Gjuha e Kuranit të madhëruar

 


Gjuha kuranore nuk është në nivelin e gjuhës së folur, dhe ne e shohim këtë nga "magjia" që buron nga ajo dhe që është, të themi, një natyrë e përafërt që Omerin r.a. e shtyri ta pranonte Islamin. 
Klasikët islamë në tefsir janë të pajtimit se Kurani është shpallur kryesisht në gjuhën e fisit Kurejsh apo dialektin e gjuhës arabe me të cilin është folur në këtë fis, për shumë gjëra më të famshme në Arabi në shekullin e shtatë.(1)
Duke pasur parasysh këtë qëndrim të klasikëve, orientalisti A.T. Welch thotë: "Shumica e dijetarëve mesjetarë myslimanë besojnë se Kurani ishte në gjuhën e të folurit të Pejgamberit, në dialektin kurejsh, i cili, gjithashtu, ishte gjuha e "poezisë klasike arabe" të kohës së Muhamedit."(2)
Shumë orientalistë, megjithatë, u përpoqën ta hedhin poshtë tezën e autorëve klasikë islamë se Kura ni është shpallur në gjuhën e fisit Kurejsh. Karl Vollers në artikujt e tij nga viti 1894 pohoi se Kurani në fillim është recituar nga Muhamedi në gjuhën e të folurit të përditshëm arab, pa vazhdime rasash/mbaresash (i'rab), dhe për këtë arsye gju ha kuranore ndryshonte nga gjuha e poetëve të kohës.
Në qoftë se tezën e Vollersit, e sjellim në konsekuencat përfundimtare, është e qartë se: "Kurani, pra, siç e kemi sot ne, është trillim i filologëve të mëvonshëm". Voller si do ta kishte të vështirë sot për ta justifikuar këtë tezë të tij para vetë orientalistëve. Sepse, ajo që ai i referohet "lëshimit të elifit në disa fjalë të Kuranit", nuk është kurrfarë prove se Kurani fillimisht është shpallur në gjuhën e të folurit të përditshëm. Bëhet fjalë vetëm për një shkrim të veçantë me të cilin është shkruar me recensionin osman. Në të kundërtën, gjuha kuranore nuk është në nivelin e gjuhës së folur, dhe ne e shohim këtë nga "magjia" që buron nga ajo dhe që është, të themi, një natyrë e përafërt që Omerin r.a. e shtyri ta pranonte Islamin. Teoria e Voller skit kishte dhënë shkak për një diskutim të madh rreth gjuhës së Kuranit, por ka gjetur pak mbështetje jashtë Gjermanisë.
Nöldeke dhe Schwally në librin Historia e Kuranit (Geschichte des Qorans, II, f. 59), pretendojnë se "gjuha e Kuranit nuk ishte gju ha e të folurit të cilitdo fis, por ishte gjuhë e artit Hochsprache ("mbigjuhë"), e cila u kuptua përgjatë gjithë Hixhazit. Kjo gjuhë është quajtur "koine poetike" ose "arabijja".(3)
Sot është në fuqi, në mesin e orientalistëve, teza e themeluar nga tre shkrimtarë evropianë, H. Fleisch, R. Blachére dhe C. Rabin, të cilët "arritën në përfundimin, me sa duket në mënyrë të pavarur, se gjuha e Kuranit është larg nga të qenit të folur në dialektin e kurejshëve dhe Hochsprache gjithë Hixhazit, dhe se është thjesht "koine poetike" e poezisë klasike arabe, me disa përshtatje me të folurit mekas ... "
Ky pretendim i tre orientalistëve evropianë nuk e ndryshon shumë pretendimin islam rreth Kuranit në gjuhën e fisit Kurejsh. Për shembull, Ibn Abbasi shpesh i interpretonte disa fjalë kuranore duke përdorur poezinë para-islamike. Dr. Muhammed Husejn Edh-Dhehe biu shkruan për këtë në tefsirin e tij Et-Tefsiru vel-Mufessirun.(4) Është e sigurt se Ibn Abbasi këtë nuk do ta bënte po të mos ishte i sigurt për ngjashmërinë dhe prirjen që ekziston midis poezisë para-islame dhe gjuhës kuranore.(5)


