhe është surja e fundit që ka zbritur në Mekë, pikërisht në vigjilje të Hixhretit. Arsyeja e animit nga mendimi se kjo sure është e fundit që ka zbritur në Mekë, është shumë më e fortë dhe logjikisht më e argumentuar sesa nga mendimi i atyre që zbritjen e kësaj sureje e zhvendosin në Medinë. Po qe se do të kishte zbritur në Medinë kjo sure në ditët e para të shpërnguljes së Resulullahit s.a.v.s. aty, një gjë e tillë sigurisht këta njerëz fisnikë të Medinës, do t'i sillte në një pozitë nënçmuese dhe poshtëruese, meqë ata i qenë përgjigjur me zemër të hapur ftesës për të hyrë në fenë e Allahut. Ata madje kishin vënë në dispozicion të Thirrjes Islame veten dhe tërë pasuritë e tyre. i kishin hapur krah e krah dyert e shtëpive për t'i strehuar vëllezërit e tyre myslimanë, që ishin persekutuar e përndjekur nga vatrat e tyre në Mekë, nga ana e idhujtarëve mekas...
Krejt kjo na jep të kuptojmë se surja "El Mutaffifin" ka zbritur në Mekë, ndërkohë që jehona dhe mesazhet e kësaj sureje, që të f lakeshin veset e këqija, siç ishin keqmatja dhe keqpeshimi, tashmë kishin arritur edhe tek banorët e Medinës, para se i Dërguari i Allahut t'i nderonte ata me ardhjen e tij të bekuar, prandaj ata, me vendosmëri dhe me bindje, i kishin flakur njëherë e përgjithmonë këto vese të shëmtuara, kështu që Medina e ndritshme, tashmë ishte plotësisht e gatshme dhe e pastër që në gjirin e saj të pranonte krijesën më fisnike të kësaj ekzistence-Muhamedin a.s..


Emërtimi i kësaj kaptine


Kjo kaptinë është emërtuar "El-Mutaffifinë", sipas ajetit hyrës të saj, ku Allahu xh.sh. njerëzit që matin dhe peshojnë shtrembër në dëm të të tjerëve, i përshkruan se hanë hakun e të tjerëve, pa të drejtë. Kjo sure njihet edhe me një emërtim tjetër: "Et-Tatfif",(23) ndërsa imam Buhariu(24) dhe imam Tirmidhiu e kanë klasifikuar nën emërtimin: Sure "Vejlun lil mutaffifin".


Shkaku i zbritjes së kësaj kaptine


- Nëse merret për bazë mendimi i atyre që pretendojnë se kjo sure ka zbritur në Medinë, ose të paktën në Medinë është plotësuar zbritja e tërësishme, meqenëse ka zbritur gjatë hixhretit, atëherë kemi transmetimin që e përmendëm edhe në fillim të sures, nga Nesaiu dhe Ibn Maxhe, e këta nga Ibn Abasi, i cili të ketë thënë: "Kur i Dërguari i Allahut u vendos në Medinë, ata ishin njerëzit më të këqij në matje dhe, pasi zbriti surja "El-Mutaffifin", ata i përmirësuan sjelljet e tyre në matje dhe peshim".(25)
- Ebu Hurejre transmeton e thotë: "Në Medinë ishte një njeri që quhej Ebi Xhuhejne, ndërkohë që emri i tij i vërtetë ishte Amër, i cili kishte dy peshoja, me njërën prej tyre blinte, kurse me tjetrën shiste, dhe kjo sure kishte zbritur për shkak të tij".(26)


Lidhmëria e kësaj kaptine me atë paraprake "El-Infitar"


