"Muaji Ramazan është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që është prezent në këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t'ua lehtësojë dhe jo që t'ua vështirësojë. Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugën e drejtë e që ta falënderoni Atë." (El Bekare, 185).
Ky është ajeti në të cilin Allahu xh.sh. në mënyrë të prerë e obligon agjërimin e muajit Ramazan dhe derogon normën paraprake e që ishte agjërimi me mundësinë e zgjedhjes ndërmjet agjërimit e kompensimit, që është interpretuar në trajtesën paraprake. Kjo gjithashtu lë të kuptohet se ky ajet ka zbritur më vonë se ajetet pararendëse të agjërimit.(1) Shpjegimin e tij dhe mësimet kryesore që i nxjerrim nga ai mund t'i përmbledhim në pikat në vijim:
Muaji Ramazan është muaj i veçantë, sepse në këtë muaj ka zbritur Kurani, dhe për këtë zbritje kemi dy interpretime kryesore, i pari: se është fjala për zbritjen e tij të plotë nga Leuhi'l-Mahfudh në qiellin e kësaj bote, e pastaj pjesë-pjesë për njëzet e tri vjet i ka zbritur Muhamedit a.s.. Ky mendim shkon konform me ajetet tjera, siç është ai në suren El Kadr(2) dhe është mendimi i shumicës së dijetarëve.(3) Kurse interpretimi tjetër është se në muajin Ramazan i ka filluar zbritja e tij Muhamedit a.s. dhe ka vazhduar për njëzetë e tri vjet, pra sipas kësaj, me zbritjen e përmendur në ajet, nënkuptohet fillimi i zbritjes së tij e jo i tëri.(4) Si do që të jetë, nga ky ajet kuptohet se edhe Nata e Kadrit është në këtë muaj, ngase në ajetin që iu referuam më herët thuhet qartë: "Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit" (El Kadr, 1); pra kjo natë është një nga netët e këtij muaji. Dhe meqë vlera e Natës së Kadrit dhe shumëfishimi i shpërblimeve në të dihet, kjo duhet ta motivojë besimtarin edhe më tepër për shtim të veprave të mira gjatë Ramazanit.
Folja (شَهْد) në fjalinë (فَمَن شَهِدَ مِنكُمُ الشَّهْرَ فَلْيَصُمْهُ) këtë ajet i ka disa shpjegime. Interpretimi më i pranuar është se e ka kuptimin: kush është prezent gjatë muajit, pra që nuk është udhëtar le të agjërojë.(5) Kurse shpjegimi tjetër është: kush e percepton me mendjen e tij.(6)
Më pas, shpjegohet përsëri edhe në këtë ajet se të sëmurëve dhe udhëtarëve(7) u lejohet t'i agjërojnë më vonë aq ditë të Ramazanit që nuk i kanë agjëruar, që të bëhet e qartë se ata janë të lehtësuar nga obligimi i agjërimit në gjendjen e tyre, e që është i prerë kësaj radhe; apo përsëritja e normës rreth tyre është bërë për ta qartësuar se lehtësimi rreth tyre i shpallur në ajetin paraprak nuk është deroguar.(8)
Më pas, vihet në pah se Allahu dëshiron për neve lehtësim dhe jo vështirësi. Kjo në kontekstin e ajetit kuptohet se dëshiron të na e lehtësojë përmes këtyre përjashtimeve për të sëmurët, udhëtarët dhe kategoritë që i pasojnë, e nuk na e ka vështirësuar që t'i obligojë ata me agjërim në gjendjen e tyre, duke ua mundësuar agjërimin më vonë. Apo nuk na e ka vështirësuar që të na obligojë me agjërim më gjatë se një muaj në vit.(9) Më pas, vijon ajeti me shpjegimin se duhet të plotësohen aq ditë të lëna për të sëmurët dhe udhëtarët kur të shërohen, respektivisht të kthehen nga udhëtimi. Dhe kështu të madhërohet Allahu dhe të falënderohet për udhëzimin e Tij, mundësimin e kryerjes së këtij obligimi, por edhe për lehtësimet e Tij. Nga kjo pjesë e ajetit përfitohet gjithashtu edhe legjitimiteti i tekbireve të Bajramit.(10)
Jo më kot Ramazani quhet edhe muaji i Kuranit. Ky ajet na bën me dije madhështinë e tij dhe rëndësinë që ka zbritja e tij, duke e bërë obligim agjërimin e muajit të zbritjes. Kjo na f ton që ta shtojmë përkushtimin tonë ndaj Kuranit gjatë këtij muaji përmes leximit të tij, meditimit rreth domethënieve të tij, e ç'është më e rëndësishmja shtimit të praktikimit të tij në jetët tona.
"Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t'i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë. (El Bekare, 186).
Në mesin e ajeteve të agjërimit kemi këtë verset që në shikim të parë nuk ka lidhje direkte me agjërimin, porse tefsirologët e lidhin kuptimisht me fundin e ajetit paraprak, e nga vendndodhja e tij mund të nxirren shumë urtësi. Nga komenti i tij veçojmë pikat vijuese:
Për shkakun e zbritjes së këtij ajeti janë disa variacione të përcjella në librat e tefsirit. Më i afërti me përmbajtjen e ajetit është transmetimi i shënuar nga Taberiu se dikush e pyeti Pejgamberin a.s.: "O Muhamed, a është Zoti ynë afër që ta lusim me zë të ulët, apo larg që ta thërrasim?" Dhe kështu Allahu e zbriti këtë ajet.(11)
Nga urtësitë e vendndodhjes së tij është se ky ajet jep indikacione se agjëruesi me të drejtë shpreson në përgjigje të lutjes së tij, dhe se muaji Ramazan është koha e duhur për lutje, si dhe ligjshmëria e duave në fund të çdo dite të Ramazanit.(12)
Ne këtë ajet, Allahu nuk e përdorë shprehjen "thuaj" siç ndodh rëndom në përgjigjet e pyetjeve të drejtuara Pejgamberit a.s. në Kuran. Kjo vërteton madhështinë e lutjes në shumë forma, dhe indikon afërsinë e lutësit me Allahun kur lutet, sikur do të thotë se ti mund të kesh nevojë për ndërmjetës në çështje tjera, por jo kur më lutesh Mua.(13)
"Tani është e lejuar për ju që, gjatë netëve të agjërimit, të shkoni me bashkëshortet tuaja. Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato. Allahu e di mirë se ju e keni mashtruar veten (duke shkuar me gratë para se të zbriste lejimi), por Allahu e ka pranuar pendimin tuaj dhe ua ka falur gabimin. Prandaj, ju lejohet bashkimi me bashkëshortet tuaja dhe tani kërkoni atë që ka caktuar Allahu për ju. Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja. Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur mbylleni për adhurim në xhami! Këta janë kufijtë e Allahut, prandaj mos iu afroni atyre! Kështu, pra, Allahu ua shpjegon njerëzve urdhëresat e veta, që ata të ruhen nga të këqijat (arrijnë devotshmërinë)." (El Bekare, 187).
