Motivacioni i Besimit Fetar (2)

 


Njeriu është krijesë që mendon, gjërat mundohet t'i arsyetojë, prandaj qysh në moshën 2-3-vjeçare fillon t'i pyesë prindërit dhe të afërmit për gjërat që ndodhen rreth tij, mundohet të gjejë përgjigje që e kënaqin ose e bindin. Me kalimin e kohës, gjërat fillon t'i kuptojë më mirë edhe nga aspekti metafizik.


Arsyetimi dhe kënaqësia mendore


Tek shumë njerëz hasim në disa pyetje të cilat njerëzit i detyrojnë të mendojnë më thellësisht. Disa nga këto pyetje janë: Si është krijuar njeriu dhe gjithësia? Ku e kanë fillimin këto? Si është krijuar njeriu kaq i përsosur, zbulues, që mendon, arsyetues dhe folës? Cili është qëllimi i ekzistencës? Kush e rregullon dhe kujdeset për këtë gjithësi që vepron pa asnjë të metë? Të gjitha këto, a janë të krijuara nga vetvetja, rastësisht apo janë krijuar (vazhdojnë të krijohen) nga një Krijues? A është vdekja fundi i çdo gjëje, me vdekjen a përfundon gjithçka, ose a ka jetë tjetër dhe kur fillon ajo? Çdo njeri mundohet t'i gjejë vetes një vend në gjithësi, veten e vlerëson dhe mendon se ç'do të bëhet me ne në fund të kësaj jete. Kur njeriu fillon të mendojë se të gjitha këto mund të kontrollohen dhe të drejtohen vetëm nga një Superfuqi, atëherë ky mendim ose kjo bindje atë e detyron të besojë në Krijuesin e gjithësisë - Allahun xh.sh..
Edhe Erik Fromi thotë se njeriu është i obliguar t'i tregojë vetes për vlerën e ekzistencës së tij. Shumë njerëz për lidhjet rreth ekzistimit të tyre me gjithësinë dhe projektin e universit, përgjigjet më të sakta i gjejnë në fe, dh atëherë ata domosdo i drejtohen fesë dhe e besojnë Zotin. Megjithatë, Vergote mendon se motivi kryesor nuk është vetëm përpjekja mendore që e shtyn njeriun të besojë një fe. Në Universitetin "19 Maj" të Turqisë, në degën e Psikologjisë, njëri nga studentët, në lidhje me këtë, ka deklaruar: A mendoni se një veturë, pjesët e së cilës janë të shumta, do të jenë bashkuar rastësisht me njëra-tjetrën dhe kjo veturë vetvetiu të punojë në rregull? A është e mundur që të gjitha pjesët e motorit të bashkohen dhe të ndërtohet motori? Apo të gjitha këto të përbëjnë veturën dhe ajo veturë të punojë në mënyrë të rregullt, pra pa ndërhyrë askush? Nëse mendoni se kjo nuk është e mundur, atëherë si është e mundur që kjo gjithësi, njerëzit, shtazët, bimët, gjithësia etj. të jenë bërë e të bëhen rastësisht?


Frika


Frika është një motiv i rëndësishëm në sjelljen e njeriut. Individët përpëlit en vazhdimisht me frikën. P.sh. njeriu frikësohet nga sëmundje të ndryshme, nga aksidente trafiku, humbje, probleme financiare, nga tërmeti dhe nga vdekja. Përveç kësaj, gjatë jetës ndodhin vazhdimisht edhe raste që na kujtojnë ose na sjellin frikën. Frika e fëmijës se do të dënohet për dëmet e bëra, frika e nxënësit se do të marrë not të dobët, frika se do të ngelë, frika e një të riu se nuk do të marrë përgjigje pozitive nga një femër që e dashuron shumë, frika e një të riu që ka përfunduar shkollën se nuk do të gjejë punë, frika se do të humbë punën që ka, frika se fëmija do të humbë shëndetin, frika e mossuksesit etj.. Të gjitha këto, bashkë me frikën, tek individi krijojnë shqetësim dhe brengosje. Në fakt frika njeriun e ruan nga gjendjet dhe gjërat e rrezikshme, ajo e mbron në aspektin fizik e mendor, në statusin social, rolin etj., në mënyrë që të vazhdojë dhe të ruajë bilancin. Me fjalë të tjera, ndjenja e frikës është e nevojshme, sepse ajo siguron pëlqimin dhe vullnetin për jetë.
Por, edhe pse njerëzit mundohen të zgjidhin situata të frikës, ose mundohen të mësojnë që të jetojnë së bashku më frikën, struktura e tij e krijimit nuk e lë pa frikë. Në kohët e lashta njerëzit gjërat e frikshme i bënin idhuj dhe kishin filluar t'i adhuronin. Pra, adhuronin fuqitë natyrore si Hënën, yjet, Diellin (natyralizëm); për t'u shpëtuar shpirtrave të ligj, adhuronin shpirtrat e mirë (animizëm) dhe kërkonin ndihmë nga ta, kështu që për herë të parë dolën në skenë edhe llojet e adhurimeve. Edhe sot në çaste frike njerëzit i luten Allahut më shumë dhe bëjnë dua. Sepse kështu njeriu e ndien veten më të qetë dhe më të sigurt. Në lidhje me ketë, janë bërë shumë hulumtime shkencore, të cilat kanë vërtetuar pikërisht këtë gjë. Sipas një hulumtimi, të rinjtë më së shumti i janë drejtuar duasë kur janë ndodhur në këso situatash: shqetësim për të ardhmen, shpresë për t'ju falur mëkatet, dëshira për të arritur sukses në provim, pikëllimi për vdekjen e një të dashuri, kërkimi i ndihmës dhe sigurisë gjatë momenteve të rrezikshme dhe sëmundjes etj.. Pas gjithë këtyre fjalëve, mund të themi lirisht se ekziston një ndjenjë e frikës. Prandaj frika është një motiv efektiv, i cili ndikon tek besimi në Allahun xh.sh. dhe në adhurimet ndaj Tij. Pra, njeriu ka nevojë të strehohet tek Allahu xh.sh., në mënyrë që në çaste frike ta ndiejë veten më të siguritë.


