Sipas fjalëve të fundit të Umerit r.a., kuptohet se ai dëshironte ta zgjidhte Sa'd ibn Ebi Vakkasin për halif të ardhshëm të myslimanëve. Ai, duke u këshilluar dhe duke u dhënë rekomandime ashabëve të tij, kishte thënë: "Nëse e zgjidhni Sa'din për halif, kjo është mirë, e nëse zgjidhni ndonjë tjetër, atëherë atë le ta ndihmojë Sa'di".
Allahu xh.sh. në Kur`anin famëlartë thotë: "Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë Allahut, e disa prej tyre e realizuan premtimin duke dhënë jetën, dhe ka prej tyre që janë duke pritur (ta zbatojnë) dhe ashtu nuk bënë kurfarë ndryshimi". (El Ahzab, 23)
Ndërsa Pejgamberi a.s., në hadithin e transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe Ahmedi ka thënë: "Më të mirët njerëz janë gjenerata ime (ashabët) pastaj ajo gjenerata që vjen pas gjeneratës sime (tabiinët), e pastaj ajo që vjen pas tyre (tabi- tabiinët). Më pas do të vijnë njerëz që do të dëshmojnë, por që në dëshminë e tyre nuk mbështeten njerëz që do të anojnë nga mashtrimi dhe do të jenë të pabesueshëm, që premtojnë, por nuk plotësojnë dhe në mesin e tyre do të paraqitet majmëria (barku i madh-trashësia)".(1)
Nuk ka dilemë se shokët e Pejgamberit a.s. ndërtuan një metodologji të pasur për brezat që erdhën më vonë. Pejgamberi a.s. i përshkruante ata me fjalët: "Shokët e mi janë si yjet në qiell. Me cilindo që të orientoheni, do të udhëzoheni".
Në këtë shkrim do të trajtojmë jetëshkrimin dhe biografinë e Sa'd ibnu Ebi Vekkasit. Nëse do të studionim jetëshkrimin e tij në aspektin politik, do të kuptonim se ai ishte nga politikanët e shquar. Nëse do ta studionim nga aspekti ushtarak, do të zbulonim se ai ishte ushtar trim dhe ekspert i luftës. Ndërkaq, në aspektin shoqëror, edukativ dhe familjar, Sa'd ibnu Ebi Vakkasi ishte njëri ndër edukatorët më të mirë dhe model për t'u ndjekur nga të tjerët.
Sa'd ibnu Ebi Vakkasi ishte daja i Pejgamberit a.s. (vëllai i nënës së të Dërguarit a.s.). Gjyshi i tij ishte Uhejb ibn Menafi, xhaxhai i Emines, nënës së të Dërguarit a.s.. Sa'd ibnu Ebi Vakkasi e kishte pranuar Islamin kur ishte 17 vjeç. Kur fliste për kalimin në islam, Sa'di për vetveten thoshte: "më kujtohet dita kur isha i treti në Islam" pra , ky ishte personi i tretë që kishte pranuar islamin, por kjo në fillim mbahej e fshehtë. Burimet dhe literaturat historike e biografike tregojnë se arsyeja e kalimit të Sa'dit në Islam ishte kalimi në Islam i Ebu Bekrit, i cili pastaj e kishte bindur edhe Sa'din. Në këtë grup ishin edhe Uthman ibn Afani, Zubejr ibn Avami, Abdurrahman ibn Aufi dhe Talha ibn Ubejdullahu. Kuptohet që është fjala për kohën kur u publikua Islami në mënyrë të hapur.(2)
Sa'd ibnu Ebi Vakkasi kishte shumë virtyte bujare, për shkak të të cilave mund të ishte krenar. Mirëpo, ai nuk qe kurrë mendjemadh e as që ishte lavdëruar ndonjëherë për këto cilësi. ai kishte përmendur vetëm dy veprime të veta. E para, se ishte i pari që kishte hedhur shtizë në rrugë të Allahut dhe i pari që ishte qëlluar. E dyta, se ishte i vetmi për të cilin Pejgamberi a.s. i ka bërë dorëzanë
prindërit e tij. Kjo kishte ndodhur në ditën e betejës së Uhudit, kur i Dërguari a.s. i tha: "Gjuaj, o Sa'd. Për ty i jap babën dhe nënën time"!(3)
është e vërtetë se sa'di i përmendte përherë me krenari këto dy mirësi: Ai gjithmonë, duke falënderuar Allahun xh.sh., thoshte: "Pasha Allahun, unë jam i pari që kam gjuajtur shtizë në rrugën e Allahut"!.(4) Në një rast, kur Umeri r.a. i ftoi myslimanët që të këshilloheshin për të zgjedhur një njeri që do t'i printe ushtrisë për t'u përleshur me persianët, ata të gjithë njëzëri e pranuan propozimin e Abdurrahman ibn Aufit.
