Këshilli i Bashkësisë Islame të Gjakovës organizoi tribunë fetare me temë "Nata e Mrekullive, Isra dhe Miraxh", e cila u mbajt pas faljes së namazit të jacisë në xhaminë e Hadumit.
Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe solemne, me pjesëmarrjen e imamëve dhe të një numri të konsiderueshëm besimtarësh.
Në fjalën hyrëse, kryetari i Këshillit, Dr. Valon ef Myrta, përshëndeti të pranishmit dhe vuri në pah rëndësinë e veçantë që Nata e Israsë dhe Miraxhit zë në traditën islame. Ai theksoi se kjo ngjarje përfaqëson një nga momentet më të rëndësishme të jetës profetike, duke shërbyer si themel për reflektim të thellë mbi besimin, adhurimin dhe raportin e njeriut me Krijuesin.
Ligjëruesit Arsim ef. Morina dhe Abdurrahman ef. Bejtullahu shtjelluan domethënien e Natës së Israsë dhe Miraxhit, duke trajtuar me hollësi aspektet historike, akidore dhe edukative të udhëtimit të bekuar të Pejgamberit Muhamed (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), nga Mesxhidi Haram në Mesxhidi Aksa dhe më pas ngritjen e Tij në lartësitë qiellore. Në ligjëratat e tyre u theksua se kjo ngjarje përbën një nga mrekullitë më të mëdha të jetës profetike dhe mbart mesazhe të vyera për umetin, veçanërisht në forcimin e imanit, durimin ndaj sprovave dhe mbështetjen e palëkundur në mëshirën dhe drejtësinë e Allahut të Madhëruar. Ngjarja e Israsë dhe Miraxhit mbetet burim i pashtershëm mësimi, udhëzimi dhe frymëzimi shpirtëror për çdo besimtar, në çdo kohë dhe rrethanë.
Programi u pasurua gjithashtu me recitim nga Kur'ani Famëlartë dhe këndim të ilahive, të interpretuara nga Hafiz Safet. Ef. Hoxha dhe Esat ef. Rexha, të cilat krijuan një atmosferë të veçantë shpirtërore dhe përforcuan përjetimin e devotshmërisë tek të pranishmit.
Në pëmbyllje kryemami Visar ef. Koshi bëri një dua bashkë me të pranishmit.