Dëshira për pavdekësi


Njeriu, nga njëra anë e di se nuk ka shpëtim nga vdekja, kurse në anën tjetër ka dëshirë të jetë i pavdekshëm. Kjo dëshirë e madhe gjendet në strukturën esenciale të njeriut, të cilën më së miri e kuptojmë tek qëndrimet e fëmijëve. Në lidhje me vdekjen, një fëmijë 4-5 vjeç kishte diskutuar me t'ëmën:
Nënë, ç'do të thotë vdekje?
-Njeriut i ndalet zemra dhe i ndalet fryma, kështu që ai mbetet i palëvizshëm.
-Mirë, por ç'ndodh me të folurit e tij?
-Nuk e di. Disa thonë dhe besojnë se njeriu, pasi të vdesë, kalon në botën tjetër dhe vazhdon të jetojë atje. Kurse disa nuk i besojnë kësaj.
-Ne e besojmë këtë, a po jo nënë? (me entuziazëm).
Një fëmijë tjetër, pasi kishte pyetur: "A i mbyllin sytë njerëzit pasi të vdesin"? kishte vazhduar dhe kishte thënë: "Unë, kur të vdes, nuk do t'i mbyll sytë, po do të vazhdoj dhe të shikoj përreth". Pra, me këtë kupto het se njeriu ka dëshirë të madhe për të jetuar, ai i reziston vdekjes dhe nuk ka dëshirë për të vdekur. Fëmijët, me këso pyetjesh dëshirojnë të dinë se vdekja nuk është fundi i gjithësisë, kanë shpresë se jeta nuk do të marrë fund asnjëherë.
Njeriu nuk dëshiron të vdesë apo të zhduket, prandaj vdekja tek ai krijon frikë, shqetësim dhe brengosje. Ky shqetësim është shumë i madh. Sipas Özcan Köknelit, frika e vdekjes dhe shuarjes janë pikat kryesore që e detyrojnë njeriun të besojë dhe të veprojë punë të mbara, kështu që, për t'i shpëtuar kësaj frike, njerëzit kanë besuar edhe në mosvdekjen e shpirtit. Hulumtimet e bëra kanë treguar se mesazhi që buron nga feja lidhur me vdekjen, ka efekte pozitive në çështjen e besimit në Allahun dhe në fe. Kurse në lidhje me frikën nga vdekja, më së shumti kanë hasur tek njerëz në moshë të madhe. Meqë feja njeriut i premton një jetë të përjetshme, jetën e Botës tjetër dhe Xhenetin, ky është edhe faktori kryesor që njeriun e drejton të besojë në fe dhe në Alla hun xh.sh.. Mirëpo, edhe rrethanat e frikës pas vdekjes dhe mendimi mbi xhehenemin, mund të fusin dyshime dhe hamendje tek njeriu në lidhje me ekzistimin e Allahut dhe ai të mohojë Allahun, prandaj, përveç motivit të vdekjes, për të besuar Allahun xh.sh., duhet të kërkojmë edhe motive të tjera.


