Kur disa ashabë të Pejgamberit a.s. e kishin pyetur Aishen r.a. se cilët ishin miqtë më të ngushtë të të Dërguarit të Allahut, ajo u kishte thënë: "Ebu Bekri, pastaj Umeri, pastaj Ebu Ubejde ibnu Amir ibnul Xherrahu".
Të shkruash për ashabët e Pejgamberit a.s. dhe të përgëzuarit me Xhennet e të njihesh me jetëshkrimin e tyre dhe me familjen e tyre, është diçka shumë tërheqëse.
Në këtë punim do të shkruajmë për një tjetër ashab, i cili është nga dhjetë të përgëzuarit me Xhennet. Ai përfaqëson një shkollë edukimi shumëdimensional. Është ky Ebu Ubejde ibn Amir ibnul Xherrahu, një nga myslimanët e parë që pranuan Islamin në Mekë. Ebu Ubejde pranoi Islamin në një kohë kur Muhamedi a.s. akoma nuk kishte filluar të tubohej me myslimanët në shtëpinë e Erkam ibnul Erkamit.
Ebu Ubejde ibnu Amir ibnul Xherrahu është njëri nga figurat e larta islame, prej të cilëve përfitojmë dhe mësojmë artin e prijësit dhe përvojën e administrimit. Vetë Pejgamberi a.s. i kishte vënë një nofkë, e cila i shkonte Ebu Ubejdes për shtati: "Besniku i ummetit mysliman"(1) lidhur me këtë,i Dërguari i Allahut kishte thënë: "Në secilin popull ekziston një njeri që është i denjë për çdo besim, ndërsa i besueshmi i këtij ummeti është Ebu Ubejde ibn Xherrahu".(2)
Ebu Ubejde ibn Xherrahu qëndroi i fortë dhe besnik në përpjekjet e tij edhe pas shpërnguljes në Botën tjetër të të Dërguarit të Allahut, pra në kohën e halifatit të Ebu-Bekrit r.a. dhe Umerit r.a., prijësve të besimdrejtëve. Kur e kishte pyetur dikush Umer ibnul Hattabin: "Çfarë do të doje të kishe, o Prijës i besimtarëve?" ai ishte përgjigjur duke bërë me gisht drejt një shtëpie pranë: "Të kisha një shtëpi si kjo, të mbushur me burra si Ebu Ubejde ibnu Xherrahu".(3)
Këtë vlerësim e kishte thënë Umer ibnul Hattabi për shkak të besnikërisë dhe aftësive administrative që posedonte Ebu Ubejde, dy cilësi këto që sot kanë humbur rëndësinë në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore. Ebu Ubejde ibnu Amir ibnul Xherrahu kishte bashkuar besnikërinë dhe aftësitë e administrimit, cilësi që i kërkon çdo epror nga punëtorët dhe vartësit e tij.
Trimëria dhe përkushtimi i tij
Përkushtimi dhe përgjegjësia e Ebu Ubejdes ndaj detyrave ishte një prej cilësive të tij më të manifestuara. Në betejën e Uhudit, nga mënyra si ishte zhvilluar beteja, ai kishte kuptuar se qëllimi më i madh i mosbesimtarëve ishte që ta vrisnin Muhamedin a.s.. Për ta fitorja ishte në plan të dytë krahasuar me vrasjen e të Dërguarit a.s.. Për këtë shkak ai kishte vendosur të qëndronte shumë afër të Dërguarit a.s..
