Virtytet e harruara humane në fokus
Mbjellja e parimeve
Talha, r.a., rrëfen se në kohën e tij kishin qenë dy shokë që e kishin pranuar Islamin në të njëjtin takim para Muhamedit, a.s. Njëri prej tyre kishte qenë më i zellshëm në adhurime, madje kishte shkuar edhe të luftonte, dhe në fushëbetejë kishte rënë shehid. Shoku tjetër kishte jetuar edhe një vit më shumë dhe kishte ndërruar jetë vitin e ardhshëm. Talha tregon se i kishte parë në ëndërr të dy së bashku të ndalur përpara dyerve të xhenetit, duke pritur që të thirren brenda. Për habinë e tij, në fillim e kishin thirrur atë që kishte ndërruar jetë më vonë, ndërsa atë më të zellshmin, që edhe kishte rënë shehid, e kishin thirrur pas tij. Kur ishte zgjuar, ua kishte rrëfyer këtë ëndërr shokëve, dhe të gjithë, sikur ai, ishin habitur, duke qenë se prisnin që më i zellshmi, që kishte arritur edhe shkallën e dëshmorit, të hynte para atij tjetrit në xhenet. Kur i arriti lajmi të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., u drejtua kah ta: "A nuk ka jetuar ky tjetri një vit më shumë dhe në të ka agjëruar Ramazanin? A nuk i ka rënë në sexhde Allahut, xh.sh., më shumë herë se shoku i tij brenda atij viti? Largësia që është mes tyre - vazhdoi ai - është më e madhe se hapësira mes qiellit dhe tokës."(1)
I dashur lexues i këtyre rreshtave!
Ne shpesh herë gjurmojmë në thellësi të librave dhe humbim në dendësinë e transmetimeve, në kërkim të çelësit të fshehtë që i hap të gjitha dyert, të fjalës së fuqishme që çan të gjitha perdet, të veprimit të harruar që peshon shumë rëndë, duke neglizhuar kryesoren, esencialen, parimin që Krijuesi ynë ka mbjellë nëpërmjet teksteve të padiskutueshme dhe të qarta në kuptim: fokusin në farzet e Allahut. Të zhytur në këtë angazhim kërkimi të misterit, harrojmë fjalën e Tij në hadithin e famshëm kudsij, që rrallë kush nuk e ka dëgjuar, ku na tregon shkallët e vlerës së veprimeve që kërkohen prej nesh me qëllim afrimin kah Ai: "Gjëja më e dashur me të cilën mund të më afrohet Mua robi im, janë veprat që ia kam bërë farz."(2) Farzet e Allahut janë veprat më të vlefshme, më të çmueshme, më të fuqishme që e afrojnë robin kah Krijuesi i tij në formën më efektive, dhe duhen parë gjithmonë si prioriteti kryesor në listën e angazhimeve tona. Allahu Fuqiplotë ka futur brenda tyre mënyra të ndikimit në përditshmërinë tonë, që nuk mund të arrihen me veprat tjera vullnetare. Kjo ndërlidhet me kohën, formën dhe përmbajtjen, sasinë dhe cilësinë. Të gjitha këto u japin peshën që nuk e kanë angazhimet vullnetare.
Veprave tona u rritet pesha tek Allahu Fuqiplotë me rritjen e ndikimit që mund të kenë ato në shoqëri. Rasti i dy shokëve që kishin pranuar Islamin së bashku, në të njëjtin çast, në prani të Muhamedit, a.s., dhe që kishin pasur dallim të dukshëm në angazhimin dhe përpjekjen në adhurime, është shembull i drejtë që flet në favor të kësaj hipoteze. Edhe pse personi i parë kishte qenë ngulmues në adhurime, dhe madje kishte luftuar me zell derisa kishte flijuar edhe vetë jetën e tij, tek Allahu, xh.sh., kryerja e farzeve të agjërimit dhe namazit për një vit më shumë nga ana e personit të dytë, kishin peshuar më shumë se sa adhurimet, xhihadi vullnetar, dhe rënia shehid që personi i parë kishte ndërmarrë. Është kështu sepse namazi, dhe në rastin tonë agjërimi i Ramazanit, si farze kanë ndikim shumë më të madh në jetën shoqërore, se sa angazhimet vullnetare. Rikujtojmë se këto adhurime farz, që sahabiu i dytë i bëri një vit më shumë, janë të pranuara tek Allahu, xh.sh., vetëm nëse e kanë efektin e përmirësimit në shoqëri. A nuk thotë Muhamedi, a.s., se "kush nuk e lë të sharën dhe veprën me të, nuk i duhet Allahut që ai ta lë hajen dhe pijen"?!(3) Ndikimi social arrihet më fuqishëm me agjërimin në kohën e caktuar, të kombinuar me namazin e teravive dhe organizimin shoqëror që sjell frymën e veçantë shpirtërore tetë gjithë pjesëtarët e komunitetit, krahasuar me agjërimin vullnetar që nuk ka shumë prej këtyre aspekteve. Prandaj, edhe pesha e Ramazanit dhe çdo farzi tjetër është më e madhe tek Allahu, xh.sh., se sa kryerja e të njëjtave ibadete në formë vullnetare, gjë që e bëri dallimin mes dy sahabëve të ndershëm të përmendur në hadith.