Kur Umeri r.a. i pyeti ashabët: "Cilin mendoni se është më së miri ta dërgoj në Irak"? - të gjithë u thelluan në mendime dhe asnjëri nuk fliste. Atëherë Abdurrahman ibn Aufi tha: "E di unë". Umeri e pyeti: "Cili është ai"? Abdurrahmani iu përgjigj: "Kthetra e luanit: Sa'd ibnu Malik ez-zuhri"! Atëherë myslimanët e pranuan këtë propozim. Umeri r.a. i dërgoi njerëzit te Sa'd ibn Malik ez-Zuhriu, i njohur si Sa'd ibnu Ebi Vekkas, të cilin e emëroi administrues të Irakut dhe komandant të ushtrisë.
Në fakt edhe Pejgamberi a.s. e donte shumë Kthetrën e luanit (Sa'd ibn Ebi Vakkasin). Sa herë që lëvizte ai, derisa ishte me ashabët, Pejgamberi a.s. e përshëndeste me kureshtje dhe thoshte: "Ai është vëllai i nënës sime". Nëse ndonjëri prej nesh ka një mik, një shok ose të afërt me autoritet dhe shembull për të tjerët, atëherë ai ndihet krenar për këtë. Kjo tregon se njeriu përpiqet dhe dëshiron të identifikohet me fisnikët dhe njerëzit e sferës së lartë. Kushdo prej nesh që kontribuon për të mirë në shoqëri dhe në shërbim të saj, fëmijët e tij dhe e gjithë shoqëria do të identifikohen me të dhe do ta kujtojnë gjithmonë.
Sa'd ibn Ebi Vekkasi konsiderohet prej kalorësve më trima në mesin e arabëve dhe myslimanëve. Ai posedonte dy gjëra në luftë: shtizën dhe lutjen, sa herë që gjuante kundërshtarin, e qëllonte. Çdoherë që E luste Allahun, Ai i përgjigjej. Ai dhe ashabët besonin gjithmonë se kjo çështje ishte kështu, për arsye të lutjes së të Dërguarit a.s., për të. Një ditë, kur Pejgamberi a.s. e kishte parë si vepronte diçka me se ai ishte i kënaqur, kishte bërë këtë lutje për të: "Allahu im! Shtiza e tij le të qëllojë pa gabuar dhe përgjigjju lutjeve të tij".(5)
Si argument për këtë marrim edhe tregimin e përcjellë prej Amur ibn Sa'dit: Njëherë Sa'di kishte parë një njeri që kishte ofenduar Aliun, Talhanë dhe Zubejrin, ia tërhoqi vërejtjen, mirëpo ai vazhdoi me avazin e tij. Atëherë Sa'di i tha: "Mbi ty do të thërras zemërimin e Allahut". Njeriu i tha: "Ti po më kërcënon si të ishe ndonjë i dërguar". Sa'di, pasi mori abdes dhe i fali dy rekate namaz, i ngriti duart dhe bëri këtë lutje: "Allahu im! Nëse e di se ai njeri po i ofendon njerëzit, të cilëve Ti tashmë u ke dhënë atë që është më e mira, ndërsa ofendimi i tij ndaj njerëzve Të ka zemëruar, atëherë bëje atë shembull për të tjerët".(6) Pas kësaj lutjeje nuk kaloi shumë kohë dhe një deve erdhi në mënyrë të befasishme duke vrapuar e u fut në një turmë njerëzish. Pastaj e sulmoi atë njeriun dhe ai mbeti në mesin e këmbëve të devesë. Deveja vazhdoi që ta godiste, derisa ai vdiq.
