Agjërimi si vlerë sociokulturore


Përmes normës obligative hyjnore, datuar nga mijëra vjet më parë, dhe përtej dobive të vërtetuara mjekësore, agjërimi ia del të paraqes një tjetër premisë të rëndësishme në jetën njerëzore. Me përmasa të pamatshme, si një institucion i solidaritetit, besimit në Zot, rigjenerimit fizik e shpirtëror, agjërimi pashmangshmërisht tani është vlerë e shtuar në edukimin dhe emancipimin e qytetarëve praktikues. Në këtë rol të vjetër e në forma të ndryshme, agjërimi vazhdon të jetë një normë e shenjtë hyjnore, e cila historikisht e ka udhëzuar njeriun si të jetojë, të besojë dhe të bashkëveprojë me të tjerët. Sot, i transformuar në rolin e tij bashkëkohor, agjërimi si burim asetesh etike, humane dhe i vlerave universale njerëzore, ka ndikim të dukshëm në jetën sociale dhe kulturore të individit.
Agjërimi, të paktën në shoqëritë myslimane, mbetet ndër si "festivalet" më të gjata vjetore të demonstrimit të besimit, solidaritetit, paqes, humanizmit dhe sakrificës përmes abstenimit kryesisht nga ushqimi dhe pijet. Si i tillë, objektivi kryesor i tij synon ringjalljen e qëllimit të jetës, rritjen e të bashkëndjerit me tjetrin, të jetuarit në qetësi e paqe me rrethin, të kuptuarit e jetës altruiste dhe të kuptuarit e faljes hyjnore dhe njerëzore. Kështu, përmes vlerave sublime, agjërimi vë në fokus të projektuarit e jetës së individit brenda rrethit shoqëror, duke ia prezantuar modelet e sjelljes së qytetëruar të bazuara në rend dhe ligj, me individin 'e reformuar', i cili do të kontribuojë për mirëqenien dhe arritjet e përbashkëta të komunitetit.
Këtij individi, në parim së paku një herë në vit, agjërimi do t'i shërbejë si shkollë e ripërtëritjes, rishikimit dhe ndryshimit substancial të raporteve të tij me personin e tij/saj: egon, vetëkontrollin, vetëbesimin, forcën dhe dobësitë. Gjithashtu, do t'i reflektojë në lidhjet me familjen, shoqërinë, profesionin, dhe të gjitha së bashku do ta bëjnë këtë individ ta testojë mjaftueshëm veten lidhur me besimin si koncept i rëndësishëm jetësor. Për më tepër, agjërimi si regjim pozitiv ditor i sjelljeve të programuara njerëzore, do ta detyrojë individin që ta njohë fuqinë e besimit të kultivuar si pragmatizëm themelor për funksionimin normal të marrëdhënieve në jetën qytetare. Si rrjedhojë, bazuar në besimin e afirmuar, agjërimi luan rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe fuqizimin e raporteve sociale brenda komuniteteve të ndryshme përmes shtimit të respektit ndaj vlerave të diversitetit, tolerancës, mirëkuptimit dhe dashurisë.
Formësimi i këtyre vlerave në pakon kulturore të individit i tejkalon kufijtë e definimit të agjërimit si vetëm një ritual fetar apo formë dietale në të mirë të shëndetit. Ai do t'ia ndryshojë psikologjinë e të menduarit dhe të sjelljes, duke e bërë të ndihet tërësisht ndryshe karshi realitetit dhe botës së jashtme që shpesh e percepton për të mirëqenë dhe të pa alternativë. Individi në agjërim do të lutet, do të meditojë, do të izolohet, do të shprehet e veprojë brenda një spektri të ri sjelljesh në kërkim të fuqizimit të besimit hyjnor dhe njerëzor. Në një formë a tjetër, ai do të luajë aktorin e vërtetë të ndjenjave origjinale humane si uria, etja, lodhja dhe dëshpërimi, dhe do të mësojë t'i besojë tjetrit dhe ndjenjave të tij, e si aktor i jetës reale t'ia shndërrojë ato në mirëqenie, gëzim, lumturi dhe shpresë.
Reflektimi kulturor i individit agjërues manifestohet në mikro dha makro realitetet e tij/saj. Aplikimi i agjërimit si kulturë e mësimit, vetëmohimit, dhe sakrificës, ekuilibron jetën personale dhe atë në bashkësi të individit, vë në balans anën emocionale e shpirtërore, dhe shton mundësitë e planifikimit më përmbajtësor familjar, shoqëror dhe profesional. Agjërimi luan rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe fuqizimin e raporteve sociale brenda komuniteteve të ndryshme përmes shtimit të respektit ndaj vlerave të diversitetit, tolerancës, mirëkuptimit dhe dashurisë.
Agjërimi si praktikë mund të shtrijë ndikimin edhe në fushën e gastronomisë dhe të protokollit të tryezës. Kultura të ndryshme praktikuese mund të imponojnë etiketat e tyre relevante të përgatitjes së ushqimit duke përfshirë edhe brendet ushqimore gjatë periudhave të ndryshme agjëruese, si dhe të përcaktojnë protokolle të veçanta të tryezës komfor normave kulturore dhe tradicionale të komuniteteve përkatëse. Në kuptim të kësaj dhe tërë asaj që përfaqëson, "festa" e agjërimit ka qenë, është, dhe mbetet eventi më i vjetër kulturor dhe po aq modern në shërbim të ringjalljes së shpirtit dhe veprës humane të krijesës njerëzore.
Agjërimi është kulturë.


 


Dr. Xhevdet Rusinovci
Dituria Islame 389


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Atmosferë madhështore e Festës së Bajramit në Prishtinë