I dashur lexues!
Analiza e shpejtë e këtij hadithi na nxjerr përpara disa konkluzave të padiskutueshme, neglizhimi i të cilave na bën ta humbim qëllimin drejt të cilit na do Islami të orientuar.
Vepra më e vlefshme tek Allahu, xh.sh., çelësi i fshehtë që i hap të gjitha dyert, janë farzet që na i ka bërë obligim Allahu, xh.sh. Farzet janë nisma e procesit të afrimit kah Allahu, xh.sh., ndërsa nafilet janë ato që ofrojnë vazhdimësinë. Që të dyja thelbësore, por hapa që nuk guxojnë të tejkalohen dhe duhet të ndiqen me radhë. Ky është parimi i parë.
Parimi i dytë që mësojmë, është se veprave u shtohet vlera me shtimin e ndikimit që kanë ato në rrethin tonë, dhe ky ndikim me adhurimet farze është më konsistent, më i dukshëm dhe më efektiv se sa me adhurimet vullnetare.
Parimi i tretë është më i rëndësishmi në organizimin e jetës së myslimanit, dhe mund të përmblidhet në fokusin që Islami u bën parimeve, shtyllave, sistemit dhe metodologjisë. Fokusi te Ramazani dhe namazi në hadith, e bën të qartë këtë. Thirrja islame si proces, është një angazhim për të krijuar sisteme funksionale që rregullojnë jetën e myslimanit. Këto sisteme, që rregullojnë aspekte të ndryshme të jetës njerëzore, funksionojnë në bazën e parimeve të sistemit të përgjithshëm islam, që ndërtohet mbi parime dhe shtylla të padiskutueshme, që në terminologjinë islame njihen si farze. Farzet mund të jenë në raportet ndërnjerëzore ashtu siç janë në ibadete. Agjërimi përfaqëson një nga shtyllat kryesore të farzeve në adhurime. Allahu, xh.sh., ka ndërtuar sistemin mbi këto shtylla që, të zbatuara bashkërisht, rregullojnë jetën tonë. Ndjekja e udhëzimeve në këtë proces dhe zbatimi i prioriteve, janë të detyrueshme.
Ramazani dhe virtytet e harruara humane
Ramazani, me agjërimin dhe të gjitha veprimet që përmban, është një buton resetimit për njeriun me të gjitha komponentët e tij. Duke qenë një shtyllë e sistemit të organizimit jetësor të myslimanit, zbatimi i tij në formën që e ka kërkuar Allahu, xh.sh., ndikon në shumë aspekte tek individi, që përkthehen me ndikim në shoqëri. Nga aspektet kryesore te të cilat ndikon ky muaj me agjërimin e tij, është sjellja dhe morali. Numri i cilësive që ai aktualizon dhe stimulon është aq i madh, saqë me të drejtë mund të llogaritet si ringjallës i virtyteve humane tek agjëruesit.
Ramazani stimulon virtyte individuale që fokusohen në zhvillimin personal dhe vetëpërmirësimin, duke filluar nga sinqeriteti, pastaj vetëkontrolli dhe durimi, mirënjohja dhe reflektimi, stimulon virtyte shoqërore që forcojnë lidhjet me të tjerët si empatia dhe solidariteti shoqëror, bujaria (gjeneroziteti). Për hir të hapësirës, duhet ta lëmë trajtimin e virtyteve shoqërore për ndonjë rast tjetër.