Ebu Ubejde kishte luftuar me trimëri kundër ushtrisë armike, e cila dëshironte të shuante njëherë e përgjithmonë dritën e Allahut. Sa herë që beteja ashpërsohej dhe e largonte nga i Dërguari a.s., ai luftonte me trimëri, po me sytë dhe shikimin e tij gjithnjë të drejtuar tek vendi ku qëndronte Pejgamberi a.s., duke e shikuar me brengosje të madhe. Sa herë që vërente rrezikun për Pejgamberin a.s., reagonte shpejt për ta kthyer armikun në pozitat fillestare, para se ta plagosnin të Dërguarin e Allahut. Kur ishte ashpërsuar lufta, një grup i mosbesimtarëve kishin rrethuar Ebu Ubejden, po sytë e tij edhe më tej ishin të drejtuar atje tek ishte i Dërguari i Allahut. Ai e kishte humbur vetëkontrollin kur pa se një shigjetë e kishte qëlluar Pejgamberin a.s.. Megjithëkëtë, mblodhi veten dhe u nis me shpatë drejt atyre që e kishin rrethuar dhe shpata e tij sikur të ishte një mrekulli: Ia arriti t'i shkatërronte ata dhe të nisej drejt të Dërguarit a.s., dhe, me dorën e tij të djathtë, t'i fshinte gjakun e tij të bekuar që i rridhte në fytyrë, e thoshte: "Si do të kenë sukses kur e kanë bërë me gjak fytyrën e të Dërguarit të Allahut, i cili po i thërriste në rrugën e Allahut xh.sh?".(4)
Kur e vërejti Ebu Ubejde se dy hallka të zinxhirit të parzmores së të Dërguarit a.s., kishin depërtuar në fytyrën e tij, atëherë e kapi me dhëmbë njërën dhe e nxori. mirëpo, kur ra hallka e parë, iu thye dhe i ra dhëmbi i përparmë i epërm. Ngjashëm i ndodhi edhe me dhëmbin tjetër poshtë, kur u përpoq ta hiqte hallkën tjetër.
Në një rast tjetër, komandanti i ushtrisë myslimane Amr ibnul Asi, i kërkoi të Dërguarit të Allahut ndihma në forcat ushtarake, pasi nuk i mjaftonin për betejat që i prisnin. Pejgamberi a.s. iu përgjigj pozitivisht duke i dërguar një sasi forcash, bashkë me to edhe Ebu Ubejde ibnu Amir ibnul Xherrahun, Ebu Bekrin dhe Umer ibnul Hattabin. Ndërkohë Pejgamberi a.s. porositi myslimanët që, me t'u bashkuar me ushtrinë e Amr ibnul Asit, komandant i përgjithshëm të ishte Ebu Ubejde ibnu Amir ibnul Xherrahu. Kur kjo njësi ushtarake arriti dhe u bashkua me pjesën tjetër të ushtrisë, Ebu Ubejde ibnu Amir ibnul Xharrahu i tha Amr ibnul Asit: "Pejgamberi më ka urdhëruar që të jem unë komandant kryesor i ushtrisë".(5)
Amr ibnul Asi e kishte kundërshtuar Ebu Ubejden duke thënë: "Unë jam komandanti i ushtrisë". Ndërkohë u implikuan edhe myslimanët e tjerë në këtë mosmarrëveshje dhe thanë: "Ne e duam Ebu Ubejden. Muhamedi a.s. urdhëroi që Ubejde të jetë komandant".
Më në fund, me qëllim që ushtria dhe myslimanët të mos përçaheshin, Ebu Ubejde ibnu Amir ibnul Xherrahu hyri në radhët e ushtrisë myslimane nën komandën e Amr ibnul Asit. Kështu radhët e myslimanëve mbetën të bashkuara dhe korrën fitore në betejën që prisnin.(6)
Nuk e mashtroi dynjaja
Këtu kuptojmë se Ebu Ubejde u tregua mjaft largpamës dhe, me modestinë dhe urtësinë e tij, arriti ta zgjidhte mosmarrëveshjen në interes të Islamit dhe të myslimanëve duke mos lejuar përçarje dhe konflikte.
Një herë tjetër, ushtria e Ebu Ubejde ibnu Amir ibnul Xharrahut, ishte bashkuar me ushtrinë e Halid ibnul Velidit, e cila kishte rrethuar Damaskun. Kur u bashkuan të dy ushtritë, sapo kishte hyrë koha për t'u falur. Halidi i kërkoi të dilte imam Ebu Ubejde, por ai tha: "Unë kam ardhur si forcë ndihmëse, ti je komandanti ynë".(7) Halidi tha: "E kam dëgjuar të Dërguarin a.s. të ketë thënë: "Ebu Ubejde ibnu Amir Ibnul Xherrahu, është besniku i këtij ummeti".