Ndjenja e fajësisë dhe mëkateve


Thirrja për të besuar Allahun dhe për të pranuar zbatimin e parimeve fetare, tek njeriu mund të shkaktojë ndjenja rebelimi dhe reagimi. Mos nënshtrimi, me kalimin e kohës, mund të krijojë ndjenjat e fajit dhe të mëkateve. Shpresa e shpëtimit njeriun e ndihmon t'i shpëtojë ndjen jave të fajit, dhe shpresa për faljen e mëkateve, bën që njeriu të qetësohet, prandaj ajo ndikon edhe pozitivisht në motivimin e tij. Fuqia e Allahut është e pakufishme, prandaj Ai, pasi t'i gjykojë, mëkatarët i dënon, por besimi se shpëtimi nga ky dënim mund të realizohet vetëm me besimin në Allahun dhe me nënshtrimin ndaj urdhëresave dhe ndalesave të Tij, tek njeriu krijon ndjenja dhe emocione besimi për Allahun xh.sh.. Këtu bëhet fjalë për një motiv me dy dimensione. Pra ndjenja e fajësisë dhe mëkateve, në një anë, njeriun e drejton tek besimi në Allahun, kurse, në anën tjetër, e drejton atë tek mohimi i Allahut. Në të vërtetë, ndjenja e fajit është universale.
Çdo individ ka përjetuar ndjenjën e fajit, pa marrë parasysh sasinë e tij. Sjelljet kundër dëshirës së prindërve, shkelja e parimeve morale, kundërshtimet e kulturës sipas dëshirave dhe shijeve personale apo, thënë shkurt me fjalë të Frojdit, kur egoja nuk u përgjigjet dëshirave të superegos, po dëshirave të id-it, tek njeriu lind ndjenja e mëkateve. Njeriu afrohet më shumë me Allahun kur tek ai lind frika se kundërshtimi i fesë është mëkat dhe pas kësaj pason dënimi, prandaj lind ideja dhe dëshira e strehimit tek Allahu. Por me këtë nuk do të thotë se ndjenjat e fajit dhe të mëkateve njeriun e afrojnë çdo herë tek Allahu, po ndonjëherë feja dhe vlerat morale te njeriu mund të sjellin edhe rebelim ose reagime të ndryshme.


Takimi me parimet e simboleve fetare


Njeriu nuk është krijesë që i di saktë arsyet e besimit ose të mosbesimit. Ai nuk është as produkt i arsim it apo i mjedisit. Ai me mendjen që ka, gjërat i komenton dhe i vlerëson e pastaj, ose i pranon ose i refuzon të gjitha ato fenomene dhe raste që vijnë nga shoqëria ose mjedisi. Siç dihet, në çdo shoqëri ka një ose disa lloje të feve. Kështu, me kalimin e kohës, njeriu has në shumë komentime në lidhje me simbolet fetare në shoqërinë ku jeton. Ai, në mënyrë direkte ose indirekte, merr disa njohuri. I vëzhgon sjelljet fe tare. Disa nga këto sjellje zgjojnë interes dhe shkaktojnë prirje, kurse disa nga këto sjellje mund edhe, t'i refuzojë. Ky pranim ose refuzim është i lëvizshëm ose eklektik. Faktori i mjedisit ndikon më së shumti në moshën e fëmijërisë, kurse pas moshës së pubertetit, me zhvillimin mendor dhe zgjerimin e njohurive që merr ai, të shumtën e rasteve, edhe pse gjerat i vlerëson dhe i komen ton sipas mendimeve të tij individuale, nëse arrin kënaqësinë e komenteve të fes, ajo e afron tek Allahu.


Fundi


Njeriu është një krijesë me karakteristika të shumta biologjike, psiko-sociologjike, kulturore etj. dhe, në përgjithësi, këto karakteristika kanë efekte shumë të mëdha në jetën e individit. Këto karakteristika janë edhe paksa të përziera me njëra- tjetrën. Shumë efekte janë të ndërthurura në çështjen e besimit në Zotin dhe drejtimin e fesë, por këto efekte mund të ndryshojnë nga një person tek tjetri. Nuk do të thotë se të gjitha efektet e cekura me lart, gjenden tek çdo individ dhe ndikojnë në besimin tek Allahu. Disa nga karakteristikat e cekura janë shkaktare që njeriun e fusin në besim, kurse disa të tjerë mund edhe t'i largojnë nga besimi. Ajo që është me rëndësi, është se tek një individ mund të jetë faktor vetëm frika dhe faji i mëkateve, ose njëra prej tyre. Pra, mund të them lirisht se asnjë individ nuk beson në fe dhe në Allahun pa ndonjë ndikim të faktorëve të lartpërmendur. Ndoshta nuk i kam cekur të gjithë faktorët, sepse ka edhe faktorë të tjerë të cilët ndikojnë në çështjen e të besuarit ne fe. Mirëpo, më me rëndësi është që faktorët janë ata që e nxisin njeriun për të besuar.


Prof. Dr. Hüseyin Peker
Përktheu Mr. Feim D. Gashi



Dituria Islame 342