Ekzistimi i fjalëve me origjinë të huaj në Kuran


Dialekti i fisit Kurejsh është bazë e gjuhës së Kuranit. Muhamedi s.a.v.s. i përkiste fisit Kurejsh. Ai lindi në këtë fis. Aty ai u rrit dhe e mori Shpalljen. Fisi Kurejsh në këto zona ka pasur fjalën e fundit në politikë, ekonomi dhe kulturë. Ai e udhëhiqte Mekën dhe Qabenë. Anëtarët e këtij fisi ishin mbajtës të çelësave të Qabesë.
Ata e kanë shpaluar flamurin, i furnizonin pelegrinët me ujë dhe ushqim dhe në duart e tyre e mbanin Dar An-Nadwa (Shtëpi e debateve publike).
Në Kuran, përveç dialektit kurejsh, është prezent edhe dialekti i f isit Sa'd ibn Bekr, një degë e fisit Havazin në të cilin Pejgamberi ishte edukuar dhe kaloi një pjesë të rin isë së tij. Për këtë arsye, Pejgamberi s.a.v.s., me një rast kishte thënë se ai është më orator në mesin e arabëve, sepse lindi në fisin Kurejsh dhe u rrit në fisin Sa'd ibn Bekr.(6)
Në Kuran, përveç këtyre dyve, është i pranishëm edhe dialekti benu Abs (la jelitkum) në ajetin ku thuhet: Ve la jelitkummine'amali kum (Huxhurat, 14), sikur që janë të pranishëm edhe shumë fjalë të huaja të arabizuara, të cilat në thelb mund të kthehen në persishte, hebraishte, nabatishte, greqishte, etiopase, siriane, turqishte, koptishte, hinduse, berberishte dhe gjuhë të tjera.(7) Ata që studiojnë Kuranin e Madhërishëm, nga ai mund të mësojnë se Allahu, sa herë që i ka dërguar pejgamber ndonjë entiteti, gjithnjë i ka dërguar nga mesi, gjiri i tyre dhe u fliste me gjuhën e popullit nga i cili ishte dërguar ai pejgamber, prandaj, edhe vahji - shpallja, që i ishte dërguar pejgamberit të fundit -Muhamedit s.a.v.s., i është dërguar në gjuhën e popullit, nga i cili rridhte ai, pra në gjuhën arabe. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: "Ne, asnjë nga të dërguarit nuk e kemi dërguar ndryshe përveç në gjuhën e popullit të vet në mënyrë që t'u shpjegojë atyre (në atë gjuhë)." (Ibrahim, 4)(8)
Dijetari Et-Tusi beson se me dërgimin e pejgamberit me shpallje në gjuhën e popullit në të cilin është dërguar, siguroi përshtatshmërinë e shpalljes kuranore për kuptimin e tekstit të tij. Pop ulli të cilit i është dërguar shpallja mundi ta kuptojë mesazhin e tij dhe nuk kishte nevojë për përkthyesin e të folurit të pejgamberit. Ndërsa, El-'Alusi, duke interpretuar këtë ajet e ndjek pikëpamjen e Ebu Bekrel Vasitijit, dhe thotë: "Ebu Bekri pretendon se në Kuran mund të gjenden fjalë nga pesëdhjetë gjuhë. Ai i përmendi shembujt adekuatë, duke thënë se në Kuran nga fjalët jo-arabe ekzistojnë fjalët nga persishtja, nabatishtja, abesinishtja, berberishtja, hebraishtja, koptishtja dhe gjuhë të tjera."(9)
Studimet gjuhësore lejojnë që të vihet në dukje se në Kuran ka fjalë me origjinë hebraike: linetun (palme): "Ju nuk këputët asnjë nga hurmat e buta (fidanet) ose atë e keni lënë të ngritur në rrënjët e tyre, vetëm se me lejen e Allahut e për t'i shtypur kundërshtarët" (El-Hashr, 5), be'irun (deve): "dhe do ta shtojmë një barrë de veje (ushqim), e kjo është barrë e lehtë" (Jusuf, 65), merkum (i shkruar qartë): "Libri i shkruar në mënyrë të qartë" (El-Mutafifin, 9). Pastaj fjalët e origjinës persiane: sekar (Xhehenem-Skëterrë): "Në Sekar (Skëterrë) kam për ta hedhur atë!" (El-Mudethir, 26), miskun (misk): "vula e të cilave është misk (parfem)..." (El-Mutafifin, 26), ja kut (gur i çmuar ): "ato do të jenë si rubin (gurë të çmueshëm) dhe merxhanë (korale)" (Er-Rahman, 58). Pastaj fjalë me origjinë greke: rekim (pllaka), nabateje: 'arim (digë), siriane: tur (kodër), hindu: sundus (mëndafshi, tafta), etj.(10)