Kjo kaptinë ndërlidhet me kaptinën paraprake në disa segmente:
1. Allahu xh.sh. në ajetin e fundit (të 19) të kaptinës "El-Infitar" thotë: "Është dita kur askush nuk do të mund t'i ndihmojë asgjë askujt; atë ditë e tërë çështja I takon vetëm Allahut!", që nënkupton një lloj kërcënimi për mëkatarët dhe, për këtë arsye, tash në këtë sure përmenden këta lloj mëkatarësh që masin shtrembër dhe keq në peshojë, duke i vjedhur njerëzit dhe duke ua cenuar pa të drejtë hakun dhe pasurinë e tyre.
2. Në të dyja kaptinat kemi sqarim dhe përmendje të tmerreve të Ditës së Kiametit…
3. Në suren paraprake (ajetet 10-11), Allahu xh.sh. ka cekur se çdo vepër tonë e shënojnë melaiket që i kemi në të dy krahët: "Kurse ndaj jush janë përcjellësit, janë shkrues të ndershëm (kiramen katibin) të Allahut", ndërsa tash në këtë kaptinë, në ajetin 20, është përmendur Libri ku ruhen këto shënime (kitabun merkum): "Është një libër i qëndisur qartë".
4. Në suren paraprake, Allahu xh.sh. ka cekur se njerëzit janë të ndarë në dy grupe: "El-Ebrar"- të mirë dhe "El-Fuxh-xhar"- mëkatarë, duke përmendur përfundimin dhe vendqëndrimin e të dyja grupeve.
Ebu Hajjani thotë: "Kur Allahu ka përmendur grupin e të humburve dhe fatkeqëve si dhe Ditën e Gjykimit, Ai ka përmendur edhe disa ndëshkime që ka përgatitur për mëkatarët, duke cekur gjërat më të vogla, të cilat shumë njerëz nuk i konsiderojnë si diçka të rëndësishme - "matjen dhe peshimin", por kjo nënkupton faktin se, nëse ndëshkimi i Allahut për këtë mëkat në shikim të parë "të vogël", është kaq i madh, atëherë a thua çfarë ndëshkimesh të tmerrshme do të përjetojnë mëkatarët për gjynahet e tjera më të mëdha se kjo e keqmatjes në peshojë?!(27)
5. Surja "El-Mutaffifin" ka një lidhmëri të fortë edhe me tri suret paraprake: "El-Infitar", "Et-Tekvir" dhe "Abese", meqë të katër suret përshkruajnë skena të llahtarshme të Ditës së Kiametit, duke përmendur kronologjikisht se çfarë do të ndodhë në fakt atë Ditë të tmerrshme. Mund të themi se e shumta e asaj që përshkruhet se do të ndodhë në suren "Et-Tekvir", dhe e tëra që është përshkruar në suren "El-Infitar", do të ndodhë në fillim të Kiametit, e pastaj do të ketë një qëndrim të gjatë, para se të merremi në Llogari, kur njerëzit do të përjetojnë vuajtje, ankth dhe pritje të gjatë, kurse fati i secilit do të jetë sipas veprave që kanë bërë në këtë botë, ashtu siç e përshkruan Allahu xh.sh. tash në këtë sure në ajetin 6: "Në një ditë të madhe, në ditën kur njerëzit ngrihen (prej varrezave) për të dalë para Zotit të botëve".
6. Kaptina "El-Mutaffifin", përveçqë ka një lidhmëri harmonike me suren paraprake, po ashtu është në harmoni të plotë edhe për sa i përket fillimit dhe fundit të saj. Në ajetin e parë të kësaj kaptine: "Të mjerët ata që masin e peshojnë (shtrembër)", Allahu xh.sh. i kërcënon haptazi keqmatësit dhe keqpeshuesit me dënim të tmerrshëm, sepse ata nuk kishin llogaritur se do të ringjalleshin e do të dilnin para të Madhërishmit, madje përveç kësaj edhe i nënçmonin haptazi besimtarët, kurse fundi i kësaj sureje: "Vallë a (nuk) u shpërblyen jobesimtarët për atë që punuan? (Po)", vërteton katërçipërisht se jobesimtarët dhe hipokritët në Ditën e Llogarisë së madhe, do të marrin vërtet ndëshkimin e merituar për paudhësitë e tyre në këtë botë, ndëshkime të rënda në zjarrin e Xhehenemit.


