Me pjesëmarrjen e personaliteteve të shquara shkencore dhe intelektuale nga vende të ndryshme të botës, sot, në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, ka nisur punimet Konferenca e Tretë Botërore e Këshillit të Emirateve për Fetvanë Sheriatike.
Në këtë forum shkencor dhe fetare, Kosovën e përfaqëson kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i cili po shoqërohet nga shefi i kabinetit të tij, Besim ef. Mehmeti.
Konferenca e organizuar nga Këshilli i Emirateve për Fetvanë Sheriatike, ka temë boshte familjen në kontekstin e fikhut të realitetit: identitetin kombëtar dhe shoqërinë e qëndrueshme, dhe zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për të nxitur kërkimin shkencor dhe për të thelluar shqyrtimin e qasjes juridiko-fetare ndaj familjes, e cila konsiderohet bërthama themelore e shoqërisë.
Përgjatë dy ditëve të Konferencës, do të marrin pjesë mbi 300 studiues profesorë universitarë dhe përfaqësues nga 57 institucione të ndryshme, përfshirë këtu edhe përfaqësues të ministrive dhe institucioneve që merren me çështjet familjare.
Me këtë Konferencë synohet arritja e disa objektivave kryesore, ndër të cilat përfshihen: përcjellja e përditësimeve legjislative në ligjet e statusit personal dhe kuptimi i dimensioneve të tyre kombëtare dhe shoqërore; aktivizimi i mjeteve të ixhtihadit juridik brenda institucioneve të fetvasë për t'u përballur në mënyrë konstruktive me zhvillimet e reja familjare në kontekste të ndryshme; si dhe forcimi i bashkëpunimit institucional ndërmjet Këshillit të Fetvasë dhe institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare që merren me çështjet e familjes.
Po ashtu, Konferenca synon hartimin e nismave cilësore dhe projekteve novatore që mbrojnë familjen dhe garantojnë stabilitetin e saj, duke theksuar përpjekjet për fuqizimin e institucioneve familjare dhe të fetvasë, si dhe për vendosjen e strategjive që marrin parasysh fikhun e realitetit, me qëllim ruajtjen e kohezionit familjar dhe unitetit shoqëror.
Programi shkencor i Konferencës përfshin disa seanca të specializuara, të cilat trajtojnë çështjet e familjes në realitetin bashkëkohor, shqyrtojnë konceptet dhe metodat e integrimit të fikhut të realitetit në sistemin e fetvave familjare, si dhe mënyrat për të arritur stabilitetin familjar të bazuar në dashuri dhe mëshirë, në dritën e zhvillimeve shkencore dhe vlerave moderne njerëzore. Krahas kësaj, do të paraqiten edhe opinione bashkëkohore fetare lidhur me këto çështje.
Seancat do të trajtojnë gjithashtu ndikimin e ndryshimeve të përshpejtuara në fushën digjitale dhe të teknologjive të inteligjencës artificiale mbi realitetin e familjes dhe anëtarët e saj, si dhe sfidat dhe mundësitë që burojnë nga këto zhvillime, përfshirë diskutimin e modeleve novatore dhe përvojave globale në fuqizimin e familjes dhe konsolidimin e kohezionit të saj.


