Ky shkrim i shkurtër ka për qëllim të diskutojë në mënyrë shumë të shkurtër kontributin e dijetarit të hershëm Ibn Tejmije, në ekonomi, duke përmendur disa koncepte ekonomike të diskutuara nga ai, pa pretenduar se kjo temë e rëndësishme mund të përfshihet në këta pak rreshta.
Takiuddin Ebu el-Abbas Ahmed Ibn el-Halim Ibn Abdusalam Ibn Tejmije el-Hanbel, kishte lindur në vitin 1263 në Haran, një vend që tani gjendet në Turqi afër kufirit me Irakun, dhe ka vdekur në Damask në vitin 1328. Ibn Tejmije është i njohur si një dijetar me karakter të fortë dhe autoritet në shkencë, Hafiz i Kur'anit dhe autoritet në literaturën e hadithit. në moshën 20-vjeçare ai u bë profesor i shkollës juridike Hanbelite dhe i komentimit të Kur'anit dhe, për një kohë të shkurtër, ai u bë i njohur si dijetar me autoritet në fusha të ndryshme. Edhe pse ishte një anëtar i shkollës së themeluar nga Ibn Hanbeli, ai kishte synuar kthimin e Islamit tek burimet e tij, Kur'ani dhe Sunneti. Kur ishte në moshën 30 vjeç, atij i ishte ofruar posti i kryegjykatësit, por ai e kishte refuzuar për shkak se nuk kishte mundur ta bindte veten të ndiqte kufizimet që bëheshin nga udhëheqësit. Kontributi i këtij dijetari është shumë i madh edhe në lëmenj të ndryshëm, prandaj studiohet nga studiues të sferave të ndryshme dhe për qëllime të shumta. Pasi ekonomia është pjesë e pandashme e çdo shoqërie, edhe Ibn Tejmije, si një dijetar i këtij profili të lartë, nuk mund të mos shkruante për këtë lëm të rëndësishëm. ne do të fokusohemi rreth kontributit të tij në sferën e ekonomisë, duke lënë anash kontributet e tij në shkencat e tjera, për të cilat është i njohur.
Kontributi i tij në ekonomi
Fokusimi i Ibn Tejmijes ishin shoqëria, bazat morale të saj dhe mënyra se si duhet të sillet për të mbetur në përputhje me Sheriatin. Në arritjen e këtij rregulli, dijetarët duhet të udhëzojnë shoqërinë, po gjithashtu edhe udhëheqësit shtetërorë duhet ta ndiejnë këtë si obligim. Ai i diskutoi rregullat Islame për aktivitetet ekonomike të njerëzve, dhe më shumë vëmendje u kushtoi çështjeve shoqërore, siç janë: kontratat dhe fuqizimi i tyre, çmimet dhe cilat janë kushtet që ato çmime të konsiderohen të drejta e të arsyeshme, mbikëqyrja e tregut, financat publike dhe roli i shtetit për plotësimin e gjërave të nevojshme.Ibn Tejmije bëri thirrje për forcim të moralit të shoqërisë dhe jo për forcim të ideve individuale rreth devotshmërisë, të cilat personin e detyrojnë të tërhiqet krejtësisht nga shoqëria e cila i ofroi pak hapësirë për sukses të devotshmit. Ai ishte i mendimit se duhen caktuar limitet e lejueshmërisë në aktivitetet ekonomike dhe në ushtrimin individual të së drejtës së pronësisë, duke shpresuar se, nëse agjentët ekonomikë i përfillin rregullat siç duhet, morali i shoqërisë mund të mbijetojë. Mendimet dhe përgjigjet e tij, së bashku me shkrimet e tij që janë burimet kryesore dhe kontributi i tij më i madhi në fushën e mendimit ekonomik, konsiderohen punimet e tij: al-Hisba (Institucion i kontrollit) dhe el-Sijasah el-Sheriyeh fi Islah el-Rai ve Raiyah (Politika ligjore për reformim të udhëheqësit dhe të të udhëhequrit). Libri i tij el-Hisba nuk është kontributi i tij më i madhi, por është njëri prej kontributeve të tij, i cili i përket fushës së studimit rreth shoqërisë dhe vendosjes së rregullit dhe drejtësisë në sferën ekonomike. Ka shumë punime të shkruara rreth el-Hisba si institucion, Ibn Tejmije nuk është i pari që ka shkruar në këtë fushë. Shkrimet rreth institucionit el-Hisba ndahen në dy grupe apo kategori: (grupi i parë) ato që flasin për aspektin teorik, arsyeshmërinë, funksionalitetin dhe kufizimet e këtij institucioni të rëndësishëm dhe grupi i dytë sjell udhëzime dhe kushtet që duhet t'i plotësojë personi që punon në këtë drejtim si el-muhtesib si dhe çfarë pozite duhet të ketë el-Muhtesib në shoqëri.