Nëse kjo ngjarje tregon diçka, atëherë kjo është pastërtia e shpirtit të tij, dëlirësia e besimit dhe thellësia e sinqeritetit të tij. Ai gjithherë angazhohej që sinqeritetin ta përforconte me ushqime hallall dhe, krahas insistimit të madh, kishte refuzuar që t'i merrte të hollat me prejardhje të dyshimtë. Për këtë shkak Allahu i dhuroi shumë para hallall.
Pranimi i Islamit dhe reagimi i nënës së tij
Kur Sa'd ibn Ebi Vakkasi kishte pranuar Islamin, nëna e tij jomyslimane filloi t'i bënte presion që ta braktiste atë fe të re, pasi, sipas saj, ishte fe e rreme dhe binte në kundërthënie të plotë me fenë e të parëve të tyre. Presionet e nënës ndaj të birit, nuk arritën të ndikonin te sa'di për të ndryshuar qëndrimin e për t'u kthyer në fenë e të parëve. Duke e vënë re këtë, nëna e tij përdori një metodë tjetër presioni. Ajo i tha Sa'dit: " Nëse nuk do ta braktisësh Islamin dhe të kthehesh në fenë e parë, do të refuzoj çdo lloj ushqimi dhe pijeje derisa të vdes".(7)
I ndodhur në këtë pozitë të vështirë, Sa'di zuri të mendonte se si të vepronte: ta respektonte nënën e t'i bindej asaj, apo të vazhdonte të ndiqte rrugën e Allahut dhe fenë e Tij. Pasi u mendua mirë, i tha nënës: "Oj nënë! Unë të dua dhe të respektoj, por ajo që po më kërkon, është e pamundur. Për Zotin! Nëse do të kisha njëqind shpirtra dhe të gjithë të më dilnin njëri pas tjetrit, unë nuk do ta braktisja këtë fe që kam zgjedhur".(8) Por ç'ndodhi me nënën e tij, kur ajo e kuptoi se djali i saj nuk do ta braktiste fenë e Muhamedit a.s.? Ajo ndërroi mendjen dhe doli nga greva e urisë. Duke analizuar jetën shoqërore, edukative dhe familjare të Sa'd ibn Ebi Vakkasit, zbulojmë që ai përfaqësonte një shkollë edukative, nga e cila përfitojmë dhe kemi dobi edhe në ditët e sotme. Qëndrimin e Sa'dit e përcaktoi Allahu xh.sh. në Kur'an, kur tha: "E nëse ata të dy tentojnë që ti Të më bësh Mua shok, për se ti nuk ke kurrfarë fakti, atëherë mos i respekto ata..". (Llukman,15)
Sa'd ibn Ebi Vakkasi ishte njeri i devotshëm, i cili qante shpesh nga frika ndaj Zotit. Ai, kur e dëgjonte të Dërguarin a.s. si ligjëronte a këshillonte, lotonte aq shumë, saqë i lagej tërë gjoksi i tij. Njëherë, derisa i Dërguari a.s. po qëndronte ulur me ashabët e tij, i ngriti sytë drejt horizontit që ta dëgjonte atë që i shpallej fshehtë dhe me pëshpëritje. Pastaj i shikoi ashabët e tha: "Shumë shpejt do të vijë një njeri që do të jetë banor i Xhenetit".(9) Ashabët filluan të shikonin njëri-tjetrin nga të gjitha anët, me qëllim që të mësonin se kush do të ishte njeriu i lumtur. Nuk kaloi gjatë dhe u shfaq Sa'd ibnu Ebi Vekkasi. Kur e kishin pyetur shokët Sa'din se cila është ajo lutje a vepër që i kishte sjellë një shpërblim të tillë, u kishte thënë: "Asgjë më shumë se ajo që bëjmë të gjithë ne dhe lutemi. Por jam i zbukuruar edhe me një cilësi, e ajo është se nuk kam kurrfarë zemërimi a urrejtjeje ndaj vëllait mysliman"
Pjesëmarrja në beteja
Mund të thuhet se Abdurrahman ibn Aufi e përshkroi Sa'din me të drejtë si "Kthetra e luanit". Sa'di ishte njeriu që Umeri r.a. e kishte zgjedhur prijës në ditën e madhe të betejës në Kadisije, siç e kemi përmendur më sipër. Prijësi i besimtarëve ishte i vetëdijshëm për meritat e Sa'dit kur e pati zgjedhur për detyrën më të rëndë, pra që të ishte para myslimanëve dhe para islamit. E kishte zgjedhur, sepse lutjet e tij pranoheshin nëse kërkonte fitore prej Allahut xh.sh.. E kishte zgjedhur, sepse ushqimi i tij ishte hallall, gjuha e tij e pastër, mendja e tij e kthjellët dhe ai ishte njëri prej banorëve të Xhenetit, siç e kishte paralajmëruar i Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s..