Pasqyrë historike rreth studimit të fjalëve të huaja në Kuran


Prej komentuesve të hershëm, me përjashtim të Ibn Abasit, me këtë problematikë janë marrë edhe Ibn Xhejjidi (vdiq në v. 95. H.), dhe Vehb ibn Munebbih (vdiq në v. 114 H.). Ata i pasoi imam Shafiu (vdiq në v. 204 H.) me veprat e tij Er-Risaleh dhe El-'Umm, Et-Tabe riu (vdiq në v. 310 H.), Er-Raziu (vdiq në v. 322 H.), El-Kurtubiu (vdiq në v. 671 H .), etj.(11)
Gjithashtu, edhe komentuesit klasikë, si Ez-Zerkeshiu (vdiq në v. 794 H.) dhe Es-Sujutiu (vdiq në v. 911 H.), nuk ngurronin për të diskutuar rreth fjalëve të huaja në Kuran. Këto janë fjalët e Zotit, sepse Zoti flet gjithmonë në gjuhën e popullit në të cilin është dërguar pejgamberi i Zotit. Ato fjalë arabët i pranuan para shpalljes së Kuranit me anë të kontakteve me hindusët, persianët, nabateanët, koptët, etj.(12)
Imam ez-Zerkeshiu në El-Burh anin e tij (vëll. I, f. 283 e në vazhdim), tregon se shumë autoritete të vjetra ishin kundër pranimit se në Kuran ekzistojnë fjalë të tilla. Ai thotë se imam Shafiu, e pastaj edhe Ibn Xherir et-Taberiu, Ebu Ubejde ishin kundër mendimeve të tilla, sepse Kurani, thonë ata, u shpall në gjuhën arabe. Ez-Zerkeshiu më tej përmend se Ibn Abbasi dhe Ikrime, dhe shkolla e tyre në tefsir në përgjithësi, pranuan se në Ku ran ekzistojnë fjalët e huaja, pra, jo-arabe.(13) Imam ez-Zerkeshiu, në veprën e tij të lartpërmendur, numëroi vetëm njëzet e katër fjalë të huaja të Kuranit, por nuk përmendi nëse ai ka punuar në mbledhjen e tyre dhe a është numri i tyre përfundimtar.(14)
Ebu Ubejde, duke mohuar absolutisht ekzistimin e fjalëve të huaja në Kuran, kishte thënë: "Kush mendon se në të (Kuran) ka edhe fjalë joarabe ka thënë fjalë të madhe...".(15)Imam Shafiu ishte i mendimit se duhet të bëjnë tevbe, duhet të pendohen për mëkatin e bërë dhe të kërkojnë falje nga Zoti të gjithë ata që thonë se në Kuran ka fjalë të huaja, joarabe.(16) Ibn Xherir et-Taberiu duke u mbështetur në fjalët e Allahut xh.sh.: "Në të vërtetë, ne e zbritëm atë Kuran arabisht... ", thotë: "Nuk i lejohet atij i cili beson në Kuran dhe i njeh ndalesat e Allahut xh.sh., të besojë se në Kuran disa fjalë janë persiane, pra, joarabe, dhe të tjera nabateje - prapë joarabe, duke pasur para sysh se Allahu x.sh., ka thënë: "Në të vërtetë, ne e zbritëm atë Kuran arabisht... "(17)
Es-Sujutiu në veprën e tij El-It kanufi 'ulumil-Kurani, fjalëve të origjinës së huaj në Kuran u kushtoi një kapitull të veçantë, në të cilin kishte bërë fjalë për ata të cilët mohojnë ekzistimin e fjalëve të huaja në Kuran dhe për ata që pretendojnë se në Kuran ka diçka më shumë se njëqind fjalë me origjinë të huaj. Vetë es-Sujutiu anonte kah mendimi i dytë, duke iu referuar hadithit në të cilin thuhet: „Fil-Ku rani min kul-li lisanin" (Në Kuran ka diçka nga çdo gjuhë). Këtë had ith e shënon Ibn Xheriri, me sened të saktë, nga Ebu Mejsereja. Diçka e ngjashme është transmetuar edhe nga Seid ibn Xhubejri dhe Vehb ibn Munebbihu. Studiuesit islamë janë të pajtimit që në gjashtëdhjetë e gjashtë sure kuranore nuk ka fjalë të huaja, ndërsa në pjesën e mbetur, rreth dyzet e tetë sure, ka diçka rreth njëqind fjalë me origjinë të huaj. Arthur Jeffery, në librin e tij The Foreign vocabulary of the Qur'an, përmend shumë fjalë të huaja. Për shumë prej tyre ai pretendon se edhe klasikët islamë rreth tyre flasin si për fjalë të huaja. Ai për këtë referohet në Ez-Zamahsheri un, Es-Sujutiun, Ibn Abbasin, por edhe në shumë orientalistë që kanë studiuar këtë lëmi.(18)
Në kohët e fundit, çështjen e fjalëve të huaja në Kuran e studioi doktori Abdus-Sabur Shahin në librin e tij Kiraetet kuranore në dritën e traditës gjuhësore, kurse me titullin "Vështirësitë me fjalë me origjinë të huaj". Ky autor çështjen e fjalëve të huaja në Kuran e trajtoi me metodën profesionale, edhe pse ai nuk e ka paraqitur mendimin e tij.(19)
Si përfundim për këtë problematikë, ne do të përmendim mendimin e Abdel-Amir Hadim Ali Zadeh, i cili thotë: "Jemi të mendimit se në Kuran ka fjalë të huaja dhe se frazat kuranore ''arabijjun mubinun" ose "bilisanin 'arabijjin mubin" arabëve nuk u përjashton mundësinë e marrjes së fjalëve nga gjuhët e lashta të fqinjëve të tyre, si siriane, hebraishte, abesinishte, persishte...".


