Drejtori Simnica, mori pjesë në tribunën islame - Xhamia, trashëgimia që ndërtojmë sot, në Böblingen të Gjermanisë

 


Me ftesë të Qendrës Islame Shqiptare në Sindelfingen-Böblingen, drejtori për Diasporë pranë BIK-ut, Ekrem ef. Simnica, mori pjesë në tribunën islame me temë "Xhamia - trashëgimia që ndërtojmë sot", të mbajtur në qytetin Böblingen të Gjermanisë. 
Në këtë organizim morën pjesë figura të rëndësishme të jetës fetare nga bashkësitë islame të vendlindjes dhe të diasporës, duke dëshmuar nivel të lartë angazhimi, bashkëpunimi dhe uniteti të komunitetit shqiptar mysliman në Evropë.
Drejtori, pasi përshëndeti të pranishmit, përcolli urimet dhe selamet në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve udhëheqëse të saj dhe Myftiut Naim ef. Tërnava. Ai më pas foli për vlerën e xhamive në diasporë, duke theksuar se secili që kontribuon për këto shtëpi të Allahut, në fakt po ndërton një fortifikatë për fenë dhe identitetin e vet në këtë botë, si dhe një pallat për veten në ahiret.
Në fund, ai uroi përzemërsisht kryetarin e xhamisë në Böblingen, z. Armend Nuredini, nënkryetarin Isa Rashica, imamin e nderuar Abdullah ef. Bahtiri, kontribuesin e veçantë haxhi Urim Hoxhaj, Kryesinë dhe xhematin për blerjen e kësaj xhamie, duke shpresuar që ajo të bëhet pikë bashkimi, uniteti dhe fuqizimi shpirtëror për komunitetin shqiptar në Böblingen të Gjermanisë.
Edhe kësaj radhe, shqiptarët e Böblingenit me rrethinë, si edhe ata nga mbarë bota, dëshmuan zemërgjerësinë, përgjegjësinë dhe gatishmërinë e tyre për të kontribuar për shtëpitë e Allahut.
Në përmbyllje u shkëmbyen dhurata dhe u ndanë mirënjohje për këtë xhami, të cilat i pranuan kryetari Armend Nuredini dhe imami Abdullah Bahtiri. Një mirënjohje e veçantë iu dorëzua edhe kontribuesit të përkushtuar për mbarëvajtjen e çështjes fetare, haxhi Urim Hoxhaj.







Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Rikthimi te rrënjët, vakëfi dhe historia që u ringjall në konferencë