Nuk është nuri në qiell, por nuri në shpirt!

 


Në një fshat jetonte një plak i devotshëm, i cili tërë jetën e tij e kaloi duke kërkuar Natën e Madhe të Kadrit. Çdo vit, gjatë dhjetë netëve të fundit të Ramazanit, ai falej, lexonte Kur'an dhe lutej. Por vitet kaluan dhe ai kurrë nuk ishte i sigurt nëse e kishte përjetuar atë!
Një mbrëmje, kur ai ishte tashmë i dobët dhe i moshuar, nipi i tij e pyeti:
"Gjysh, nga e di se e ke gjetur ndonjëherë Natën e Kadrit?"
Gjyshi qeshi dhe tha:
"Nipi im i dashur, Nata e Kadrit nuk është një natë që mund ta kapësh me duar e as ta shohësh me sy, është një natë në të cilën ndjen se të janë falur mëkatet, se zemra jote është më e lehtë dhe shpirti yt është më afër Allahut".
"Po si e di ti se ka ndodhur me të vërtetë?"- pyet nipi i hutuar.
"Një vit, ndërsa isha në sexhde, ndjeva që pesha e gjithë jetës sime zhdukej. Sikur të më kishin avulluar të gjitha brengat dhe telashet. Ndjeva një dashuri që nuk e kisha ndjerë kurrë më parë - dashurinë e Krijuesit. Atëherë atë natë e kuptova se kisha gjetur atë që kisha kërkuar" - tha i gjyshi.
Pra, mjafton ta ndjesh atë dashuri? - pyet nipi!
Gjyshi vendosi butësisht dorën në kokë dhe tha:
"Nipi im i dashur, mjafton që zemra të gjejë atë që i mungon atë natë - falje, paqe, lidhje me Allahun. Kush e ndjen këtë e ka gjetur Natën e Kadrit."
Nata e Kadrit nuk është vetëm një natë në të cilën falen duart, por një natë në të cilën hapen zemrat. Ai që e kërkon sinqerisht do ta gjejë, edhe nëse nuk e di saktësisht se kur. Shenja më e madhe e Natës së Kadrit nuk është drita në qiell, por drita në shpirt!


 


Përktheu nga boshnjakishtja
Mulaim Shehu


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Atmosferë madhështore e Festës së Bajramit në Prishtinë