Ligjërata është një nga mënyrat e përhapjes së një ideje apo të një kodi nëpërmes të cilit masa e gjerë mund të përfitojë. Ajo mund të ketë ndikim pozitiv sidomos kur të zbukurohet me argumente bindëse. Që ligjërata të ketë ndikim pozitiv te masa, ligjëruesi duhet t'i ketë këto tipare:
Sinqeriteti
Ligjërues i nderuar, duhet të kuptosh se misioni që ushtron ti, është i shenjtë, prandaj duhet ta kryesh me sinqeritetin më të madh. Përpiqu që, nëpërmes ligjëratës sate, të arrish kënaqësinë e Allahut e shpërblimin e Tij dhe kurrë mos syno kryelartësinë. Thjeshtësoje atë, në mënyrë që të pranishmit ta kuptojnë sa më mirë. Mos përdor shprehje të vrazhda, por sipas edukatës për se na bën thirrje Kurani, të ligjërojmë.
Njohuritë
Përveç sinqeritetit që duhet ta ketë ligjëruesi, gjithashtu ai duhet të ketë njohuri që ndërlidhen me ligjëratën. Argumentet që ofron, duhet të jenë bindëse. Mos gabo të ngurrosh e të thuash NUK DI! Mos fol për atë që nuk ke njohuri, sepse gjymtyrët e trupit tënd do të dëshmojnë kundër teje ditën e llogarisë. Kurrë mos u thello në ato çështje për të cilat nuk ke njohuri, dhe gjithsesi bëhu sa më i qartë për të pranishmit! Nëse të pranishmit janë nga shtresa jointelektuale, atëherë mos përdor alegori, po thjeshtësoje ligjëratën me argumente bindëse. Ligjërata që t'i përgatit, duhet të ndërlidhet gjithsesi me aktualitetin. Thotë Allahu i Madhërishëm: "O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm ju sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, në mënyrë që të mos goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë". (El-Huxhurat:6)
Bëhu shembull për të tjerët
O ti që ke pranuar përgjegjësinë e foltores, bëhu shembull për të tjerët, si në thëniet e tua, ashtu dhe në vepra, në sjellje dhe në pamje! Duhet ta dish se për tërë këto ke shpërblim nga Krijuesi yt. Duhet ta dish gjithashtu se njerëzit shikojnë gjithmonë sjelljen tënde, sepse, derisa ti këshillon për të mirë, të pranishmit sigurisht që presin nga ti sjellje të mirë. Mu për këtë arsye duhet që veprat e tua të përputhen me thëniet dhe ligjëratat e tua, ngase ti, kur i bën thirrje dikujt për zbatimin e Ligjit të Allahut, atë duhet ta zbatosh paraprakisht vetë, nëse dëshiron që ligjërata jote të ketë efekte pozitive. Mos gabo t'u bësh thirrje njerëzve për bamirësi, e ti vetë të mos bësh mirë; ky veprim humb besimin e të pranishmëve te ti dhe ata nuk do të respektojnë fjalët e tua. Allahu thotë: "A po i urdhëroni (thirrni) njerëzit për punë të mira, e veten tuaj po e harroni? Ndërsa ju e lexoni librin (Tevratin). A nuk po mendoni?" (El-Bekaretu, 44)
Urtësia
O ti që përpiqesh për përmirësimin e individit dhe formimin e shoqërisë së shëndoshë, mos harro se misioni yt i thirrjes në fenë islame, bazë kryesore ka urtësinë dhe këshillën e mirë, përmes të cilave e ke obligim t'i mësosh njerëzit për atë që nuk e dinë, rikujtimin e asaj që harrojnë nga mësimet e Kuranit dhe Synetit. Prandaj obligohesh të ligjërosh para njerëzve me gjuhën që u përshtatet atyre. Mos syno që, përmes ligjëratave të tua, të shtiresh se je i ditur. Mos fol me alegori, sepse çdo vend ka edhe kuvendin e vet, prandaj çdo ligjëratë duhet të shpjegohet sipas përgatitjes intelektuale që kanë xhemati. Mos u fol për gjëra që nuk i kuptojnë, sepse, nëse u flet për gjëra që nuk i kuptojnë, atëherë fut përçarje tek ata. Këtë e konfirmon ajo që transmeton Abdullah ibn Mesudi, se i Dërguari i Allahut ka thënë: " Nëse u flet njerëzve për një çështje që nuk e kuptojnë, ajo do të fusë përçarje tek ata". (Muslimi) Duhet ta dish se zgjedhja e temës së ligjëratës që ka të bëjë me aktualitetin që preokupon xhematin, ka efektin e saj pozitiv qindra herë më të madh sesa një ligjëratë shkel e shko. Ligjëruesi duhet të ketë shumë kujdes për këtë çështje, sepse - si të kalojnë ditët e muajit Ramazan e ti të mos u flasësh njerëzve për asnjë rregull të agjërimit, apo - si të kalojnë ditët e Haxhit e ti të mos u flasësh njerëzve për rregullat e tij. Pra duhet, t'u ligjërosh njerëzve me mirësi, urtësi e butësi për tema aktuale, të cilat do të ndikonin pozitivisht në formimin e individit dhe të shoqërisë. Allahu i Madhërishëm thotë në Kuranin fisnik: "E kush është në rrugë më të mirë se ai që thërret në rrugën e Allahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: "Unë jam prej muslimanëve?"(Fusilet, 33)
Ngritja dhe ulja e zërit
Ligjëruesi duhet të ketë kujdes për ngritjen dhe uljen e zërit. Zëri është gjithashtu një element shumë i rëndësishëm për të arritur ligjërata në brendinë e të pranishmit. Ekzistojnë ligjërues të cilët ngrenë zërin e tyre fare pa lidhje, kur nuk është momenti i duhur, po edhe e ulin zërin e tyre, kur është momenti për ta ngritur. Me këtë veprim, ky ligjërues humb efektin e ligjëratës së tij, edhe nëse i përmbush kushtet dhe tiparet që u cekën më lart. Ekzistojnë gjithashtu ligjërues që, sa herë që ligjërojnë, qajnë para të pranishmëve. Këtë nuk mund ta mohojmë, se nga sqarimi i ndonjë tregimi apo ngjarjeje, ligjëruesi mund të ndikohet sikur ndikohen edhe të pranishmit, mirëpo jo për secilën ligjëratë që ai mban, të qajë, sepse kështu ligjërata del nga binarët e saj dhe merr kah tjetër, negativ.
Shkurtimi i ligjëratës
Nga tiparet pozitive të ligjëruesit, është gjithashtu edhe shkurtimi i ligjëratës, derisa të pranishmit të bezdisen mos nga qëndrimi i tepërt. Ajo që kërkohet nga ligjëruesi, është që të ligjërojë sipas udhëzimeve të Pejgamberit a.s. duke e shkurtuar ligjëratën dhe duke zgjatur këndimin e Kuranit. Lidhur me këtë, i Dërguari a.s., në hadithin që transmeton Ammari, thotë: "Zgjatja e namazit dhe shkurtimi i ligjëratës është begati me të cilën Allahu e begaton ligjëruesin, prandaj zgjateni namazin dhe shkurtoni ligjëratën".(Muslimi). Dhe në një transmetim tjetër nga Ammari thuhet: "Na ka urdhëruar i Dërguari a.s. që t'i shkurtojmë ligjëratat". (Ebu Davudi)
Mr. Avdyl Rrahmani
Dituria Islame 247