Një njëri i shtyrë në moshë flet për dëshirat e tij në jetë duke thënë:
Kur isha i ri kisha dëshirë të shkollohem, të punësohem dhe pastaj të martohem! Dhe vërtet pas disa viteve u diplomova, u punësova dhe u martova! Kaluan ditët, javët dhe muajt në prehje dhe qetësi, mirëpo jeta ishte e mërzitshme pa fëmijë! Andaj kisha dëshirë të kem fëmijë, dhe vërtet Zoti më dhuroi fëmijë!
Jeta me fëmijë ishte kënaqësi e madhe, sepse ata janë melekë, veçmas kur ishin të vegjël, andaj shpeshherë thoja:
"Zoti mos lasht shpi pa fëmi, meqë fmija koka shyhreti i shpisë!"
Mirëpo, nuk kalon një kohë e gjatë u mërzita ndërmjet mureve në banesë, meqë fëmijët po rriten, ndaj kisha dëshirë të kem shtëpi komode për fëmijë dhe mysafirë! Kështu vërtet pas një përpjekje Zoti ma mundësoi që të posedojë shtëpi komode dhe kopsht, por fëmijët tashmë u rritën, më pas kisha dëshirë që t'i martojë ata dhe të pavarësohen në jetën e tyre! Dhe, njëmend të gjithë ata u fejuan dhe më në fund u martuan edhe u pavarësuan!
Kështu pas disa dekada pune u lodha nga puna herë e lehtë e më shumë e vështirë, prandaj kisha dëshirë të pensionohem dhe vërtet u pensionova që të pushojë në shtëpinë time modeste!
Më pas kisha dëshirë që të jetojë në qetësi dhe në heshtja, meqë tani jam thuajse në prag të braktisjes së kësaj jete dhe kalimin në botën e përtejme, megjithatë ende kisha dëshira! Dëshirat e njeriut janë të ndryshme dhe nuk kanë të sosur!!
Pas çdo namazi të sabahut, lexoja disa faqe të Kur'anit famëlartë, që ishte një kënaqësi e papërshkruar, ku besimtari flet fjalë të Krijuesit, para se të flet me krijesat! Atëherë më lindi një dëshirë tjetër, që ta mësojë Kur'anin përmendsh, por mbamendja ime ishte dobësuar thuajse krejtësisht, apo siç thotë fjala e urtë: Shkalla e lartë kërkon këmbë të forta!
Më pastaj thoja: Kam dëshirë të agjëroj muajin e Ramazanit, por shëndeti im ishte ligështuar aq sa që nuk më mundëson agjërimin duke marrë medikamente të ndryshme dhe infuzione! Më mbete nostalgji, dikur agjëroja agjërime fakultative, ndërsa sot rënkon zemra dhe rrjedhin lotët për muajin e agjërimit!
Kam dëshirë të fal 20 rekate Teravi në xhami në të cilën jam falur si fëmijë, por tani këmbët nuk më mbajnë, andaj tani më rikujtohet hadithi i Muhammedit savs ku thotë:
"Shfrytëzoji pesë çështje para se të vijnë pesë të tjera: Rininë tënde para pleqërisë, shëndetin tënd para sëmundjes, pasurinë tënde para varfërisë, kohën tënde të lirë para preokupimit, dhe jetën tënde para vdekjes ".
Prandaj, o Zoti ynë meqë trupi më është dobësuar, atëherë më dhuro fuqi në mendje dhe gjuhë që vetëm Ty të kujtoj, të madhëroj dhe më mundëso që fjala e fundit të jetë:
LA ILAHE IL-LALLAH, MUHAMMED RESULULLAH!
Mulaim Shehu