___________________________________________
1. Enes Karić, Uvod u tefsirske znanosti, Sarajevë, 1997, f. 115.
2. Ibid., f. 115.
3. Ibid., f. 115 116.
4. Shih: Dr. Muhammed Husejn Edh-Dhe hebi, Et-tefsiru vel-mufessirun, I, Kairo, 1976, f. 65.
5. Enes Karić, Uvod u tefsirske znanosti, Sarajevë, 1997, f. 116.
6. Jusuf Ramić, Tefsir - historija i metodologija, FIN, Sarajevë, 2001, f. 98.
7. Dr. QazimQazimi, Njohuri mbi Kur'anin, Prishtinë, 2006, f. 179.
8. Ibid. f. 177.
9. Shih: El-'Alusi, Ruhul-Me'ani, kapitulli XIII, f. 186. Ose shih: Enes Karić. Semantika Kur'ana, Be must, Sarajevë, 1998, f. 595.
10. Jusuf Ramić, op. cit., f. 98..
11. Enes Karić, Semantika Kur'ana, op. cit., f. 592.
12. Për më shumë shih: Arthur Jeffery, The Foreign vocabulary of the Qur'an, Baroda, 1938, f. 12.
13. Enes Karić, Uvod u tefsirske znanosti, op. cit., f. 117.
14. Enes Karić, Semantika Kur'ana, op. cit., f. 592.
15. Subhi Salih, Dirasat fi fikhil-lugati, Botimi i tretë, Bejrut, 1968, f. 317.
16. Qazim Qazimi, op. cit., f. 178.
17. Enes Karić. Seman tika Kur'ana, op. cit., f. 603.
18. Enes Karić, Uvod u tefsirske znanosti, op. cit., f. 118.
19. Enes Karić. Semantika Kur'ana, op. cit., f. 592