Ky është verseti i fundit i ajeteve të agjërimit, i cili përmbush normat rreth tij dhe përfundon me porosinë e njëjtë sikur ajeti i parë, me fjalët për devotshmërinë. Më poshtë sjellim shkurtimisht elementet kyçe të komentit të tij dhe disa norma që nxirren nga ai:
Si shkak i zbritjes së këtij ajeti përcillet se besimtarëve në fillet e para u ndaloheshin marrëdhëniet intime dhe ushqimi pas namazit të jacisë në Ramazan; po ashtu nëse flinin gjumë pas iftarit nuk lejoheshin të njëjtat deri në iftarin e ditës tjetër. Disa nga myslimanët e thyen këtë rregull dhe u ankuan tek i Dërguari i Allahu a.s., dhe kështu zbriti ky ajet.(14)
Ne këtë verset përdoret shprehja (لِبَاس) për raportin burrë grua, që mund të përkthehet si petk. Kjo ngase bashkëshortët janë afër njeri-tjetrit në shtrat dhe jo vetëm, sikur që janë petkat ndaj trupave. Apo se sikur që e mbron petku njeriun nga të ftohtit, edhe burri e gruaja e ruajnë njëri-tjetrin nga mëkati. Kuptimi tjetër që nxirret është se ata janë prehje për njëri-tjetrin; dhe të gjitha këto janë shumë kuptimplota.(15)
Këtu përmendet tradhtia ndaj vetes pa u caktuar se për çka bëhet fjalë. Por konteksti i ajetit nga ajo që vjen përpara dhe mbrapa e qartëson se fjala është për marrëdhëniet intime pas jacisë apo pas gjumit, që ishin të ndaluara; e nëse bazohemi ne shkakun e zbritjes edhe ngrënia pas jacisë apo pas gjumit. Quhet tradhti sepse është e kundërta e asaj që pritet prej besimtarëve, që të mos i thyejnë rregullat e Zotit; por edhe se çdo shkelje e normave të tij nga njeriu shkakton dënim për veten e tij, që i bie sikur ta tradhtonte atë.(16)
Në këtë ajet me foljen ((بَشِّرُهُنَّ)) në formën urdhërore për marrëdhënie intime, e të shprehur në mënyrë metaforike, kuptohet lejimi i tyre meqë ishin të ndaluara. Kurse kërkimi për atë që e ka shkruar Allahu, sipas shumicës së tefsirologëve është për qëllim kërkimi i fëmijës/pasardhësve. Përveç këtij mendimi që është më afër kontekstit, thuhet po ashtu se mund të jetë për qëllim kërkimi i Natës së Kadrit. Rraziu këtu përmend gjithsej tetë mendime, dhe nuk e përjashton të jetë për qëllim Nata e Kadrit.(17) Kurse Taberiu thotë se kuptimi i saj është kërkimi i asaj që Allahu ka përcaktuar për ju, duke theksuar se çdo gjë është e shkruar në Leuhi'l-Mahfudh; pra kush do fëmijë ta bëjë, kush kërkon Natën e Kadrit le ta bëjë, madje nuk e përjashton të synohet për ta kërkuar nga Allahu çdo gjë që është e mirë, ani pse sipas tij më afër është mendimi i parë.(18)
Në këtë ajet përcaktohet intervali kohor i agjërimit, që është prej kohës kur dallohet bardhësia e agimit të vërtetë nga errësira e natës deri në perëndim të diellit. Sipas Taberiut, ky interpretim është më i sakti në mesin e disa varianteve për kuptimin e perit (fijes) të bardhë dhe perit (fijes) të zi, që përdoret këtu me kuptimin alegorik. Kjo ngase ka një hadith të shënuar në dy koleksionet e sakta ku Pejgamberi a.s. ia shpjegon sahabiut Adij ibën Hatimi r.a., i cili e kishte kuptuar f jalëpërfjalshëm ajetin, duke i thënë: "ajo është errësira e natës dhe bardhësia e ditës". (Buhariu, 1916, 4510; Muslimi, 1090).(19)
Më pas urdhërohet të mbahet agjërimi deri në mbrëmje,(20) dhe norma tjetër që përmban ky ajet është rreth itikafit. Meqenëse u lejua intimiteti gjatë natës ndërmjet bashkëshortëve në pjesën e parë të ajetit, këtu Allahu na bën me dije që një gjë e tillë nuk lejohet për ata që janë në itikaf.(21) Dhe më pas urdhërohet respektimi i ndalesave dhe normave të Zotit duke mos i shkelur ato, dhe përmbyllen ajetet e agjërimit duke theksuar se ashtu siç i ka bërë të qarta këto rregulla, Ai i ka bërë të qarta edhe dispozitat dhe argumentet e tjera, që të bëhemi të devotshëm.
Jo rastësisht këto ajete përmbyllen duke ritheksuar devotshmërinë, ngase Ramazani me agjërimin dhe çdo gjë tjetër rreth tij janë mundësia më e mirë për ndryshime pozitive. Në kohën kur e mundim unin dhe fizikun tonë duke kaluar orë të tëra pa ngrënë e pirë, mund dhe duhet të largohemi nga veset e këqija. Për më tepër, nëse do ta përkufizonim agjërimin me një fjalë, ajo do të ishte përmirësim; ngase përmes tij shtojmë imanin, durimin dhe solidaritetin me të tjerët; po ashtu përmirësojmë shëndetin dhe marrëdhëniet me njëri-tjetrin. Me fjalë të tjera, Ramazani sjell shumë mirësi dhe vjen që të lërë gjurmë te ne, duke na ndryshuar për të mirë, prandaj nuk guxojmë të dalim nga ai në të njëjtën gjendje që ishim; e Allahu e di më së miri.