Sinqeriteti
Agjërimi është i vetmi adhurim që nuk ka manifestim të jashtëm që mund të vërehet nga të tjerët, dhe kësisoj i ka të mbyllura dyert e rija-së (syefaqësisë). Si i tillë, ai është një adhurim që, në nijetin e tij, mund të ketë vetëm sinqeritet. Allahu Fuqiplotë i pranon vetëm veprat që bëhen sinqerisht për Të, dhe duke qenë se agjërimi është një ibadet i dalluar për nga sinqeriteti nga të gjitha ibadetet tjera, Ai ka thënë në hadith kudsij: "Çdo punë që e vepron njeriu është për të, përveç agjërimit, agjërimi është për Mua dhe Unë për të shpërblej."(4) Kur thuhet "çdo punë është për të (e tij)", kuptimi është se punët tjera kanë një formë të dukshme dhe strukturë të përcaktuar, si për shembull namazi, sadakaja apo haxhi, kryerja e të cilave shihet, mund të matet, dhe kësisoj hyn në një llogari të zakonshme të veprave dhe trajtohen si kapital simbolik i njeriut nga të tjerët, prandaj edhe i atribuohen atij. Por jo agjërimi, agjërimi është ndryshe. Ai nuk ka formë të jashtme. Askush nuk mund ta dijë me siguri nëse ti po agjëron apo jo. Mund të rrish gjithë ditën mes njerëzve dhe, vetëm ti dhe Allahu ta dini se je agjërueshëm. Agjërimi është vepra më e pastër nga syri i njerëzve dhe nga rreziku i syfaqësisë, për dallim nga veprat tjera që mund atribuohen njeriut, dhe të depërtojë tek ai vetëpëlqimi apo syefaqësia. Prandaj, Allahu, xh.sh., thotë: "Agjërimi është për Mua." Jo se veprat e tjera nuk janë për Allahun, por sepse agjërimi nuk futet në logjikën e zakonshme të veprave të matshme, nuk i nënshtrohet të njëjtit rrezik të përzierjes me syefaqësi, nuk mund të trajtohet nga njeriu si kapital simbolik përpara të tjerëve, dhe mbetet adhurim i pastër, i fshehtë, pa ndërmjetës. Për këtë arsye, shpërblimi i tij nuk hyn në matjet dhe formulat tjera "për një - dhjetë sevape" ose "deri 700", por sasinë e shpërblimit e cakton vetëm Allahu, xh.sh.
Si i tillë, agjërimi e mëson myslimanin si ta kultivojë sinqeritetin, që është njësia matëse e vlerave tek Allahu, xh.sh. Në Ramazan njeriu mëson të sakrifikojë vetëm për Allahun, pa e pasur dert vëzhgimin e njerëzve mbi të. Me këtë, ai merr në dorë çelësin e pranimit të veprave të tij në përgjithësi, dhe e trajnon veten për t'i pastruar gjithë nijetet.
Durimi dhe vetëkontrolli
Agjërimi nuk është thjesht abstenim, por është një mjet për ta thyer dominimin e epsheve dhe dominimin e pasioneve mbi arsyen. Sipas studimeve shkencore(5), ai llogaritet një laborator i neuropsikologjisë së vullnetit, që duke shtyrë kënaqësinë e menjëhershme, forcon lobin frontal të trurit që është përgjegjës për vendimmarrjen. Imam Gazaliu, duke u nisur nga hadithi që thotë se "sabri është gjysma e imanit" dhe hadithin e dytë që thotë se "agjërimi është gjysma e sabrit", arrin në konkluzën se agjërimi është një e katërta e gjithë imanit.6 Durimi që ushtrohet gjatë agjërimit nuk është thjesht pritje, por qëndrueshmëri aktive ndaj impulseve bazike njerëzore. Kjo llogaritet si disiplinim i egos njerëzore, dhe e bën myslimanin rezistent ndaj reagimeve impulsive në jetën e tij. Për këtë arsye, jemi të mësuar që nëse dikush na shan apo dëshiron të grindet me ne, përgjigjemi me "unë jam agjërueshëm."