Funksionimi i el-Hisba është pjesë përbërëse e skemës socio-ekonomike të shoqërisë islame. Edhe vetë Muhamedi a.s. dilte në treg për të kontrolluar dhe vërtetuar nëse sjelljet e individëve dhe shoqërisë në qytetin e medinës ishin në pajtueshmëri me rregullat islame.(1) Prandaj, edhe konsiderohet se themeluesi i këtij institucioni është vetë i Dërguari i Allahut, edhe pse në kohën e tij nuk ishte themeluar si një institucion i tillë për t'u bërë pjesë e qeverisë siç ishte bërë më vonë. Funksionimi i Hisba-s mirëmban rregullin e ligjin publik dhe mbikëqyr sjelljet e shitësve e blerësve për të siguruar drejtësi. Në fillim Hisba ka funksionuar në mënyra të ndryshme, por gradualisht ka marrë formën e një institucioni shumë të rëndësishëm, i cili kishte hierarkinë e një zyrtari shtetëror që ishte përgjegjës për moralin publik dhe etikën ekonomike. Muhtesibi (personi që ishte përgjegjës për funksionimin e Hisba-s) kishte forcë dhe autoritet në shoqëri.(2)
Ky institucion ishte themeluar duke u mbështetur në rregullin kuranor: 'udhëzuar apo urdhëruar për të mirë dhe ndaluar nga e keqja'. Ky libër i shkruar nga Ibn Tejmije, shpjegon arsyet për trajtimin e disiplinave të sociologjisë, shkencave politike dhe ekonomisë. Për ekonomi ishte shkruar atëherë kur ekonomia si shkencë nuk ekzistonte ende. Është shumë mbresëlënëse se si kishte perceptuar mekanizmat e tregut, forcat e furnizimit dhe të kërkesës, problemet e tregut jofunksional si dhe dëmtimin dhe konsekuencat për konsumatorët dhe prodhuesit. ai i kushtoi vëmendje çështjes së monopoleve, largimit nga tregu të prodhimeve të nevojshme me qëllim të krijimit të kërkesës në mënyrë artificiale dhe manipulimit të çmimeve, prandaj ai ishte shumë i interesuar për themelimin e parimeve të çmimeve të drejta dhe pagesës së drejtë të punëtorëve për punën e bërë. Interesimi i tij kryesor në këtë lëmë ishte themelimi i një rregulle ekonomike të drejtë, që shihet edhe në thënien e tij të famshme: "Zoti e ndihmon shtetin e drejtë, edhe nëse është jobesimtar, por nuk e ndihmon një shtet të padrejtë, edhe nëse është besimtar". Një kontribut tjetër i veçantë i Ibn Tejmijes në ekonominë islame ishte fokusimi i tij rreth partneritetit në forma të ndryshme, të cilat tani janë të njohura në bankimin modern, sipas normave të Sheriatit Mudarabe (partneritet për investime në fusha të ndryshme), Muzara'ah (partneritet që ka të bëjë vetëm me bujqësinë) etj.. Sipas tij, kontrata e partneritetit është moralisht më e rëndësishme se kontrata e qiramarrjes apo vetëm punësimi i dikujt, edhe pse që të dyja janë të lejuara. Kjo është për arsye se në kontratën e partneritetit të dyja palët bartin rrezik dhe ndajnë fitimin ose humbjen, në varësi nga përfundimi i projektit. Diskutimi i tij rreth obligimeve publike sqaron shumë gjëra duke u futur edhe në fushën e