Nën organizimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, sot, në Tiranë, filloi punimet Konferenca "Ihtijari dhe roli i tij në mendimin juridik islam", e cila po mbahet me rastin e botimit të veprës "El-Ihtijaru li Ta'lili-l-Muhtari", botim ky i cili vjen si bashkëpunim ndërmjet Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, kryetari i KMSh-së, Bujar ef. Spahiu, kryetari i BFI-së në RMV, Reisul Ulema Shaqir Fetai, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë të të tri komuniteteve fetare, studiues, akademikë dhe njohës të jurisprudencës islame nga vendi dhe rajoni.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu i Kosovës Naim ef. Tërnava, vlerësoi lart botimin në shqip të veprës "El Ihtijar li Ta'lîli-l-Muhtâr" si një ngjarje me rëndësi të veçantë shkencore dhe fetare për të gjithë besimtarët myslimanë të hapësirës shqipfolëse.
"Është kënaqësi të shohim një moment të tillë në Tiranë, ku tri bashkësitë islame shqiptare bëjnë një botim të përbashkët. Një nismë e çmuar, që meriton vlerësim dhe vazhdimësi në projekte të tjera bashkuese. Le të shërbejë kjo vepër si frymëzim për projekte të tjera shkencore, për përkthime të reja, për studime të thelluara dhe për nisma që pasurojnë korpusin tonë akademik. Le të jetë një kujtesë se dija është një mision, një përkushtim dhe një trashëgimi që meriton t'u transmetohet brezave me dinjitet, me saktësi dhe me respekt," - u shpreh Myftiu Tërnava.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i KMSh-së, Bujar ef. Spahiu, theksoi rëndësinë e veprës "El Ihtijar li Ta'lîli-l-Muhtâr" si një nga burimet themelore dhe më autoritative të fikhut hanefi, duke vënë në pah vlerën e saj metodologjike, shkencore dhe historike në zhvillimin e jurisprudencës islame.
"Ky përkthim plotëson një boshllëk shkencor që ka ekzistuar për dekada, pasi shumë nga veprat kryesore hanefite ende nuk janë përkthyer saktësisht në gjuhët ballkanike. Disponimi i përkthimit të librit "El Ihtijar..." për lexuesin shqiptar përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e studimeve juridiko-fetare, zhvillimin e kurrikulave të edukimit islam, lehtësimin e qasjes në trashëgiminë e medhhebit dhe konsolidimin e identitetit shkencor të myslimanëve në këtë rajon," - tha kryetari Spahiu
Ndërsa, Reisul Ulema Shaqir ef. Fetai, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të tre komuniteteve fetare si jetike në misionin tonë të përbashkët të ruajtjes dhe përcjelljes së vlerave dhe normave tona fetare islame te brezat e rinj, por edhe tek e gjithë ajo kategori që synon të thellohet në literaturën islame.
"Ky përkthim është akt strategjik, akt kulturor, akt fetar dhe, mbi të gjitha, akt kombëtar, sepse ky libër, tashmë i përkthyer, u jep mundësi brezave të rinj që të mos varen nga përkthime të huaja, por të njohin traditën e tyre fetare në gjuhën e tyre amtare. Ihtijari, në këtë mënyrë, bëhet jo vetëm vepër e përkthyer, por platformë e përbashkët metodologjike, bosht unifikues dhe simbol i kohezionit fetar ndërshqiptar. Ai na kujton se kufijtë politikë janë të rastësishëm në raport me thelbin e identitetit tonë fetar dhe se ajo që na bashkon, si feja, tradita, gjuha dhe amaneti i dijes, është shumë më e thellë sesa gjithçka që mund të na ndajë," - tha ai.
Pas përfundimit të fjalëve përshëndetëse, Konferenca vijoi më tej me promovimin e veprës në fjalë nga Sabri ef. Bajgora nga Bashkësia Islame e Kosovës, Mafiz ef. Rustemi nga Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Dorian Demetja nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.
Ata nënvizuan rolin që ky botim dhe përkthimi i tij në gjuhën shqipe luajnë në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, në ngritjen e nivelit akademik të studimeve islame dhe në lehtësimin e qasjes së imamëve, studiuesve dhe studentëve në burime autentike juridiko-fetare. Ata theksuan njëkohësisht se ky projekt përbën një hap të rëndësishëm drejt ruajtjes së identitetit fetar dhe shkencor, si dhe drejt zhvillimit të mëtejshëm të mendimit islam bashkëkohor në rajon.
Konferenca do të vijojë me seancat e tjera shkencore.