Për të gjitha këto arsye, prijësi i besimtarëve, Umeri r.a. ia besoi në duar komandën për udhëheqjen e betejës së Kadisijes kundër persianëve që kishin përgatitur më shumë se 100 mijë ushtarë, të ushtruar mirë dhe të armatosur me armët më moderne të asaj kohe.
Sa'd ibn Ebi Vakkasi, me 30.000 ushtarët e tij, që ishin të armatosur vetëm me shtiza, po zemrat e tyre ishin të mbushura me vullnetin që u jepte feja e re, u përleshën me ushtarët e shumtë kundërshtarë. Dy ushtritë kishin dalë në fushën e mejdanit, po përleshja nuk po fillonte. Sa'di priste urdhrat e udhëheqësit të myslimanëve - Umer ibnu Hatabit. Në fund arriti porosia dhe urdhri i Umerit r.a. që të nisej drejt Kadisijes, pra drejt dyerve të Persisë. ai, duke e këshilluar sa'din, kishte thënë: "o sa'd ibn Vehib! Mos u mburr nëse të thonë: "Ti je daja i të Dërguarit dhe ashab i tij". Dije se nuk ka raport tjetër ndërmjet njeriut dhe Allahut përveç raportit të ndërtuar në bazë të nënshtrimit ndaj Tij". Pastaj i tha: "Më dërgo të dhëna për gjithçka që ndodh. Ku dhe si ke arritur? Si është pozita e armikut në dallim prej jush? Më njofto njësoj sikur të isha atje duke ju shikuar".(10) atëherë sa'di i shkroi umerit r.a. dhe i tregoi gjithçka që po ndodhte në fushëbetejë. Ndër të tjera i shkroi edhe këto fjalë: "Rrustemi me ushtrinë e tij është vendosur në vendin e quajtur Sabat, i ka marrë kuajt e elefantët dhe është nisur në drejtimin tonë". Atëherë Umeri r.a. ia ktheu përgjigjen me anë të së cilës e qetësoi.
Kur Umeri r.a., halifi i dytë i myslimanëve ishte sulmuar, kishte zgjedhur gjashtë ashabë të të Dërguarit a.s., që do të ishin përgjegjës për zgjedhjen e halifit të ardhshëm. Umeri r.a. kishte thënë t'i zgjidhnin gjashtë persona me të cilët kishte qenë i kënaqur i Dërguari a.s. deri sa ishte gjallë. Njëri prej atyre personave ka qenë edhe Sa'd ibn Ebi Vakkasi.
Sipas fjalëve të fundit të Umerit r.a., kuptohet se ai dëshironte ta zgjidhte Sa'd ibn Ebi Vakkasin për halif të ardhshëm të myslimanëve. Ai, duke u këshilluar dhe duke u dhënë rekomandime ashabëve të tij, kishte thënë: "Nëse e zgjidhni Sa'din për halif, kjo është mirë, e nëse zgjidhni ndonjë tjetër, atëherë atë le ta ndihmojë Sa'di"!(11)
Gjatë konfliktit ndërmjet myslimanëve, pas vdekjes së halifit të tretë, Uthmanit r.a., Sa'di kryesisht ishte tërhequr, madje e kishte urdhëruar tërë familjen e tij që të mos i tregonin asnjë lajm se çfarë po ndodhte.