Një agjërues, krahas trajnimit për kultivim të sinqeritetit, nëpërmjet agjërimit trajnohet të jetë i durueshëm dhe ta mbajë vetëkontrollin, cilësi këto të detyrueshme për çdo proces jetësor. Nisur nga kjo, shumë dijetarë e kanë llogaritur durimin si përfitimin më të madh të agjërimit, aq, saqë madje e kanë llogaritur Ramazanin si muaj të durimit. Durimi i mësuar nga ky muaj, i shërben njeriut për menaxhimin e të gjitha situatave me të cilat do ballafaqohet. Sot, në kohën e dinamizmit të shtuar, njerëzit janë shndërruar në robër të reagimeve impulsive, dhe gjëja më e paktë që ke të drejtë ta kërkosh prej tyre është durimi. Zbulimet e reja që sigurojnë shërbime të shpejta, janë duke e mbytur durimin - cilësinë më të vyeshme për zhvillim normal të jetës njerëzore. Ramazani vjen dhe i thotë "stop" kësaj ngufatjeje të arsyes, për t'i thyer prangat e robotizimit material që është duke u ndërmarrë mbi njerëzimin.
Mirënjohja dhe reflektimi
Të gjitha filozofitë që janë marrë me natyrën njerëzore, kanë thënë se njeriu është i atillë që vlerën e gjërave e vlerëson vetëm kur i humbet ato. Për ta shmangur pendesën nga humbja e pakthyeshme, Allahu, xh.sh., si i Përkujdesur ndaj krijesës më të dashur të Tij, e urdhëron atë ta privojë veten nga ngopja e instikteve të tij të brendshme, që ndër të tjera ta ngjallë tek ai ndjesinë e mirënjohjes, dhe ta bëjë të reflektojë mbi mirësitë e panumërta që ia ka falur.
Të ngulfatur nga kërkesat e shumta të jetës, nevoja për t'u zgjuar dhe reflektuar mbi mirësitë mbi të cilat noton secili nga ne, është nevojë e padiskutueshme. Agjërimi vjen si trokitje që e zgjon besimtarin nga kllapia e gafletit, për kristalizuar mendimet dhe qasjen ndaj gjendjes së tij, dhe kërkesave në rritje të vazhdueshme. Ky kristalizim sjell me vete mirënjohje ndaj Allahut, xh.sh., dhe ndjesinë e satisfaksionit me gjendjen tonë, një bazë kyçe për zhvillim të mëtejshëm dhe angazhim dobiprurës për njeriun.
Përfundim
Njeriu në jetën e vet, është në luftë të vazhdueshme për ta ruajtur natyrshmërinë e tij. Forma ideale e organizimit të jetës njerëzore, dhe ruajtjes së natyrshmërisë së individit produktiv në shoqëri, është Islami. Allahu, xh.sh., e nxit njeriun për ta ruajtur dhe zhvilluar këtë sistem në çdo obligim të tij, përfshirë këtu dhe agjërimin dhe ibadetet tjera të Ramazanit.
Agjërimi nxit te njeriu të gjitha virtytet që e bëjnë atë njeri. Sinqeriteti, durimi me vetëkontroll, dhe mirënjohja pas reflektimit, janë lokomotiva e trenit të gjatë të virtyteve që stimulohen nga privimi. Duket sikur sa më shumë privohemi, aq më shumë shtojmë. Pauzimi nga instiktet ia largon perdet arsyes sonë, që të fokusohet diku përtej rutinës së zakonshme të ngrënies dhe pirjes. Agjërimi është rikujtim që e kthen njeriun aty ku e ka vendin, te njerëzorja, te virtyti.
___________________________
1. Ebu Abdullah, Muhammed bin Jezid Ibn Maxheh, Sunen Ibni Maxheh. (Beirut, Dar el-Risale el-Alemijjeh, 2009), v. 5, fq. 78.
2. Muhammed Ismail El Buhari, Sahih el Buhari. (Damask, Ibën Kethir Publishing, 1993), v. 5, fq. 2384.
3. Muhammed Ismail El Buhari, Sahih el Buhari. (Damask, Ibën Kethir Publishing, 1993), v. 2, fq. 673.
4. Muhammed Ismail El Buhari, Sahih el Buhari. (Damask, Ibën Kethir Publishing, 1993), v. 5, fq. 2215.
5. McGonigal, Kelly. Instinkti i Vullnetit: Si funksionon vetëkontrolli, pse është i rëndësishëm dhe çfarë mund të bëni për të pasur më shumë prej tij. New York: Avery, 2012.
6. Ebu Hamid El Gazali, Ihja Uhttn el Diin. (Bejrut, Marifah Publishing), v.3, f. 82.