Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje tek Allahu nga të këqijat e vetvetes sonë dhe nga veprat tona të liga. Kë e udhëzon Allahu, askush nuk mund ta humbë, e kë e lë në humbje, askush nuk mund ta udhëzojë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, Një e të Pashoq, dhe dëshmoj se Muhamedi a.s. është rob dhe i Dërguari i Tij.
Vëllezër besimtarë!
Allahu xh.sh. na nderoi dhe na favorizoi me mirësi, begati, virtyte dhe bekime të bollshme në jetën e kësaj bote. Ndër ato mirësi dhe begati të shumta të Zotit ndaj nesh është edhe ky muaj i madh që ka aguar mbi muslimanët, muaji i Ramazanit në të cilin u shpall Kurani Famëlartë.
Zoti i Lartësuar thotë: "Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja)..." (Bekare, 185)
Me të drejtë quhet edhe muaji i Kuranit pasi Zoti xh.sh. e shpalli Kuranin në të, aq më tepër që e shpalli në natën më të mirë të vitit, në natën e Kadrit.
Do t'i mjaftonte Xhibrilit a.s. ta kishte për nder zbritjen e Kuranit vetëm mbi të, por me zbritjen e tij përmes tij, ai u bë më i nderuari i melaikeve. Do t'i mjaftonte Muhamedit a.s. ta kishte për nder zbritjen e Kuranit vetëm mbi të, por me zbritjen e tij mbi të ai u bë më i nderuari i njerëzimit.
Do t'i mjaftonte për nder Ramazanit zbritja e Kuranit vetëm në të, por me zbritjen e tij në të, ai u bë më i nderuari i muajve të vitit. Do t'i mjaftonte për nder natës së Kadrit zbritja e Kuranit vetëm në të, por me zbritjen e tij në të, ajo u bë nata më e mirë në kohë.
Zbulesa e Kuranit filloi pra në këtë muaj, si nder për Ramazanin dhe si përkujtues për begatitë e tij. Për këtë arsye, Pejgamberi a.s. dhe shokët e tij e shtonin lidhjen e tyre me Kuranin në këtë muaj të madh dhe i përkushtoheshin leximit dhe studimit së tij, sepse leximi dhe përsëritja e Kuranit në këtë muaj është më i mirë se leximi i tij në çdo kohë tjetër. E dihet mjaft mirë që Xhibrili a.s. ia përsëriste Kuranin të dërguarit Muhamed a.s. çdo Ramazan, ndërsa në vitin e fundit ia përsëriti dy herë.
Të nderuar xhematlinjë!
Një prej virtyteve më të mëdha të këtij muaji është vet agjërimi, të cilin Allahu xh.sh. e bëri obligim për robërit e Tij, me qëllim që ata të arrijnë devotshmërinë. Agjërimi është adhurim i sinqertë ndërmjet robit dhe Zotit të tij. Në hadith kudsijj thuhet: "Agjërimi është për mua dhe Unë shpërblej për të." Kjo tregon madhështinë dhe pozitën e tij të lartë tek Allahu
Prej veçorive të këtij muaji është edhe falja e namazit të teravisë dhe gjallërimi i netëve me adhurim. Këto netë, të cilat janë superiore ndaj netëve të tjera (e që me namazin e teravisë dhe namazeve tjera nafile/vullnetare), janë dëshmia më e madhe e nivelit tonë të dashurisë ndaj Allahut xh.sh. dhe Muhamedit a.s.. Thotë Allahu xh.sh. në hadith kudsijj: "Robi im nuk më afrohet me diçka më të dashur se sa me atë që ia kam bërë obligim, dhe vazhdon të më afrohet me vepra vullnetare derisa Unë ta dua atë..." I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet qofshin mbi të) ka thënë: "Kush e agjëron Ramazanin me besim, vetëllogaritje dhe duke shpresuar shpërblimin, i falen mëkatet e kaluara."
Mirësi dhe begati tjetër e këtij muaji është se veprat e mira shumëfishohen më shumë se në muajt e tjerë të vitit. Profeti (paqja dhe mëshira qofshin mbi të) tha: "O njerëz, një muaj i madh dhe i bekuar ju ka ardhur, ..... kush afrohet në të me një vepër të mirë, është sikur ta ketë kryer një farz, e kush e kryen një farz është sikur të ketë kryer shtatëdhjetë farze në muajt e tjerë..."
Ndër virtytet e këtij muaji të madh është se Zoti e ka veçuar atë me natën e Kadrit e cila është më e mirë se një mijë muaj. Natë paqeje, mëshire dhe caktimi hyjnor, në të cilën zbresin engjëjt me lejen e Zotit të tyre për çdo çështje.
E veçantë e këtij muaji është edhe se Zoti i Plotfuqishëm shumëfishon në të shpërblimet e bamirësisë, sadakasë dhe ushqyerjes së të uriturve. Profeti, paqja dhe bekimet qofshin mbi të,ka thënë: "Çdo vepër e birit të Ademit është për të, e mira shpërblehet dhjetëfish deri në shtatëqindfish.....".
Vëllëzër të dashur!
Çdo musliman që Zoti xh.sh. e bekoi me arritjen e këtij muaji, le ta lavdërojë Zotin dhe le ta shfrytëzojë mundësinë në bindje ndaj Zotit të Plotfuqishëm me të gjitha llojet e adhurimit, si: me namaz, agjërim, bamirësi/sadaka, lexim të Kuranit, lutje, istigfar dhe pendim të sinqertë.
Shfrytëzojeni kohën para se të kalojë, sepse ditët e tij janë të numëruara dhe netët e tij të çmuara, e mos jini ndër të pakujdesshmit, sepse i privuar është ai që e arrin këtë muaj dhe nuk i falen mëkatet.