__________________________________
1. Meqë nga kushtet e derogimit është që teksti derogues të jetë shpallur më vonë.
2. El Kadr, 1.
3. Muhamed Xherir et-Taberi, Xhamiu'l-bejan an te'uil aji'l-Kur'an, botimi i parë, Kajro: Daru Hixhr, 2001, III/188; Ismail Omer ibën Kethir, Tefsiru'l Kur'ani'l-adhim, botim i dytë, Daru Tajjibe, 1999, I/501-502 .
4. Ndër ata që përkrahin këtë mendim janë Zemahsheriu dhe Ibën Ashuri, (Muhamed Amr ez-Zemahsheri, El-keshshaf an hakaiki gauamidi't-tenzil, botimi i tretë, Bejrut: Daru'l-Kitabi'l-Arabij, 1987, I/227; Muhamed Tahir ibën Ashur, Et-tahriru ue't-tenuir, Tunizi: Daru't-Tunusije li'n-Neshr, 1984, I/172).
5. Taberiu, Zemahsheriu, dhe Ibën Ashuri janë të këtij mendimi, (Taberiu, vepra e cekur, III/201; Zemahsheriu, vepra e cekur, I/228; Ibën Ashuri, vepra e cekur, II/273).
6. Rraziu zgjedh këtë mendim, (Muhamed Omer err-Rrazi, Mefatihu'l-gajb (Et-tefsiru'l-kebir), botimi i tretë, Bejrut: Daru Ihjai't-Turathi'l-Arabij, V/255).
7. Shpjegimet e detajuara rreth të sëmurëve, udhëtarëve dhe kategorive përcjellëse janë bërë në komentin e ajetit paraprak, (shiko nr. paraprak të revistës).
8. Abdullah Omer el-Bejdavi, Enuaru't-tenzil ue esraru't-te'uil, botimi i parë, Bejrut: Daru Ihjai't-Turathi'l-Arabij, 1997, I/125.
9. Taberiu, vepra e cekur, III/218; Rraziu, vepra e cekur, V/258.
10. Taberiu, vepra e cekur, III/221; Bejdaviu, vepra e cekur, I/125.
11. Shiko: Taberiu, vepra e cekur, III/222.
12. Ibën Ashuri, vepra e cekur, II/179.
13. Shiko: Rraziu, vepra e cekur, V/264; Ibën Ashuri, vepra e cekur, II/179.
14. Ali Ahmed el-Uahidi, Esbabu'n-nuzul, (botimi i dytë, Dammam: Daru'l Islah, 1992), 50.
15. Taberiu, vepra e cekur, III/231-233; Rraziu, vepra e cekur, V/269-270.
16. Rraziu, vepra e cekur, V/270-271.
17. Rraziu, vepra e cekur, V/272.
18. Taberiu, vepra e cekur, III/247.
19. Muhamed Ismail el-Buhari, Sahihu'l-Buhari, botimi i parë, Daru Tuki'n Nexhah, 2001, III/28, VI/26; Muslim El-Haxhaxh, Sahihu Muslim, Bejrut: Daru Ihjai't-Turathi'l-Arabij, II/766; Taberiu, vepra e cekur, III/259.
20. Dijetarët e shkollës hanefite argumentohen me këtë për obligueshmërinë e plotësimit të agjërimit vullnetar, shiko: Ahmed Ali el-Xhessas, Ahkamu'l-Kur'an, botimi i tretë, Bejrut: Daru'l-Kutubi'l-Ilmiye, 2007, I-283-293.
21. Shiko: Xhessas, vepra e cekur, I/293-303; Muhamed Ahmed el-Kurtubi, El-xhamiu li ahkami'l-Kur'an, botimi i dytë, Kajro: Daru'l-Kutubi'l Misrije, 1964, II/332-337.
Mr. Samir Zullufi