menaxhimit të parasë, rregullimin e peshës dhe masës. Ai diskuton edhe përcaktimin e çmimeve nga ligji i kërkesës e furnizimit duke siguruar të kenë njohuri të mirë dhe që tregu të jetë i lirë nga parregullsitë dhe deformimet që u përmendën më sipër. Ç'shtë e drejta, ai nuk e fsheh preferencën e tij për intervenime nga ana e qeverisë për t'i ndaluar këto monopole dhe parregullsi, për të arritur në çmime të drejta. Ai gjithashtu shpjegoi për efektin se si taksat bëhen barrë e blerësit, sepse ai duhet të paguajë një çmim më të lartë për një produkt, të cilit i është paguar taksa nga shitësi, por edhe shpjegon raste kur arsyetohen taksat mbi atë se sa është paraparë sipas Sheriatit.
Vështrimi i tij rreth parasë dhe kamatës gjithashtu përbën mendim dhe qëndrim të qartë. Ai shpjegon shumë mirë arsyet pse kamata është e ndaluar dhe çfarë të këqijash sjell kamata në shoqëri. Ibn Tejmije kishte njohuri të mirë edhe rreth parasë së mirë dhe parasë së keqe; ai këtë fenomen e shpjegonte në mënyrë mjaft të bukur. nëse udhëheqësi ndalon përdorimin e disa monedhave të metalit dhe fillon shtypjen e një lloji tjetër për popullin, ai do të dëmtojë pasurinë që posedon populli, duke ulur vlerën e tyre, sepse monedhat e vjetra shndërrohen në komoditet. Ai bën padrejtësi për ata duke ua mohuar vlerën e pasurisë që posedonin në fillim. Madje edhe më shumë, nëse vlera (në aspektin e peshës apo vetë cilësisë së arit) e monedhave të metalta është ndryshe nga ajo që kishte në fillim, kjo mund të bëhet burim i fitimit për njerëzit jo të mirë duke shfrytëzuar rastin për t'i këmbyer këto monedha të vogla (këqija) me ato që janë të mira, dhe duke i nxjerrë edhe jashtë vendit për të njëjtin qëllim. Në këtë mënyrë vlera e pasurisë dhe prodhimeve që posedon populli, dëmtohet deri në një shkallë të konsiderueshme.
Dhe, si përfundim, mund të themi se ky dijetar, përveç kontributit të tij në shpërndarjen e dijes në fusha të ndryshme, ka kontribuar edhe në drejtimin e ekonomisë. Ibn Tejmije ka diskutuar norma ekonomike dhe të drejtësisë në transaksione, duke dhënë mendimin e tij për rregullimin e kësaj çështjeje në nivele të ndryshme, për udhëheqësit dhe të udhëhequrit. Secila kategori e njerëzve duhet t'i kryejë obligimet e veta, në mënyrë që shoqëria të funksionojë si tërësi. Prandaj, diskutimet e tij rreth mendimeve ekonomike, janë një vazhdimësi e diskutimeve të dijetarëve që jetuan para kohës së tij.
__________________
(1) Syed Muhamad Naquib Al-Attas & Wan Mohamad Nor Wan Daud, The ICLIF Leadership Competency Model: An Islamic Perspective (Kuala Lumpur: The International Centre for Leadership in Finance, 2007) f. 116-117.
(2) Ibn Taymiya, Public Duties in Islam: The Institution of Hisba. Perkthyer ne gj. Angleze nga, Muhtar Holland, (The Islamic Foundation: Leicester, 1985), f. 19-47.
Dituria Islame 253