Mulla Xhemajl ef. Ali Ukaj

 


 


Mulla Xhemajl ef. Ali Ukaj 1915 - 2005


Xhemajl Ali Ukaj vjen nga familja e Mujë Selimit nga fshati Kaliqan, një familje kjo patri otike, atdhetare, luftëtare dhe shumë e vuajtur. Nëna e tij ishte Dinore Camaj nga Novosella, ndërsa baba, patrioti, atdhetari e luftëtari i shquar, kaçaku e lahutari i dalluar, Ali Ukaj.(1)
Mulla Xhemajl ef. Ukaj mësimet e para i mori në shkollën fillore të Vrelles, dhe njëkohësisht mësoi në Mejtepin e fshatit Studenicë, tek imami Mulla Jashar Efendiu, ku u dallua për sukses të shkëlqyeshëm. Si shumica e shqiptarëve, edhe kjo familje, torturohej dhe mundohej, saqë u obliguan që në Shkup t'i rregullojnë dokumentet dhe të përgatiten për t'u shpërngulur në Turqi.
Atdhedashuria e madhe dhe patriotizmi këtë familje nuk e lanë të largohet dhe t'i kthejë shpinën vendit, vatanit dhe varreve të të parëve. Kështu që, nuk i marrin dokumentet, pra i refuzojnë, dhe ashtu siç ishin nisur kthehen në fshatin e tyre, duke i përballuar të gjitha torturat dhe vështirësitë që i prisnin, sidomos kryefamiljarin Aliun. Mulla Xhemajl ef. Ukaj më pastaj studioi për studime administrative, në Vojvodinë, përderisa gjatë vitit 1950 punoi si aktivist në detyrën e ofiqarit, në zyrën e vendit në Gurrakoc.(2)
Mirëpo më pas u largua nga puna për shkak se Mulla Xhemajli nuk u pajtua me një rast që ai u përball. Ai refuzoi të kryente detyrën e ofiqarit për kurorëzimin e një serbi me vajzën shqiptare, saqë rezultoi deri në përleshje në mes këtyre. Mulla Xhemajli, me një karrige prej druri e rrahu serbin, duke i shkaktuar plagë të rënda, që e çuan deri në spital. Pas disa seancave Mulla Xhemajlin e largojnë nga puna, duke e vendosur në pension të parakohshëm, në moshën 40 vjeçare. Pas kësaj Xhemajl Efendiu vazhdoi mësimet me korrespondencë në Medresenë e Prishtinës, të cilën edhe e përfundoi. Pasi diplomoi, ai u emërua imam në fshatin Kaliqan, afërsisht përgjatë viteve 1956-1957, pas vdekjes së Mulla Hamdi Efendiut.
Përveç detyrës së imamit, Hoxha mbante mësime mbi besimin në mejtepin e fshatit, dhe i nxiste të rinjtë për mësim në shkolla.
Duke qenë si një person i mençur, Mulla Xhemajli kishte përgjigje për gati gjithçka. E kjo dëshmohet edhe në një rast të ndodhur në fshat, kur xhamia të cilën ai ishte imam kishte nevojë për renovim. Të njëjtën kohë prishët edhe rruga. Duke qenë se fshati Kaliqan gjendej buzë bjeshkëve dhe uji i shumtë u lëshua nga bjeshkët, që shkaktoi prishjen në masë të madhe të rrugës. Kur Hoxha u pyet se a të rregullo hej rruga apo xhamia, hoxha iu përgjigj, "Duhet rregullu rruga, pasi ajo i sjell njerëzit në xhami." Ai po ashtu ka qenë aktiv dhe iniciator për shumë aktivitete të fshatit, dhe fjala e tij ka zënë vend te bashkëfshatarët dhe xhemati në përgjithësi.(3)
Mulla Xhemajl ef. Ukaj, ishte sekretar dhe arkëtar në Këshillin e Bashkësisë Islame në Istog, ku atëkohë selia e Këshillit-Vakëfit ishte në qendër të Istogut, një ndërtesë kjo në katin e dytë.(4)
Çdo të enjte lajmërohej në Këshill të Istogut, ku edhe ishte bashkëpunëtor me Mulla Ragipin. Ai punonte shumë për Këshillin, kishte një makinë të shtypit, të cilën e mbante në shtëpi me të cilën edhe punonte deri vonë.4 Mulla Xhemajl ef. Ukaj, lexonte shumë libra, revista dhe gazeta, pasi i interesonte shumë gjendja aktuale. Ndërsa revistën islame nga Sarajeva "Glasnik", e merrte për çdo numër. Atij i interesonin edhe hulumtimet, e kjo dëshmohet nga një mbishkrim i gjetur për historikun e përkthimeve të Kuranit në gjuhët tjera, për të cilat Hoxha ishte interesuar se në cilat gjuhë dhe në cilat vite ishte përkthyer Kurani në gjuhët tjera. Hoxha e kishte pasion mbajtjen e shënimeve, dhe atë me kujdes të madh, por edhe në detaje.
Mulla Xhemajli lexonte dhe mbante shënime. Nuk mungojnë as fotografitë e patriotëve, atdhetarëve e veprimtarëve të shquar shqiptarë, që i kishte vendo sur nëpër kopertina të librave të tij. Gjithashtu, edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës e kishte ruajtur në mes ditarëve të tij, ku përkrah kishte vënë edhe një foto të atdhetarit Ismajl Qemajli.
Xhemajl ef. Ali Ukaj punoi si imam i fshatit Kaliqan deri sa ndërroi jetë, përkatësisht në vitin 2005.


___________________________________
1) Ismet Xhemajl Ukaj (68 vjeç), Intervistë e zhvilluar në Istog më 26.02.2015.
2) Sadri Kabashi, Ish-Kryetar komune në Istog, intervista është zhvilluare në Istog, 27.02.2015.
3) Fadil Xhemajl Ukaj, e moshës 45 vjeçar. Nga intervista e zhvilluar në Istog, më 26.02.2015.
4) Mulla Isa Hasanaj imami i Vrellës, nga intervista e bërë më datë 13.06.2015. 5) Fadil Xhemajl Ukaj, i moshës 45 vjeç.


 


Vehbi Shatri


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Atmosferë madhështore e Festës së Bajramit në Prishtinë