Përmbajtje e shkurtër e kësaj kaptine


- Kjo kaptinë, sikurse edhe kaptinat e ngjashme me të, mekase, kujdes të veçantë u kushton besimit imanit dhe momenteve të Ditës së Llogarisë.
Po ashtu në këtë sure theksohen çështje të moralit shoqëror (mirësjelljes në mes njerëzve), të cilat janë pasqyruar në peshojën e njerëzve, që të mos mashtrojnë njëri-tjetrin as në këso gjëra të imëta.
Kaptina fillon me kërcënimin e frikshëm për ata që masin a peshojnë shtrembër (Shih: ajetet 1-6).-
Ajetet në vazhdim sqarojnë se Libri i mëkatarëve gjendet në "Sixh-xhin", në fund të skëterrave të Xhehenemit, e ky vend i llahtarshëm do të jetë edhe vendqëndrim i përjetshëm i këtyre mëkatarëve pabesimtarë. (Shih: ajetet 7-17)
- Kurse ajetet (18-28), flasin për besimdrejtët, të cilët i besuan e iu nënshtruan me plot respekt Allahut xh.sh., si dhe për atë se vendqëndrim i tyre do të jetë Xheneti me mirësitë dhe begatitë e tij. Ajetet sqarojnë se edhe për të mirët ka një Libër që ka regjistruar çdo vepër të tyre, por, në dallim nga "Sixh-xhini" i mëkatarëve, ky libër gjendet në "Il-lijjin"-një vend i lartë e i respektuar në Xhenet.
- Kaptina përmbyllet me përshkrimin e qëndrimit të kriminelëve ndaj besimtarëve. Këta mëkatarë e mizorë kishin përqeshur e nënçmuar besimtarët për devotshmërinë dhe besimin e tyre në jetën e kësaj bote. Po në Ahiret hapet perdja tjetër, ku protagonistët tash i ndërrojnë rolet, - tash besimtarët do të tallen me kriminelët dhe pabesimtarët, duke i shikuar tek ndëshkohen në zjarrin e Xhehenemi.t (Shih: ajetet 29-36).(28)
(Vijon)



_______________________
(1) Muhamedinilemin bin Abdullah el Arumijj esh-Shafi'ijj Hadaiku-r-rrevhi ve-r-rrejhani fi revabi ulumi-l-Kur'ani, vëll.31 f. 212, Bejrut, 2001.
(2) Ibn Ashur Et-Tahriru ve-t Tenviru vëll 30 f. 188
(3)Tefsirul Kur'anil Aziz, vëll. 5, f. 105, Kajro, 2002
(4) Ibn Atije el Endelusi El-Muharrerul Vexhiz.vëll 5, f. 449, Bejrut 2001
(5) Zemahsheriu El-Kesh-shaf… vëll. 6, f. 333, Rijad, 1998.
(6) El-Xhevahirul Hisan vëll 5, f. 559, Bejrut 1997
(7) Mefatihul Gajbi, vëll. 32, f. 88, Bejrut 1981
(8) Tefsirul Meragij vëll. 30 f.71, Kajro 1946
(9) Tefsirul Vadih, vëll.30, f. 25, Kajro 1975
(10) Fi Dhilalil Kur'an, vëll. 6, f. 3855, Bejrut 1986
(11) Et-Tefsirul Munir, vëll. 30, f. 480, Damask, 2007
(12) Ebu Tajjib Siddik Han el-Kinnuxhi Fet'hul bejani fi mekasidil Kur'ani, vëll. 15, f.121, Bejrut 1992
(13) Ibn Kethiri, vëll. 4 f. 482
(14) Mealimu-t-Tenzil, vëll. 7, f. 361, Rijad 1412 h.
(15) Ibnul Xhevzijj Zadul mesir, vëll.9 f. 51
(16)Et-Tahriru ve-t-Tenviru vëll 30 f. 187.
(17) Shih: Hadaiku-r-rrevhi ve-r-rrejhani... vëll. 31, f. 212
(18) El-Muharrerul vexhiz..., vëll 5, f.449
(19)En Nesaiu në "El-Kubra" (11590 dhe 11654); Shih edhe Tefsirin e Kurtubiut, El-Xhamiu li ahkamil Kur'an vëll. 22. f. 129, Bejrut 2006
(20) Sunen Ibn Maxhe vëll. 2, f. 748, nr: (2223) - Këtë transmetim Albani e konsideron si sahih-të vërtetë.
(21) El-Itkan fi Ulumil Kur'an vëll. 1, f. 39.
(22) Et-Tahriru ve-t-Tenviru vëll 30 f. 188.
(23) Shih: Hadaiku-r-rrevhi ve-r rrejhani.... vëll. 31, f. 211
(24) Sahihul Buhari (8/888)
(25) Imam Sujutiu Lubabu-n-nukuli fi esbabi-n-nuzuli Bejrut 2002, f. 289; Shih po ashtu Vahidiu Esbabu-n-nuzuli f. 253
(26) El-Xhamiu li ahkamil Kur'an, vëll. 22, f. 129.
(27) El-Bahrul Muhit, vëll. 8, f. 439.
(28) Et-Tefsirul Munir, vëll. 30, f. 110-111.



Sabri Bajgora


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip