Ngritja e duarve gjatë tekbirit fillestar

I Dërguari i Allahut, kur shqiptonte tekbirin, i ngriste duart derisa ato ishin në nivelin e veshëve të tij..".


Ngritja e duarve është sunet


Ngritja e duarve gjatë tekbirit fillestar është sunet. Ndonëse ka edhe mendime tjera,(1) ajo se nga dijetarët anojnë më tepër, është fakti se ngritja e duarve është sunet, sepse i Dërguari i Alla hut në vazhdimësi i ngrite duart me rastin e fillimit të namazit, e dihet fare mirë se ajo që i Dërguari i Allahut kishte praktikuar në kontinuitet, konsiderohet sunet. Edhe shokët e tij (ashabët) praktikonin një sunet të tillë. Edhe Ebu Hanife ishte i mendimit se ngritja e duarve është sunet.(2) Të këtij mendimi ishin edhe themeluesit e tri shkollave të tjera juridike dhe pjesa dërrmuese e dijetarëve, e njëherësh ky është mendimi i përzgjedhur në këtë çështje.
Për ngritjen e duarve gjatë tekbirit fillestar kanë transmetuar pesëdhjetë as'habë, në mesin e të cilëve janë dhjetë të përgëzuarit me Xhenet. Në këtë kontekst Bejhekiu përcjell mendimin e Hakimit, i cili thotë: "Nuk dimë për ndonjë sunet, që janë pajtuar në transmetimin e tyre nga i Dërguari i Allahut katër Halifët e Drejtë, dhjetë të përgëzuarit me Xhenet, as'habët (shokët e Pejgamberit a.s.) e të tjerë që, megjithë ndarjen e tyre nëpër vende të ndryshme, për këtë sunet janë pajtuar (për ngritjen e duarve gjatë tekbirit fillestar).(3)
Ibën Mundhiri, në lidhje me ngritjen e duarve, thotë: "Të gjithë dijetarët janë dakorduar se i Dërguari i Alla hut i ngriste duart me fillimin e namazit",(4) dhe se për këtë thuajse askush nuk ka polemizuar. Mirëpo, gjëja për çka është polemizuar, është fakti se deri ku duhet ngritur duart.(5) Mirëpo, para se të flas për çështjen, se deri ku duhet ngritur duart, do të flas për një çështje tjetër, e që ka të bëjë me ngritjen e duarve, pra se kur duhet të ngritur ato.


Kur ngriten duart?


Nuk ka dyshim se gjatë tekbirit fillestar duart duhet të ngriten, mirëpo dijetarët në lidhje me këtë kanë dhënë disa mendime se kur duhet ngritur duart, gjithnjë duke u bazuar në tekstet profetike që kanë ardhur në këtë kontekst.
Për këtë çështje kemi disa mendime, gjegjësisht tre, e që do të përmenden këtu:
1. Mendimi i parë thotë se së pari ngriten duart, e pastaj shqiptohet tekbiri. Duke u bazuar në hadithin e transmetuar nga Ibn Omeri në koleksionin e Muslimit, në të cilin thuhet: "I Dërguari i Allahut, kur hynte në namaz, i ngriste duart derisa ato ishin në drejtim të supeve të tij, e pastaj shqiptonte tekbirin..". (Muslimi në Sahih, nr. 587)
2. Sipas mendimit të dytë duart ngriten në momentin kur edhe shqiptohet tekbiri fillestar, duke u bazuar në hadithet e transmetuara nga disa as'habë, si: Malik ibn el-Huvejrithi, në koleksionin e Muslimit: "I Dërguari i Allahut, kur shqiptonte tekbirin, i ngriste duart derisa ato ishin në nivelin e veshëve të tij..". (Muslimi në Sahih, nr.589)
Gjithashtu nga Koleksioni i Muslimit, hadithi që transmetohet nga Vail ibn Huxhri, i cili e kishte parë të Dërguarin e Allahut që kishte ngritur duart kur hyri në namaz dhe shqiptoi tekbirin, e Hemmami (njëri nga transmetuesit), e kishte përshkruar (ngritjen e duarve) në drejtim të veshëve, e që më pastaj pështolli rrobën e tij dhe vendosi dorën e djathtë mbi të majtën..". (Muslimi në Sahih, nr.608)
3. Ndërsa, sipas mendimit të tretë, së pari shqipto het tekbiri, e më pas ngriten duart, duke u mbështetur në hadithin e transmetuar nga Enesi që gjendet në koleksionin e Darekutniut, në të cilin thuhet: "I Dërguari i Allahut, kur hynte në namaz, shqiptonte tekbirin e më pastaj i ngriste duart derisa gishtat e mëdhenj ishin paralel (në nivel) me veshët e tij, e më pas thoshte: "Subhaneke Allahumme ve bihamdike ve tebarekesmuke ve teala xhedduke ve la ilahe gajruke". (Darekutni në Sunen, 1160 dhe thotë se transmetuesit e këtij hadithi janë besnikë)
Dhe në hadithin e transmetuar nga Ebu Humejdi në Koleksionin e Ibn Maxhe-s, ku ai tha: "Unë jam më i dituri për namazin e të Dërguarit të Allahut". Të tjerët i thanë: "Pse"? "Sepse unë isha prej atyre që e pasonte dhe e shoqëronte më shumti atë"- u tha atyre. Ata i thanë: "Atëherë na shfaq faljen e tij". Ai tha: "I Dërguari i Allahut, kur ngrihej për namaz, shqiptonte tekbirin e më pas ngriste duart..". (Ibn Maxhe në Sunen, nr. 1051. Albani thotë se hadithi është autentik; Sahih ve Daif ibn Maxheh, nr. 1061, el-Irva, nr.305)
Në shkollën tonë juridike kemi tre mendime në lidhje me çështjen se kur ngiten duart, ndonëse njëri nga të cilët tashmë u përmend si mendim, pa u përkrahur shumë nga juristët, prandaj i bie se kryesisht janë dy mendime të njohura. Megjithëkëtë, do t'i përmendin të tre, po, për shkak të popullaritetit të tyre dhe animit të juristëve, do të ndalemi më gjatë tek dy të parët.
1. Sipas mendimit të parë, që është i përzgjedhur dhe në bazë të tij vepron shkolla hanefite, duart ngriten me fillimin e shqiptimit të tekbirit dhe, në bazë të këtij mendimi jepet edhe fetvaja në shkollën tonë juridike. Ky është edhe mendimi i përcjellë nga Ebu Jusufi dhe i mbështetur në praktikë nga Tahaviu.(6) Këtë mendim e mbështesin edhe shejhu-l islami Kadi Han, autorët e librave "Tuhfetul fukaha","Bedai Es senai" dhe "Muhit el Burhani". Kadi Han është i mendimit se, me fillimin e ngritjes së duarve, duhet të fillojë edhe shqiptimi i tekbirit, ndërsa mbarimi i tekbirit përfundon atëherë kur nga tekbiri fillestar".
Këtë mendim e kanë edhe themeluesit e shkollave juridike, Maliku (sipas njërit mendim), Shafiu dhe Ahmedi. Të këtij mendimi janë një pjesë e juristëve nga shkolla shafiite (ky është mendimi kryesor i tyre). Madje Neveviu, në librin e tij të njohur "el-Mexhmu", në këtë kontekst është shprehur: "Duart duhet të ngriten atëherë kur të fillojë shqiptimit i tekbirit, dhe ngritja e duarve mbaron me përfundimin e shqiptimit të tekbirit".(7) Buhariu, sipas Sahihut të tij, ka të njëjtin mendim, pra se duart ngriten me fillimin e shqiptimit të tekbirit.
2. Sipas mendimit të dytë, të cilin e shohin si qëndrim më të drejtë në këtë çështje, së pari ngriten duart e më pas shqiptohet tekbiri fillestar, sepse me këtë veprim largohet mendjemadhësia, meqenëse, me ngritjen e duarve, simbolikisht e hedhim përditshmërinë (dynjallëkun) prapa kurrizit dhe, kur shqiptojmë "Allahu Ekber", pohojmë se çdo gjë është e kotë përveç Allahut të Madhëruar!(8)
Autori i librit të mirënjohur "El-Hidaje", thotë: "Qëndrimi më i drejtë është të ngriten duart, e pastaj të shqiptohet tekbiri". Zahidiu në këtë kontekst thotë: "Të këtij mendimi janë pjesa dërrmuese e dijetarëve hanefitë".(9) Këtë fakt e thekson edhe Ajniu në librin e tij të vëllimshëm "Nuhabu-l Efkar", ku sjell mendimin e Serahsiut, se pjesa dërrmuese e hanefitëve janë të mendimit se së pari duhet ngritur duart, e më pas të shqiptohet tekbiri.(10) Madje, sipas tij, edhe Ebu Hanife dhe Muhamedi janë të mendimit se ngritja e duarve duhet t'i paraprijë shqiptimit të tekbirit.(11) Megjithatë, për këtë çështje, personalisht, nuk kam hasur në ndonjë mendim të Ebu Hanifes e as të Muhamedit se së pari duhen ngritur duart e më pas të shqiptohet tekbiri. Kam shqyrtuar literaturën bazë, por nuk kam hasur të kenë shfaqur një mendim të tillë, ndonëse edhe mund të ketë. Në njërin nga librat bazë të hanefitëve, siç është libri i Muhamedit "El-Asl", i njohur ndryshe si "El-Mebsut", ku nxënësi i Ebu Hanifes, Muhame di, transmeton mendimet e mësuesit të tij, e në këtë çështje ai një kapitull e ka titulluar "Kapitulli i hyrjes, në namaz", ku mes tjerash, thotë: "Kur njeriu dëshiron të hyjë në namaz, shqipton tekbirin dhe ngre duart e tij paralel me veshët e tij, e më pas thotë: "Subhanek Allahumme ve bihamdike ve tebarekesmuke ve teala xhedduke ve la ilahe gajruke".(12) Nxënësi tjetër i Ebu Hanifes, Ebu Jusufi, lidhur me këtë çështje, në librin e tij "el-Athar" përcjell një mendim të përgjithshëm të Ebu Hanifes, i cili pason mendimin e Nehaiut, përmes Hamadit, ku thotë: "Kur të shqiptosh tekbirin, ngrejë duart, por jo më lart se veshët".(13)
3. Mendimi i tretë, që është shumë pak i popullarizuar, ka të bëjë me shqiptimin e tekbirit e më pas me ngritjen e duarve, që në fakt, është mendim i kundërt me të parin.(14) Ky mendim gjen shumë më pak përkrahës se dy mendimet e tjera. Madje, Shevkani, në librin e tij "Subulu-s Selam", në mënyrë kategorike mohon të ketë një mendim të tillë, ku thotë: "E askush nga dijetarët nuk ka thënë se së pari shqiptohet tekbiri e më pastaj ngriten duart".(15) Megjithatë, ka dijetarë që kanë një qëndrim të tillë, ndonëse numri i tyre është simbolik.
Sidoqoftë, për të gjithë këto mendime ka argumente dhe të gjitha gjejnë mbështetje në hadithet që transmetohen lidhur me këtë çështje, nga një numër i madh as'habësh, të cilët tregojnë se Pejgamberi a.s. ndonjëherë i ngriste duart më herët, e më pas shqiptonte tekbirin, e ndonjëherë tjetër së pari shqiptonte tekbirin e më pas i ngriste duart. Njëkohësisht raportohet se në shumë raste ai duart i ngriste paralelisht me shqiptimin e tekbirit, prandaj cilëndo ta praktikojë namazfalësi, ia ka qëlluar synetin. Në këtë kontekst njëri nga juristët e mëdhenj hanefitë, Ibn Nuxhejmi thotë: "Polemika e kësaj ka të bëjë me faktin se cila është parësore ose cili veprim është më apriori, sepse që të tre praktikoheshin nga i Dërguari i Allahut.."(16) Ngjashëm me këtë thotë edhe juristi tjetër i njohur hanefit, Ibn el-Humam, në "Fet'hu-l Kadir": "Për të tre mendimet ka transmetime nga i Dërguari i Allahut, se ai i ka vepruar të gjitha këto".(17)
Mendoj se mendimi i dytë, që gjen mbështetjen nga një pjesë e madhe e juristëve dhe njëherësh është edhe opinioni zyrtar i shkollës tonë, se duart ngrihen së bashku me shqiptimin e tekbirit, është mendim më i drejtë dhe më i arsyeshëm, dhe kjo praktikë ka gjetur zbatim pothuaj gjithmonë.


Urtësia e tekbirit dhe e ngritjes së duarve


Dijetarët janë munduar të japin shpjegime rreth urtë sive të ngritjes së duarve dhe shqiptimit të tekbirit. Ka mendime se ngritja e duarve dhe shqiptimi i tekbirit simbolizojnë besimin në Allahun e Vetëm dhe në Njëshmërinë e Tij. Poashtu ka mendime se ngritja e duarve është një shenjë e qartë për të shurdhëtin dhe i tregon atij se, namazi tashmë filloi, e shqiptimi i tekbirit për të verbrin që ta dëgjojë dhe kuptojë se namazi filloi. Gjithashtu ka mendime se ngritja e duarve dhe shqiptimi i tekbirit simbolizojnë dorëzim dhe nënshtrim të plotë, sikurse një njeri që zihet rob e ai i ngre duart në shenjë dorëzimi apo nënshtrimi.
Njëherësh, ngritja e duarve dhe shqiptimi i tekbirit nënkuptojnë që një çështje madhore dhe e rëndësishme po fillon, sikurse që një veprim i tillë mund të kuptojë hedhjen e çështjeve të dynjallëkut dhe të përditshmërisë prapa kurrizit dhe afrimin e falësit tërësisht në namaz.(18) Të gjitha këto mendime mund të jenë të përmbledhura në domethënien e urtësisë së ngritjes së duarve dhe shqiptimit të tekbirit, sepse namazfalësi, kur lidhet në namaz shpreh madhërim absolut ndaj Allahut, i dorëzohet dhe nënshtrohet vetëm Atij. Ai edhe lë të gjitha preokupimet dhe çdo gjë tjetër prapa kurrizit, gjegjësisht ai nuk i kujton ato përgjatë namazit, sepse me tërë qenien e tij, krejtësisht në mënyrë absolute, i përkushtohet çështjes madhore të namazit dhe, si i tillë, qëndron para Madhërisë së Allahut. Vetëm kështu mund të arrihet vëmendja e duhur dhe përqendrimi maksimal për namaz.


Si duhet të jenë gishtat me rastin e ngritjes së duarve


Me rastin e ngritjes së duarve gishtat nuk duhet të jenë të ngjitur me njëri-tjetrin, por as të jenë shumë larg nga njëri-tjetri. Duhet të mbahen në gjendje normale dhe të zakonshme. Pjesa e brendshme e duarve, gjegjësisht shuplaka e duarve, duhet të jetë karshi pozicionit të kibles.
Juristi i mirënjohur hanefit, Samerkandiu, thotë: "Gjatë ngritjes së duarve është synet që gishtat të jenë të hapur, e shuplaka e dorës të jetë në drejtim të kibles. Por jo të jenë krejtësisht të hapur".(19) Të këtij mendimi janë thuajse të gjithë juristët hanefitë.(20) Këta bazohen në tekstet profetike që kanë ardhur në lidhje me mënyrën e ngritjes së duarve, sikurse në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejre, i cili është në koleksionin e Tirmidhiut: "Kur i Dërguari i Allahut shqiptonte tekbirin për namaz (fjala është edhe për ngritjen e duarve), gishtat e duarve i linte hapur (i shtrinte)". (Tirmidhiu në Sunen, nr. 239, dhe thotë se hadithi është i mirë-hasen). Ndërsa në koleksionet e Ibn Huzejmes dhe të Ibn Hibbanit, ky hadith vjen me këtë ndryshim: "I Dërguari i Allahut gjatë (shqiptimit të tekbirit fillestar) namazit, i linte gishtat e tij të shtrirë (hapur)". (Ibn Huzejme në Sahih, nr.458; ibn Hibbani në Sahih, nr.1799)
Jo vetëm shkolla jonë juridike, po edhe shkollat e tjera kanë këtë mendim. Edhe Ibn Kajjimi ka një mendim të tillë.(21) Disa dijetarë nga shkolla juridike malikite, gjegjësisht ata që i përkasin rajonit të Irakut (edhe Ahmedi sipas një transmetimi ka këtë mendim), janë të mendimit se duart gjatë ngritjes, duhet të jenë në këtë gjendje: Pjesa e brendshme e duarve duhet të jetë në drejtim të tokës, e pjesa e jashtme (shpina e dorës) të jetë karshi qiellit. I këtij mendimi është edhe juristi i madh malikit, Sahnun. Ose, siç e përshkruajnë disa prej malikitëve, gishtërinjtë duhet të jenë në drejtim të qiellit. Për bazë marrin hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejre, i cili është në koleksionin e Tirmidhiut dhe të të tjerëve: "I Dërguari i Allahut, kur ngrihej për namaz, duart i ngriste të hapura-shtrira (medden)". (Tirmidhiu në Sunen, nr.223) Ndonëse në këtë hadith nuk është saktësuar se deri ku i ngriste duart i Dërguari i Allahut, dhe nuk është përshkruar si të jenë gishtat e duarve, por ata që janë ndërlidhur me fjalën "medd", të ardhur në fund të hadithit, kanë shpjeguar se ajo nënkupton një ngritje apo shtrirje, që tregon se duart, gjegjësisht gishtërinjtë, duhet të jenë të shtrirë.
Sidoqoftë, mendimi i hanefitëve, gjegjësisht i shumicës së juristëve dhe shkollave juridike, është shumë më i fortë dhe më i arsyeshëm.


__________________________________________
1) Davudi, Evzaiu, Humejdi (mësuesi i Buhariut) dhe disa tjerë janë të mendimit se ngritja e duarve është vaxhib-obligim, për shkak të praktikës së të Dërguarit të Allahut në kontinuitet dhe numrit të madh të haditheve që kanë ardhur në lidhje me këtë çështje. San'ani, Subulu-s Selam Sherh Bulugu-l Meram, bot.IV-të, Mektebetu Mustafa el-Babi el-Halebij, 1379-1960, v.1, f.163.
2) Mahmud ibën Ahmed Mazeh el-Buharij Ebu-l Mealij, El-Muhitu-l Burhanij fi-l Fikhi-n Nu'manij, v.1, f.332.
3)San'ani, Subulu-s Selam Sherh Bulugu-l Meram, v.1, f.163.
4) Muhamed ibën Ibrahim Ibën el-Mundhir,el-Ixhma', me recenzurë nga Fuad AbdulMun'im Ahmed, bot.I-rë, Daru-l Muslim li-n neshri ve-t tevzi',1425-2004, f.39; Xhemaludin ez-Zejlei, Nasbu-rr Rra jeh Liehadithi-l Hidajeh, bot.I-rë, Daru-l Hadith, Kairo-Egjipt, 1995, v.1, f.425.
5) Ebu Bekër ibën Mundhir en-Nisaburi, el-Ish rafu alel Medhahibi-l Ulema, bot.I-rë, Mektebetu Mekketu-th Thekafijetu, 2004, v.2, f.6.
6) Merginani,El-Hidajeh-Sherh Bidajetu-l Mubtedi', v.1 f.307.
7) Ebu Zekerija en-Nevevi, el-Mexhmu'Sherhu-l Muhedhdheb, Daru-l Fikr, Bejrut-Li ban, pa vit botimi, v.3, f.307.
8) Merginani, El-Hidajeh-Sherh Bidajetu-l Mubtedi', v.1, f.307; Ahmed ibën Ismail Et-Tahtavi, Hashijetu ale-l Meraki-l Felah, f. 186; Ibën Humam, Fet'hu-l Kadir, Daru-l Fikr, Bejrut-Liban, pa vit botimi, v.1 f.282.
9) AbdulGanij el-Gunejmij el-Mejdani, El-Lubab fi Sherhi-l kitab, v.2, f. 143.
10) Serahsij, El-Mebsut, v.1, f.15.
11)Bedrudin el-Ajni, Nuhabu-l Efkar fi Tenkihi Mebani-l Ahbar, me recenzurë nga Es-sejid Ershed el-Medenij, bot.I-rë, Daru-l Jusr, Medine-Arabia Saudite, 2011, v.5, f.105.



Dituria Islame 293