Dashuria për pasurinë nuk duhet të pushtojë zemrën


Imam Ebu Hanife (Allahu e mëshiroftë), përveçse ishte i angazhuar vazhdimisht në veprimtari edukative dhe mësimdhënie, ishte edhe një tregtar i suksesshëm dhe një njeri i pasur. Ky dijetar i madh, nga mëngjesi deri në drekë, jepte mësim në xhami pa ndërprerje, ndërsa pas drekës i kushtohej punëve të tregtisë.
Një ditë, teksa po ligjëronte në xhami, erdhi një burrë dhe i tha:
- O imam, anija jote është fundosur!
Imam Ebu Hanifja heshti për disa çaste, pastaj tha qetësisht:
- Elhamdulilah.
Pas pak, i njëjti burrë u kthye përsëri dhe i tha:
- O imam, ka ndodhur një gabim. Anija që është fundosur nuk ka qenë e jotja.
Edhe këtë herë, imami tha:
- Elhamdulilah.
Burri u çudit dhe e pyeti:
- O imam, kur të thashë se anija jote ishte fundosur, ti falënderove Allahun. Edhe kur të thashë se nuk ishte anija jote, përsëri falënderove Allahun. A mund të ma shpjegosh këtë?
Imam Ebu Hanifja iu përgjigj:
- Kur më solle lajmin se anija ishte fundosur, unë e kontrollova zemrën time dhe pashë se në të nuk kishte asnjë shenjë pikëllimi për pasurinë e kësaj bote. Për këtë arsye e falënderova Allahun.
Kur më solle lajmin se anija e fundosur nuk ishte e imja, bëra të njëjtën gjë dhe kuptova se zemra ime nuk ishte e lidhur me pasurinë e kësaj bote. Prandaj e falënderova Allahun, i Cili ma ka larguar dashurinë dhe varësinë nga gjërat e kësaj bote.



Vlera e vërtetë e njeriut nuk matet me pasurinë që zotëron, por me lidhjen që zemra e tij ka me Allahun. Pasuria mund të jetë në dorë, por nuk duhet të jetë në zemër. Imam Ebu Hanifja (Allahu e mëshiroftë) ishte tregtar dhe i pasur, por zemra e tij ishte e lirë nga varësia ndaj dynjasë. Kjo është thelbi i zuhdit: jo braktisja e pasurisë, por moslidhja e zemrës me të.
Ai na mëson gjithashtu se falënderimi i Allahut në çdo gjendje është shenjë e imanit të fortë dhe e zemrës së pastër. Si në humbje, ashtu edhe në fitore, besimtari e sheh çdo gjendje si mirësi nga Allahu.


"Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër veçse lojë dhe dëfrim, kurse bota tjetër është më e mirë për ata që janë të devotshëm." (El-En'am, 6:32)


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Rikthimi te rrënjët, vakëfi dhe historia që u ringjall në konferencë