Nëse besnikëria nuk do të ishte e rëndësishme në fenë islame, i Dërguari i Allahut nuk do të paralajmëronte se një nga shenjat e Kiametit është humbja e besnikërisë dhe amanetit. Lidhur me këtë, Muhamedi a.s. ka thënë: "Kur të humbasë amaneti, pritni të bëhet Kiameti". Dikush e pyeti: "Si do të humbasë amaneti, o i Dërguar i Allahut"? Ai tha: "Kur çështjet administrative t`u lihen në dorë të paaftëve, atëherë ka humbur amaneti".(8)
Kur e pranoi Islamin, Ebu Ubejde u përpoq shumë dhe tentoi ta bindte edhe të atin që ta pranonte Islamin. Megjithë përpjekjet e tij, babai i tij nuk e pranoi Islamin. Më vonë, disa nga myslimanët kishin vrarë babain e tij në një betejë, një gjë që nuk e dëshpëroi dhe për se Ebu Ubejde nuk u zemërua me vrasësit e t'et.
Nga historitë e bukura që rrëfehen rreth kësaj figure, është se njëherë, kur ndodhej në Sham, dikush e kishte gjetur duke qarë. Ai e pyeti: "Çfarë të ka bërë të qash, o Ebu Ubejde?"
Ebu Ubejde ibnu Amir ibnul Xharrahu i tha: "E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të ketë thënë që myslimanit i duhen tri kafshë, një për ta mbartur atë, një për të mbartur barrën dhe një tjetër për skllavin dhe shërbëtorin. Po ashtu, i duhen tre skllevër, një për t`i shërbyer, një për punët e shtëpisë dhe një për shoqëri gjatë udhëtimeve".
Burri e pyeti sërish: "Mirë, po përse po qan?" Ebu Ubejde i tha: "Qaj, sepse e shoh që myslimanët sot posedojnë shumë kafshë dhe shumë skllevër, gjë që tregon bollëkun dhe luksin e tyre. Me sa duket, të mirat materiale të kësaj bote na kanë hapur krahët dhe ne nuk po bëjmë gjë tjetër veçse po u shkojmë pas".
Duke parë të mirat materiale që po shtoheshin, Ebu Ubejde filloi ta qortonte veten dhe t`i këshillonte shokët e Profetit (s.a.) që të mos jepeshin pas jetës dhe luksit të kësaj bote.
Një ditë, derisa prijësi i besimdrejtëve, Omer el-Faruku r.a., kryente punët e përditshme rreth udhëheqjes së Botës së madhe myslimane, i erdhi një lajm i pikëlluar. Lajmi ishte për vdekjen e Ebu Ubejdes. Ai u përpoq ta kontrollonte veten, mirëpo mërzia e madhe e kishte munduar dhe atij i rrodhën lotët. e luti Allahun xh.sh. që ta mëshironte vëllanë e tij. Me durim dhe me butësi, iu kujtua ndodhia me Ebu Ubejden. Ai bërtiti: "Sikur të isha ëndërrimtar, do të kisha ëndërruar për një shtëpi përplot me njerëz sikurse Ebu Ubejde".
Njeriu i besueshëm i këtij populli vdiq në tokën që e pastroi prej paganizmit persian dhe prej keqtrajtimit bizantin. Mbetjet e trupit të tij të bekuar, që më parë ishte përplot jetë, mirësi e kënaqësi, sot pushojnë në Jordan. S`është me rëndësi ta dini se ku është i varrosur, sepse, nëse dëshironi të gjeni varrin e tij, nuk ju duhet udhërrëfyes, aroma mahnitëse e mbetjeve të tij do t`ju çojë deri tek ai!
______________________________
1. Xhasim Mutava, Të përgëzuarit me Xhennet, Shkup, 2010, f. 205.
2. Halid Muhamed Halid, Burrat përreth Pejgamberit, Shkup, 2008, f. 189.
3. Xhasim Mutava, Të përgëzuarit me Xhennet, f. 205.
4. Halid Muhamed Halid, Burrat përreth Pejgamberit, f. 191, 192.
5. Xhasim Mutava, Të përgëzuarit me Xhennet, f. 206.
6. Po aty, 206.
7. Po aty, f. 208. (8.) Po aty, f. 208, 209.
Dituria Islame 261