Meqë pozicioni i Sa'dit ishte i njohur, një i afërm i tij, Hashim ibn Utbe ibn Ebi Vakkasi, i kishte thënë: "Xhaxhai im, jashtë janë 100 mijë shpata, njerëz të armatosur, që konsiderojnë se ti ke më shumë të drejta për këtë (d.m.th. për halifat)!" Sa'di ishte përgjigjur : "Prej këtyre 100 mijë shpatave, dëshiroj të shoh vetëm një shpatë që pret e qëllon armikun, por që nuk bën asnjë dëm kur e godet besimtarin".(12)
I afërmi i tij e kishte kuptuar se ç'kishte dashur të thoshte Sa'di, prandaj e kishte lënë të tërhequr në vetmi dhe të qetë. Kur kishte përfunduar konflikti në dobi të Muaviut, i cili pati marrë fronin, e pyeti Sa'din: "Pse nuk luftove me ne"? Ai ishte përgjigjur: "Mbi mua kaloi një mjegull e zezë"? Thashë: "Ik, ik"! Nuk vazhdova ta ngisja delen time derisa ajo nuk kaloi ". Muaviu tha: "Në librin e shenjtë, pra në Kur'an, nuk mund t'i gjej fjalët "ik,ik!", mirëpo Allahu xh.sh. ka thënë: " Nëse dy grupe besimtarësh tentojnë të luftojnë ndërmjet veti, pajtoni ata, e në qoftë se ndonjëri prej tyre sulmon tjetrin, atëherë luftojeni atë grup që vërsulet pa të drejtë, derisa t'i bindet urdhrit të Allahut". (El Huxhurat,9)
"E ti nuk ishe në asnjërën anë. Pra, as në anën e të padrejtit kundër të drejtit, dhe as në anën e të drejtit kundër të padrejtit". Sa'di iu përgjigj: "Nuk do të luftoja kundër njeriut (d.m.th. Ali ibn Ebi Talibit), për të cilin Pejgamberi a.s. ka thënë: "Ti për dallim nga unë je njësoj sikurse ka qenë Haruni në dallim nga Musai a.s.. Dallimi është se pas meje nuk do të ketë më të dërguar".
Sa'd ibn Ebi Vakkasi i kishte mbushur më shumë se 80 vjeç kur po përgatitej për t'u takuar me Allahun xh.sh.. Në lidhje me momentet e fundit të jetës së tij, ai zhvilloi një dialog me të birin, Mus'abin. Çastet e fundit të jetës së Sa'dit na i rrëfen Mus'abi. Në fjalët e tij do të vëresh interesin dhe përkushtimin e babait për të përcjellë tek fëmijët e tij vlerat më të larta edukative. Edhe në çastet e fundit, ai dëshironte t'i edukonte ata në frymën e besimit, e optimizmit për të ardhmen dhe shpresën që kishte në mëshirën e Allahut. Mus'abi tregon: "Ndërkohë që babai po vdiste, e kishte mbështetur kokën në prehrin tim, unë fillova të qaja dhe më rridhnin lotët. Ai e ngriti kokën dhe tha: "Përse qan, o biri im"?. Unë i thashë: "Për gjendjen në të cilën ndodhesh, o baba". Atëherë ma ktheu: "Mos qaj, o bir, Zoti nuk do ta ndëshkojë babain tënd, sepse do të jem nga banorët e Xhenetit".(13) me këto shprehje Sa'd ibn Ebi Vakkasi dëshironte të ngrinte lart moralin e të birit, dëshironte të kultivonte tek ai optimizmin dhe shpresën për mëshirën e Allahut. Pas vdekjes, trupi i muhaxhirit të fundit ishte varrosur në Medinë, i lëshuar me kujdes afër disa ashabëve të famshëm që kishin vdekur para tij. Trupat e tyre të lodhur, kishin gjetur përfundimisht strehimin dhe prehjen e tyre të sigurt në kopshtin e Atij Që është i Përhershëm.
____________________
(1) Buhariu, Muslimi, Ahmedi.
(2) Halid Muhamed Halid, Burrat përreth Pejgamberit a.s. (Titulli origjinal: Rixhalu havlerresuli), përktheu nga gj. boshnjake Agim Avdiu, f.92.
(3) Po aty.
(4) Po aty, f.93.
(5) Po aty.
(6) Po aty.
(7) Xhasim Mutava, Të përgëzuarit me Xhennet, Shkup,2010,f 183.
(8) Po aty.
(9) Halid Muhamed Halid, Burrat përreth Pejgamberit a.s.,f 95.
(10) Po aty,f.97.
(11) Po aty,f.102.
(12) Po aty.
(13) Xhasim Mutava, Ibid f.191.
Dituria Islame 260